E hene, 07.10.2024, 08:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Mema: Flet ish-nxënësi i Gjergj Fishtës, 92-vjeçari Piro Mosi

E premte, 30.08.2019, 11:56 AM


Piro Mosi: Pas 80 vjetësh reciton përsëri vargjet e Fishtës përmendësh

Flet ish-nxënësi i Gjergj Fishtës, 92-vjeçari Piro Mosi: Fishta ishte gjeni, me shpirt paqësor dhe fytyrë të shenjti. Vizita e atit në shtëpinë e Hilë Mosit dhe si e qëlluan me breshëri flamurin kombëtar ushtarët turq

Intervistoi Agron Mema, Gazeta Telegraf.al

Ikona e fotografisë shqiptare, Piro Mosi, shkodrani që lindi në Shkodër, u rrit e zhvilloi aktivitetin në Sarandë dhe sot jeton në SHBA, por nuk harron përvit të vijë çdo verë në Sarandë, surprizon përsëri në gazetën “Telegraf”, gazeta e preferuar e tij për të publikuar kujtimet. Nga familja e njohur Mosi, nip i Hilë Mosit, surprizoi duke recituar pas 80 vitesh poezinë e Gjergj Fishtës. 92 vjeçari Piro Mosi thotë se këtë poezi e ka recituar 80 vite më parë në moshën 12 vjeçare kur ishte nxënës në vitin e parë të Liceut Françeskan të Shkodrës. Në atë kohë, thotë Piro, drejtor ishte Fishta i madh. “Fishta erdhi në klasë dhe mësuesj i letërsisë dhe muzikës, Martin Gjoka, më ngriti mua para klasës të recitoja Fushtën para Fishtës. U emocionova shumë sa dhe sot kam emocione. U ngrita dhe recitova dhe në fund Fishta më përqafoi. Kujtimet do t’i botoj tek gazeta juaj për Liceun Françeskan, por, pas 80 vjeteve recitova përsëri atë pjesë poetike që nuk më ka ikur nga memoria.”

Ditë më parë botuam në faqen zyrtare online të gazetës “Telegraf” një video ku shfaqej 92 vjeçari Piro Mosi duke recituar vargje të Gjergj Fishtës, vargje të cilat i pat recituar para autorit para 80 vitesh në moshën 12 vjeçare. Me kujtesë fenomenale për t’u admiruar dhe respektin për Fishtën e madh që na nxiti të shkonim përsëri tek zoti Piro dhe në bashkëbisedimin me të t’i marrim kujtimet e tij për këtë personalitet të letrave shqipe dhe të lëvizjes patriotike e kombëtare.

-Përshëndetje zoti Piro! Lexuesi i gazetës “Telegraf” është i interesuar të dijë mbresat dhe kujtimet tuaja rreth personalitetit të Gjergj Fishtës. Ju keni qenë nxënës i tij në Liceun Françeskan të Shkodrës, ç’mbani mend nga takimet tuaja me Fishtën?

Patjetër që po për lexuesin e gazetës së nderuar “Telegraf” faqet e së cilës kanë qenë të pa kursyera për kujtimet e mia të shumta, por jo vetëm të miat. Ka qenë viti 1939 kur u rregjistrova dhe fillova Liceun Françeskan të Shkodrës ku drejtor në fillim qe i madhi Gjergj Fishta, por shpejt e la këtë detyrë, se pati një goditje në këmbë nga reumatizma dhe kur ecte çalonte shumë. Pas Fishtës detyrën e drejtorit e mori Donat Kurti, i cili qe edhe i apasionuar dhe mbledhës i visareve të kombit, zv/ drejtor qe Justin Rrota, mësues muzike Filip Mazreku, i histori-gjeografisë Martin Gjoka, i letërsisë Marin Sirdani, vizatimin na e jepte Marin Kabashi, matematikën Benedik Dema etj. Në këtë Lice bëra dy vjet, se shkolla u mbyll për arsye të Luftës Italo-Greke.

-Përveç kësaj njohjeje, kishin njohje tjetër me Fishtën?

-Po, Fishta qe mik i familjes sonë. Pavarsisht se qe zemëruar me xhaxhain tim, Hilë Mosi kur qe ministër arsimi, për shkak të reformës arsimore me të cilën Fishta kish kundërshtitë e tij, ai nuk i ndërpreu vizitat në familjen tonë. Vinte shpesh dhe bisedonin deri afër mesnatës, po unë nuk dëgjoja gjë, se nuk na linin në dhomë me ta.

-Çfarë trupi kishte Fishta?

-Qe trup mesatar. Në dorë mbante gjithmonë një bastun nga reumatizma.

-Tjetër ç’mbani mend nga Fishta?

-Mbaj mend që isha i vogël dhe erdhi në shtëpinë tonë për vizitë. Në gramafonin e familjes sonë vuri një pllakë të inçizuar me vargjet me hedhjen në erë të kullës së barotit nga Oso Kuka që qe një akt sublim i Oso Kukës. Sa e dëgjova e fiksova në mendje dhe e di dhe sot (reciton vargjet). Qe njeri me pamje si shenjtor, shpirt paqësor, shumë i pashëm, shumë i dashur me të gjithë. Sulmi që iu bë më pas personalitetit të tij u urdhërua nga serbët, të cilët kishin një urrejtje ndaj klerit katolik. Ai vdiq në vitin 1940 dhe kaq mbaj mend nga kujtimet me të.

-Zoti Piro, ju për pak ditë do të udhëtoni drejt SHBA-ve dhe kjo është intervista e fundit për vitin 2019 që zhvillojmë së bashku. Doni të shprehni gjë tjetër?

-Po. Kam diçka që më ka mbetur e mjegullt në mendjen time për vite e vite me rradhë. Ka të bëjë me Flamurin Kombëtar Shqiptar. Ka ndodhur diku nga vitet 1975-1980. Më pat thirrur në zyrën e tij sekrete të komitetit ekzekutiv të Sarandës përgjegjësi i kësaj zyre, shoku im i rinisë dhe vegjëlisë Daut Sheme. Ai donte të mësonte prej meje të dhëna për xhaxhain e tij, dëshmorin Adem Sheme me të cilin në 2 korrik të vitit 1942 ishim së bashku me 46 të rinj të tjerë të burgosur nga regjimi fashist. I tregova çaste kur ishim të lidhur me pranga së bashku dhe unë isha më i vogli dhe Ademi kujdesej për mua. Mbasi i dhashë të dhënat që donte, rastësisht dhe krejt padashur më zuri vështrimi një shkresë gjysmë format dhe në anën e majtë të saj qe shkruar “Tepër sekret”. Pashë që lënda në krye të shkresës qe për përmasat e Flamurit tonë Kombëtar. Më poshtë kishte disa numra dhe “X”-e, por nuk doja ta prisja në besë mikun tim, se qenë punë me rrezik të madh. U largova por një gozhdë e madhe qe ngulur në trurin tim. Përse dimensionet e Flamurit “Tepër sekret”? Mendja më shkonte tek disa rrugaçë politikë e injorantë, të cilët në fillim u futën funksionar edhe duke mos pasur as shkollim as edhe njohje të historisë sonë kombëtare, madje shpesh nëpër biseda shqiponjën e quanin “zog të zi”.

Familja jonë në Shkodër me Flamurin Kombëtar ka pasur një histori të veçantë. Xhaxhai ynë, Hilë Mosi, pjesëmarrës në Kryengritjen e 1911-s nën udhëheqjen e Dedë Gjon Lulit, në betejën për marrjen e kalasë së Deçiçit, siç e përshkruan në shkrimet e tij edhe Gjergj Fishta në një këngë te “Lahuta e malcis”, se Hila ka çarë mes plumbave me revolver në dorë dhe ngriti mbi kalanë e Deçiçit Flamurin tonë Kombëtar. Sa u ngrit ky flamur, ushtarët turq e qëlluan me breshëri dhe sot akoma duken vrimat e plumbave mbi flamur. Në kulm të kësaj beteje Dedë Gjon Luli me ironi tha, se “Turqit po përshëndesin ngritjen e flamurit!” Ky flamur është ende pronë e familjes sonë. Kur festonim në Shkodër, në odën tonë të pritjes, në faqen e murit përballë shpalosej ky flamur. Me atë bojën pak të zbardhur nga koha dhe vitet e kam të regjistruar në trurin tim dhe shpesh e kam para syve për t’i ballafaquar të sotmin dhe të vjetrin. “Kirurgët” e politikës antikombëtare e kanë “operuar”. Xhaxhai im i vogël, i internuar në Itali dhe ishte oficer në kapitenerinë e Vlorës. Ai erdhi në Sarandë kur vdiq im atë dhe mandej në Shkodër tek e ëma. Aty mori shumë gjëra të vyera dhe relikte të familjes sonë e, ndër to edhe flamurin e Deçiçit. Për disa vjet fjala “Tepër sekret” më trondiste, por nuk shkoja dot në Itali që të bëja krahasimin, por për fat ia arrita edhe asaj dite.

