Kulturë
ITSHKSH promovoi ''Shtatë shpalime për Nënë Terezën'' të Anton Nikë Berishës
E merkure, 28.08.2019, 11:17 AM
Prof.
Anton Nikë Berisha me këtë vepër tejet voluminoze është dëshmuar jo vetëm si
njohës i reflektimeve shpirtërore që prodhon një figurë kaq sublime siç është
Shën Nënë Tereza, por ai me studimet dhe veprat e tij ka vendosur një standard
mjaft të lart në eksplikimin shumëdimensional të kësaj figure që i dha
njerëzimit dashurinë dhe përkushtimin e duhur, që do të jetë modeli më i arrirë
i interaksionit njerëzor, tha dr. Skender ASANI
Shkup, 26 gusht – Në kuadër të shënimit
të Ditëve të Nënë Terezës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të
Shqiptarëve në Maqedoni, sot në Shkup shënoi 109 vjetorin e lindjes së Gonxhe
Bojaxhiut, me ç’rast në vendin ku ndodhej shtëpia e familjes Bojaxhiu në shesh,
sipas një tradite tash më disavjeçare, u vendosën kurora dhe lule të freskëta.
Gjithashtu
në shenjë të kujtimit të kësaj figure madhore të njerëzimit, sot në ITSHKSH u
bë edhe promovimi i kompletit të veprave ‘SHTATË SHPALIME PËR NËNË TEREZE’ të
studiuesit dr. Anton Nikë Berisha. Me këtë rast drejtori i Institutit, dr.
Skender Asani, duke folur për kontekstin dhe rëndësinë që ka figura e Nënë
Terezës në fokusimin e autorëve të ndryshëm, ndër të tjera tha se veprat që po
promovojmë sot brenda kanë një numër simbolik dhe autori i nderuar, shkrimtari
dhe studiuesi Anton Nikë Berisha, sigurisht jo rastësisht e ka marrë këtë numër
dhe e ka integruar në eksplorimin e tij të detajuar mbi dimensionet e gjera
njerëzore e shpirtërore të humanistes së madhe Shën Nënë Tereza, e cila për ne
shkupjanët është shumë e dashur.
Sipas
Asanit, prof. Berisha me këtë vepër tejet voluminoze, është dëshmuar jo vetëm
si njohës i reflektimeve shpirtërore që prodhon një figurë kaq sublime siç
është Shën Nënë Tereza, por ai me studimet dhe veprat e tija ka vendosur një
standard mjaft të lart në eksplikimin shumëdimensional të kësaj figure që i dha
njerëzimit dashurinë dhe përkushtimin e duhur, që do të jetë modeli më i arrirë
i interaksionit njerëzor.
Asani
më tej i njoftoi të pranishmit se hulumtimet e fundit kanë rezultuar me sukses
në sigurimin e dokumenteve shtesë nga arkiva të ndryshme evropiane që ndriçojnë
historinë e sagës familjare të Gonxhe Bojaxhiut, e njohur në Shkup si
strumbullari i vetëdijes kombëtare shqiptare të fillim-shekullit të kaluar,
kurse babai i Gonxhes, Kolë Bojaxhiu, ishte bartësi kryesor i kësaj vetëdije.
Në këtë kontekst ai përmendi edhe disa hulumtime në arkivat e Beogradit
me dhjetëra dokumente e fotografi që plotësojnë mozaikun e njohurive mbi
familjet katolike shqiptare të Shkupit. Ne si Institut me projektet tona të
radhës do të vazhdojmë të ndriçojmë historinë e këtyre familjeve që shënuan
arritje të lakmueshme emancipuese në kohërat më të vështira, atëherë kur qenia
shqiptare ballafaqohej me sfidat e ekzistimit, tha dr. Asani.
Të
pranishëm në këtë promovim ishin edhe personalitete të shquar nga jeta
kulturore e politike, ndër ta edhe deputeti Artan Grubi, ambasadori i Kosovës,
Gjergj Dedaj, pasardhësi i kolosit Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina,
shkrimtarët Prend Buzhala, Ibrahim Kadriu, Sabit Rrustemi, etj.
Deputeti
Artan Grubi vlerësoi lart kontributin e autorit Anton Nikë Berisha në ndriçimin
e figurës së Nënë Terezës, kurse përmendi edhe kontributin e institucioneve
kulturore që po kujdesen në ruajtjen kujtesës kombëtare. Sipas tij gjithë
ky angazhim nuk ka mundur të ndodhë pa një aksion permanent politik, i cili ka
bërë të mundur ndryshimin e realitetit në favor të ambicieve shtet-formuese të
shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Edhe
ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj theksoi rëndësinë që ka Shkupi për historinë
shqiptare, kurse ITSHKSH, sipas tij, po tregohet gjithnjë e më efektiv në
dinamizmin e jetës shoqërore e kulturore të shqiptarëve në këto treva.
Njëri
nga folësit kryesor në panelin e sotëm ishte shkrimtari Nexhat Rexha, i cili
solli disa vrojtime të tij personale mbi veprën SHTATË SHPALIME PËR NËNË
TEREZEN. Sipas tij autori Anton Nikë Berisha ka nxjerr në pah
shumë-dimensionalitetin e figurës së Nënë Terezës dhe këtë e ka arritur
përmes një vëzhgimi të parimeve të rrugës së saj jetësore.
Duke
folur për korpusin e veprave të Anton Nikë Berishës, shkrimtari Prend Buzhala
vuri në dukje se, brenda kësaj tërësie monumentale, ka strukturuar vepra të dy
fushave të shkrimit: të krijimtarisë imagjinative apo fiksionale, sikundër janë
romanet “Nëna e Dritës”dhe “Ëndrra e erës” (titull i ri i romanit “Dritë në
shtjellën e gërbulës- rrëfim i Nënës Tereze”, kurse te vëllimi i tretë përfshin
poemat “Ujëvarë drite në zemër” dhe “Sytë e heshtjes”. Krahun tjetër, prej
katër vëllimesh e përbëjnë veprat e letërsisë diskurseve, studimet,
monografitë, trajtesat si “I desha njerëzit me dashurinë e hyjit” (doracak për
Nënën Tereze, vëllimi i katërt), “Shën Pali dhe Nëna Tereze” (vëllimi i pestë),
“Shën Maria dhe Nëna Tereze” (vëllimi i gjashtë), kurse vëllimi i shtatë
përbëhet nga tri studime: “Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze,
përligjje e hirit të Hyjit dhe e hyjnimit të saj”, “Testamenti shpirtëror” dhe
“Nëna Tereze në poezinë bashkëkohore shqipe”.
Kurse
një njohës tjetër i veprës së Anton Nikë Berishës, poeti Sabit Rrustemi u ndal
në disa aspekte që e bëjnë këtë vepër të rëndësishme. “Studiuesi ynë i rryer,
romansieri i rrallë e poeti i veçuar për nga stili dhe shtjellimi artistik,
Anton Nikë Berisha, përkushtimin e tij krijues e studimor për këtë figurë të
madhe të njerëzimit e nis në mënyrë më të thelluar pikërisht në vitin kur u bë
edhe lumturimi i Nënës Tereze nga Selia e Shenjtë, në fillim të këtij shekulli,
më 19 tetor të vitit 2003. Do përmendur se Nëna Tereze, u bë frymëzim letrar qe
gjysmë shekulli, më konkretisht që kur u laureua me Çmimin Nobel për paqe (1979
), e para shqiptare që u nderua më këtë Çmim, po edhe e para grua që e gjithë
bota e pagëzoi Nënë dhe e njeh si të tillë, nënvizoi Rrustemi.
Ndërkaq
Mehmet Prishtina, në fjalën e tij rreth këtyre veprave ndër të tjera potencoi
se dita e sotme (26 gusht) përkon me ditën e lindjes së humanistes sonë, bijës
sonë, Nënë Tereza. Ajo lindi para para 109 vjetëve dhe përkon me ngjarjet e
bujshme të Lëvizjes patriotike shqiptare, të fillim-shekullit të kaluar,
lëvizje kjo që jo rastësisht ishte përqendruar mu në Shkup, kurse dera e
bojaxhijve ishte bërë jo vetëm streha e hallexhinjve, por ajo ishte bërë edhe
adresa e shumë takimeve të rëndësishme, në të cilat kishte marrë pjesë edhe
kolosi ynë kombëtar Hasan Prishtina. Prandaj sot, kur promovojmë këto vepra
kapitale kushtuar figurës së Nënë Terezës, na hapet një vizion i ri për ta
shikuar botën ashtu siç e kishte pa Nënë Tereza. Prof. Anton Nikë Berisha është
meritori kryesor që sot na ka bë bashkë në këtë ditë të madhe, kurse drejtori i
Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore, dr. Skender Asani, si çdo
here, është promotor i shkëlqyeshëm i ngjarjeve që lidhen me kujtesën tone
historike”, nënvizoi Mehmet Prishtina.
Në
zbërthimin e aspekteve të tjera të veprës që promovohet sot, kontribuoi edhe
shkrimtari dhe publicisti Emin Azemi.
“Një
ndër metodat krijuese e studimore të prof. Anton Nikë Berishës është rimarrja,
ose rishqyrtimi gjuhësor e stilistik i veprës së tij të shkruar më herët dhe
vendosja e saj në një rrafsh tjetër të rishikimit, por gjithmonë në funksion të
një dioptrie vrojtimi që do ta bënte atë vepër edhe më të freskët për lexuesin
aktual. Kjo metodë, me pak përjashtime, u përdor nga ai edhe me rastin e
ribërjes së korpusit të tij krijues e studimor në shtatë vëllime, me një titull
mjaft sinjifikativ SHTATË SHPALIME PËR NËNË TEREZËN, të cilat tani vinë
me një koherencë të brendshme kuptimore dhe me një gërshetim harmonik zhanresh
e stilesh krijuese, të përmbledhura në gjithsej 10 vepra. Përkushtimi tematik e
problemor i Anton Nikë Berishës për të krijuar fabulat e tij narrative sa më
interesante nxjerr në pah figurën e Nënë Terezës, në një dimension më kompleks
dhe përtej konturave të ngushta biografike që i kishin imponuar autorë të
ndryshëm, të cilët nuk e kishin patur kreativietin krijues e psikologjik të
prof. Berishës për të depërtuar më thellë në shpirtin e kësaj altrusite të
madhe me përmasa planetare”, tha Azemi.
Ndërkaq
krejt në fund, vetë autori Anton Nikë Berisha, me të pranishmit ndau disa
përshtypje e mendime, duke thënë me këtë rast se figura e Nënë Terezës është
shumë pak e njohur ndër shqiptarë dhe sipas tij, gabimisht asaj i atribuohet
vetëm epiteti bamirëse. Para se të jetë bamirëse, ajo ishte flijuese për të
tjerët, tha Berisha, dhe këtë ai e mbështeti më faktin se Nënë Tereza asnjëherë
në jetën e vet nuk i dha askujt asnjë cent me dorën e saj, por ajo dhuroi
dashuri e përkushtim për të sëmurët, për skamnorët, për të vegjlit dhe për
gjithë ata që ishin të mënjanuar nga kujdesi shoqëror.