Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Balta primitive ballkanike
E diele, 23.06.2019, 04:26 PM
Balta primitive ballkanike
Nga
Ndue Ukaj
Që
tri dekada formalisht e kemi përqafuar demokracinë e rendin perëndimor dhe jemi
shkapë nga barbaritë komuniste.
Por
ku jemi sot?
Sjelljet
e politikës shqiptare vazhdojnë të jenë foshnjore, në Shqipëri e Kosovë, kurse
gjuha e tyre, duket sikur thotë se demokracia perëndimore është përtej
mundësive tona. Ose përtej mundësive të kësaj klase mjerane politike.
E
tri dekada, nuk janë pak, përkundrazi, ne sot do të duhej të ishim më së paku
si Sllovenia.
Ç’kemi
mësuar ne nga demokracia perëndimore?
Rezultatet
janë të dukshme, ndaj përgjigja është e kuptueshme: hiçgjë.
Ndoshta
na duket e mjaftueshme që kemi pasë liri, kemi folë lirshëm për vlera
perëndimore, por këto janë kërkesa minimaliste. Kurse në thelb, nuk është se
jemi përfshirë në rrjedhat reale të demokracisë dhe kulturës perëndimore.
Kemi
mësuar pak apo hiç nga kultura e dialogut, që është thelbi i demokracisë dhe
porta që i shpie popujt ka përparimi.
Kemi
mësuar pak apo hiç nga etika e përgjegjësisë publike.
Kemi
mësuar pak apo hiç nga përgjegjësia që ka njeriu për fjalën publike.
Që
tri dekada, kemi prodhuar karagjozë dhe demagogë me tonelata.
Dhe,
që tri dekada, mërdhezemi, gulçojmë, bërtasim e ndonjëherë bëhemi sikur
përgjërohemi përpara vlerave të demokracisë perëndimore, por krejt sjelljet
tona politike janë në kundërshtim me parimet dhe vlerat e demokracisë
perëndimore.
Dhe
pastaj, natyrisht, gjejmë alibi dhe themi se dikush tjetër i ka fajet për
pazotësinë tonë për të bërë shtet.
Jo,
askush s’i ka fajet. Më së paku Europa.
Para
tri dekadave, të entuziazmuar dhe të shastisur kërkonim të bëheshim si krejt
Europa, por sot e shohim se jo që nuk arritëm të bëhemi si krejt Europa, por
kemi mbetë politikisht më të pa emancipuarit dhe më të shkretit në kontinent.
Pas
tri dekadave, ende nuk kemi arritur të shkundim nga këmbët tona baltën
primitive ballkanike, në të cilën jemi rrëzuar, duke thyer hundë e buzë, por
asnjëherë duke marrë mësim.
Shqiptarët
vazhdojnë ta ëndërrojnë Europën, si një tokë të premtuar dhe për të arritë këtë
qëllim, qindra e mijëra shqiptarë bëjnë çmos të ikin atje, por pak bëjmë që t’i
bëjmë tokat tona të mrekullueshme si krejt Europa. Këtë mund ta bëjmë nesë
vërtet fillojmë të refuzojmë esetikisht dhe aktivisht ndaj të keqes dhe çdo
kompromisi me të.