E merkure, 09.10.2024, 10:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Fatura kohe

E hene, 02.09.2019, 07:12 PM


Fatura kohe

Nga Blerim Rrecaj

Në një kafene me emrin e një qyteti bregdetar turistik në dy tavolina dy të moshuar shfletojnë gazetat. Pas pak u vijnë edhe kafetë e gotat me ujë, (me fatura që mund të zënë vend nën shpuzore të metalta si farë insektesh nën gurë) si për të përbirë më lehtë artikujt e kronikat që lexojnë. Në një tavolinë dy vetë bisedojnë edhe duke lëvizur duart, në një tjetër, dikush sytë në telefon pasi që kamarieri para se t'ia sjellë kafenë ia dhuron fjalëkalimin për t'u lidhur me wi-fi. Vijnë e shkojnë të tjerë, ndërkohë vazhdon një puhi dhe tinguj të lehtë në këto çaste mesdite me diell të fortë e shkëlqyes. Ca gjelbërim aty rrotull, i mirë për sytë, ndonjë cicërimë zogu veshpastruese, si përpjekjet e tyre sqepçukitëse për largim insektesh trungut a degëve të drunjëve. Një grua shtyen karrocën ku shtrirë e qetësisht rri ai vogëlush, pasi del nga 'nën'-"Kurrizi" shtruar kaherë me pllaka guri ngjyrëbardha e ngjyrëkafta. Pas pak duket një grua tjetër mbi kurriz-dardanie, mban para duarsh këtë vogëlush biond, flokë ngjyrëartë, kalligruri e vështrimëmbël. Rrijmë, sa rrijmë e largohemi që këtej, për ta vërejtur një ngrehinë betoni me katër qypa të hekurt dhe ujin që rrjedh, e që vetvetiu na vjen emërtimi: Kroi i Dardanisë, e këtu vijnë, afrohen, pijnë ujë, lajnë sytë e freskohen e largohen fëmijë, të rinj, njerëz, ca për herë të parë, pasi s'ka shumë kohë që ka ngre kokën, kryengritëse, çykë. Pasi, afrohemi, e prekim, fytyrës ca grushta uji ia hedhim, vazhdojmë, për t'u ndalur te kjo kafene, për t'u përshëndetur me dikë të njohur, që tashmë së fundmi ka lënë fshatin e ka ardhë në qytet, dhe bëjmë e bëjmë muhabet pa ditur kah t'ia mbajmë, as në fshat por as në qytet. Arif Demolli ka shkruar poezitë: "Fjalim para tokave të vjetra" dhe "Ne që rronim me ujq", që flet me dhimbje, ironi për gjendjen tonë komplekse si shoqëri që disi i largohet rrugës së harmonisë. Pak më tej para objektit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, një lypëse me një fëmijë kërkon para, në vendin ku fillojnë shkallët për t'u ngjitur përpjetë, e jo fort larg lypëses, pak hapa më tej, më afër objektit të PTK-së së shumëpërfolur për afera, akuza e kriza, fëmijët që shesin manaferra, nga qëndrimi i gjatë e nga mërzia fillojnë të luajnë me top. Një goditje topi mund t'i puthë e t'u lë gjurmë karmini xhamave të ndërtesës. Dhe topi kushedi ku mund të përfundojë. Largohemi për t'u ndeshur me ndonjë ndërrues devizash që piqet në diell, ose strehohet për ndonjë çast nën hije drunjësh e nxjerr ndonjë fjalë për shkëmbim frangu e dollari, për të vazhduar punën si shumë kolegë rruge, edhe asi që copa e kënde rrugësh e trotuaresh ekspozojnë e shesin pemë, perime, "cikërrima" të ndryshme. Kalojmë këtej e andej. E në oborrin e Fakutetit ekonomik e atij juridik seç paskan prashitur tërë shtrojën e tij, si me dashtë me shndrru në tokë të punueshme, bërë gati për mbjellje. E gjëra të tilla, punime, rregullime, arnime, hapje gropash, shpime vërehen ca këndej e ca andej. Si te kjo gropë hapur mjaft thellë e gjerë, e rrethuar në tri anë me rrethojë metalike, me mbishkrimet fletë A-4 të bardha, shkronjëkuqe: "Kujdes, mos u afro, këtu po punohet!" ku para një bageri të fikur, tashmë me lopata e kazma gërmojnë dy punëtorë. Ca rrugë më tej një cisternë uji ngjyrë portokalltë, në një hapësirë të saj duket mbishkrimi me shkronja të mëdha: "Calabrese", si për të sjellë në mend arbëreshët, e dy punëtor ujisin tufat e luleve, hapësirave të gjelbërta e mes rrugëve, andej kah kalojnë, e kah u dalin ato përpara. Ca qe të kalamendur e të etur u turren ca veturave në lëvizje, e paksa shqetësojnë edhe ata që ecin, a janë duke kaluar rrugën. Në copa muresh të ndërtesave vërehen grafite e reklama të mëdha hapësirënxënëse, vetëm që të bien sa më shumë në sy e mendje kalimtarësh. Njëra thotë: "Nalu n'mujsh", e tjetra: "Kur t'shohin t'njohin", do të tjera flasin për të paguar me këste por pa kamatë për 15 e 20 vjet. Po duket se po rrjedh dhe kjo ditë për kë e qetë, për kë tensionuese, për kë e përzier me qetësi e tension. Me probleme përtokë e premtime për hava, qenie uri-etura për normalitet. Në ditën e fundit të gushtit dikush vendos që të vijoj studimet që kaherë i ka lënë pasdore e pasdere diku në një qosh, kushedi mbase do t'ua shoh dobinë e në punë do t'i hyjnë. Një shtatori sivjet ra ditën e diel, dhe dita e mirë me diell po nxit për në drejtim liqenesh e pishinash. Pas pushimeve na presin obligimet shoqëruar me shqetësime, mbase dhe kalkulime, duke pasë parasysh edhe gjuetarë votash. S'po e zgjasim më se hyjmë e mbetëm në të. Për pak kthjellim seç të del në shteg thënia e Julio Cortazar-it:"Vetëm duke jetuar në mënyrë absurde do të jemi në gjendje të dalim nga ky absurditet i pafundëm". E sa u përket aforizmave, një të tillë për vetë aforizmat, e thënë nga Karl Kraus, e duket se mund t'u bëjë shoqëri e të rrijë krahpërkrah simotrave të tyre duke u thënë kuptim më tepër: "Aforizma asnjëherë s'i përgjigjet të vërtetës, pasi ajo ose është gjysmë e vërtetë, ose një e vërtetë e gjysmë". Ecim krahpërkrah e dorëpërdorë me ditët e mbetura të verës. Bashkohemi me zukatjet ngazëlluese, ndjenjëpërziera në oborrin e këtij objekti shkollor derëhapur së pari herë për të vijuar pakëz më lehtë në rrugën e shtigjeve për ta vënë në binarë rrugën e arsimimit e edukimit të mirëfillta. E nëse se teprojmë po përmendim fjalën e dëgjuar se diç që niset keq do të shkoj keq e përdreq, e kjo na bë të vëmë në dukje se mirëfilltësia është njëra nga pikat tona më të dobëta...Çka ka ndonjë të re, pyet njëri, jo pa pak habi. Çka po di, ec e dije, ec e merre vesh. Pas kësaj mbesin dy buzëqeshje të papërcaktuara, dhe dy lëvizje duarsh si shenja të pakuptueshme si thotë Kadareja te poezia: "Koha e pamjaftueshme". Në një zyrë ka hyrë një anzë, vërtitet e vërtitet, ateron në njërën nga faturat sikur ajo të ishte farë piste aeroporti...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora