Kulturë
Blerim Rrecaj: Pika lumturie nëpër valët e jetës
E merkure, 28.08.2019, 11:57 AM
Pika lumturie nëpër valët e jetës
Nga
Blerim Rrecaj
Shtëpitë,
lagjet, rrugët, sheshet, vendet janë më të zbrazëta, më të heshtura, më pak të
gjalla pas largimit të valëve të mërgimtarëve tanë, pas pushimeve. Fundgushtin
e kaplojnë ca ethe mallëngjimi, të bukura, falënderuese e mirënjohëse për
ditët, orët e çastet kaluar së bashku, duke dhënë e marrë rrezatime ngrohtësie
shkaktuar nga malli e largësia. Edhe pse me punët që në atdhe s'po shkojnë aq
mirë, sa që të lodhur e nervikë po ndjehemi të gjithë, qe sa kohë. E tash,
mëngjeset pa njërin krah shqiponje a pëllumbi, blete a fluture, vijojnë të
vijnë më të zbehta, ditët vazhdojnë më pak rrezëllitëse, mbrëmjet e netët më të
mërzitshme. Ata që fluturuan orëve të hershme të mëngjesit, përtuan t'ua
prishnin gjumin engjëllor fëmijëve, që gjumi s'i zuri deri orëve të vona, duke
u munduar të rrijnë sa më gjatë për të marrë dhe ca çaste e ca minuta më shumë
në bagazhin e tyre me kujtime të sivjetme atdheu. "Prit, lermë edhe pak,
ëëëëë, aiiiiii", thonë duke nxjerrë tinguj zanoresh të papërlyera zemre
nga shpirti, derisa fërkojnë sytë me duar e rrotullohen shtrateve të ngrohta ku
kaq kohë morën urata dhe bënë të ëmblin gjumë. Dhe zgjohen për t'u bërë gati
për t'ia mësyer pragjeve të veturave e aeroplanëve, që janë kufij pika lotësh,
përqafimesh, përshëndetjesh. Për të na sjellë poezinë e Bedri Hysës, "Të
afërmëve të mi gjatë fluturimit" ku zemra na bije në vend, veç pasi bien
në tokë fluturake-bartëset. Vazhdojmë jetën andej e këtej, kudo ku ndodhemi,
derisa të mësohemi pak me ndarjen. E ecjen përpara, udhëve të jetës. Nga hapat
e hedhur hasim një ftua, frutat e rritura të tij bëjnë me dije se po iu
afrohemi vjeshtës, por po na rikthen edhe te njëra prej shtëpive të fëmijërisë,
te ai ftua në qoshkun e oborrit që më duket se ka kohë që ka mërguar nga aty.
Këtë e thonë edhe gjethet e verdha që janë pakicë e dallueshme mes të
gjelbërtave. E një kotec pëllumbash te një qoshk freskie tek më i mirënjohuri
park i kryeqytetit, ku hyjnë e dalin simbole të bardha, të kuqërremta e të
larme, duket dhe kjo vezë e tyre e vogël bardhoshe formë toke e bote, të cilën
fëmijët s'e kapin e s'e qëllojnë dot, ta sjellin një tjetër kujtim, nga një
tjetër vendbanim, si fëmijë pak më të moshuar, te shtëpia me çati, çatinë e së
cilës pëllumbat e patën shndrruar në konak të tyre, në çerdhe për familje me
pendla e me vezë, paj po përmendim dhe aromën e glasave. E një pjeshkë
vjeshtore, frutat e së cilës tërheqin pluhurin kah kokrrat e tyre, për të bërë
më dije se ato për t'u ngrënë duhet të rriten në një mjedis me vlera të larta
ajri, të sjell te tjetra shtëpi me oborr me trupa kumbullash, një dardhe, dy
qershiave, dy vishnjeve, një pjeshke vjeshte me një bunar ujëshumë në mes
oborri. Na dalin para sysh dhe pamje tjera, herë-herë me anën e tyre kthehemi
kujtimeve, si dy kitrrat lozonjare, tashmë në tjetrin park. Herë-herë habitemi
sikurse këta fëmijë që lahen në këtë fontanë, dhe ne sikurse ata në këto çaste
s'duam t'ia dijmë për asgjë. Ndjejmë një pikë lumturie nga lumturia e tyre e
pafundme...