Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Merimanga kombëtare
E hene, 25.11.2019, 08:14 PM
Merimanga kombëtare
Nga
Ndue Ukaj
Át
Gjon Shllaku, një erudit i pushkatuar nga regjimi barbar i Enver Hoxhës, në
librin e tij të vlefshëm “Shqiptari-Frati-Shqipnia”, ka një shkrim me titull
“Nuk dijm shka duem, pse nuk duem shka dijm”, ku sjell para lexuesit një
ngjarje që lidhet me kohën e pushtimit austro-hungareze në Shqipëri. Ai tregon
për një tregtar shkodran, të cilin një ditë e kishte vizituar një oficer
austriak. Dhe ky ankohet para
oficerit
sesa poshtë kishte mbetë Shqipëria në gjitha pikëpamjet, në krahasim me të
gjitha shtetet e Ballkanit.
“Do
t’a dijsh zotni, - i a pritëka tregtari- se asht Turku qi për katërgjint vjetë
e ma shumë nuk na la kanë me çue krye e perparue”- dhe vazhdoi t’ia shpjegonte
gjendjen e gjatë të vuajtjeve të kombit shqiptar, kurse oficeri austriak i
drejtohet:
“Asht
e vërtetë gjithëshka thoni Ju, por njatë pluhurë marimange që po e shoh njatje
në skaj të murit a thue ndoshta Turku i Aizis nuk të ka lanë me e hjekë prej
andej?”
Me
siguri, pas kësaj bisede të pakëndshme tregtari ka mbetë i habitur dhe pa
fjalë. Ka patur mundësi ta pastronte merimangën ose të vazhdonte me të njëjtën
logjikë, të akuzonte tjerët për prapambetjen e vendit të tij. Kurse, Át Shllaku
shkrimin vazhdon, duke thënë se, “vendi ynë është mbushë me këso merimangash që
me pluhurë të veta e kanë mbulue kryekëput shpirtin e shqiptarit e vijon
gjithnjë me endë lirisht në trollin e Shqipnis.”
Secili
shqiptar e di se trojet e tyre - edhe sot - janë të mbushura me këso merimanga,
të shpërndara kudo, më së shumti në ato institucionet përgjegjëse udhëheqëse që
janë të ngarkuara me detyrën për t’iu rregulluar jetën shqiptarëve, ekonominë
dhe kulturën e përgjithshme: te daljes nga letargjia dhe prapambeturia.
Shqiptarët
e trullosur vazhdojnë të jetojnë në mjerim, me shërbemë publike minimale, të
sakatosur dhe të ligështuar, pa parë ndonjë dritëshpresë në tunelin e errët ku
janë katandisë. Dhe arsyet e kësaj gjendje, nuk janë diku tjetër, larg nesh.
Ato janë brenda nesh. Janë si ajo merimanga e tregtarit, që ndodhet prapa kokës
sonë ose në kokën tonë, por të cilën nuk duam ta shohim.
Pa
dyshim, ka edhe faktorë tjerë, kryesisht historikë, që kanë penguar emancipimin
dhe zhvillimin tonë, siç janë pasojat e rënda nga sundimi barbar osman, ai
komunist dhe serb, që kanë lënë vragë të thella në ndërgjegjen kombëtare.
Por,
ka dekada prej kur shqiptarët jetojnë të lirë dhe s’ i pengon askush të heqin
merimangën, por ata nuk kanë ndonjë faktor që mund t’ iu jap forcë, dije,
qëndrese, shpresë, dashuri për vendin, për të kërkuar rrugën e humbur drejt
emancipimit dhe lartësimit kombëtar.
Kjo
mbase mund të jetë arsyeja pse shqiptarët kudo i dëgjon, duke humbur kohë me
debate për arsyet e mjerimit tonë, por që s’duan të dëgjojnë ose ta shohin
merimangën prapa kokës së tyre.
Sot,
klasa drejtuese shqiptare është me dije të cektë, me kapacitete të kufizuara
intelektuale dhe i mungon dashuria për atdheun. Them me dashuri të munguar,
sepse, udhëheqësia shqiptare, veç parullave patriotike të qullta, nuk ka
treguar vizion dhe s’ u ka dhënë shqiptarëve dinjitet dhe liri të brendshme. Sepse,
patriotizëm është të lartësosh dinjitetin e qytetarëve të vendit tënd dhe jo të
rrahësh gjoksin për tema të mëdha. Duke u marrë me tema të mëdha, kjo
udhëheqësi e ka varfëruar popullin shqiptar dhe ka “harruar” se nuk është
krijuar njeriu për shtetin, por shteti për njeriun. Sepse, shteti, parasë
gjithash janë njerëzit. Kjo shprehje proverbiale ka rrjedhë biblike dhe është
postulat i shteteve moderne dhe humane.
A
ka ndonjë faktor që vërtet kërkon të hiqet kjo merimangën nga jeta kombëtare?
Nëse
e marrim për bazë si flasin dhe si shkruajnë shqiptarët, si sillen mediat dhe
institucione e dijes në raport me drejtuesit politik, mundemi me thanë se, ata
nuk bëjnë asgjë më shumë sesa ia zgjasin jetën kësaj klase të padenjë për të
udhëheqë një komb, dhe, kjo të shpie te përgjigjja negative lidhur me pyetjen e
mësipërme.
Duke
u marrë kaq shumë me tema të mëdha, kjo klasë politike e ka goditë fort
dinjitetin e njeriut, duke e tkurrë deri në hiçgjë, duke ia grabitë shpresat,
lirinë e brendshme dhe kjo është arsyeja pse sot shqiptarët kudo i sheh të
plogësht e të pashpresë, duke mos dëgjuar kënd të thotë: lum unë për vendin
tim. Përkundrazi, ata përditë i dëgjon tek thonë: mjerë ne për vendin tonë ose
ne nuk vlejmë asgjë… Po, sepse kjo klasë udhëheqëse, shqiptarët i ka lënë pa
shpresa, të varfër, të papunë, të pa dinjitet, prandaj, rruga e emancipimit për
t’u bërë pjesë e botës së qytetëruar, tani për tani duket e humbur. Prandaj
duhet të vetëdijesohemi dhe t’i heqim merimangat që gjenden kudo, para dhe
prapa nesh.
2 shkurt 2019