E premte, 26.04.2024, 11:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Asllan Dibrani

E diele, 12.04.2015, 02:34 PM


TE RRAPI I VATRËS SIME

 

Poezi nga Asllan Dibrani

                                    

Rruga ime pa fillim dhe fund puthitet

Me hijen tënde, portë me halle

T’i kujtoj etjet nga fëmijëria

Kur lotët vërshuan mbi pellg

Të thellë me dushkun shumë ngjyrësh

 

I bukur ishe Rrapi i vatrës sime

Kokën  e mbaje lartë deri te qielli blu

Sikur luteshe për vajet dhe dëshprimin tim

Duke e pritur shpesh vapën përvëlimtare

 

Nga lulet që rriteshin rrëze trupit tënd

Më solle aromë kur desha nën qiellin tim

M'i kujton  kalldrëmet e lashta të gjyshërve

Me kushtrim kur të pashë për herë të fundit

Në betejën e pamëshirshme të vdekjes

 

Shijova rreth e përqark heshtjen e natyrës

Me  dushk të kuq e verdhë/skuqur nëpër shekuj

Bartnim së bashku nga një fragment historie

Kalorësit me plisa të bardhë luftonin për liri

 

I prite yjet polarë që rrezitën këtë tokë

Mbushur me aromë qiellin e zbukuroje

Mësova shpesh nën  gjirin tënd në dritën e hënës

Duke m’i ruajtur librat nga stuhia  e kohës

 

Edhe pushka e gjyshit në barkun tënd u strehua

Ti dimrin e egër ma bëre verë të levarashtë

Në trupin gjeta fshehtësitë shekullore

Ballëlartë rri gjithmonë legjendë kohore

 

Do kujtoj derisa të jem i shtrirë në arkivol

Derisa të jem me frymë afër teje do të qëndroj

Rapi i maleve të mia në Gallapin më të  bukur

Aty më lindi nëna nën hijen tënde më përkundi

 

Te ti i dashur Rrap statujë e shpirtit tim

Ishte jeta dhe vdekja që shtegtonin gjithmonë

Skutave dhe brigjeve të pa harruara

Te ti frymonin mjeshtërit që ndërtonin mure e kulla

 

Ti mbetesh gjithnjë qiri i ndezur në tokën tonë

Në degët tua relakson kënga e zogjve shtegtarë

Gurët që latova m’i ruan nëse unë nuk do të rroj

Flatrat e pranverës në shtratin tënd do t'i kujtoj

 

Do t’i kujtoj nga bota e pa kthim plagët e zjarrit

Egërsinë e armikut dhe gërmadhat e shtatit tënd

Do t’i kujtoj shkronjat e gdhendura në trupin tënd

Me mbishkrimin e ushtarit të vrarë për liri...

 

 

TË PËRULEM O NËNË

(Nënës sime, poezi nga burgu i Nishit)

 

Vetëm Ty të përulem në këtë botë

Me duart prej prangave ngrehe

E me gjakun e zhbërë në lot

Me ditë me javë e muaj

Jetova me brengën tënde

Kur u ndamë atë natë në errësirë

Ti ishte dhimbja më e madhe që më dhemb

Dhe fjala jote balsam: "Mbahu o bir!"

Nuk e harrova dot djersën

Që rridhte si përrua

Në rrudhat e ballit

Dhe nofullat e shtrënguara prej dhimbjes

Kur shihje prangat në duart e djalit

Të përulem e dashura Nënë

Vetëm Ty të përulem në botë

Me shpirtin peng tek Ty lënë

Dhe mallin që s'e shuaja dot

Ti kurrë nuk më le vetëm

Në qelinë e vuajtjeve të gjata

Tek ty e gjeja forcën

Tek ty e gjeja shpresën

Kur si përbindësh më gllabëronte nata

Kur më vije Ti pranë hekurave të qelisë së mallkuar

Unë burrërohesha me krenarinë tënde

Edhepse shpirti më qante

Për mallin tonë të pashuar…

Ah moj burrneshë...

Unë vidhja forcë e krenari

Në Ty gjeja trimërinë e pa fund

Ndjeja deri në palcë qëndresën tënde titanike

Jashtë forcës njerëzore...

Të përulem moj e dashura Nënë

Vetëm Ty të përulem në këtë botë

Që netët i ngrysje ngrënë e pangrënë

Dhe kafshatën e bukës gatuar me lot...

Kur vije në burgun famkeq te Nishit

Ti më sillje pranverën

Më sillje të gjitha stinët aty

E unë nuk mundja dot të hapja derën

Në vend të përqafimit ne flisnim me sy...

Ligështimin e shpirtit tënd

Për metamorfozën time

Brenda qelisë së mallkuar

Nuk e shfaqe kurrë

Më shihje sikur të isha rinuar

Më shihje çdo herë e më burrë

Kështu kaluan ditë muaj e vite

Ti përherë më dhe forcë e jetë

Dhe mbete për mua i vetmi burim

Shprese dashurie dhe drite

Në vitet plot mundim vuajtje e derte...

Të përulem moj Nënë e të bekoj

Dhe sot me mall të përqafoj

Të jam mirënjohës përjetë e dashur

Je buqetë madhështore për shpirtin tim

Të përulem me gjithë zemër duke t’i falë

Të gjitha dashuritë e kësaj bote…

 

 

KRENARI E SHENJTË

 

Kur të pashë

Moj e bukura e dheut

Qielli ndriti zemra u trazua

Rrezet e diellit shkëlqyen

Dhe yjet e natës më rrëmbyen

Në ballin tënd gjeta oqeanin e dashurisë

Po ku humba dhe u treta deri më tash

Gocë më të bukur në jetë nuk pashë

U shkri dëbora dhe u shkri akulli

Pluhuri m‘i mbuloi kujtimet

Sa më  larg të qëndrojmë

Zemrat thyhen e lëngojnë

Porsi lulet e vyshkura nga vapa

Lundrova në botën e çudirave

Më pushtove të tërin

Në mbretërinë e heshtjes

Ti atje e unë këtu

Si fëmija jetim në jetë

Pa djallëzi intriga dhe ligësi

Më bëre të shkrihem për dashuri

Ti moj gocë shqiptare me shtat selvi

Zemrën ma bëre mal me mirësi

Oh  e bukura e dheut në ketë  jetë

Rri krenare je e madhe dhe e shenjtë

 

 

MBRETËRIA E HESHTJES

 

T’i kujtoj belbëzimet e para

Heshtja thyen frone e Faraone

Ajo është arsyeja e vetmisë sime

I heshtur të përkëdheli duke të puthur

 

I heshtur në vetmi të dua

Në mbretërinë e heshtjes jetoj me ty

Në polarin e ftohtë me akuj

Në vullkanin që nxjerr zjarr

 

Me ty të gjitha mund t’i duroj

Heshtja është gjuha që pëshpërit

Heshtjen e arësyetuar të vetmisë sime

Heshtja ime heshtja juaj heshtja e fjalës

 

Kjo fjalë ka miliona kuptime

Heshtja do të thotë parajsë gëzim dashuri

Një murg jeton në heshtje të plotë

Heshtja flet më fortë se çdo fjalë

 

Heshtja është frika dhe guximi

Ajo është zbrazëtia e zemrës sime

Jeton i uritur natën në oqeanin e dashurisë

Natën në heshtje i shëroj plagët

 

Dhimbjet e plagëve për Ty sa rriten

Përpëlitem me ëndrra e gëzimetë dua në heshtje

Pa fjalë edhe sikur të jesh në varr nën det e shkëmbinj

Të dua edhe në shkretëtirë të gjerë

Sepse je krenare e madhe dhe me vlerë...

 

 

LIDHI BESËN PËR SHQIPËRINË

(Kushtuar Shaban Polluzhës)

 

Ti Drenicë moj Zonjë e rëndë

I thirre  burrat  për mejdan

Shaban Polluzhën një trim vigan

Luftoi për Kosovën me jatagan

Luftove or burrë për kulla shqiptare

Me plis të bardhë dhe i rrallë

Luftën e fillove në Rezallë

I ndejte armikut ballë për ballë

Ti i tëri u dogje për tokë e atdhe

Për komb flamurë e liri

Lidhe besën për Shqipërinë

Tradhëtarët u bashkuan me Serbinë

Atdheu gjithmonë kërkon flijim  e liri

Me lot Shaban do të qajë për ty

Kosova të mbeti shumë borxh që s'të dëgjoi

Shaban ore trim u flijove për Shqiptari

Dezertorë spiuna e burra të ligj për Serbinë

I bashkove ballistë e partizanë të gjithë nën një flamur

Ti ishe për Shqipëri ca ishin për Jugosllavi

Ca të mjerë për Maqedoni e Mal të Zi

E harruan të madhen Çamëri...

