E diele, 04.05.2025, 01:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Personazhe në prag të vdekjes

E hene, 23.03.2015, 08:54 PM


Personazhe në prag të vdekjes

Nga Dr. Ilir Muharremi

Martiri i pavdekshëm Prometheu i lidhur në një shtyllë në skaj të botës rënkonte për padrejtësinë që i bëhej. Ishte i përjashtuar përgjithmonë nga falja dhe refuzonte ta kërkonte. Eskili e revolton figurën e tij duke klithë urrejtje kundër zotave, e drejton kah zhgënjimi fatal. Ky është miti më i madh i inteligjencës së revoltuar. Ai qëndroj në prag të vdekjes dhe luftoj kundër saj. Armik i Zeusit nga dashuria e tepërt për njerëzit. Ai mbetet gjallë dhe nuk rebelohet kundër krejt krijimit, por Zeusit, dhe vetë ky zjarrëdhënës ishte gjysmë-zot. Ndoshta qëllimin e kishte për qërim hesapesh, asgjësimin e së mirës e jo luftën universale. Edhe vetë Antigona zgjedh revoltën për shkak ndërgjegjes njerëzore duke dashur që vëllezërit e saj të gjejnë prehje në varr. Ajo pranon të vdesë për këtë, në njërën anë lufton kundër vdekjes, në anën tjetër e pranon atë. Vdekja barazohet me ndërgjegjen dhe ia lë vendin guximit. Medea e Euripidit lufton ndërmjet pasionit të hakmarrjes erotike që tejkalon çdo kufi të ndërgjegjes njerëzore. Dashuria e sëmurë shndërrohet në çmenduri absolute e të padurueshme. Hakmarrja e saj e sëmurë për të lënduar bashkëshortin e pabesë, shpie në vrasjen e dy fëmijëve. Kjo melodi përcjellëse ndodhet prapa melodive më të dëshpëruara. Ifigjenia ndodhet fare pranë vdekjes, thuajse një hap larg saj, për fatin e saj të mirë shpëton, në çastin e fundit falë hyjneshës Artemidë, e cila lind një kafshë në vendin e saj. Sizifi qe i dënuar ta ngjisë pa pushim një shkëmb në majë të një mali. Ky dënim i tmerrshëm e bënë të luftoj kundër vdekjes. Dhe nuk ka ndëshkim më të tmerrshëm se puna e padobishme. Sizifi lidhi me zinxhir vdekjen dhe më parë zgjodhi ujin, diellin, gurët sesa errësirën e skëterrës. Gjatë rrokullisjes së gurit drejt botës së poshtme, nga ku edhe duhet të ngrihet sërish për në majë. Pikërisht mua më intereson dëshira e zjarrtë për të mbetur në këtë botë, ndoshta ai tashmë është bërë gurë vetë. Ai nuk ushqen shpresën e t’ia dalit mbanë. Vuajtja e tij nuk do të kishte vlerë. Pranon tragjiken e jetës, për tu mos shndërruar në asgjë. Kjo ka rëndësi. Ndoshta në mendjen e tij ngulitet imazhi i lumturisë dhe bota e thërret me të gjitha larmit dhe ngjyrat.

Universi i Grekëve më shumë posedonte mëkate se krime, kurse bota jonë e tanishme jeton në krime. Epikuri lind nga ankthi i vdekjes, padyshim shprehë një trishtim të madh. Ai pandehë sigurinë e çdo gjëje, por nëse vishemi me vdekjen, jemi banorë të një fortese të shkatërruar. Ky filozof vazhdon të klithë se të gjithë vdesim duke vuajtur. E shpie në shpërbërje e cila nuk mund të jetojë, andaj s’është asgjë për ne. Ai këtë nuk na orienton në rrugicat drejt hiçit, por në zëvendësimin e dhembjes me mosdhembjen. A është e vërtetë kjo? Kjo është vetëm lumturi e qenieve për t’i ikur fatit. Heronjtë grekë vraponin pas zotave duke dashur të bëheshin vetë zota ekzistues. Personazhet që ndodheshin në prag të vdekjes, vrasja e tyre qe e pashpjegueshme dhe e pafalshme. Te Lukreci, të vrasësh njeriun i përgjigjesh vrasjes hyjnore. Vetë personazhi i Krishtit në tokë, erdhi t’i zgjidhë dy probleme: të keqen dhe vdekjen. Këtë ai provoj ta zgjidhë duke i marrë përsipër në vete. Të dyja nuk mund t’i qëndronin ombrellë, ngaqë ai vdesë. Në këto momente dëshpërimi thërret ankthin e vdekjes, dhe të gjitha këto personazhe lozin të njëjtin dëshpërim, veçse ndërron metoda e shfaqjes. Krishti kishte vuajtur me dëshirë dhe dhembja e tij qe e nevojshme. Vetëm vuajtja e tmerrshme pak para vdekjes, lehtëson agoninë e njerëzve. Përse e tëra i nënshtrohet dhembjes? Kërkimi për një lumturi të çuditshme nuk mungon. Edhe atëherë kur u mohua ky hyjni, dhembja shpërfaqet si fat njerëzor.

Njeriu te Shekspiri bënë revolucion, fantazma e tij hedh vallen. Jul Cezari qëndroj në prag të vdekjes, këtë e parandiente gruaja e tij. “Mos shko sot në senat”, i lutej ajo. “Kam parë në ëndërr diçka të çuditshme”, vazhdon ajo. “Frikacaku vdes shumë herë para se të vdesë me të vërtetë.”  Simber ia ngul kamën Cezarit, pastaj e therin të gjithë. Ky fisnik në fund e kupton se hapësira që ai ka në botë nuk shkon më tej se hapësira e çdo njeriu tjetër. Asgjë nuk është më e madhe se vdekja, sypatrembur  dhe i gjakosur prej therjeve të shumta, vdesë nga zemra e thyer dhe dashuria për tradhtarin Brut. Gjersa ky vigan po dergjet në gjak në momentin më të shkurtër të jetës arrin vdekjen. Këtu mbaron gjithçka. Të jemi njëherë në botë, është e nevojshme që kurrë të mos jemi më. Kjo dëshirë fatkeqe jeton në jetën e të tjerëve. Duke i vëzhguar nga jashtë i veshim me koherencë e cila nuk është e vërtetë. Autori vëren vetëm linjën më të lartë të jetëve të këtyre personazheve dhe bënë art mbi këto ekzistenca. Secili kërkon të bëjë vepër nga jeta e vet. Pastaj, në këtë peizazh të shkurtër bënë të lindin dhe të vdesin personazhet, por më e rëndësishmja është të vdesim. Vetë substanca e kësaj bote është e përcaktuar për shkatërrimin dhe vdekjen. Pse shtyjmë lumturinë për më vonë? Ne vetështerremi dhe sipas Epikurit këtë e vuajmë. Meqenëse vdekja na kërcënon, ajo mund të jetë asgjë. Personazhet këtë asgjë duhet ta vetë pranojnë, jo t’i rezistojnë dhe nuk e kam fjalën për hiçin sepse të vdesësh, sipas Kamysë do të thotë të kthehesh në element. Atëherë, qenia është guri. Mungesa e dhembjes, kjo qe lumturi për gurët. Desdemona në prag të vdekjes, i reziston Othellos. Ajo nuk donë të kthehet në element, ndoshta përpiqet të shprehë pafajësinë, e cila ngarkohet për një fajësi që nuk ekziston. Të gjitha fatet e personazheve në fund arrijnë këtë univers, disa në formë natyrale, disa para kohe, por dikur duhet të vdesësh. E njëjta është, por më e rëndësishmja është të vdesësh. Pas kësaj shkretëtire lind supozimi. A duhet të përcaktohet kështu? Po, natyrisht ta ushqejë shterpësinë e shpresës. Në rastin e mos ushqyerit mendimi për të do të vyshket, rëndësia do të ngritët vetëm brenda kornizës së botës. Megjithatë, kjo botë nuk më duket edhe aq e mbyllur.

Te “Procesi” i Kafkës vërejmë dy zotërinj të veshur mirë, më mirësjellje më të madhe, personazhin e çojnë në një lagje periferike, ia vënë kokën mbi një gur dhe e therin. Në prag të vdekjes, ai thotë: “Si qen”. Ai bëhet asgjë, pikërisht kjo na duket tashmë shumë e natyrshme. Natyrshmëria nuk arrin të kuptohet lehtë, sepse duhet të jetohet me të, dhe të jetuarit apo të përjetuarit të këtij momenti, nëse kthejmë personazhin nga vdekja e tij, mund ta rinisim nga fillimi sepse kujtimi për ndodhin vdesë me lindjen e sërishme.  Kaligula si personazh nxitë vet vdekjen. “Jam ende gjallë” klithë para se më dhënë shpirt. Donë sigurinë e vdekjes, të mos lë asgjë në këtë botë. Këtu  nuk mbaron gjithçka, mbetet më shumë se hija e tij. Nga vepra personazhi shumëfishon veten, e rikrijon nga jeta dhe prapë mbesin si dy fëmijë të kësaj bote. Galileu mohoi një të vërtetë të rëndësishme, për shkak se jeta ju vu në rrezik. Ai nuk bëri mirë. E vërteta është më e rëndësishme se jeta. E vërteta ka përjetësinë dhe absolutizmin, ndërsa jeta ekziston në të përkohshmen. Të gjithë jemi të vdekur në këtë botë vetëm se në prag të saj nuk duhet të lodhemi për hiçin. Ndoshta zemra si dobësi e mendjes shprehë këtë shqetësim. Në realitet të gjithë personazhet e lartpërmendura më shumë e adhurojnë jetën se fatin e tyre vdekjen. Pamundësia për dhënien e tonalitetit individual në shërbim të vetvetes si spektakël kolektiv krijon një pangopësi si nevojë për të mos vdekur ende. Jeta dhe vdekja janë nga kjo botë. A duhet t’i pranojmë ashtu si janë? Lirinë apo shpatën. Nuk mund t’ia kthejmë shpinën as lirisë as shpatës, nëse provojmë atëherë zgjedhim jetën e përjetshme. Kjo nuk mund të ndodh pa ju nënshtruar të parës dhe të dytës. Kjo botë i vetë dorëzohet vdekjes.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx