Kulturë
Kalosh Çeliku: Imzot, korin e bretkosave nuk e dëgjoj në Prishtinë
E premte, 23.08.2019, 08:00 PM
IMZOT KORIN E BRETKOSAVE
NUK E DËGJOJ NË PRISHTINË
NGA KALOSH ÇELIKU
(Nesër do gris qiellin
dhe arnoj Veten)
Nesër, copë-copë do gris qiellin
Dhe, arnoj Veten me Poezinë:
Diell në ballë. Hënën përdore.
Gjeli kryengritës majë gardhi
Thërret Agimin. Dita zbardhë!
Pula e Rexhep Hoxhës në Lëmë:
Tra më tra kakaris. Çuditi botën
E ka bërë një ve. Dhe, tjetër hiç.
Lirinë - Nuse nga Çelëvjollca
Herët, do ta zbres në Katund.
Dhe, do ta arnoj Veten e grisur
Gunën e zezë, arnë përmbi arnë...
(Ti më bën zë Mua
Sot nga Larg)
Ti, më bën zë Mua Sot nga Larg
E, Unë nën hije Rrapi. Vapë.
Të pres me Dy shtamba verë
Nga rruga ta shkundësh Veten:
Begatinë derdhësh në tavolinë.
Ballpërballë, t’i shkrepim vargjet
Poezinë hudhim matanë Vardarit:
Te Alaksandri Madh, t’u japim ujë...
(Askush nuk është
në këtë Shtëpi)
Shtëpinë time nuk e merr gjumi
Drutë dhe pemët me zogjë.
Oborrit, macet në roje nateditë
“Kali Shemës”, pret pas porte:
I dalin para poezitë malore.
Pasmesnate, Zogkeqi mbi çati
Babai, të ishte gjallë në Shtëpi:
Tymeflakë do shkrepte “nagëntin”.
Bir, kënga e tij ndjellë kob
Ndiqeni me armë matanë maleve!
I përgjumur e përzë me poezi
Askush nuk është në kët Shtëpi...
(Gurët e Zallit Llagut
më thërrasin te Lumi)
Vite e vite, moti ika nga fëmijëria
Asaj kohe, desha të jem burrë:
Si Babai me mustaqe. Kësulbardhë
“Nagëntin” në brez me fishekë
Orën e xhepit përqafe me çystek!
E, Sot përçudi: Dua të jem fëmijë
Përsëri, të kthehem në Katund.
Lisi Plak. Një çerdhe lejlekësh
Dardhave gorrice, atje në Mal.
Mrizet e dhenëve. “Përroi i Thanës”
Librave të këndimit, si dikur nxënës:
Rilindasët, kur më rrisnin me vjersha
Cucën me gërsheta, aq fortë e desha.
Rrëzë Çukës, ende më pret Katundi
Gurët e Zallit, më thërrasin te Lumi...
(Përgjumur)
Përgjumur jam. Nuk më merr gjumi
Librave i zgjuar si Lugat Katundi.
Hap shtigje. Dhe, dal kaçak në Mal
Armë përqafe, Sot e kam një varg.
Nuk më tremb Dita. As edhe Nata
Vetëm, “Kali Shemës” te Porta.
Frikë kam mos ma shtinë në Lëmë
“Partizanët” e sotshëm partiak:
Përqafe një torbë taxhi. Një krah bar...
(Ti do kthehesh një Ditënatë
nuk do më gjesh nën Rrap)
E di, Ti do të kthehesh një Ditënatë
Po, nuk do të më gjesh nën Rrap.
Moti kam ikur si i marrë. Çmendur
Hija e tij më lodhi. Sot, dola në Mal.
Asgjë nuk mora me vete rrugës
Natën ika edhe pa armë. Varg.
Drita më zbardhi Majëmali. Çelvjollcë...
(Shtatë vite Larg
një heshtje varri)
Shtatë vite Larg, një heshtje varri
Rrëzë Çukës po bënë gjumë.
Nuk e zgjon dot Lumi Zajazit
Nuk e zgjon dot, as Vargzjarri.
Shtatë vite Larg, një heshtje varri
Nesër, do ta zgjojë Vargamali...
(Guri Zi me lisa në Çukë
roje i bënë Katundit)
Ehu! Brez pas brezi mes fushe
Natën dëgjohen zëra. Zjarre.
Zgjohen të vdekurit, rrëzë Çukës
Edhe, kërkojnë të dalin maleve:
Guri Zi, nateditë roje e Katundit.
Thonë: U lodhëm mes varreve
Liria Sot, seç po
na ikë maleve...
(Vëllai Madh Ramë Çeliku
e kishte shkrimin e bukur)
Im vëlla, u rritë me Libra këndimi
Vjershat e Rilindasëve nën Lis.
Mësues pishtar, e pati Lajq Prençin
Veteran arsimi, Mahmud Dumanin:
Prandaj, edhe u arratis në Paris.
Mësuesë vullnetarë nga Shqipëria
Me Ministër Arsimi: Ernest Koliqi.
Që, Ditën e flamurit me nxënës
Nga fshati Cërvicë, rrëzë Çukës:
Në fshatin Premkë e shpartalluan
Stacionin e karabinierëve. Dhe,
E ngritën Flamurin kuqezi Shqiptar.
Flamur, që gjatë sistemit komunist
Me gjithë plumba u fsheh në arkë.
Dhe, gjatë Takimeve Poetike nën Rrap
Në fshatin Cërvicë, u shpalosë me mall
Përpara poetëve shqiptar, plotë plagë.
Im Vëlla, u rritë me vjershat e Rilindasëve
Dhe, vërtetë e kishte shkrimin e bukur...
(Kopshti ynë i bukur
përpara Shtëpisë)
Porta e madhe me dërrasa. Dru lisi
Avlia. Kasolla mbuluar me kashtë.
Plot bar të thatë.Tërfojë për Dimër
Ushqim rezervë i kafshëve shtëpiake.
Në fund të Lëmës Livadhi. Lisi Plak
Dhe, Kopshti bukur përpara Shtëpisë:
Zarzavate plotë. Një ftua. Dhe, lule...
(Imzot Korin e bretkosave
nuk e dëgjoj në Prishtinë)
Vite ka, që Korin e bretkosave
Nuk e dëgjoj më në Prishtinë.
E, as në Liavdhin para Shtëpisë.
Malli më ka marrë për atë Kor. Këngë
Pranverën në “Gërmi”. Cucën Poezi.
Dhe, Poetin Gani Xhafolli në Prishtinë
Bretkosat e tij në Oborr. Këngët:
Që, pas darke më kthenin në Katund...
(Lakuriqi natës errët
ditën flen nën çati)
Heu! Poezia më la pa gjumë
Azdiset kjo Grua. Xhadi.
Dhe, më hudh dorëmëdorë
Mbi çati. Lisave në katund.
Mu si xhindet kur isha fëmij.
Grua e murosur në Shtëpi
Rozafë vetëm me një gji:
Tambël Zane, ku Unë pi.
Lakuriqi natës, flen nën çati...
(Jeta është Zonja Vdekje
që të merr për burrë)
Edhe Jeta është grua. Gjylvetare
Zanë Mali. Mashtron me bukuri.
Herë mes fushe. Herë dhiareve
Grua, që të
dalldis, shti në valle.
Arratisesh nga Katundi. Qyteteve
Vonë sheh, se: Është Zana e maleve.
Pasmesnate, e heq maskën Jeta
Zonja Vdekje të merr për burrë...