Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Kujt i duhet një shoqëri me edukim gjysmak?
E marte, 16.07.2019, 08:43 PM
Kujt i duhet një shoqëri me edukim gjysmak?
Nga
Ndue Ukaj
Ne
një vend normal, sa herë që bëhen debate të ndjeshme, që lidhen me arsimin,
universitetin, institucionet e dijes, kulturën, librin e fushat tjera
esenciale, ministrat dhe kryeministrat, zakonisht preferojnë të heshtin,
shfaqen në publik të përmbajtur dhe këto çështje ua lënë në duar
profesionistëve. Por te ne ndodh krejt e kundërta. Ministra, kryeministra,
çohen peshë dhe nuk lënë gjë pa komentuar, ndonëse kapacitetet e tyre në këto
fusha janë të mjera. Kjo mund të jetë edhe pasojë e profesionistëve gjysmakë që
kanë vërshuar në jetën publike, si dhe shprishjes së rendit të vlerave në
shoqërinë tonë!
Sidoqoftë,
problemi i edukimit, është shumë më i thellë dhe shumë më esencial seç duket.
E
pyetja e pashmangshme që shtrohet është: Kujt i shërben një shoqëri me edukim
gjysmak?
Dhe
përgjigjja është e qartë: një elite politike gjysmake, të shkretë në punët e
dijes dhe të kulturës, me plot hendeqe, i duhet një shoqëri me edukim gjysmak,
ndaj edhe bënë çmos që ta mbajë universitetin dhe dijen nën kthetra politike.
Vendimi
për mbylljen e tre universiteteve, ndonëse është i një rëndësie të posaçme dhe
prioritare, përshkohet nga turfullima dhe gulçima publike. Pa dashur të gjykoj
rreth vendimit, për mua të habitshme janë reagimet. Në këtë aspekt, ajo që më
bëri përshtypje më shumë se turfullimat tjera, ishte një deklaratë çoroditëse e
kryeministrit rreth vendimit për t’i mbyllur tre universitete, një deklaratë që
do të duhej ta shtangte çdo njeri normal. Sepse, ajo deklaratë tregon qartë sa
të ndërlikuara janë problemet e shoqërisë sonë dhe sa pak vullnet ka për t’i
rregulluar ato.
Dihet,
asnjë shoqëri, deri me sot nuk është zhvilluar pa arsimi, pa libra dhe pa
edukim të njëmend. Te kjo forcë emancipuese janë shpresat e fundit- krejt të
fundit- prej ku mund të pritet, një ditë, mëkëmbje shpirtërore dhe ekonomike e
Kosovës së dërmuar, ndaj, të mbash shkolla dosido më shumë i bënë dëm sesa dobi
shoqërisë.
Duke
i futur duart kaq thellë në universitet, duke kontrolluar çdo gjë, duke
punësuar gra e burra, militantë, vëllezër e motra dhe çka jo tjetër,
universitet tona janë kthyer, siç thotë një mik i imi, në ente sociale, të
ngjashme me entet sociale që trajtojnë papunësinë në perëndim.
Përgjatë
këtyre dy dekadave prej kur jemi të lirë, para syve tanë janë shfaqur gjithfarë
anomalish dhe marrish të pashembullta që brumin e kanë patur te universiteti.
Dhe universitetet, në vend që të prodhojnë lajme të mira dritëdhënëse, kanë
prodhuar tensione e lajme të këqija. Dhe kjo ka bërë që dija të
deinstitucionalizohet dhe padija të institucionalizohet. Sepse, universiteti si
koncept, ka humbur forcën morale për të çuar përpara kauza diturore, të
emancipimit dhe kulturimit. Përkundrazi, universitet tona janë kthyer në çerdhe
militantësh e të paditurish, ku është certifikuar dhe vazhdon të certifikohet
mediokriteti, me letra të quajtura diploma e tituj të pafund.
Aspak
më mirë nuk është gjendja në shkollat private, të cilat, ashtu sikurse gjitha
universitetet që janë mbjellë nga politika dhe për interesa politike, duhet të
mbyllen. Atyre, ndonjëherë mjafton t’ua lexosh shpalljet me plot gabime logjike
e drejtshkrimore, për t’i kuptuar krejt defektet tjera.
Derisa
po lexoja nëpër botën e hallakatur të internetit për çështjen e mbylljes së
universiteteve, m’u kujtua shkrimtari meksikan, David Toscana që shkruan për
edukimin gjysmak dhe rrezikun që i vjen një shoqërie nga fenomeni i tillë,
sidomos kur shkollat kthehen në fabrika që prodhojnë punëtorë. Ai më tej shton:
“Ne e dimë se librat u japin njerëzve ambicie, shpresa dhe dinjitet.”
Natyrisht,
një qeveri që udhëheqë me koncepte primitive, ku vlerat janë të shpërfytyruara,
nuk mund të ndihet komode në një vend ku njerëzit kanë ambicie, shpresa dhe
dinjitet, dhe ku leximi është krye tema e shoqërisë, ndaj, pushtetarët tentojnë
t’i kontrollojnë këto fusha me rëndësi vitale për shoqërinë. Në këtë mënyrë,
ata konsolidojnë pushtetin e tyre dhe te universiteti shohin zgjatimin e jetës
së tyre.
Ata
që e kanë lexuar “Don Kishotin” e Servantesi- këtë vepër kapitale të
njerëzimit- e dinë mirë se heroi i kësaj vepre besonte se po ndreqte
prapështitë e botës, duke luftuar me mullinjtë e erës. Fan Noli thoshte se,
librat Don Kishotit ia kishin shtrembëruar mendjen.
Pa
dyshim, shkollat e këqija, njerëzve ua shtrembërojnë mendjen. Sepse, dihet, një
shkollë e keqe i deformon njerëzit dhe ne kemi plot shkolla të këqija.
Lidhur
me këtë temë, ja çfarë shkruante At Paulin Margjokaj, te libri "Kush janë
anmiqtë e Shqipnisë":
“…A
krijoi shteti shqiptar shkolla qi me e prue lumninë Shqiptarëvet? Njerëzve të
shtetit tonë nuk u ra kurrkund nder mend se perparimin nuk mund e japë nji
shkollë çfaretdo: ka shkolla qi bijnë shkatërrim e qi bijnë ma fort dam se
dobi. Shteti shqiptar nuk çeli shkollat qi do të kishin mujtë me i pru lumninë
popullit e qi përkojshin me gjendjen e vendit”.
Ne
tanimë e kemi provuar se shkollat dosido, më shumë bëjnë shkatërrim sesa dobi.
Ndaj,
nëse duam të jemi të sinqertë me vetveten dhe sidomos me breznitë që do të
vijnë, e të cilat do të na gjykojnë, duhet ta pohojmë me zë të lartë se, universitetet
e hapura pas luftës në Kosovë, nuk janë hapur për qëllime diturore e as pse ka
patur nevojë. Ato janë hapur për interesa krejtësisht politike, për të rehatuar
militantë e servilë të partive dhe si të tilla, duhet të mbyllen.
Dhe
kjo duhet të bëhet për një qëllim të lartë, sublim: të mos ua shtrembërojmë
mendjen të rinjve tanë dhe të mos krijojmë mediokritet me diploma. Sepse,
askush më lehtë se shkollat dhe universitet e këqija nuk mund ta betonojnë të
keqen në një shoqëri.
Sot
për sot, fuqitë tona diturore, krijuese, shkencore e edukuese, janë të pakta
dhe kjo gjë nuk mund të fshihet, për aq sa nuk mund të fshihet dielli me
shoshë.
Duke
humbur betejën për arsim cilësor, dije e librin, ne kemi humbur forcën kryesore
drejtpeshuese në shoqëri, pa të cilën shoqëria mbetet më pak humane dhe
lehtësisht bëhet instrument i politikës.
Prandaj,
sot për sot, shërbim më të mirë vendit tonë mund t’ia sjellim duke e kthyer
arsimin në binare normale.
Në
këtë drejtim, për mua, më shumë ka vlerë taksa ndaj injorancës, sesa ndaj
Serbisë. Sepse, duke fituar betejën me injorancën dhe edukimin gjysmak, ne i
garantojmë Kosovës prosperitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen.