Kulturë
Baki Ymeri: Bardhyl Maliqi në gjuhën rumune
E merkure, 01.04.2015, 07:44 PM
Bardhyl
Maliqi në gjuhën rumune
(Imperiul pasarilor (Perandoria e zogjve), Amanda Edit, Bukuresht 2015)
Nga Baki Ymeri
Sipas autorit të parathënies, Vladimir Muça (shkrimtar dhe kritik letrar), Bardhyli m’u përqas në bregun jonian me brucën e një bardi modern e tek recitonte “Farëzat e grurit” dhe “Shirat e vjeshtës” m’u ngulën e s’më shqiten nga mokrat e mendimit. Çdo njeri ka lisharësin e vet ku kalamendet në jetën e tij. Për Bardhyl Maliqin kjo është kolovajza më e dashur, ku ai kalamendet me aq shumë dëshirë me një relaks shpirtëror. Siç duket janë poemat, ku ai me fijet e shpirtit të tij tundet sa në djepin e vendlindjes, në Syrin e Kaltër, apo në shpellën e pëllumbave të shpresave joniane. Kështu, nga moria e këtyre poemave, Bardhyli ka talentin e muzës për poematikën epiko-lirike e cila e frymëzon, i zgjon kujtimet, spaciot poetike me frymën joniane e familjare, gjëndjen e rrethanat në hapsirë dhe kohë. Ai mban zgjuar në laboratorin e trurit një zgjim ndërgjegje dhe të një kujtese historike-atdhetare...
Poemat përshkohen nga gjetje detajesh artistike me një përfaqësim të plotëruar në relievin elokuent të mendimit të ndërthurur me takëme artistike si fustanella çame që përcjellin elokuencën e Osman Takës, me bukurinat e shenjtëve therorizuar në truallin amë, duke u dominuar me kadenca poetike. E këto takëme epiko – lirike që Bardhyli merr nga vendlindja, janë fryma që përshkon shpirtëzimin e natyralitetit poetik të një poetike serioze, që mbetet në kujtesën e bashkëkombësave si nocion i subkoshiencës kombëtare. Ato vinë si meta-letërsi, ku në sfonde shfaqen realitete jetësore me një ekzistencializëm të mirëfilltë me zavallet dhe haretë e jetës që e kanë ndjekur autorin. Duket që Bardhyli e ka për zemër nobelistin gjerman Gerha.
Për autorin ka një atdhe artistik të mirëkonturuar, që është bregdeti jonian… Ashtu sikundër Montale, Bardhyli ka krijuar në këto poema Druzilla Tanzin e tij shqiptare, e cila me shqisën e shtatë të shpirtit komunikon me njerëzit e gjallë e të vdekur dhe në një terrinë të plotë në saj të një sugjestioni e të një spiritualiteti liriko-epik.
Fjala e krehur e shqipes së bukur
Sipas Prof. Dr. Josif Papagjoni (kritik arti): Imazhe që drithërojnë nga kujtesat e hershme dhe përplasen në udhëkryqet e sotme, fjala e krehur e shqipes së bukur, ku nyjëtohen si plazmë idetë, ndërsa mendimi merr flatra dioskuriane, stili elegant që të kujton herë Bajronin, herë vrullimet liqenore të Lagushit, herë mërinë e Migjenit, herë dimensionet e madhërishme të Kadaresë dhe herë pikëllimet e Reshpjes. Bardhyli është një poet që pllenon vargjet e kthjellta prej kritiku, sqimën prej gjuhëtari dhe vizionin prej historiani, të gjitha të tretura tek poetika joniane, ku deti, qielli, toka, hapësira dhe mirësia bëhen bashkë.
Sipas eseistit Fatmir Minuguli, Bardhyl Maliqi është Cicëroni poetik i Butrintit. Me poemën “Ankthi i statujave”, poeti ringjall botën shqiptare të Butrintit, që është në fakt gjithë Shqipëria. Ai ul në shkallët e amfiteatrit vargje të poemës, Homerin, Shekspirin dhe shqiptarët autoktonë, të cilët na tregojnë tragjedinë e vërtetë gjithmonë të groposur. Edhe e zhgroposur ajo shëtit nëpër muzetë e metropoleve evropiane dhe të Amerikës. Vargu tronditës na fton të studiojmë këtë kumtesë poetike, ku muzikaliteti i ngjarjeve të largëta na vjen bukur në gjuhën e pellazgëve dhe natyrisht me talentin e Bardhyl Maliqit. Goditjet pamfletike të çdo vargu, kushtrimi i brezave të njëpasnjëshëm deri në ditët tona, vlen për të gjithë, jo vetëm për ata që pëlqejnë poezinë. Në fund të fundit kjo poemë është teksti më i bukur për çdo lloj cicëroni në margaritarin që quhet Butrint!
Duke e vlerësuar këtë krijues të mirëfilltë, Dionis Kola thekson: Filozofia e tërësisë së këtyre poemave ka lidhje me jetën që sillet ne fokusin poetik. Zbulimi i të vërtetave është aftësi njohëse. Ndërsa shpallja e saj në jo pak raste mbetet të jetë çështje e guximit qytetar. I tillë është Bardhyl Maliqi në vëllimet poetike: “Pasqyrat”, “Ankti i statujave” dhe “Perandoria e zogjve”. Bardhyli guxon, guxon si qytetar dhe si poet. Ky guxim e çon në artin e arrirë!
Tejet interesante janë edhe mendimet e krijuesve të huaj, shumica kroatë: Nevenka Nekiç, Joja Ricov, Josip Slaviç, Ivan Dujmoviç, Kështu, sipas gazetarit Ivan Raos, B. Maliqi është „Gjigandi i poezisë shqiptare në Zagreb”. I pranishëm në takim ishte edhe poeti i shquar kroat, Joja Ricov, duke dhënë më shumë se një lavdërim kolegjial ??të kualifikuar. Në fakt Ricov si poet monitoron nga afër punën e autorit dhe me vetëdije paraqet një artist të fuqishme vizual , si autor mirëpret dhe kupton punën e tij , ashtu si askush deri më tani dhe në këtë mënyrë mirëpret thirrjen e poetit: "Ta duan njëri-tjetrin, se në këtë planet të çmendur, ku ne jemi viktima të urrejtjes, si zogj shtegtarë, na detyron era dhe ngrica të mërgojmë nga jeta, dhe kur rrojmë të tymojmë si oxhakë vetmitarë…”
Rrënjë të thella dhe degë të vrullshme
Poeti dhe eseisti rumun, Daniel Marian, thekson: Njeriu është vertikal jo rastësisht, por nga fakti se ai rritet prej atje ku një farë ngulitet në vendin e frytshmërisë së njementë. Pavarësisht nëse marrim parasysh kristianizmin e drejtë apo darvinizmin e dykuptimshëm, ekziston nevoja për një mbëltim dhe për një rritje për t’u bërë plotni. Këtu zënë fill rrënjet e rriten degët. Lindet vetë jeta. Duke rendur, në një farë mënyre për të këmbyer fatin deri në “Perandorinë e zogjve”, atje ku liria është e garantuar. Shkëlqimet e shpirtit dhe të mendjes, të prejardhura nga një shqetësim që predisponon mendimin e gjerë, frymëzimet vijnë dhe e bekojnë esencën humane.
Bardhyl Maliqi është një shqiponjë e lire. Zbulon vetëveten në përjetimet më të thella që mund të shoqërojnë polarizimin e kuptimeve dhe formave të qenësishme, por edhe të veçanta, të ekzistencës. Fjala është për ata që shpesherë e kanë vështirë për t’u vërejtur, jo sepse do të qendronin të fshehura, por sepse të duhet një frymë e veçantë për të arritur deri te ta.
Kam gjetur në pelegrinazhin lirik, trishtimin e asimiluar të ndërgjegjësimit, por edhe një çift forcash rrallë të takuara, të domosdoshme për të vajtur përpara: „Një degë me rrënjë na u rrëzua”. Atëherë kur rrënjët e tua kalojnë në një dimension tjetër, në të cilën pa arritur t’i prekësh, e din se janë. Kjo don të thotë një përpjekje e përbotshme për ty. Me këtë rast duhet të kuptosh se ky është një nga kuptimet e arritjes së absolutes. Koncepti në vetvete, ai i atit, më ka prekur në plotësinë e ndienjave, unë vetë duke patur një respekt të veçantë për atë që më formoi karakterin: si gjeni i babait, së bashku me atë të nënës, në një tërësi të plotë dhe të pakontestueshme. Më impresionon qëndrimi stilistik, intencioni i dyfishtë i diskursit poetik dhe çështja e stilit.
Poeti ka një përjetim të përgjegjshëm, një mahnitje të paharrueshme, duke kaluar hap pas hapi, prej “Skifterit” deri te sintagma “Ke ardhur që të mos vish më”, pastaj duke arritur në “Me ty baba… baba, pa ty”, dhe në “Dialog me mungesën e kundërshtarëve”. Kur “Ka kaluar një vit”, stuhia fillon të shpërthejë, që, “Babai im, hapësira ime blu”, për të vazhduar nga “Zgjohu baba, mos rri shtrirë!”. E gjithë kjo që të jetë pika kulminante e emocionit më të fuqishëm. Kështusoj e shoh në gjuhën rumune poetin shqiptar, pa e njohur personalisht, veçse nga prizmi shumëdimensional i personalitetit të tij të reflektuar në shtjellën e një poezie të veçantë.
BIOBIBLIOGRAFIA E AUTORIT
Bardhyl Maliqi u lind më 19 korrik 1955 në Sarandë. Drejtues i Njësisë së Shërbimit Psikosocial, Zyra Arsimore Sarandë; pedagog-Filiali i Universitetit të Tiranës në Sarandë. Fakulteti gjuhë-letersi, studime të thelluara në psikologji-pedagogji, Master në mësimdhënie, Doktor në shkencat e edukimit. Ka shkruar 15 libra, prej të cilave janë botuar: “Shije të rrezikuara” (ese), “Qortimi i hartimeve (studim), “Etika rrjedhave të komunikimit” (studim), “Pasqyrat” (poezi), “Morfologjia” (tekst per studentet), “Ankthi i statujave” (libër me poema shqip-anglisht) etj. “Detyrat e shtëpisë” (ese), “Mësimdhenia dhe vlerësimi etik”, (studim), “Tej portave të jetës” (novelë), “Perandoria e zogjve“ (poema) në shqip, anglisht & kroatisht, rumanisht etj. Ka fituar 12 çmime rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare për veprat letrare dhe konkurse artistike.