E marte, 19.03.2024, 09:30 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Përshëndetje buzëqeshjesh

E hene, 09.09.2019, 07:31 PM


Përshëndetje buzëqeshjesh

Nga Blerim Rrecaj

Duke u çu' dikush nga karrika e autobusit, në lëvizje, kemi një përshëndetje me buzëqeshje, e dikush që ulet pranë në karriken që u lirua, përsëri kemi rrezatim buzëqeshjesh përshëndetëse. Si shenja të mira për ta vazhduar ditën. Vazhdojmë secili pikëstacioneve tona. Udhëtojmë në heshtje e duke biseduar, duke ndërruar ndonjë fjalë. Koha ka ndryshuar. Edhe moti. Edhe moti. Sot fryen erë. Qielli është hirtësuar e bardhësuar. Dikush mban e vërtit një çadër, dhe e var gypin mbajtës të autobusit që ngjan si degëzim qarkullimi i gypave të nxemjes qendrore. Edhe sot këtë autobus ngjyrëverdhë përjashta e ngjyrëhirtë përbrenda e nget kjo shofere. Konduktori merr paratë, dhuron biletat, e sheh biletat mujore të udhëtarëve. Në rrugë qarkullojnë edhe taksi të shumta, dhe ngasësit nguten për të parakaluar qoftë autobusët, qoftë kolegët, për të "rrëmbyer" udhëtarët, e për të fituar diç më tepër, në këtë jetë të ashpër me konkurrencë të egër. Ndërkohë dikush numëron paratë që sapo nxori te ky bankomat skaj këtij stacioni. Vijon jeta me vazhdimin e tik-takeve të kësaj dite. Si të flisnim për farë mbledhje qeverie, redaksie, ndërmarrjeje, partie a kushediseçfarë, na shkon mendja për pikat kryesore të rendit të ditës, qoftë kjo zyrtare a intime.

Kafenetë të mbushura me bashkëpartiakë, me biseda, plane për të korrur suksese, për të na kujtuar dikë që dëgjuam fëmijëve kështu duke u recitiar:

Më ka çu hardhuca letër

Hajde me u pajtu!

Ik moj hardhucë

Me ty jam hidhëru!

Hapem e hapem,

Mbyllem e mbyllem;

Hidhërohem, hidhërohem,

Në fund përqafohem!

Politikë të raftë një pikë, thotë Mustafa Greblleshi. Po ka dhe biseda të këndshme e me vlera, njerëzish e dashamirësh të etur e të uritur për të mirat, të bukurat, të mbarat. Ata që s'i zuri stadiumi u bënë strehë edhe kafenetë, për të parë e shijuar fitoren e Kosovës së pamposhtur. Po gjatë festës, e neveritshme duke parë duke u munduar t'i bashkohen festës dhe politikanë aspak burrështetas, keq që u valvitën dhe flamuj partiakë. Futbollisti Altin Lala mirë ka thënë: "Politikanë, rregulloni Shqipërinë, pastaj futbollin!"

Dikush nxjerr nga xhepi para metalike për t'ia dhuruar lypësit të lodhur.

E dy të rinj ulur në ulësen publike në hyrje të sheshit, aty ku përkarshi rrijnë tabelat: "Zahir Pajaziti" e "Nëna Terezë", hanë shtalba të pjekur, blerë aty përskaj, dhe ca kokrra ua hedhin edhe harabelave që tashmë sa vijnë e shtohen. E te ky shtalb i zier, me vetëm pak kokrra që i mungojnë në mes, skaj kësaj rruge malore, vije çukit e ikën ky zog Gërmie. E shtrirë jo në shtrat por në këtë shpat, në kokërr të shpinës, me duar nën kokë, me fytyrë kah qielli, veç kur një pikë shi bije në sy, pikërisht aty ku zë fill rrjedha e lotëve. Pas një pushimi që do të duhej të zgjaste edhe pak, ringriteni për të ecur, duke 'cak-ur' duart me fëmijën që zgjat dorën për këtë qëllim, e të kënaqur duke u përshëndetur pa fjalë po me buzëqeshje...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora