Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Kriza e njeriut me identitet të humbur
E shtune, 25.04.2020, 11:22 AM
Ndue Ukaj:
Kriza
e njeriut me identitet të humbur shkakton çarje e çaraveshje të madhe
shpirtërore. Ja çka shkruan shkrimtari Erich Maria Remarque për sojin e këtij
njeriu: "Kur është i tredhur, njeriu nuk i takon më asnjë kombi. Ai bëhet
kozmopolit".
Kjo
historia jonë e mohimit lidhet me çekuilibrat identitar dhe relativizmin e
kollajtë të gjithçkasë. Njeriu bëhet mohues i historisë, figurave themelore
kulturore e identitare, përqurret pas çdo letre ku fabrikohen gjysmë të
vërteta, flet për të gjitha temat e mundshme, me retorikë të egër dhe boshe,
duke konstruktuar argumente ideologjike...
Prandaj,
e kam thënë dhe vazhdoj të mendoj se kriza e jonë më serioze, nuk është e
natyrës politike, por para së gjithash është identitare. Kjo krizë i shkakton
edhe krizat politike, mosbesimin, mosdurimin, manitë, pazotësinë për t' u
bashkuar rreth të mirës së përbashkët.
Kjo
krizë e ka molepsë dhe e ka ligështuar moralisht njeriun tonë, e ka zvetënuar
dhe ka tkurrë besimin e tij, aftësitë për të gjykuar drejt dhe për të dashur
vetveten përpara se t' i dojë të tjerët.
Po,
kriza jonë, i ngjan krizës së njeriut me identitet të humbur, që e tundin edhe
stuhitë ma të lehta. Ai zgjohet si nacionalist, paraqitet modern e perëndimor,
ditën e bën si kozmopolit, natën si oriental...
Ky
soj njeriu lehtësisht përbuz dhe mohon Kastriotin, shpërfill kulturën
autoktone, vuajtjet e shqiptarëve nën sundimin osman, justifikon sundimin barbar,
shpreh dashuri për armiqtë e dikurshëm. Dhe pastaj, rrëfimi bashkëkohor
nënkuptohet: SHBA- të janë si Perandoria Osmane...e gjepura të tilla.