Kulturë
Vlash Prendi: Mall dhe brengë
E enjte, 05.09.2019, 08:00 PM
MALL DHE BRENGË
Rreth
librit “Korbi i Aleksandrit” të autorit Ded Rramani
NGA
VLASH PRENDI
Letërsia jonë,
sidomos ajo dokumentare është karakterizuar nga lidhja e saj e ngushtë me
folklorin dhe traditën. Pasuria artistike dhe rrëfimtare e popullit tonë ka
tërhequr gjithnjë vëmendjen e krijuesve dhe njerëzve të kulturës për të
shfrytëzuar me finesë arstistike subjekte të ndryshme dhe për t’i dhënë
lexuesit krijime të bukura me vlera edukative. Sot subjektet e marra nga
folklori, ose rrëfimet popullore kanë një ndikim të admirueshëm dhe të ndjeshëm
në krijimtarinë artistike. Kështu ndosdh edhe me shkrimtarin Dedë Rramani i
cili sapo ka dalë para lexuesit me librin e tij të tretë “Korbi i Aleksandrit”
–Tiranë 2019.
Parë në kontekstin
krijues, libri i ri i shkrimtarit Rramani, përbën një rritje cilësore në
krijimtarinë e tij. Në të përmblidhen kujtime, emocione, tregime me subjekte
interesante dhe shënime udhëtimi. Në të gjitha këta krijime, lexuesi bindet se
ka të bëjë me një krijues tashmë të konsoliduar, plot ide dhe frymëzim në
krijim. Nisur nga titulli “Korbi i Aleksandrit”, një titull sa joshës aq edhe
intrigues, lexuesi njihet me një fakt të panjohur në thelb, por autori na e
sjell pranë nesh si fenomen pozitiv, me vlera edukative duke shprehur në moment
të caktuara dashurinë për vendlindjen e tij Selitën - Kurbnesh dhe njerëzit e
urtë dhe bujarë të saj. Vec të tjerave populli i kësaj zone manifeston dhe
zgjuarsinë, mencurinë dhe shkathtësinë e lindur. Korbi në terminologjinë
popullore është quajtur si shpend - personazh negativ, sepse sapo dëgjohej
kënga e trishtuar e tij, në bestytninë popullore ndjellte fatkeqësi.Madje në
folklorin tonë, është përdorur gjithnjë si symbol i së keqes, por ja që në
tregimin e Dedë Rramanit, korbi përshkruhet me ngjyrat më të bukura dhe merr
këtu, një rol pozitiv dhe admirues.
Subjekti i
tregimit zë fill nga një ngjarje reale me personazh kryesor nje djalosh nga
Selita, Aleksandër Prenga i cili thuajse kishte rritur vetë këtë shpend me
tipare negative, korbin. Familja e tij ishte e nderuar, blegtore e njohur në
zonë për vlerat e saj njerëzore. Korbi ishte rritur me Aleksandrin dhe shpendi
e ndiqte ngado tufën dhe bariun.Ndodhi që një ditë, tufa të mos kthehej e plotë
në stan, korbi kishte pikasur njeriun që kishte dëmtuar tufën. Falë këtij
shpendi, që në traditat tona simbolizon të keqen, u arrit zbulimi i keqbërësve.
Ky tregim, sa original aq edhe emocional, dallohet për shfrytëzimin e mënyrës
së rrëfimit artistik, përdorimit e fjalorit të gjallë që e shquajnë rrëfimin,
por edhe notat epike dhe burrërore që manifestojnë trevat tona.
Një rrëfenjë mjaft
interesante është edhe tregimi “Kroi i bushtrës”, ku shkrimtari Dedë Rramani
përmes episodesh interesante dhe skenash nga jeta apo preokupimet e njerëzve në
jetën e përditshme, rrëfyer këta me një ton të thjeshtë në vijimsinë e tyre
kronologjike, vijnë para lexuesit tepër interesante. Kroi i bushtrës është
toponim në rrethin e Mirditës. Thuhet se një nënë bashkë me fëmijën e saj të
vogël po udhëtonin nëpër vapë. Fëmija kishte etje, por kur vajtën tek kroni,
nëna piu e para ujë, në këtë kohë fëmija vdes nga etja. Që nga ajo kohë ka
mbetur zakoni i vlefshëm që fëmija duhet të pijë para të rriturve ujë.
Shkrimtari rrëfen bukur, thjesht dhe qartë, duke ngritur një problem, duke
shtruar një cështje për zgjidhje duke parashtruar një moral, në situatën e
sotme të edukimit dhe komunikimit shoqëror. Autori e shfrytëzoi rrëfimin
artistik pa rënë në përsëritjen e motiveve të njohura të krijimtarisë gojore
popullore. Fryma lirike mbizotëron në momentet e marrëdhënies nënë - fëmijë,
por pas ngjarjes përshkruhen skena të dhimbshme me nota tragjike, dhënë kjo me
takt artistik, fjalë të kursyera dhe shumë prekëse. I tillë, ndërtuar bukur dhe
me shije artistike qëndron edhe tregimi “Elena”. Përmes këtij tregimi autori
sjell para lexuesit dukuri negative të organizimit dhe edukimit të familjes
shqiptare, ku Elena Bora, detyrohet të luftojë me guxim kundër veseve negative
morale të të kunatit duke përballuar me vendosmëri dhe vetëdije instiktet
negative të tij.Nuk është e lehtë për një vajzë të re në shoqërinë e sotme, të
përballet me fenomene të tilla negative dhe padashje t’i shkatërrohet e ardhmja
prandaj problemi aktual që ngre autori duhet të merret tepër seriozisht.
Sigurisht, rrëfimi real i autorit kërkon të depërtojë më thellë në dukuritë dhe
faktet e rëndësishme të jetës bashkëkohore, në botën e brendshme të përsonazhit
kryesor dhe në përpjekjet për të pasqyruar sa më qartë veprimet jetësore të
personazhit.
Shkrimtari Dedë
Rramani me nje ndjeshmëri të rrallë,trajton probleme të mprehta shoqërore,
godet dhe kritikon artistikisht kontradiktat e ndryshme shoqërore, luftën e
klasave, veset negative të shoqërisë njerzore, ndonse ndonjëherë edhe me nota
pesimiste. Sidoqoftë lënda që parashtron shkrimtari është zëdhënëse e idealeve
shoqërore për të ndërtuar një shoqëri civile të mbrojtur nga drejtësia dhe
barazia njerëzore. Këta çështje shtron autori edhe tek tregimi “Projektorë
kohrash”, ku përmes vajzës së bukur, të internuarës Xheni ngre shumë probleme
shoqërore. Mjeti artistiki i parapëlqyer në përshkrimin e personazhit të vajzës
për të cilën ushqente dashuri fëminore - platonike edhe pse ajo ishte person “i
deklasuar” është antiteza midis figurës së Xhenit dhe pushtetarëve që kishin
internuar familjen e saj dhe i kishin mohuar të drejtën vajzës të jetonte e
lirë. Fizionomia shpirtërore dhe pastërtia morale e vajzës janë dhënë në
contrast me dhunuesit moralë të saj. Kjo ishte jeta e vështirë dhe plot vuajtje
e banorëve të Kurbneshit të largët, Kurbneshit ku nxirrej flori, por mbillej
varfëri dhe dhimbje.
Vëmendjen e
autorit e tërheq edhe një temë mitologjike. Të moshuarit tregonin se në liqen
jetonte Gërzheta e ujit, që në tregimet popullore përfytyrohet si një vajzë
shumë e bukur, kurse në mitologji konceptohej gjysma vajzë dhe gjysma peshk. Jo
pa qëllim, autori i vendos ngjarjet në Lurë, në vendin e rrallë të liqeneve, ku
një djalosh i pashëm, shihte çdo ditë nje vajzë të bukur dhe kërkon ta marrë
për grua. Meritë e autorit është se ai i vendos ngjarjet në kontekst real, duke
na anashkaluar shumë elementë fantastikë të legjendës. Moment me rëndësi dhe
mjaft emocional është ai i dasmës, madhështia e jetës dhe veprimtarisë
shoqërore përshkruhet me nota optimizmi, por ndonjëherë ndodh që megjithse ke
sakrifikuar aq shumë për të ndërtuar lumturinë, nga një pakujdesi e vogël të
shembet gjithcka. Shihet qartë se me çfarë lirizmi të natyrshëm e rrëfen autori
ngjarjen, në vendimet dhe preokupimet e të cilit shfaqet atmosfera e gëzuar dhe
optimiste e jetës së fshatit, por që në fund ngjarjet marrin rrjedhë tjetër.
Kujtimet, mbresat, personat e tij më të dashur zënë një vend të veçantë në
krijimtarinë e autorit. Në këto shkrime zotërojnë kujtimet e ëmbla dhe
nostalgjia për vitet e arta të fëmijërisë. Kujtimet për mësuesin e nderuar Mark
Arapi, apo për të vëllain Nikollë Rramani e kthejnë autorin në vitet e shkuara.
Synon Dedë Rramani të listojë cilësitë pozitive dhe burrërore të personazheve
dhe kërkon të kultivojë tek njerëzit e ndershëm cilësitë e tyre. Ndikohet
autori tek rrëfimi popullor, ndoshta tërthorazi, pasi ruan me kujdes
terminologjinë, toponimet dhe motivet karakteristike të krahinës. Mjedisi dhe
personazhet përshkruhen në mënyrë konkrete dhe të përpiktë, konciz dhe të
gjallë. Për të përshkruar figurat e tyre të dashura, që kanë lënë gjurmë në
kujtesën e tij, autori përdor fjalë të thjeshta, me ngarkesë emocionale, me anë
të të cilëve arrin të përshkruajë në mënyrë të goditur figurat dhe personazhet
kryesor që lëvizin në këto tregime të bukura.
Lapsit të
shkrimtarit Dedë Rramani nuk do t’i shpëtonte edhe pasqyrimi i mbresave dhe
përshtypjeve nga një vizitë në Stamboll, së bashku me mikun e tij Zef
Gjonin.Vizita në trojet e perandorisë bizantine qe mbreslënëse. Autori
mrekullohej nga pamjet e vendeve nëpër të cilat kalonte duke shijuar kontrastet
mes panoramave të buta dhe zhvillimore të Perandorisë Osmane dhe prapambetjes së vendit të tij në disa aspekte. Autorin nuk
e mahniti vetëm pamja madhështore e Stambollit, por edhe ura epike mbi
ngushticën e Bosforit, Xhamia Blu, Pazari i Madh apo hotel Mati.
Libri i Dedë
Rramanit zë vend të veçantë në thesarin kulturor - letrar. Këtë veper e bëjnë
interesant subjektet e zgjedhura dhe të ritreguara artistikisht, përdorimi i
figurave letrare rrëfimi i thjeshtë dhe me emocion. Ky shkrimtar, tashmë i
afirmuar, ka ngjallur shpresa tek lexuesi se në të ardhmen do të përfaqësohet denjësisht
me vepra të reja duke synuar mbrojtjen e dinjitetit kombëtar shqiptar.