Kulturë
Zymer Mehani: Rexhep Hoxha - Lugjet e Verdha
E diele, 01.09.2019, 09:36 AM
Romani për fëmijë “Lugjet e Verdha”, Prishtinë, 1959
(Në përkujtim të shkrimtarit për fëmijë, prof. Rexhep Hoxha)
Nga
Zymer Mehani
“Lugjet
e Verdha” është romani për fëmijë, që na rikujton diçka përrallore dhe poetike.
Pasi
veprimin shkrimtari Rexhep Hoxha e shtjellon kryesisht në formë të strukturës
lineare, narraciioni i tij theksohet më shumë, që në pikëpamje të stilit nuk
sjell ndonjë risi, por kryesisht mbetet në trajta të jostilizuara të shprehjes
dhe të rrëfimit. Kjo nuk do të thotë se Lugjet e verdha nuk është vepër e pasur
me lememente tjera dekorative, si janë: krahasimi, metafora, simboli, alegoria,
përshkrimet e bukura të natyrës etj., mirëpo as këto nuk bëjnë ndonjë efekt më
të madh në tejkalimin e mënyrës tregimtare të përrallës popullore që manifestohet
në romanin e Rexhep Hoxhës.
Studijuesit
e letërsisë për fëmijë konstatojnë se mundësia e përdorimit të tropeve është
mjaft e kufizuar në letërsinë për fëmijë, në përgjithësi, për arsye se fëmijët
kanë një nivel të kufizuar intelektual, që përherë është në lartësim e sipër.
Megjithatë tropet dhe figurat stilistike e kanë lartësuar romanin tonë, ia kanë
pastruar aspektet e ndryshme kuptimore, e kanë bërë shprehjen më atraktive e më
poetike, dhe duke pasur kujdes të veçantë në krijimin e tyre. Krijuesit tanë në
tërësi krijuan figuracione të ndryshme, të cilat jo vetëm që i nxisin fëmijët
t’i gjurmojnë kuptimet, por ndikojnë njëherit edhe në vetë konkretizimin e
kuptimeve të tilla.
Figurën
e krahasimit e kanë praktikuar pothuaj të gjithë krijuesit tanë për fëmijë, e
po ashtu edhe Rexhep Hoxha në romanin “Lugjet e Verdha”. Duke pasur parasysh se
vepra u është dedikuar fëmijëve, shkrimtari ka ditur që krahasimet t’i ndërtojë
në pajtim me natyrën fëmijërore. Nga ky aspekt, në shumicën e rasteve, ose
objekti i krahasimit, ose edhe ai me të cilin krahasohet, ndërlidhen në mënyrë
të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me botën e fëmijëve, ose me fenomene të
përafërta për ta. Në romanin “Lugjet e Verdha” shembuj të tillë ka mjaft. Të
përmendim njërin prej tyre:
“Mirëpo,
kishte kambët e lehta e të shpejta, si t’erës, si t’erës”.
Krahasimi
gjithmonë në letërsinë tonë për fëmijë ka patur për qëllim ta freskojë
përmbajtjen, ta konkretizojë më mirë një tërësi kuptimore të caktuar, ta
rifreskojë relievin e veprimit dhe të krijojë relacione atraktive midis
karaktereve në sfere më të gjera të jetës. Prandaj, shkrimtarët tanë kanë
zgjedhur me pedantëri e durim të madh objektin me të cilin kanë krahasuar një
objekt tjetër, në mënyrë që edhe vetë krahasimi të jetë sa më i qëlluar, sa më
i natyrshëm, sa më i përshtatshëm, dhe si i tillë sa më funksional dhe
objektiv.
Edhe
metafora, po ashtu zë një vend me rëndësi në strukturën stilistike të romanit
tonë për fëmijë, e po ashtu edhe në romanin “Lugjet e Verdha” të shkrimtarit
Rexhep Hoxha dhe manifestohet pothuajse në të gjitha trajtat e mundshme të saj;
fromat kryesore të saj në këtë roman janë: metafora emër, metafora frazë e
rrallë haset metafora folje. Në “Lugjet e Verdha” shkrimtari me mjeshtëri ka
përdorur metafora të huazuara nga thesari burimor i popullit tonë, p.sh,:
“Nji
ditë prej ditësh, Shpendi ban zemrën guri...”
Nga
tropet që lajmërohen më shpesh në letërsinë tonë për fëmijë është edhe
hiperbola. Funksioni i saj ndikon që te fëmijët të zgjojë fantazinë, dhe duke
zmadhuar objekte e stërzmadhuar dimensione ambientale e kohore, hiperbola
kultivon te të vegjlit dashurinë për për veprat letrare si dhe interesimin për
të njohur edhe elementet fantastike të jetës. Prandaj në letërsinë tonë për
fëmijë, si edhe në letërsinë e rritur, shumë herë përdoret p.sh., numri shtatë,
që në realiet është huazuar nga thesari burimor i popullit tonë, konkretisht
nga lloji i përrallës. Ja, p.sh., si e ndërton Rexhep Hoxha një figurë të tillë
në “Lugjet e Verdha”:
“Nji
livadh shtatë vjet nuk kishin pas guxue katundarët me e kositë prej nji bolle”.
Hiperbola
kryesisht vjen në shprehje për t’u përdorur në romanet tona për fëmijë, që kanë
natyrë përrallore apo fantastike. E i tillë prej fillimit gjer në fund është
edhe romani “Lugjet e Verdha”. Aty, madje hiperbolizohet edhe vetë fati jetësor
i Shpendit.
Me
të drejtë thotë poeti e studijuesi I letërsisë për fëmijë, prof. Agim Deva se
prezenca e botës shtazore në romanin tonë për fëmijë vetvetiu ka paraqitur
nevojën që zërat e ndryshme të gjallesave të shprehen në një mënyrë të posaçme.
Pikërisht për këtë, shkrimtarëve tanë u ka dalur në ndihmë një figurë e bukur
stilistike, onomatopeja, të cilën fëmijët e duan dhe e përjetojnë në mënyrë të
veçantë. Tingujt që lëshon natyra janë të ndryshëm, kurse në romanin tonë
shohim përpjekjen serioze të shkrimtarëve, që ata tinguj të interpretohen
përmes gjuhës së njeriut, p.sh,:
“Sa
fjalë flet Shpendi, shpezët:
-çak,
çak, çak!- me sqepa,
-Rrap,
rrap, rrap!- me krahë”
E
këso fjalësh onomatopeike në romanin tonë për fëmijë ka plot.
Ato
janë tendencë që kafshët t´u afrohen fëmijëve pa trembje. Janë përpjekje e
ndërlidhjes komunikative të fëmijëve me fenomenet e ndryshme të jetës. Atëherë
tingujve u jipet domethënia, të cilën fëmijët do ta kuptojnë e përjetojnë në
mënyrën e tyre.
Jo
rrallë përmes fjalësh e shprehjesh onomatopeike edhe fëmijët do t’u drejtohen
gjallesave, duke dëshiruar ta kultivojnë dashurinë në to, ta ruajnë nxehtësinë
e miqësisë dhe ta shkurtojnë distancën që ekziston midis të vegjëlve e
gjallesave.
Onomatopeja
në romanin tonë përfaqëson një mënyrë të përshtatshme të bisedimit real ose
imagjinativ midis nuancave të ndryshme jetësore të planetit tonë. Ajo
efektivizon në afrimin e ndjenjave të sinqerta dhe në krijimin e tërësive
humane brenda botës shpirtërore të fëmijëve dhe të ndonjë pjesëtari të faunës.
“Përgjithësisht,
tropet dhe figurat stilistike e kanë lartësuar romanin tonë për fëmijë, ia kanë
pasuruar aspektet e ndryshme kuptimore, e kanë bërë shprehjen më atraktive e më
poetike, dhe duke pasur kujdes të veçantë në krijimin e tyre, krijuesit tanë në
tërësi kultivuan figuracione të natyrshme, të cilat jo vetëm që e nxisin
fëmijën t’i gjurmojë kuptimet, por ndikojnë njëherit edhe në vetë konkretizimin
e kuptimeve të tilla”, konstatojnë studijuesit e letërsisë për fëmijë.
III
Në
romanin “Lugjet e Verdha” ngjarjet janë lidhur bukur mirë në një tërësi
harmonike e vepra është mbështetur në fantastikën e përngjashme me atë të
letërsisë gojore. Kjo imponon konkludimin se ky roman është vepër e pjekur
artistike. Shkrimtari me këtë vepër ka treguar se letërsia për fëmijë është
fushë shumë e pasur për punë serioze artistike. Kjo është meritë e madhe.
Mandej shkrimtari ka patur plot sukses në të zbriturit e ngadalshëm e metodik
në nivelin psikologjik dhe në aftësitë intelektuale të fëmijëve. Indi
pedagogjik ekziston që prej fillimit dhe është thurur në mënyrë fare të
paimponueshme. Edhe në pikëpamje psikologjike, edhe në atë pedagogjike, vepra
ka një funksion të caktuar dhe një dinamikë të këndshme dhe të pandërprerë.
Shumë gjëra që janë thënë, luajnë rolin e nxitjes së virtyteve dhe të cilësive
fisnike të fëmijëve.
Gjuha
është e rrjedhshme dhe ndihmon shumë për ta shijuar edhe më mirë atmosferën e
një ambienti bukolik në një të treguar të gjallë dhe interesant. Kompozicioni i
veprës është bërë me mjeshtëri dhe ngjarja udhëhiqet deri në fund me dinamizëm
të nivelizuar.
Studiuesja
dhe profesoresha e letërsisë për fëmijë dhe të rinj, Dr. Qibrije Demiri-Frangu
konstaton me të drejtë se Rexhep Hoxha është njëri prej autorëve që ka
shfrytëzuar shumë mundësi të eksplorimit të letërsisë gojore, të jetës
tradicionale të familjes sonë, të cilat ndjehen fuqishëm ,krahas subjektit,
strukturës, diskursit rrëfimor, emërtimeve të personazheve e të vendbanimeve
edhe në romanin “Lugjet e Verdha”.Meritë e madhe e shkrimtarit është edhe fakti
se ai ka gjetur (krijuar) aq shumë emra të bukur për shpendët, për shtazët e
gjallesat e tjera. Sa bukur i përgjigjet emri sundimtarit të ashpër-Ballhutës.
I bukur është edhe emri i fshatit Arrnjet. Fare adekuat është emri i
protagonistit kryesor- Shpendit. Po kështu ngjan edhe me emrat e tjerë të
njerëzve: Bardheci, Ajkuna, Drita, Nusha, Kumria, Bjeshka etj. Shumë i shëmtuar
është emri i Plakës Ugurzezë, i Ujkut Delengrënës, i Bollës, i Kuledrës, i Gjin
Xhelatit etj.
Shumë
të tingëllueshëm e simpatikë janë emrat e shpendëve: Bishtkuqe, Xinxare,
Natare, nëna e pyllit-Erëmira, Havakushja, Sqepkuqi etj. Ariu është-Ari Shputa,
sepse është simpatik në veprimet që bën; hoxha-Hoxhë Llapatani, sepse shkruan
hajmali dhe gënjen njerëzit, ndërsa kur sëmuret, nuk shkruan hajmali për vete.
Edhe për krahinat e ndryshme autori ka gjetur emra të përshtatshëm: Lugjet e
Verdha, Rrahu i Thatë, Frashnjeti, Prozhma e Gjelbër, Gryka e Pishtahut etj.
Të
gjitha këto janë prodhim i në fantazie të bujshme dhe pajtohen fare me titujt e
njomë të poezisë me të cilën është e përshkuar tërë vepra “Lugjet e Verdha”.
LITERATURA:
1.
Astrit Bishqemi, Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë, Sejko, Elbasan
2001;
2.
Astrit Bishqemi, Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë, Sejko, Elbasan 2004;
3.
Anton Berisha, Çështje të letërsisë gojore, Rilindja, Prishtinë 1982
4.
Agim Deva, Romani ynë për fëmijë, Rilindja, Prishtinë, 1977;
5.
Hasan Mekuli, Romani shqiptar, kritika e vështrime, Libri shkollor,
Prishtinë,2000;
6.
Qibrije Demiri-Frangu, Letërsia për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2011
7.
Rexhep Hoxha, Lugjet e verdha, Rilindja, Prishtinë 1972