Kulturë
Remzi Salihu: Poezi nga Ingrid Kayzer
E marte, 07.04.2015, 05:26 PM
Ingrid
Kayzer (Ingrid Kayser), u lind në vitin 1944 Knitelfeld (Shtajermark) të
Austrisë. Nga viti 1951-1956 u rrit në Gjermaninë Lindore, te një familje që
s’kishte fëmijë. Studioi në Gotingen gjermanishten dhe anglishten.
Përmbledhjen e parë “Orët më të gjata të ditës’’ e botoi në vitin 1979. Madje
ka qenë bashkëpunëtore në përpilimin e një antologjie gjermanisht-polonisht.
Këto poezi janë zgjedhur nga libri “Ditët numërojnë orët’’1982.
PA NDIHMË
Unë nuk mund
me ty të flas.
Unë nuk di,
si të të mbërrij.
Të pëshpëriti apo të bërtas,
si do të më dëgjosh?
EMRI YT
Emri
Një melodi!
Nëpër ditët e turbullta
vallëzojë me të,
rrufis.
Zëshëm edhe më zëshëm
me emrin tënd.
DITËT I NUMËROJNË ORËT
Ditët i numërojnë orët për ty-
Unë
Jam larguar shumë ditë prej meje.
Më lejoni bashkë të takohemi
Ju lutem më ndihmoni!
Për te ne, për tek unë-
Ditët i numërojnë orët.
TË GJITHA
Ne i kemi thënë të gjitha.
Për çka duhet të heshtim?
Për të gjitha?
VETËM TI
Dua
Vetëm me ty
Me gjuhën tënde të puthitem?
Metaforat rrufisin
si guaskat e zgjedhura.
Mendimet e mia çlirohen nga akulli-
Thjeshtë-bashkë në ty
në shtëpi të mbyllem.
Lëre veten
në botën e ndjenjës sime;
i fuqishëm dhe i këndshëm
duhet të jesh ti.
Ti je mjaft fisnik
dhe thellë në mua.
DUKE KËRKUAR NJË SI TI
Duke kërkuar një si ti
unë të gjeta ty,
por e humba veten.
FOTOGRAFIJA JOTE
Për çdo mëngjes
shikimi im rrëzohet
në fotografinë tënde,
ndriçon qeshjen time shtegtare;
shpesh kjo qeshje
në ditët e vetmuara-
Pyet fotografinë tënde!Pyet!
MALLI
Çka është malli?
A është malli
diçka patologjike?
A është malli
i shërueshëm?
A ka ndonjë qendër mjekësore
për shërimin
e mallit?
FATI ËSHTË ARRATISUR
Fati të ka puthur ty,
Buzëqesh-mos qaj,
nëse ai heshtas
të ka fluturuar.
KUPTIM NDJENJE
Derisa njeriu me njëri-tjetrin bisedon,
mund gjithashtu
që njëri me tjetrin
edhe të hesht.
ARROGANTI
Neve nuk na duhet
sigurimi
për dashurinë tonë
Ne kemi dëshmi veten.
Perktheu nga gjermanishtja Remzi Salihu