Kulturë
Qazim Shehu: E kuqja
E enjte, 26.03.2015, 07:34 PM
QAZIM SHEHU
E KUQJA
Për tonin e të kuqit në buzë,
Për trillin e buzës që s`u puth,
E ngrita këtë vjershë si rrudhë,
Për puthjen e munguar u rrudh.
Për ngjyrën që u ngjye me nge,
Dhe dogji aty si flakë,
Puthjen e ardhshme që fle
Në helm pak e nga pak.
Kur ta japësh me nxitim,
në buzën e faqen që do,
kaq bojë harxhohet me teprim,
kaq flakë që përvëlo.
Kur puthja mungon, e kuqja
E ngjyrës që del nga tubi,
Të bën ty si nusja, e bukura,
Që së pari e zu turpi.
E kuqja ethet të ngre,
Zbret e ngjitet në mollzë,
Dhe ti harruar e ke,
Buzën e njomë,
Sa shpesh ajo mbuloi.
Ngjyrën e brishtë të mishit,
Si një flakë erdh e shkoi,
Kërkon puthjen që ishte…
PËRTEJKOHË
Duke harbuar në ftohtësi,
Koha kalon në përtej kohë,
Papritur në kopështi kur rri,
Një gjethe këtë e thotë.
E thotë edhe mali tek gërryhet
Nga një rremb rrufeje,
Edhe një shpellë ku hyje,
Tani u fsheh e iku prej teje.
E thotë një roman i lexuar
Pëlqyer ethshëm si diamant,
Po vjen një çast s`e kap me duar,
I vjetër ngjan, jo elegant.
E thotë rinia që ikën,
Në rrudhë të parë të përshëndet,
Ca pika shiu kur stërpikën
Dhe në stuhi u kthyen krejt.
Dhe aq gjëra që sheh përreth,
S`mbeten më siç ishin,
Edhe dashuria që u shfaq si shenjt,
Papritur ngjall djallin që `se kishte.
Sepse aq gjëra s`mund t`i ndalësh
Sesi kalojnë nëpër tejkohë,
Ashtu si borën që sheh të zbardhet
Befas thërret shiun e kthehet në llohë.
Gjithnjë një shkrirje e pakuptuar,
I shkrin kufijtë dhe fytyrën,
Dhe ti fjalën duke shkruar,
Kujton se bën detyrën….
E SHKUARA
Harrimi si një sëmundje
Të shkuarën sulmon gjithqysh,
Kujtesa si një tufë me lule
E thërret çastin për tu vyshk.
E ngre stacionin nëpër re,
E shkuara gjithë hile,
Dhe harrohet sikur s`qe
Ajo që na ngjallte trille,
Të tashmen tek qorollepsim me nge,
Të shkuarës munxën i vemë,
Dhe nuk e dimë se mbi një re
Të ardhmes stacionin i dëfrejmë.
Dhe kur shkojmë e arrijmë,
Të ndriçmin stacion të vjetër…
Harrojmë se e shkuara një minë,
E shpërthen drejt së ardhmes tjetër…
NXITIM
Të nxitosh e të presësh pemën
Klorofilin e jetës duke shuar,
Ta ndalësh në vend mëngjesin
Pa muzgun e dëshëruar.
Të nxitosh dhe të shfarosësh
Aq lule që mbin për ty,
njësoj shkretimi soset,
Si në një kafkë pa sy.
Të gjitha këto i di njeriu
Dhe s`e ndalon prerjen,
Dhe faj ka lulja edhe pema
Që i japin dehjen…