E diele, 28.04.2024, 05:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Namik Selmani: Resmi Osmani - ”Teuta e Ilirisë”

E merkure, 11.03.2015, 08:19 PM


MBRETËRESHA QË I DHA KURORË MBARË NJË KOMBI

Rreth librit të romancierit Resmi Osmani ”Teuta e Ilirisë”

Nga Namik Selmani

Në qershor të vitit të shkuar, shtëpia botuese “Vllamasi”, botoi romanin “Teuta e Ilirisë”, që është i katërti i tetralogjisë që autori e ka quajtur “Libri i mbretërve”. Autori më dhuroi një kopje. E lexova së pari për tu njohur me këtë krijim romanesk të zhanrit historik të autorit. Pasi e përfundova dhe u binda se kisha në dore nje krijim dinjitoz, iu riktheva përsëri, për të shijuar vlerat e tij të shumannëshme, që për mua ishin të qënësishme. Pas këtij leximi dua të shfaq opininin tim për këtë roman për mbretëreshën Teuta, mbretëreshë, emri I së cilës u mbijeroi shekujve e që i vuri kurorë lavdie mbarë një kombi.

*    *    *

Librat për mbretërit në të gjithë kohërat kanë qenë më të kërkuuarit e lexuesve. Të gjithë kategoritë e lexuesve kanë ç’të mësojnë nga libra të tilla pavarësisht se në cilin nivel historik apo artistik që të jenë ata. Është ai informacion që nuk ta jep përditshmëria aq më shumë kur ndodh si në librin më të ri të radhës të autorit Resmi Osmani që flet për një mbretëreshë që ka jetuar e ka luftuar 2200 vjet më parë. Kureshtja shtohet kur mendon se para teje si lexues apo si trashëgimtar i brezave të njerëzve që kanë jetuar në këtë tokë, ke përpara jo një Mbret burrë, po një grua, një mbretëreshë që rasti e solli te vihej jo pa merite ne fronin mbreteror te Ilirise. Kur e mendon se në atë pak kohë ajo u ngjit dhe në majat e lavdisë, e të krenarisë kombëtare atëherë e kupton se të gjithë ne kemi marrë pak madhështi nga krenaria e saj, kemi marrë dhimbje nga dhimbja e saj, krenari e obligim për çështjen tonë kombëtare.

Romanceri Resmi Osmani me këtë roman shumë interesant në të gjithë këndet duket se është fitimtar i të gjithë sfidave shkronjore ku njeriu, shkrimtar, mund të vihet përpara lexuesit të sotëm . E dimë të gjithë se të fitosh sfidën me lexuesin e sotëm nuk ështrë e lehtë, përballë një konkurrence jo të testuar të shumësisë së botimev në kohët që jetojmë dhe mungesës së një informacioni të qartë e vlerësim kritik për atë që shkruhet, që botohet. Pavarësisht kësaj, ai është vënë suksesshëm në sfidën e shkronjës së mençur për historinë e vendit tend, në atdhetarinë e pamatë e padyshim dhe në artin e Rrëfimit Artistik, që siç e kanë vënë në dukje edhe studjues të tjerë, ai vetë është futur e vazhdon të jetë i pranishëm plot dinjitet e profesionalizëm.

Të shkruash për Mbretëreshën e Ilirisë, Teuta, duhet që së pari ta shohësh librin në dy plane. I pari do të ishte rrisku që ai i bën me trajtimin e kësaj teme kësaj zonje mbretërore që ka jetuar 2200 vjet më parë, ku vështirësia e gjetjes së dokumentave aq më tepër kur nganjëherë ato janë dhe kontradiktore deri në ditët tona .Për këtë ai është kujdesur që të sigurojë një ‘prapavijë“ të fortë të ashpër për të gjithë ngjarjet, vendet, toponimet që e kanë ushqyer atë në të gjithë faqet e librit. Në këtë përvojë krijuese ai hyn pas botimit të disa romanve me temën historike që do të ishin objekt më vete studimi. Janë botuar vetëm në harkun e 4 viteve  romanet “Mbretërimi Pirros së Epirit” (2010), “Aleksandri i Madh” ( 2011), “ Mbretëresha Olimpia “ ( 2012), Novela “ Ditët e sprapsme të mbretit Gent” (2014) që mund të bëhet dhe roman. Kështu këtij gjerdani romanesh me temën historike ia ka dhënë atij një përvojë të madhe në mbarë trojet shqiptare e më gjërë. Vepra e këtyre personaliteteve historike,  është një argument dhe për autorë të kombeve të tjerë, të cilët janë marrë me figura të tilla më pare, por që nuk kanë qenë objektivë për atë që kanë shkruar. Dhënie e një informacioni shumë të pasur historik që është tharmi i rrëfimit, i shoqëruar me mesazhe artistike dhe estetike, është shoqëruar ne to dhe me një edukim patriotik me vlerat e mëdha të identitetit tonë kombëtar.

“Teuta e Ilirisë” është një rrëfim që është vendsur në kornizën historike të 2200 viteve më parë. Tek e lexon dhe e rilexon këtë libër e sheh se ai e ka sjellë atë jo thjesht si relike shkronjore të ardhur nga kohë të lashta, por si një persoanzh tepër të ndjeshëm me fuqinë e saj, më mendjepamësinë e saj atdhedashjen e saj të merituar e jo pak edhe me misteret e saj. Në  shekujt e mëvonshëm, dokumentat mungojnë, nuk e saktësojnë fundin konkret të saj, ashtu si ndodh dhe me shumë njerëz të mëdhenj të kombeve të tjerë. Kjo e bën atë sa të madhërishme, realiste, aq dhe legjendare. Romani, duhet thënë, ka vlera të mirfillta njohëse,  është një faqe e historisë sonë të lashtësisë, në një segment kohor, kur luheshin fate historike ekzitenciale. Na njeh me vendet, qytetet, viset, luginat e Ilirisë dhe personazhe historike të vërtetë  apo të trilluar.

Në roman, ashtu siç ndodh rëndom në librat klasikë të kësaj teme ka sfidë, ka përplasje, pabesi, motivim, mençuri, ballafaqime shumë herë të pabarabarta, midis së mirës e të keqes, të shtrembrës e së drejtës, moral të fortë, burrëri e besnikëri, por edhe pabesi e tradhëti folklor e ngjyrime me tablo të jetës së përditshme të ilirëve. Gërshetime të tabllove epike me ato lirike, për të pasqyruar psikologjinë dhëe ndjenjat e personazheve. Përballë romanit është lexuesi. Resmi Osmani ka kohë që nuk i “ trembet “ lexuesit të tij, qoftë atij që jeton qoftë ai që do të vijë më pas. Qoftë atij që pëlqen këtë temë e sidomos atij që është njohur me romanet e tjerë dhe  tregimet e tij me temën çame, ku ka disa nga prurjet më të bukura të viteve të fundit. A do ta përtypë estetikisht leximin e romanit lexuesi i sotëm, që ndodhet përballë një numri të madh përkthimesh nga letëreia e huaj që kanë mbytur tregun e librit? Duhet të kesh motiv të fortë për të lexuar, pa le për të ndezur dhe debatin mes vetë qënies së lexuesit apo të ndezjes së një debati letrar kombëtar për personazhet apo fenomenet historike dhe sociale që janë në të. Pyetjes do ti përgjigjem me një “po” të sigurtë.

Resmi Osmani ka hyrë në garën e “Teutianëve” si i disajti autor që lëvron romanin me në qendër këtë personazh historik dhe ja ka dalë. Me këtë personazh mbretëror tërheqës, sa historik e legjendar të historisë iliro-shqiptare, është marrë autori me origjinë boshnjake Mirash Martinoviq, romani i të cilit ”Teuta” është përkthyer në Kosovë më 2006. Një tjetër roman është dhe ai i Mira Meksit ”Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, botuar më 2014. Kjo nuk e ka penguar atë që me kuturisje e guximin krijues, për një subjekt të levruar edhe nga të tjerë, të lëshojë zërin e tij origjinal, pa rëne ne persëritje apo ngjashmëri. Do të ishte një temë interesante një studim kritik krahasues për këta tre romane. Ashtu siç ka vene re edhe studjuesi Vladimir Muça, autori na ka dhene një personazh të vertetë, të besueshëm, njerëzor e jo legjendar, jo një supernjeri, që heroizmi i saj buron në misionin që i ka vënë vetes,kur Iliria ishte në kulmin e fuqisë së vet.  Mendoj se trajtimi artistik dhe historik i jetës dhe bëmave të Mbretëreshës Teuta e Ilirisë në një largësi shumë të largët kohe është jo vetëm pjesë e misionit të tij shkronjor, por dhe një mision atdhetar.

Jeta e Mbretëreshës Teuta në roman nis në dy vitet e fundit të jetës së saj. Por me disa kthime prapavajtëse në kohë, të përdorura me masë dhe vend, si plotësim i figurës, pasqyrohen vite rinore të jetës së saj. Ajo bëhet pjesa e gëzuar dhe tragjike e betejës së lavdishme të burrit të saj, Agronit . Pas fitores së merituar, në Medionin e largët, ai vdes. E pastaj ambicja e saj si mbretëreshë shpalos para lexuesve, por dhe para ushtarëve, para qytetarëve të ish Skodrës, pjesën më të bukur që nuk ishte shfaqur deri atëherë, atë të drejtueses së Mbretërisë. Po të shohom lëvizjet, ngjarjet që dritësohen njëra pas tjetrës në roman, shohim se me sytë e përfytërimit artistik ne ecim në të gjithë trojet e Ilirisë. Në atë hapësirë që do të thoshte poetiksht vetë Pashko Vasa “Qysh prej Tivarit e gjer në Prevezë”. Ngjarjet nisin në Shkodër, zbresin me teatrin e luftimeve në Lezhë, në Myzeqe në Vlorë, në Sarandë, dhe shkojnë deri në Thesproti në Prevezë. Nuk mungojnë dhe ngjarje që ndodhin në trevat romake në fiset greke, e më tej, po ato zënë një vend episodik në roman. Përfytërimi i një Shqipërie etnike , ai I hartës që u shpalos mbi Beograd, këtu është i dukshëm. Një lexues i vemendshëm i romanit që do ta krahasojë informacionin që merr në roman me atë që ka lexuar atëherë dhe përjetimet e tij të sotme individuale, e sheh se para vetes ka një qëllim shumë të qartë artistik të autorit. Ai bën një lloj aktualizimi të historisë me ditët që jetojmë. Dëshira e Teutës për bashkimin e trojeve ilire në  fëmijërinë e kombit tonë, e nxisin ëndrrën dhe në ditët e sotme. Pra, është një jetësim ëndrre që dhe pas 22 shekujsh mbetet për ne iluzion politik. Natyrisht nuk është “i ftohtë”: Në atë që shkruan, pasi mban anën e identitetit kombëtar, që del në çdo rresht, nuk e ka penguar aspak atë që të mos vrapojë pas një lloj idealizmi, që mund t’i bëhej mbretërve qoftë dhe në humbjet e tyre, siç ndodh me të gjithë ata që kacaviren në majat e historisë së çdo kombi. Në momentin që ajo po përjeton pak nga pak humbjen, i kërkon vëllait Skardeljad, si e quan ajo vëllain e burrit të saj Agron tashmë i vdekur, arsyen e humbjes. Përballë drojes që mund të ketë secili para pushtetit mbretëror, në atë pushtet që të jep hija e kurorës, ai hesht, po ajo i thotë: “Mos më kurse! Thuaji gjërat ashtu si janë dhe ashtu si i gjykon”.  Është e vëretetë që ajo në atë çast nuk mund të ndryshonte gabimet që kishin hyrë në analet e kujtesës, po ato janë mesazhe që autori ua jep në mënyr të tërthortë brezave shqiptarë mbase dhe atyre që nisnin kapitullin e luftrave të drejta në glob. Kështu Skerdeliadi përmend rolin negativ të tradhëtisë, të organizimit jo të mirë të luftës, të mungesës së bashkëpunimit etj. Në rrëfimin e tij në roman autori thekson se lufta e pabesitë ndaj Teutës janë sfidat që drejtohen mbi të gjithë ilirët. Është detyra e asaj që të jetë ajo që mbledh këto dëshira, të lirisë dhe njësisë kombëtarte, këto aspirata dhe t’i drejtojë ato në fitoren e mundshme. Sërish një aktualitet.

