Kulturë
Tahir Bezhani: Sejdi Berisha - Njeriu 'Pa' Vendlindje
E diele, 18.08.2019, 02:50 PM
Recension për librin ”Njeriu ‘Pa’ Vendlindje” të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA
PESHA E FILOZOFISË JETËSORE, ATY KU PËRPLASEN LUMTURIA,
HIDHËRIMI, GËZIMI, SAKRIFICA DHE NDERSHMËRIA SI PIRAMIDË E NJERËZORES
(Sejdi BERISHA: “Njeriu ‘Pa’ Vendlindje”, roman autobiografik, botoi
“Club Kultura”-Pejë, 2019)
“Andaj,dua të theksoj,se tërë këtë rrugëtim shkrimi e shtrova në këtë
libër,për ta mposhtur dëshpërimin dhe për ta madhështuar lumturinë,krenarinë
dhe fatin e njeriut!”
(Sejdi Berisha)
Shkruan Tahir Bezhani
Të lexosh librin më të ri e më
voluminoz të krijuesit pejanë, z. Sejdi Berisha, është e barabartë
sikur të notosh përmes një deti me valë, që
të hedhin nga një skaj në tjetrin, nga bregu në bregun tjetër, e prap të kthen në fillim, në vorbullën e
jetës rrëqethëse, plot vuajtje, ku jeta shikohet, përjetohet e depërtohet në
mënyra të ndryshme, kapur fortë për rrënjët
e qëndresës të mosdorëzimit në çaste të vështira, kur
tjerët ta imponojnë padrejtësinë, dhunën.
Duke ecur me vëmendje nëpër
pesëqind faqet e librit, me titull “Njeriu ‘Pa’ Vendlindje”, në fund, mendimet
të shpërndahen e të shkapërderdhen gjithandej botës, për të gjetur e njohur
karaktere njerëzish, mendimtarë të brumosur me shkathtësi e dituri, ku jetës ia
japin kuptimin e vërtetë, duke u gërshetuar në rreshtat e gjithë filozofisë
jetësore, aty ku fërkohet, hidhërimi e gëzimi, përjetimi e përplasjet jetësore,
sakrifica, ndershmëria si piramidë e gjitha vuajtjeve, bamirësia, humanizmi si
traditë shpirtërore individuale e shoqërore, mbjellë në qenien njerëzore të një
populli me shumë vuajtje e sakrifica nëpër shekuj. Dashuria
e respekti reciprok në përmasa grupore e shoqërore, do epnin mesazhin e forcës së kalitur, përmes së
cilës do realizoheshin të gjitha synimet
në jetë...
Gjatë leximit të këtij libri,
më erdhi ndërmend, m’u kujtua At Zef Pllumbi dhe libri i tij, ”Te jetojmë për
të treguar”, në të cilin libër ndeshemi me dhimbje e dhunë, padrejtësitë e
përjetuara në pushtete diktaturash të rënda. Të lexosh në një libër me kaq
faqe, me aq shumë vuajtje, me skamjen e
varfërinë lidhur rreth qafe shumë kohë të gjatë, njeriu vetvetiu tretet në
mendime për të gjetur burimin e atij elani për mbijetesën. Këtë pyetje e
plotëson fare mirë dhe bukur e argumenton, z. Sejdi Berisha, në romanin e tij
autobiografik, “Njeriu ’Pa’ Vendlindje”.
Zanafilla e të gjitha katrahurave, e ka burimin tek armiqtë e kombit por
edhe tek dobësia e vetë njeriut...
Jeta e përshkruar
që nga lindja e tij në shtëpinë e dajës në fshatin Lëbushë, komuna e Deçanit,
rrita me skamje të papërballueshme me babain e nënën, katër motra, si çipçi
duke punuar toka të huaja sa në Shaptej e Carrabreg të Deçanit, falë një krahu
pune të babait Bajramit, udhërrëfyesit të jetës së mëvonshme familjare, janë
skena sa të dhimbshme, aq trishtuese për një
moshë fëminore. Të gjitha këto
peripeci jete, i ngjasojnë shkrimtarit me famë botërore, Sergej Jeseninit, të
cilin, mosdurimi e ka dërguar në flijim të jetës, si një poet boem i përmasave
botërore.
Edhe poetin,
publicistin, romansierin, dramaturgun tonë të spikatur, të gjitha vuajtjet e
jetës e kanë pjekur para kohe, e kanë burrëruar për të qëndruar vertikalisht,
ndershëm, kokëlartë si familje, si shqiptar. Është për studim mbamendja e
një fëmije, adoleshenti, inteligjenca e
të cilit befason, kur nuk ka lëshuar asgjë nga jeta personale e familjare pa e
hedhur në faqet e këtij libri. Edhe sot e tërë kohën, merret me vdekjen e
motrës dyvjeçare, Hajrijes, në fshatin Shapetej, në vitin 1951, varri i të
cilës është i rrafshuar nga koha, ndërsa, shkrimtari Berisha, edhe pas kaq
vitesh e viziton atë vend dhe atij dheu i vjen era motër. Për këtë flasin
poezitë përkushtuese të poetit... Sa domethënëse janë vargjet kushtuar motrës.
Po kaq rëndë e përjeton edhe vdekjen e motrës së dytë, Sofijes, në spitalin e
Pejës, në vitin 1968.
Një bjeshkë me
vuajtje akoma nuk është derdhur, apo, kurrë nuk derdhet në faqet e librave të
Sejdi Berishës. Në fund të çdo vuajtjeje, çdo përjetimi të rëndë, përdorë
fjalinë shumë domethënëse; ”Kutinë e Pandorës nuk do e hapi kurrë!...”.
Zanafilla e të
gjitha këtyre katrahurave, e ka burimin tek armiqtë e këtij populli, tek
armiqtë shekullorë, siç është Serbia e Mali i Zi, por edhe tek vetë njeriut...
Familjes Berisha,
në kohën kur filloi kolonizimi (nga e para deri e fundit) i tokave shqiptare,
shteti i atëhershëm Jugosllav, në tokën e familjes Berisha vendosi kolonistin
Mirashin, me Milenën e familjarë të tjetër. Që nga ato vite, familja e
shkrimtarit dhe publicistit, mbetët e shkapërderdhur si çipçi fshatrave të
Dukagjinit, pastaj, do kohë jetuan edhe në Mamuras të Shqipërisë, për t’u
kthyer më vonë në “tokën e çliruar”. Një pjesë e familjes më të gjerë, edhe sot
jetojnë në Reshbull, afër Durrësit. Të gjitha këto përplasje, kanë lënë gjurmë
të pashlyera në vetëdijen dhe kalitjen e krijuesit, Sejdi Berisha.
Të vetmin gëzim në
atë moshë, si fëmijë, e përjeton regjistrimin në klasën e parë të shkollës
fillore në fshatin Carrabreg të Deçanit, fshat ku kishin kaluar në një tokë
tjetër si çipçi, por më të rehatuar në krahasim me vendet tjera. Shkollimin e
vazhdon në xhami të fshatit, në një dhomë të adaptuar për mësim. Këtu filloi ta
përcjellë një fat më i mbarë, ngase, për mësues, i caktohet Ali Sutaj, një
personalitet i njohur i kohës, një patriot i dëshmuar në vepër,një letrar i
spikatur në fushën e letërsisë shqipe, një humanist i madh por një gazetar i
dalluar, i cili tërë jetën ia kushtoi mësimit dhe shkrimit, duke lënë gjurmë në
kujtesën e shumë gjeneratave të ardhshme. Autori i librit mba mend dhe shënon
në libër disa përjetime nga mësuesi Ali Sutaj, por edhe fillimet e shkrimeve të
veta aq të hershme.
Jeta i ngjanë lumit me valë plot dhe përplasje, që i “begatojnë” VUAJTJET
kudo që të jetosh e veprosh. Ardhja në Pejë sjellë vuajtjet dhe përballjet e
ashpra me realitetin...!
Njëra nga hallat e
poetit, kishte ndikuar që të kalonin me banim në Pejë, duke menduar se jeta
është më e mirë, më e lehtë, por edhe punë mund të gjendej më lehtë për jetesë.
Ashtu edhe vepruan, nga se ofrohej koha për shkollim të vetmit djalë që kishte Bajrami, Sejdiun.
Të vendosur sërish
me qera, filluan ndryshe peripecitë e jetës. I regjistruar në shkollë të mesme,
në gjimnaz, një ditë përplasë “pa dashje” bustin e një personaliteti të kohës,
i cili i kushtoi me përjashtim nga shkolla. Me shumë sakrifica gjen derdalje
dhe me regjistrim të mëvonshëm e mbaron të mesmen. Tani, Sejdiu ishte një
djalosh i njohur për zgjuarsi dhe aktivitete të lira, edhe si letrar por edhe
si aktor i dramave të përgatitura, në
fillim në gjimnaz e pastaj në Teatrin e Qytetit të Pejës. Shkëlqente me dijen e
treguar dhe aktivitetet e bujshme.
Si i tillë, plot
elan pune, vazhdoi regjistrimin në Fakultetin filozofik, për Gjuhë e Letërsi
shqipe, në Prishtinë.
Tani jeta fillon
ndryshe. Bëhen ndryshime radikale në jetën personale e të familjes, si një
intelektual i vlerësuar, pastaj gazetar-korrespodent nga Peja,e në shumë pozita
të tjera deri tek themelimi i
Radio-Pejës dhe botimin e numrit të parë të gazetës, “Peja”.
Sejdi Berisha,
krijues i mirënjohur në rrafshin kombëtarë e jo vetëm, u kalit për jetë, sipas
mendimit tim në dy mënyra. Njëra ishte vuajtja, e cila e bëri të
pathyeshëm,ndërsa tjetra, edukata familjare dhe karakteri i fortë i qëndresës
njerëzore. I krijuar e i rritur me dhimbjen, por edhe me dashurinë, në gjithë
krijimtarinë e tij, prej dyzetë veprash të fushave të ndryshme,lehtë hetohen
këto dy gërshetime, të cilave nuk kanë mundur t’u ikin as poetët e tjerë me
famë, në krijimtarinë e tyre. Pra, Sejdi Berisha, është i zhytur në lëngun
dhimbjes e dashurisë njerëzore, me të gjitha vlerat dhe filozofinë që ka fituar
nga jeta. Ato janë të ditura, të vlerësuara dhe të pashme.
Ku vërehet thekja e dhimbjes dhe e dashurisë në këtë vepër, ose, si
përplaset mendja e autorit me rrathët e Dante Aligierit?!
Ata të cilët do ta
kanë fatin për ta lexuar këtë vepër, dhimbjen shpirtërore të poetit Berisha, do
ta gjejnë në çdo faqe , si lot, si ofshamë, si zjarrmi, si flakë, si gacë, si
rënkim por edhe si lumturi, ku përplaset mendja dhe zemra me rrathët e Dante
Aligierit në hapësira të ndryshme. Plagët e
jetës, e rëndojnë së tepërmi, sidomos, nga vdekja e prindërve, babës
Bajram, i cili ishte piramida e jetës së autorit, me qëndrimet e rralla fisnike
e kombëtare që kishte për kohën. Pastaj, plagë mori pas vdekjes së nënës, që do
të thotë se ishte i lidhur së tepërmi me prindërit, si mishi me thoin, në
dashuri familjare. Flasin qartas përkushtimet me vargje jeseninçe, të rralla në
letrat tona. Brengë shpirtit të tij, ishin vrasjet gjatë luftës, ku pushteti
okupues vriste burra e gra, fëmijë e pleq, pa asnjë arsye, vrasje të cilat nuk
ia lenin lotët e as penën e poetit të pushojë ditë as natë!
Ditët vinin duke
ia rënduar jetën. Fillon lufta dhe ikja e fëmijëve nga vatrat e rrezikshme.
Përcjell vajzën me tren nga Peja, me të fejuarin e saj në botën e paditur të
azilantit. Në shkrimin “Treni i Pejës”, derdhë gjithë fuqinë e dhimbjes
krijuese, ku reflekton jo vetëm fati i individit, por edhe i kombit, dhe atë
nëpër shekuj e decenie. Pra, kjo vepër provokon edhe për historinë e kombit,
pafatin e atdheut.
Përjetim i rëndë
vërehet të jetë ikja edhe e autorit me të birin e bashkëshorten. Vuajtjet gjatë
rrugëtimit plot rreziqe, burgosja në Gjermani, qëndrimi në Austri dhe Zvicër,
të gjitha bashkë, ishin një jetë golgotë tepër e rëndë, nga se tani në atë kohë
lufte, kishte filluar ta shkelte edhe mosha. Mbi të gjitha vuajtjet e pasosura
i ngelen në shpirt, por qëndresa e madhe i la ato pas shpine. Edhe kjo periudhë
të cilën e përshkruan autori, nuk është thjeshtë reflektim i fatit të tij dhe
të familjes së tij, por një pasqyrë e dhembshme e tërë kombit, jo vetëm e kësaj
kohe, por edhe nëpër periudha kohore dhe historike. Dhe, këtu e ka peshën edhe
më të madhe dhe shumëdimensional vepra, “Njeriu ‘pa’ atdhe”.
Kur u ktheva në atdhe, edhe pse shtëpia ishte e plaçkitur dhe e djegur, më
dukej se isha në hotel me pesë yje...!
Kur kthehet në
Pejën e dashur, shkrimtari gjen shtëpinë e djegur, dhe ngelet i ngirë para asaj pamje tmerri, por edhe pa
ditur se ku të strehohet... Me plaçkat e rrugës, shtrihet në oborrin e
shtëpisë, nën erën çatisë së djegur dhe të shkrumbit, ku i bën disa ditë nën
mburojën e qiellit të dashur të Pejës. Edhe ashtu, shkruan autori, më dukej se
isha në hotel me pesë yje...!
Nuk mund të
numërohen dhe të shënohen në këtë shkrim, të gjitha ato vuajtje, dhembje, por
edhe krenari dhe qëndresë, nga faqet e librit “Njeriu ’Pa’ Vendlindje”.
Në secilin fund të
kapitullit të shkruar në libër autori nuk harron të thotë jo pa shkas: ”Unë,
nuk do e hapi kurrë kutinë e Pandorës!....”, që shumëçka tjetër nënkuptohet
brenda kësaj fjalie!
Pesha e krijuese dhe mllefi për neglizhencën që zhvlerësojnë vlerat
shpirtërore dhe kulturore, ose, shkrimet me mesazhe njerëzore e humanitare
Sejdi Berisha,
gjithmonë me prirje dhe karakter të lartë njerëzor, tani i mirë formuar si
njeri e intelektual në shkallë vendi, i njohur me krijimtarinë e tij edhe
përtej kufijve të vendit të tij, subkoshienca personale e nxitë të dërmojë
mendjen me padrejtësitë që rrjedhin, bëhen me nënçmime nga nomenklatura e kohës
më të re. Në këtë kuptim, autori, nuk dëshiron që njerëzve eminent të shkencës
e kulturës, të lavdërohen e t’u ndahen mirënjohje e dekorata pas vdekjes së
tyre. Por, ata, frytet e veprave dhe të punës së tyre duhet t’i gëzojnë deri sa
janë në jetë, deri sa janë gjallë. Në këtë kuptim, përkujton mangësitë e
interesimit të shoqërisë për akademikë,
për artistë e krijues eminent, të cilët shoqërisë dhe kombit u dhanë shumë, ia
falen gjithë jetën dhe lanë emra veprat e tyre. I tillë ishte Akademik Musa
Haxhiu, një ndër mjekët më eminent që pati Kosova në vitet 70-ta, i cili bashkë
me mikrobiologun pejanë, Osman Imami, dhanë dijen shkencore ndër breza. Musa
Haxhiu, jetoi kohëve të fundit në SHBA, ku edhe u varros, për t’u harruar
ndoshta përgjithmonë!
Shkrimet
përkujtuese të krijuesit Sejdi Berisha, zënë faqe në këtë libër me përsonalitet e artit filmik, siç ishin
figurat madhore, Istref Begolli, Bekim Fehmiu, Faruk Begolli e shumë të tjerë.
Këto personalitete, jo vetëm që lanë gjurmë të pa shlyera në artin skenik, por
Kosovës e kombit ia rriten namin në botën e këtij arti dhe të vlerave kulturore
përgjithësisht.
Neglizhencat ndaj
të gjitha këtyre meritave dhe thesareve, z. Sejdi Berisha, i ndien si fyerje
dhe përçmime jo vetëm ndaj atyre njerëzve që u hodhën në harresë pa meritë, e
që borxhi ndaj tyre është shumë i madh. Kështu, ngjau edhe me krijuesit e artit
letrarë, ku heshtja ndaj tyre është e paarsyeshme dhe e pa dëshirueshme. Na
takon si shoqëri dhe si komb t’u japim meritat atyre që i merituan me punën e
tyre jetësore të palodhshme...
Poeti, publicisti,
romansieri, Sejdi Berisha, gjatë punës krijuese letrare por edhe asaj
gazetareske, dha kontribut të çmueshëm, ose të paharrueshëm nëpër kohë, të
cilat meritojnë, jo vetëm theksimin e tyre, por edhe vlerësimin e punës në ato
vite të vështira.
Në vitin 1979 në
kohën e tërmetit në Mal të Zi, kur Ulqini ishte bërë thuaja rrafsh me tokë,
Sejdi Berisha, dërgohet si reporter special i Radio-Prishtinës në rajonin e
Ulqinit dhe të qyteteve të tjera përreth, për ta informuar opinionin për
ngjarjet që ndodhnin atje që kishin goditur bregdetin e Malit të Zi. Pas disa ditësh qëndrimi, i lindë ideja për
formimin e Radio-Ulqinit. Duke analizuar mendimin dhe duke gjetur përkrahjen e
vendorëve, në një “kamp prekolicë”, ku ishte edhe e vendosur studio e
improvizuar e radios, hodhi idenë për themelimin e Radio-Ulqinit, nga e cila
“radio studio” opinionit i përcilleshin të gjitha lajmet dhe informacionet. Po
këtë punë e bëri edhe në Pejën e tij të dashur, ishte themelues i Radio-Pejës,
e cila më vonë ishte një ndër më të dëgjueshmet jo vetëm në Pejë por edhe
gjithandej Kosovës.
Të gjitha këto
punë të cekura dhe të gjitha këto veprime të z. Sejdi Berisha, që nga fëmijëria
e deri në moshën e sotme, e bëjnë me shumë vlerë jetën dhe veprën tij, por, e
madhështojnë edhe emrin e tij, i cili njeriut, kombit dhe atdheut e jo vetëm, i
dhuroi vepra të çmuara nga fusha e letërsisë.
Emri dhe vepra e
Sejdi Berishës, tani është pjesë e jetës dhe kujtesës e popullit për mirësitë e
bëra, për sakrificat, për qëndresën e hekurt të një njeriu të dëshmuar në të
gjitha kohët.
Libri më i ri,
”Njeriu ‘Pa’ vendlindje” i z. Sejdi Berisha, mendoj se është kulmi i
krijimtarisë së tij jetësore, në të cilin, të gjitha rrugëtimet të shoqëruara me
vigjilencë, qëndresën, njerëzoren e humanitaren. Të gjitha këto janë
fortifikatë për jetën më të lumtur të njeriut...!
Andaj, këtë shkrim
do e përfundoj me një fragment të librit, “Njeriu ‘pa’ vendlindje”:
“Ky libër le të jetë ajo dëshmia e themeltë dhe e përgjithmonshme, por edhe
si kapital për dëlirësinë shpirtërore, për punën gjithmonë të sinqertë, që do
të jetë krenari dhe dokument i ndritshëm brez pas brezi për madhështinë e
qëndresës, për moralin e nderin për të jetuar e mbijetuar ndershëm dhe me atë
mundësinë, edhe nëse është modeste, për t’i kontribuar lumturisë dhe
fatbardhësisë së njeriut e njerëzimit...”!