Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Shqiptarët e çakërdisur
E shtune, 14.12.2019, 10:05 AM
Shqiptarët e çakërdisur
Nga
Ndue Ukaj
Shqiptarët
e sotëm nuk vuajnë prej ndonjë armiku të jashtëm, si dikur, as nga padija, siç
tregonte Pjetër Bogdani në librin e madh, “Çeta e profetëve”, por ata vuajnë
për shkak të mosmarrëveshjeve dhe keqkuptimeve të tyre të brendshme, dukuri
këto që kanë shkaktuar urrejtje e çarje të mëdha kombëtare. Si rrjedhojë e
kësaj, hapësirat shqiptare janë vërshuar nga gjithfarë idesh, interesash e
ideologjish.
Është
më se e qartë se shqiptarët e sotëm kanë sendërtuar shumë aspirata të quajtura
historike, por ata nuk janë aspak të lumtur. E ndodh shpeshherë që në atdheun e
tyre të shfaqen të trishtuar, madje, duke e konsideruar si atdhe të përkohshëm,
dhe kjo ngjet, meqë ata ballafaqohen me liri fizike, por pa liri të brendshme -
pra pa liri që jep fryte - dhe me mungesa banale, duke filluar nga rryma, uji,
buka, shëndetësia, infrastruktura, etj.
Shqiptarët
e sotëm ballafaqohen me shumë mosmarrëveshje dhe ato janë pasojë edhe e
trashëgimisë së keqe osmano-konuniste, në të cilat periudha, shqiptarët u
edukuan si të mos e duan shtetin e tyre dhe si t’u shërbejnë të tjerëve me
dredhi, duke përfituar për interesa të ngushta personale, në dëm të interesave
të përbashkëta.
Gjatë
këtyre viteve të quajtura të tranzicionit, shqiptarët e sotëm janë stërlodhur
dhe tani duken të ligështuar e të mbërthyer nga ndjenja të fatalitetit dhe të
urrejtës, prandaj kudo dëgjon gulçe, rënkime dhe të tillë që të dëshpëruar
thonë: ne nuk jemi më të zotët se kaq ose kaq vlejmë ne.
Kjo
është lëngatë e vërtetë dhe kjo kërkon kurim urgjent dhe të vërtetë.
Në
anën tjetër, mendësi ka bërë që në hapësirat shqiptare, të dëgjosh të flitet e
të shkruhet për gjithfarë interesash e temash, duke filluar nga ato më banalet,
deri te temat e mëdha globale, por pak ose aspak të flitet për interesa të
natyrshme kombëtare shqiptare. Madje, shqiptarët e sotëm, nuk e kanë të qartë
nëse kanë interesa kombëtare, të tilla që lidhen me ekzistencën, gjuhën,
kulturën, historinë dhe identitetin e tyre, por edhe të tilla që tejkalojnë
hapësirat e tyre të ngushta politike dhe që lidhen me ato gjeopolitike
universale.
Duke
e lënë anash dalldinë patriotike, gërvalljet dhe ulërimat, shqiptarët e sotëm
nuk kanë strategji të qartë për interesat e tyre – përkundër faktit se e shohin
përditë përpara tyre botën e trazuar gjeopolitike - ku gëlojnë gjithfarë
interesash e idesh, e ku mjegullnaja bëhet gjithnjë e më e dendur dhe e bën të
vështirë dukshmërinë e rrugës kah po rrugëtojnë.
Shqiptarët
e sotëm mund të ankohen në shumëçka e për shumëçka, por ata askush nuk mund t’i
ndalojë që të bëjnë gjëra të thjeshta, në tema që lidhen me ekzistencën
shpirtërore e kulturore. Për më tepër, ata askush s’i pengon që t’i
harmonizojnë objektivat dhe synimet kulturore, përveç shpirtngushtësisë, inferioritetit
dhe arrogancës, herë të Tiranës e herë të Prishtinës.
Faik
Konica, në vitet e para të pavarësisë kombëtare, teksa shihte shqiptarët e
çakërdisur e të habitur, thoshte se atyre u duhej të formonin ndërgjegjen
kombëtare, kurse i dituri Anton Harapi, kërkonte naltimin e saj. Pa dyshim, një
detyrë të tillë, dikur e bënin me shumë dashuri mendimtarët dhe iluministët
shqiptarë të viteve të 30- ta, ku shquheshin Konica, Merxhani, Fishta, Noli,
Frashëri, Harapi e shumë të tjerë, të cilët kishin vetëdije të lartë
intelektuale dhe qytetëruese. Dhe sot ata përfaqësonte një elitë shembullore,
që mund të shërbejë si oksigjen për të pastruar ndërgjegjen tonë dhe llumin që
s' na lë të bashkohemi drejt synimeve të përbashkëta.
Pra,
shqiptarët e sotëm kanë shumë sfida e punë për të bërë, por detyrë parësore e
tyre është lartësimi i ndërgjegjes kombëtare, prej të cilës vjen besimi te
vetvetja dhe te shteti.
Dihet,
asnjë popull nuk mund të gjejë rrugën e lartësimit dhe të përparimit, pa qenë i
bashkuar dhe i lidhur fort me traditën e përbashkët. Por, lartësim i
ndërgjegjes nuk mund të bahet me batakçinj, tufa shkretanësh e arrogantë të
paditur. As me opinion publik të çoroditur dhe pa etikë kombëtare e
profesionale, as me koncepte të ngushta provinciale e nepotike, e as me
ngashërim për të përthithur me lehtësi çdo gjë që vjen nga jashtë.
Zakonisht,
sa herë ka ditë të shënuara kombëtare, shqiptarët e sotëm i mbërthen zjarrmia
patriotike, shfaqin mall e dashuri, por kjo zgjat shumë pak. Aq sa zgjat festa,
ndërkaq, të nesërmen, vazhdojnë avazin e vjetër, të urrejtjes e të mosdurimit
për njëri-tjetrin. Dhe bëhen të egër, mohues, përjashtues, duke përbuzë çdo
kënd, historinë dhe vetë idenë për çka flasim e shkruajmë.
Shqiptarët
e sotëm s' do të mundë t' i hapin portat e përparimit përsa kohë nuk do të
guxojnë të thonë me plot gojën: nuk është turp që të duash vendin tënd,
historinë dhe kulturën tënde, e sidomos njerëzit e tij. Përkundrazi, është
virtyt i lartë, vlerë dhe shenjë e lartë qytetarisë dhe rruga që të shpie kah
përparimi. Por kjo nuk domethënë se nuk duhet gjykuar e kritikuar veset e liga,
ndaj të cilave duhet të krijojmë kamp human.
Në
këtë drejtim, një nga detyrat parësore të shqiptarëve të sotëm është që t’i
mësojnë breznitë e reja që ta duan vendin e tyre dhe të guxojnë një gjë të
tillë ta thonë ballëhapur. Në këtë aspekt, udhëheqësit, njerëzit që shkruajnë
dhe flasin, institucionet edukuese, kanë përgjegjësi jetike e historike, për
ç’gjë nesër do t’i gjykojë historia, përballë se cilës nuk do të mundë të
shfaqen me maska e as me pushtet.
Shqiptarët
e sotëm jetojnë të lirë dhe kjo liri duhet të jep fryte, ndryshe, askush nesër
nuk do t’i falë për pazotësinë për të lartësuar kombin dhe dinjitetin e tij.
Askush nuk t’i amnistojë prej pazotësisë për të hyrë të respektuar dhe me
dinjitet në mesin e kombeve të përparuara.
Shqiptarët
e sotëm nuk duhet të vegjetojnë, shajnë, ulërijnë e gulçojnë kundër
njëri-tjetrit, sepse kështu veçse do ta zgjasin amullinë e brendshme dhe do të
vazhdojnë të mbesin të prapambetur e të parespektuar. Ata duhet të bëhen
kreativ dhe të lexojnë shenjat e kohës. Është koha është që të bëhen të
vërtetë, të vetëdijshëm se e vërteta ndonjëherë të torturon, por është rruga e
vetme kah përparimi.