Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Para se ta përdorni Fishtën për ta sharë Europën...
E hene, 22.07.2019, 08:08 PM
Para se ta përdorni Fishtën për ta sharë Europën, lexojeni veprën e tij në plotëni, për ta parë ç’dashuni të madhe ushqen ai për kombin, shtetin dhe për Europën...
Nga
Ndue Ukaj
Gjergj
Fishta ka shkruar një vepër të madhe, letrare dhe publicistike, në të cilën ka
transmetuar dashuninë e pafund për kombin. Po, Fishta i është blatuar dashunisë
për kombin, gjuhën, identitetin, aq sa e tejçon ligjërimin e tij në botën e
përtejme, duke i premtuar Shqipërisë se, “edhe n'vorr ka me parmendë.”
Por,
kjo dashuni, nga bashkëkombësit e tij, nuk është se është kuptuar si duhet.
Ndonjëherë, mund edhe t’iu ketë penguar!
...
Nuk
di të ketë ndonjë rast kur Fishta citohet e përmendet më shumë sesa kur ka
ndonjë mosmarrëveshje apo keqkuptim ndërmjet shqiptarëve dhe Europës.
Dhe,
janë disa vargje të tij, ku ai shpërthen nga pezëm e dhimbja për atdheun e
tkurrur dhe e kritikon ashpër Europën. Ato vargje, të cilat duket se i di
secili shqiptar, përdoren sot e gjithë ditën, për t’i helmatisë shigjetat me
urreje kundër Europës.
Por,
shqiptarët e shkretë në punë të dijes e të leximit, nuk është se e kanë lexuar
sa duhet veprën e tij, sidomos atë publicistike, ku ai flet për tema që lidhen
me shtetin, kombin, raportet me të tjerët, Europën, etj.
Prandaj,
sot, shumë s’e dinë ose s’duan ta dinë se, Fishta në të vërtetë e ka dashtë
Europën, si atdhe të vetin, ashtu siç e ka dashtë Shqipërinë, të cilës i
premtoi se edhe në vorr ka me përmendë.
Për
ma tepër, Fishta ka vuajtë pse Shqipëria nuk është si krejt Europa. Dhe këtë e
ka dëftue në shumë vargje e tekste publicistike.
Po
- ai ka vuajtë shumë- pse shqiptarët janë këputun nga rrjedhat artistike,
kulturore dhe politike të Europës, e vuajtet i ka transmetuar në art, por
sidomos në publicistikë. Prandaj, para se ta përdorni Fishtën për ta sharë
Europën, lexojeni veprën e tij në plotëni, për ta parë ç’dashuni të madhe
ushqen ai për kombin e shtetin dhe për Europën.
E
unë jam i sigurt se, sikur vepra e Fishtës të lexohej përnjëmend, dhe, sikur
shqiptarët të këshilloheshim nga mendimet e tij shumë të vlefshme, qëmoti do të
ishim si krejt Europa, për ç’kauzë, ai luftoi sa qe gjallë me tana fuqitë e
tija shpirtërore dhe intelektuale.
Fishta,
ka shkruar një duzinë shkrimesh fantastike, në të cilat flet me dashuni e
pietet për vlerat e qytetnimin perëndimor dhe për nevojën që shqiptarët të
rihyjnë në vallen e bukur të këtij qytetënimi.
Sot,
po ta shihte Fishta sesi citohen e abuzohen vargjet e tij poetike kundër
Europës, kishte m’u trishtue, e kishte m’e t’ia krisë satirës së ashpër kundër
halldupëve e zuzarëve.
...
Një
intelektual i madh i asaj kohe, Vangjel Koça, duke e parë atmosferën e rëndë
intelektuale, shkruante: “Siberia mendore shqiptare na ka falur shumë kufoma
mendore...”
Për
fat të keq, këto mendime, në jetën shqiptare nuk po vjetrohen, thanë më
ndryshe, po u ngjajnë venës. Sepse, kanë kaluar shumë vite prej kohës kur ka
shkruar Fishta e Koça, por shqiptarët nuk është se kanë evoluar shumë.
Dhjetor, 2018