Ky rrisk i ka shoqëruar shqiptarët në vitet e shekujt e mëvonshëm pavarësisht se cilin mbret apo komandant kanë patur mbi vete. Apo dhe te qëndrimi i Romës që është shumë cinike ndaj Ilirisë është dhe qëndrimi i shumëvonshëm i Evropës ndaj kombit shqiptar për ta copëtuar atë, për ta lënë pa idenditet. Në këtë qerthull betejsh autori na njeh me linjën e tradhëtisë së Dhimitër Farit. Ai arrin që të mashtrojë gruan e mbrëtit Agron e dikur më pas shfrytëzon besimin e madh të Teutës për ta ngjitur në shkallët e pushetit . Më vonë kur Roma kërkon të pushtojë Ilirinë ai i hap portat armikut. Autori këtë fatkeqësi nuk e anashkalon pa shpirtin e qëndresës dhe të forcës shpirtërore të ilirëve të ndershëm që e duan tokën e tyre edhe kur ajo është në rrezik. Ka trajtuar një personazh shumë simpatik. Episodik, por të mbetet në kujtesë. Është Anaidi fisnik labeatas, që iu tregon oficerëve ballë vetë Dhimitër Farit këtë tradhëti që po kurdiset në sytë e tyre. ”Tradhëtar i ndyrë e i poshtër! Për sa barrë me flori je shitur? Kështu ia shpërblen mbretëreshës dhe Ilirisë detyrën e lartë që të kanë dhënë? Po nuk mjafton kaq sa për të dhënë portretin e tij si tradhëatr, pasi ai na bën një përcaktim shumë të veçantë . Për qeveritarin e Ujdhesës së Korkyrës bën këtë përcaktim “ Burrë i hijshëm, nga ata që iu rrëmbejnë zemrat grave, i fuqishëm për të realizuar qëllimet e veta , lakmitar dhe ambicioz për pushtet e makutëri.

Vepra më e gjatë e prozës siç është  romani, kërkon dhe një mjeshtëri të veçantë në qasjen  e tij gjuhësore.  Shpesh kritkës letrare nuk i shohim një vlerësim serioz që e përshkron veprën përkatëse. Në veprat historike ky kurth analize bëhet më i fortë, pasi të rrëmbejnë konfliktet, risitë e trajtimit të ngjarjeve personazhet etj. Përvoja shqiptare dhe botërore ka treguar se maja e suksesit në këto vepra nuk qëndron vetëm te trajtimi i linjave të veprës, befasija, dinamika e brendshme e veprimit, tipizimi dhe përgjithësimi i personazheve, por dhe te qëndrimi që ai mban në përdorimin e një gjuhe të pasur me fjalë të reja apo me fjalë tipike shqiptare që vijnë nga lashtësia pa rënë në kurthin e arkaizmit. Autori Resmi Osmani, është i vëmendshëm ndaj leksikut që nuk është i shqipes, përdor shumë fjalë të qarta,por kur e do rasti edhe fjalëformime. Ai i njeh dialektet, po nuk bie në grackën e tyre aq më tepër kur nuk ka fjalë personazhesh. Njeh shumë mirë dialektinn çam dhe në atë rast kur ngjarjet zhvillohen në atë trevë atij i jepet rasti që dhe të përdorë tek tuk-fjalë të tilla. Njeh termat ushtarake të kohës dhe i përdor pa e lodhur lexuesin në hollësi të panevojshme.

Në aspektin stilistik,  gërsheton bukur dialogun me meditimin . Risi e ketij autori është futja në roman e elementeve të dramës në dialogët, kur gjendja shpirtërore është gati në shpërthim, kur kërkohen të merren vendime te mëdha. Nuk mund ta kuptosh një libër historik pa dialog, pa veprimin që ka brenda tij debatin përplasjen, por edhe monologun që zhbiron gjendjen psikologjike. Për këtë, në libër do të veçoja Kreun III., në dialogu Zëri-Teuta, ku Teuta ka një monolog të veçantë e dramatik, në përgjigje të një zëri hipotetik, për vazhdimin e udhëheqjes së mbretërisë. Ku Skerdilaidi mposht ngasjet dhe nxitjet e të shoqes për të marrë fronin e ilirisë. Këta dialogë, në faqe të tëra do ta mbërthejë lexuesin. Ky lloj rrëfimi është i pakët(ai e ruan masën kudo), por kur shkruan kështu, krijon perla të vërteta rrëfimi. “Teuta nuk nxiton të shpallë veten mbretëreshë, ani se e kupton se Iliria donte një prijës. Ajo ishte grua me tradita ilire që ende nuk kishte përvojën e tyre“ Mendja do të thërriste zemrën dhe zemra shpirtin, - thotë ai,-në një bisedë të heshtur,  me unin e saj, për fatet vetiake dhe të Ilirisë e më në fund, për të marrë një vendim që do të ishte në pajtim me të drejtën zakonore të trashëgimisë së fronit dhe në të mirë të saj të vendit dhe mbretërisë ” Është e matur në të folur Teuta, por njerzore, e ndjeshme ndaj fatit dhe ndjesive të njerëzve që i shërbejnë. Është me shpirt të gjërë. Kujtojmë reagimin pozitiv të dashurisë së Brikenës me Nertilin në fillim të mbretërimit të saj kur dhe vetë Teuta nuk e kishte më burrin, por ajo u ve fre ndjenjave të saj dhe këtë për ti shërbyer Ilirisë, preferoi që të mos martohej.

Ndonëse janë pak të kursyera kapitujt që flasin për kundërshtarët e Ilirisë ato e plotësojnë qartë veprën. Ligësia e tyre,  rendja për të mposhtur një popull me një numër më të madh ushtarësh e armatimesh, e bëjnë dhe më të urryer armikun e ilirëve. Që në betejën e parë ajo del në krye si një luftëtare, aq sa garda e heq vemendjen dhe kërkon që ta mbrojë me trup  atë. Ishte një mbretëreshë sa krenare po aq luftëtare. Është për të vënë re se autori ka dhënë dhe përshkruar deri në detaje pa rënë në përsëritje tablotë e betejave në Medion të Etolo-Akarnanisë, në Korkyra, Dyrrah e Skodër, në Luftën e Parë Iliro –Romake, aq sa lexuesi i përjeton dhe gati e ndjen veten të përfshirë në vorbullën e tyre. Në fund ajo del para bashkëluftëtarëve të saj, me një oratori të jashtëzakonshme. Janë 6 muaj lufte që asaj i kanë dhënë përvojë, pjekuri. “Miqtë e mi! Bashkë luftuam, u përpoqëm dhe bëmë gjithë sa mundëm. Nuk arritëm.. Breza të tjerë me siguri do ia arrijnë. U falenderoj për gjithë sa keni bërë dhe këshillat e urta që më keni dhënë”.   Romani ka një vlerë shumë të madhe për rininë. Së pari, në planin moral . Është një përiudhë historike që na bën krenarë, na shton dashurinë për tokën tone, por na jep dhe shumë informacione për toponimet e shumta të antikitetit, të cilat autori i ka spjeguar shumë saktë në shënimet e veta. Libri të shpalos kulturë se si duhet të ulesh pranë kultures së gatimit , të komunikimit, në gostitë, zakonet, veshjet, mënyrën e jetesës, të vdekjes dhe gjëmës . Njeh konfliktet e kohës dhe mënyrën sesi Teuta i orienton ilirët në rrjedhat vrullane të jetës.

Me një mjeshtëri të rrallë artistike autori Resmi Osmani na ka dhënë një epilog të bukur, pse jo dhe të rrallë në grupin e veprave të tij. Mungesa e një informacioni ta saktë historik apo dhe ambicja e tij apo dhe e përdorour si art i mjeshërisë së rrëfimit, është ai gërshetim i idelaizmit të Mbretëreshës Teuta me karakterin e saj realist pa zbukurime që i  bashkon të gjithë. Nga dashuria e më tej nga martesa e Neritilit, oficerit të Gardës së Mbretëreshës së Ilirisë me Brikenën që është shoqëruesje e Teutës, ka lindur një vajzë . Është dëshira e vetë mbretëreshës që kjo vajzë e bukur të quhet Teuta. Ajo heq unazën e artë nga gishti dhe ia jap Brikenës . I lutet për këtë emër dhe vetë bëhet pjesa e një honi ( simbol i një humnere harrese, i mungesës së të vërtetës artistike) Më tej, ai e bën atë si një zambak (simboli i bukurisë fizike dhe shpirtërore) Dhe më tej i Qiellit (simbol i përjetësimit) Emërzimi i fëmijëve të paktën te shqiptarët ka një simbolikë të veçantë që ndikohet nga karakteri i atij që e vë, emrin e saj e mbajnë në ditët tona me qindra vajza. Vetë mbretëresha bëhet frymë. Një Teutë largohet nga skena, nga jeta, një tjëtër e sapo lindur vjen! Pyetja retorike e çdo lexuesi: “ Ku shkoi mbretëresha?“ tashmë vetëm lexuesi mund ta thotë më mirë. Autori e vë qëllimshën kexuesin në një udhëkryq, mbase dhe të detyruar nga prapavija apo dhe i shtyrë nga arti modern i rrëfimit në prozë.

Në fund të kësaj trajtese, kam bindje se romani “Teuta e Ilirisë”, ndryn brenda vetes ato vlera atistike dhe historike, që do ta bëjnë të qëndrojë gjatë në bibliotekën e romanit historik, ashtu siç i ka qëndruar kohës edhe emri dhe bëmat e  mbretëreshës Teuta.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora