Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Anomalitë ligjërimore të Albin Kurtit
E marte, 17.09.2019, 07:40 PM
Anomalitë ligjërimore të Albin Kurtit
Nga Ndue
Ukaj
Për
mua, formimi kulturor i një udhëheqësi është parakusht themelor për të kuptuar
formimin e tij politik, dhe rrjedhimisht, edhe synimet e tij politike.
Dje,
duke parë gulçet, dokrrat dhe retorikën boshe të Albin Kurtit, ndër të tjera
kam vërejtur disa anomali të mëdha kulturore, që për mua nuk janë periferike,
por ontologjike dhe shumë të rëndësishme për t’i kuptuar edhe synimet e tij
politike e ideologjike.
Kur
u pyet se cilat janë figurat më të mëdha kombëtare, ai nuk e përmendi Gjergj
Kastriotin, figurën qendrore të kombit shqiptar, por përmendi tri figura tjera
(Sami Frashrin, Fan Nolin dhe Ukshin Hotin). Pa dyshim, te tria këto figura
janë më peshë në historinë shqiptare dhe zënë vend të rëndësishëm, por asnjëra
nuk mund të vendoset në qendër të historisë shqiptare.
Sa
për dijeni, Fan Noli, në qendër të historisë kombëtare e ka vendosë kryezotin
tonë.
Ndërkaq,
kur u pyet se cili është shkrimtari më i madh shqiptar, ai u përgjigj Ismail
Kadareja. Por edhe këtu del në pah një anomali tjetër: si mund ta vlerësosh
Kadarenë si shkrimtarin më të madh shqiptar dhe të mos e vendosësh Gjergj
Kastriotin në qendër të historisë kombëtare. Kadareja, në veprën e vet, Gjergj
Kastriotin e ka vendosur në themelet e kombit shqiptar dhe në qendër të
historisë kulturore shqiptare. Sa për kujtesë, te libri “Mosmarrëveshja” ai
shkruan:
“Gjergj
Kastrioti i duhet Shqipërisë, jo si luks, por si gur i themelit. Koha e kishte
treguar se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të.” Këtë
përmasë dhe këtë dimension të figurës së tij, e hasim në veprën letrare të
Kadaresë, por edhe në atë eseistike, ndaj, me të drejtë shtrohet pyetja: si
mund ta përjashtosh Gjergj Kastriotin nga figurat kryesore kombëtare dhe në të
njëjtën kohë të thuash se Kadarenë e vlerëson si shkrimtarin më të madh
shqiptar?
Me
këto qëndrime kundërthënëse, lideri i VV-së, mua më është dukur si një njeri që
ka një fytyrë të vërtetë dhe disa të rreme.
Kurse,
në pyetjen tjetër se cilat sipas tij janë tri figurat më të negative të kombit
shqiptar, ai u përgjigj:
“Esat
Pasha, Rrahman Morina dhe i treti është i gjallë dhe ju e dini”.
Në
këtë përgjigje, ka diçka të frikshme dhe kjo rrjedhimisht e shtron pyetjen:
Mos
deshi Kurti t’i amnistonte kobet e komunizmit, për të cilat ka shkruar edhe
shkrimtari i tij preferuar, Kadareja?
Kjo
përgjigje, mos është mostër treguese e orientimit të tij ideologjik?
Kjo
përgjigje, si e tillë fsheh kurthin i tij ideologjik dhe ngashërimi kah e ngreh
litarin. Në të njëjtën kohë, me këtë përgjigje, ai tregoi qartë se ngjyen në
tryezën komuniste, gjë që mund të kuptohet edhe nga përpjekja e tij për të
shtetëzuar çdo gjë.
Pra,
dje, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në emisionin T7, për mua më shumë
tingëlloi si një komisar i neveritshëm sesa një kandidat serioz për
kryeministër.
Kosova,
para se gjithash ka nevojë për udhëheqës që dinë të tregojnë sa mund ta duan
vendin dhe jo sa mund ta urrejnë tjetrin.
Duke
e gjykuar dhe aspak paragjykuar ligjërimin e tij politik, rezulton se synimet e
tij politike dhe pushteti që ai e kërkon, më shumë kanë qëllime ideologjike
sesa politike.
Kurti,
duke e poetizuar banalisht politikën, nuk po arrin t’i jep domethënie idesë së
tij për pushtet. Si i lexuar që është, ai duhet ta di se “nuk ekziston asnjë
pushtet që të ketë apriori domethënie dhe vlerë. Ai merr domethënien e vet
përmes njeriut që ndërgjegjësohet për këtë pushtet, që vendos për të, e kthen
në veprim, pra që merr mbi vete përgjegjësinë", shkruan dijetari dhe
filozofi gjerman, Romano Guardini, te libri "Fundi i kohës moderne,
pushteti". Kurti, deri me sot, nuk e ka treguar një gjë të tillë.
Mbrëmë,
duke e parë si fliste ai dhe si ia mbushnin hambarin analistët politikë
përballë tij, më është kujtuar Faik Konica i ditur, i cili qëmoti ka
këshilluar:
“Të
përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për
individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin
këtij apo atij shqiptari.” (Albania, korrik 1898).
Po,
shqiptarët e Kosovës, të cilët në fillim të tetorit do të vendosin për
orientimin e tyre politik, nuk kanë nevojë të bëhen naiv dhe ta presin Mesian e
as të ushqejnë dashurinë për individin.
Është
koha të shërohemi nga kjo dashuri.