Të parën gjë që i kërkova vajzës së xhaxhait në Itali ishte, që kisha dëshirën të shikoja flamurin. E pashë. Fluturoja nga gëzimi. Ajo tepër e çuditur më pyeti, se ç’ishte gjithë ky gëzim. U çudit dhe nuk besonte se mund të bëhen vepra të tilla, po tek ne çdo gjë mund të ngjante.

Në prill 1946 u dërgova me shërbim në Tropojë për të fotografuar fshatin Bytyç që ishte djegur nga zaptuesit nazistë dhe minierat e Bytyçit qenë hedhur në erë. Këto fotografi të përmasave 30×20 u ekspozuan në muzeumin e Luftës, por pa autor se në atë kohë tek neve nuk kishte asgjë origjinale dhe çdo gjë manipulohej dhe kalonte nën censurë. Dhe për këtë qëllim kriminal më detyruan të dorëzonim disa foto nga fototeka e Marubit. Qe fototeka më e famshme. Dhe kështu filloi manipulimi.

Me dokumentin e Pavarësisë u bënë 4 operime, retushime. Kështu në vend të patriotit Lef Nosi u vendos një mulla.

Edhe në fotografinë tek ballkoni në Shkodër, tek bashkia, ku një delegacion nga qyteti i Gjirokastrës qe ftuar të merrte ështrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit ku në krye të delegacionit qe Javer Hurshiti, kryebashkiaku i Gjirokastrës. Edhe kjo foto historike pësoi një masakër të vërtetë. Në operacionin e parë mbetet me pesë veta, në të dytin me tre dhe në të tretin mbeti vetëm një, ai që kryebashkiaku Javer Hrushiti e mori në Shkodër që të lexonte fjalimin përshëndetës të përgatitur nga bashkia e Gjirokastrës. Ky është një tregues shumë kuptimplotë dhe tashmë dihen qëllimet.

Çdo dokument që binte ndesh me shijet e sundimtarit do të kalonte nga pavioni i operacionit duke prerë çdo mundësi të orvatjeve për mbrojtjen e të pambrojturës.  Premtoj se do të sjell nga Italia një kopje të origjinalit bashkë me një vendim gjykate që vërteton njësinë me origjinalin.

Gjej rastin t’u bëj thirrje historianëve të ndershëm e patriotë, arkeologëve, piktorëve si dhe atyre që i kanë pasur e që i kanë e do t’i kemi përjetë të jetëve çmimin e nderuar të bijve të shqipes dhe ata studjues të ndershëm e patriotë që kërkojnë të ndalohet operacioni kriminel i shqiponjës sonë. Të vihet në vend nderi dhe me një proçes të rregullt gjyqësor të dënohen ata që nisën dhe sakatuan me ndërgjegjie këtë krim ndaj Flamurit dhe Kombit tonë.

Në fund dua të shtoj edhe një detaj që ma shton respektin për gazetën “Telegraf”. Shoh në faqet e saj herë pas here që boton shkrime kolosi i gazetarisë shqiptare, Frank Shkreli. Me familjen e Shkrelajve kemi qenë në një lagje në Shkodër me banim në rrugën e Kishës Françeskane dhe përball kishim shtëpinë e Ndoc Çobës. Verës vinim tek pronat e Shkrelëve në Malësinë e Madhe për pushime ku mbaj mend se kishte puse uji të sheshta dhe njëherë më ra opinga në njërin prej puseve dhe u bë luftë e madhe për ta gjetur se mbeta zbathur. Shtëpia komshi ka qenë e Loro Shkreli, tregar në shkodër. Qenë familje patriotësh dhe të ndershëm dhe më bëhet qejfi shumë që Franku ecën në gjurmët e tyre, mbase e takoj në SHBA. Ju faleminderit dhe rrugë të mbarë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora