Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Degradim!
E shtune, 29.06.2019, 08:47 PM
Degradim!
Nga
Ndue Ukaj
Shqiptarët,
më shumë se kurrë sot kanë nevojë të ndalen dhe të mësojnë nga personalitet
kombëtare, nga të tillë që vërtet treguan dashuri për Shqipërinë. E Konica qe
një i tillë. Ai qëmoti na këshilloi:
“Të
përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për
individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin
këtij apo atij shqiptari.” (Albania, korrik 1898)
Shqiptarët
sot janë përballë një rrëmujë të vërtetë politike dhe mendimet e Konicës mund
të shërbejnë si ilaçe në këto ditë të nxehta, kur politika shqiptare është
shpërfytyruar dhe po bënë garën e radhës idiote; garë kjo që nuk ka të bëjë
asgjë me demokracinë dhe shtetin normal.
Shqiptarët
sot nuk duhet të gabojnë, siç kanë gabuar shpeshherë në histori, që për hir të
dashurisë ndaj individit, t’i hapin portat e turpit për Shqipërinë.
Shqiptarët
sot nuk duhet të dëgjojnë as broçkullat e partizanëve politikë, të djathtë e të
majtë, e as të zgjatimit të tyre në media, që për hir të dashurisë ndaj
individit janë të gatshëm të ndihmojnë në hapjen e portave të mjerimit dhe të
turpit për Shqipërinë.
Përballë
këtij realiteti kaq të zymtë politik, të paktë janë ata shqiptarë që nuk ndihen
të turpëruar dhe të poshtëruar deri në palcë për degradimin kaq të madh që i
kemi bërë vetvetes, për shkak të batakçinjve dhe idiotëve të shumtë në
politikë, që kanë qelbë çdo gjë dhe e kanë deformuar e errësuar fotografinë e
kombit tonë.
Prandaj,
njerëz, ndaluni sa nuk është bërë tepër vonë, thirreni arsyen dhe mësoni nga
historia dhe këshillat e vlefshme:
“Demokracia
është dialog dhe dialogu hap portat e paqes”, ka këshilluar nobelisti i madh
Octavio Paz.
Të
gjitha rrugët tjera, nuk janë në funksion të paqes, drejtësisë dhe përparimit.
Një
Shqipëri e tillë, nuk meriton nder, respekt dhe vlerësim ndërkombëtar.