Kulturë
Poezi nga Skënder Hoxha
E merkure, 18.03.2015, 07:21 PM
SKËNDER
R. HOXHA
(Poezi të shkruara dhe të botuara më herët, por duhet të lexohen edhe Tash!)
DIALEKTIKË*)
Dhe prapë –
Fryjnë erërat
mbi pullazin tim të lashtë.
Fryhet edhe deti
I ëndrrave të mia
Edhe kënga madhështore
Që e ruaj
Në parmakët e heshtjes
Në bukurinë e pluhurit të meteorëve!
Dhe prapë –
Hardhucat nxjerrin kokë
Nga vrimat
E vetmisë së shurdhër.
Nesër –
Eoli do t’iu fishkëllojë erërave
e kënga ime do të rritet
Në shandanë të amshuar…
*) Kjo poezi është marrë nga libri i parë i autorit
“Pëllumbi në fluturim”, Pejë, 1990, f. 64.
RRUGËGJATA*)
Pakurrizorët çanakëlëpirësit
Bëjnë sehir me skuthëri
Apologji thurin
Mjerimit Kalit të Trojës
Lëlysh Jude gjithnjë
Në Ne e me Ne!
Kor korbash fillikat
Orgji të qenefta bëjnë çudira
Kalërojnë mrizojnë krekosen
Gjaku Im rebelues tretet yshtet
Humbet mugëtirave udhëkryqeve
Përtej Ylberit Purpurit
E gurëzuar jeta irnoset…
Tokëhuaja kafshon, kafshon
Si nata të ha rrugëgjata
Në avlement pret
Të thuret prej së pari
Përrallë erërash të serta
Mituri Imja e mplakur!
*) Kjo poezi është marrë nga libri i autorit “Dy akte të dramës
së pakryer”, Lidhja e Veprimtarëve të kulturës – Pejë, 1997, f. 64.
ËNDËRRMADHJA*)
Lotojnë kullojnë pikojnë
Jeta vdekja Nyjë e Gordiut
Nëpëe strehë memece
Shpirti trupi në licitacion
Në dyluftim krrajatash
Pisllëk arena të përdala!
Në istikame kurmet kërmat
Sorrëzezat hanë mishra
Në ferrishtë
Përligjet vdekja
Në qivure ndrydhet jeta
Me takëme të inkuizicionit
Satani konkurron dhe fiton
Çmimin Nobel Makabër
Për Gjakpirësi Kanibalizëm
Fjala mendja zemra
Engu im i përkorë
Drejtësia fjalë e Zotit
Almise psiko-filozofike njerëzie
Dërdëllisje s’bëjnë punë !
Ëndërrmadja përdëllehet
Në mes të kudhrës e çekanit
A jam somnambul
Në majëgjuhë syri degdiset
Kullimqelbi fierinave
Lëvizjet mizasqenike ngatërrohen
Sorollaten aktorët e urtë
Xhindosen…
Regjia bën punën pas tekeve
Tmerrtrishtimi në fusnotë
UdhëMadhja Ime s’bën të ndalet!...
*) Kjo poezi është marrë nga libri i autorit “Dy akte
të dramës së pakryër”, Pejë, 1997, f. 65.