 

 

VIKTIMAT E TRADHËTISË

(Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës)

 

I vranë që të tre

Që mos të vdesin kurrë

Emrat e tyre u shkruan me shkronja të arta

Nga flaka e pushkës së armikut

Veprat e tyre u ndritën

Sot janë kandil dhe shkëndija

Emrat e  tyre u bënë diell që ngrohin

Mbi tokën tonë me gurë e kështjella

Pishtarët e lirisë u lindën në Kosovë

Dhe u vranë në Diasporë

Nga klyshët e UDB-ës

Ata ranë si viktima të tradhëtisë

Por zëri i tyre është i gjallë në folenë e zogjve

Në vatrën e tyre

Bredhin të gjallë mbi tokat ilire

Ikën dhe u kthyen në kështjellat e Kosovës

Fjalën e mbajtën

Lirinë shijuan pas 30 vjetësh

Atje nën lapidarët e Kosovës

U skalitën emrat e legjendave të Kombit

 

 

SHKOLLA IME TË KUJTOJ NGA KURBETI

 

Mendimet e mia për ju nuk pushojnë

As fillim nuk kanë as fund

Në mendjen time ti je ngulitur

Kur kujtoj lotët e së kaluarës

Buzëqeshjet e mia në atdhe i kujtoj

Lotët  e derdhur  për ty shkolla ime s’me pushojnë

Duke lundruar e lodhur në fushën Iliriane

Ëndrrat më kaplojnë edhe në mesin e natës

Nuk do të kënaqem në vend të huaj

Lumenjtë dhe fusha të panjohura

Të gjitha majat e kodrinave në vendlindje

Flori atje më janë dukur

Kujtoj vendin ku kam lerë

Kujtoj lojërat me shokë e shoqe

E përgjakshme ishte ajo botë

Në këtë vend s’kam ku të shtrihem

Nuk më nxeh as dielli kam të ftohtë

Do të jetë varri im pa ty

Shkolla ime që të lashë

Pa ta thënë lamtumirën

Atje na prisnin helme e vdekje

Nuk kam qeshur kurrë që nga ajo ditë

Që shkela në kurbet

Ti  shkolla ime mu kujtove

Abc-në që ma mësove

Ti qëndro pranë meje me admirim

Ma kujton vendin tim me plot gëzim

Shpirti lakuriq  po përpëlitet

Përmes  lotëve ujis tokën  time

Përjetësisht të dua nga larg  shkolla ime

(Shtutgard, 30.08.2014)

 

 

I BURGOSUR NË VENDIN TIM

 

Këtu në vendin tim shtypje ironike

Në front është mendja ime mburojë

Për ju tokat shqiptare në shtëpinë e armiqve

Unë jam i burgosuri për ju o fushat e brigjet me lule

Në një qeli izolimi nga armiku barbar

Mburojë kam gjuhën e stërgjyshërve

Zogjtë që cicëronin në kullat e mia

Një popull pa mendime është i privuar

Nuk është asgjë tjetër veçse një tufë  delesh

Të etura dhe të verbëta në oazën e pa shpresë

Kundër një sundimtari që kërkon vetëm shtypje

Thuaju atyre se unë jam kokëfortë këmbëngulës

I pashoq në fitoren time për popullin tim

Humbje nuk dua se është nënçmim

 

Prangat tua që me thellohen në mish

Do më bëjnë një profet në tokë  time

Nga vdekjet e shumta veshur në të zeza

Nuk ka vend çizmja e juaj këtu barbarë

Në betejën e mashtrimeve janë puthadorët

Na poshtërojnë kur flasin si ju

Nëse historia ju thotë diçka ajo do të tregojë

Lavdinë e ashtuquajtur në armiqësinë time

Kjo është kur unë jam një i burgosur

Në vendin tim të gjysh pas gjyshit

Edhe i burgosur jam më me vlerë se ju

Që ishit dhe jeni zorrë nën këmbët e armikut

I prangosur e armatosa popullin tim

Këto zinxhirët të futur në  kockat e mia

Do të shkrihen në penë dhe plumb për ju primitivë

Dyert rojë hapni si të doni nuk do më trembni

Zgjoni frikë te ata që i keni mundur

Edhe kur flej ju më keni frikë se jam i pamposhtur

Edhe nëse sytë e mi janë të mbyllur

Përpëlitem dhe ëndërroj  t'u shporri nga këtu

Unë do jam zgjuar pararoje në çdo kohë...



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora