E diele, 04.05.2025, 01:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Magjistari: Njeriu prej guri

E hene, 23.03.2015, 08:12 PM


ILIR MAGJISTARI

NJERIU PREJ GURI

-tregim-

Degjoi një zhurmë makine dhe u bë kurioz të dalë tek dera e asaj studioje, që i kishin caktuar të punonte, pasi në atë orar, kjo zhurmë nuk ishte e zakonshme.Pa se kishte nisur edhe një shi i imët,  ndërkohe, që një makinë me karroceri po afrohej.

Dy burra të fortë e të fuqishëm, dukeshin mbi të, dhe mbanin me duar diçka të mbuluar.

Makina erdhi thuajse deri tek dera,dhe nga kabina zbritën edhe dy të tjerë.

E përshëndetën ftohtë,dhe njëri prej tyre u foli burrave mbi karoceri.

-Hajt se arritëm,këtu do ta lëmë.

Ata që siper lëvizën pak duke parë njëri tjetrin për rradhën e veprimeve.

-Hajt ore lëvizni se u bëmë qull.

Pastaj u kthye nga skulptori, që rrinte në prag të studios.

-S’të kanë thënë gjë akoma ë ?

Skulptori ngriti supet i habitur,dhe e pa drejt e në sy për të kërkuar diçka më shumë.

Burrat që ishin lart, hoqën mbulesën dhe nën të u shfaq një gur i bardhë e shumë i bukur.

Skulptori, ndiqte levizjet e çdonjërit prej tyre, teksa dëgjonte burrin ,që me sa duket, ishte i pari ndër ta që udhëzonte si të vepronin.

Dy burrat e makinës, nxorrën një metër druri dhe nisën të masnin përmasat e gurit dhe mbanin shënim në një bllok. E afruan për ta zbritur.

Skulptori ra në dashuri me atë gur të mrekullueshëm.Mbase…..aty do dilnin në pah vërtet, vlerat e tij artistike.

-Ja kemi shkulur malit nga zemra-tha njëri nga burrat, që zbritën nga karroceria gjithë krenari.-eshte gur shumë i mirë ,do ta shohësh vetë.

Asnjë fjalë nuk kish thënë skulptori,as shoferi që tymoste indiferent.

-Pas dy javësh ka ditëlindjen udhëheqesi, dhe ti do gdhendësh bustin e tij.

Skulptori pa gurin të qante, në një qosh të tij pikoi lot i kristaltë.

Tundi kokën në shenjë aprovimi ,dhe zgjati dorën të merrte një pusullë, që i zgjati burri i parë. Ishin përmasat e gurit.

-Mos humb asnjë masë lënde,bëj si të bësh.Kjo është fatura e mallit.Dhe do ti referohesh kësaj fotoje.Bëje të flase,kot nuk e sollëm tek ty,-dhe nxori nga portofoli një foto të udhëheqësit.

Ata ikën dhe ai mbeti vetëm me gurin mbi një platformë pune.

E fshiu dhe nisi t’i fliste nën zë.

Ju duk vetja …por jo jo,ai quhej Xhepeto dhe bëri njeriun prej druri.

E nisi ta provonte si gdhendej.Oh kaq mrekullisht thyhej çdo pjesëz…

U habit kur pa, sa kish vajtur ora …kish nisur të skaliste si për të provuar, dhe kish bërë goxha punë.

Kishin të drejtë edhe ata burrat, por edhe intuita e tij që nuk e kish gënjyer,guri ishte shumë i mirë per tu punuar.

Por në fund të fundit iu dukej vetja se ishte një Usta Xhepeto që po bënte një njeri prej guri.Dhe çfare njeriu…Ufff as duhet të guxonte të mendonte më shumë se kaq.

Dhe dita ditës i dukej vërtet mëngjeseve se njeriut prej guri i rritej hunda. Habitej dhe bënte të kishte kujdes…po sa më shumë kujdes kishte,aq më shumë dukej se gabonte.Ose….gabonte njeriu prej guri.

Një mëngjes ,hunda ju duk vërtet e madhe .Si mund ta paraqiste kështu?

I ra me çekic dhe e theu deri ne rrëzë me inat..

Pastaj u pendua,u friksua.Nxitoi të korrigjojë gabimin,por s’kishte si.

Vuri kokën mes duarve me bërrylat mbështetur mbi gjunjë, trishtueshëm per ç’kishte bërë.E mblodhi veten dhe nisi të shihte njeriun prej guri.Tani i duhej ta zvogëlonte në të gjitha përmasat njeriun prej guri.Dhe ndjeu ta kapte paniku për aq pak kohe sa kishte mbetur.

Instikti e bëri të nxitojë, sepse edhe mund t’ja dilte.

Por duke punuar dhe duke menduar njëkohesisht,se ç’duhej bërë që të kapte afatin.

Gjithsesi, ashtu shpejt e shpejt duke e zvogëluar njeriun prej guri në shpatulla,hoqi një copë të mirë guri dhe për nja dy a tri orë u mor e bëri kokën e të atit.

-Me çfarë materiali e ke bërë ?-e pyeti i ati i habitur.

Ai e pa dhe i shkeli syrin.

-Hoqa një pjesë nga shpatulla,doli tepër.

I ati u xhindos dhe me sy që i xixelluan e flaku veten prej guri tutje.Me siguri ajo kish rënë diku nëpër gjyma bakri, që bënë një potere të madhe, duke rënë mbi njëri tjetrin.

Kish kthyer biçikletën nga dera e jashtme dhe kish marrë përsëri rrugën e studios.Ishte i vrare nga sjellja e të atit,por fundja shpirtërisht i jepte të drejtë.

Arriti ,dhe punoi gjithë natën për të rikuperuar gjithë gabimin e bërë.

Grryej e grryej dhe ….

Të nesërmen e pa njeriun e gurit aq të vogel sa u tremb.

Ju kujtua pusulla e letrës që i kish dhënë ai burri që hiqej si i parë.Ufff edhe ajo matje përmasash e trembi…

Doli me një thes diku për të mbledhur cifla guri sa për të zëvendesuar atë masë që mungonte.Udhëheqësin duket tani se po e mblidhte rrugëve me mbetje guriçkash që kishin përmjerë qentë.E drithëroi ky mendim,i kalli frikë.

U kthye në studio dhe përzieu të gjitha mbetjet .I bëri dhe një retushim njeriut prej guri dhe iku në shtëpi me ankthin per ç’e priste të nesërmen.

Ata mbërritën pas mesditës të merrnin veprën.Dhe kishin ardhur me një makinë …të madhe.

-Kaq ? Kaq doli ? –ishte çakëritur burri me ton të frikshëm.

Skulptori iu afrua dhe i tregoi pirgun me guriçka.

-Ato,ç’ti bëj ? Ti ngarkoj?

Burri e pa me inat.Ngarkuan bustin dhe hipën në makinë.

-Do shihemi…-kercënoi burri nga xhami i hapur i makinës dhe u larguan duke i dhënë gaz e nxjerre tym të zi nga pas..

Hë për hë skulptori u ndje i qetë,por nuk e harronte kollaj fytyrën e ngrysur të burrit.

U shtriq si për tu ç’lodhur dhe ndjeu diellin t’i vriste sytë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx