E shtune, 27.04.2024, 10:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Lazri: Intervistë me mjeshtrin Miho Gjini

E merkure, 11.03.2015, 09:28 PM


FAT  I  MALLKUAR

- Intervistë me Mjeshtrin e Madh, artistin e shumëvlershëm, MIHO GJINI -

BISEDOI NDUE LAZRI

Pyetje:Do kisha dashur që këtë intervistë ta bënim diku në ndonjë vend të bukur të Italisë, të Greqisë, apo ne Piqerasin tënd të mrekullueshëm, me një gotë verë përpara e duke biseduar si miq. Por po shfrytëzojmë avantazhet e teknologjive bashkëkohore dhe po e realizojmë në distancë. Ku ndodhet aktualisht Miho Gjini?

Përgjigje:  Ndodhem në Athinë, në periferi të saj, në Koropi. Ke zgjedhur një kohë të ftohtë, ore Ndue Lazri, për të bërë intervista… Jashtë bie dëborë e më janë tharë duart. Gishtërinjtë mezi shtypin tastjerën e kompjuterit, që sapo e kam mësuar. Gole Jovani çuditet me mua, që kam mbetur kaq mbrapa, po si ai edhe ti, si gazetarë të vjetër që jeni, nuk pyesni fare... Që ne të moshuarit mësojmë pak me zor. Vetëm kërkoni. Ti intervista, ai, si shef, tagji për “Pegasin”. Ç’të bësh?! Miqve nuk u thua dot “Jo!”

Pyetje: - Bir i Rivierës Joniane, i Bregut me bukuri romantike, tradita, këngë e legjenda të mrekullueshme. Si u formua tek ju shpirti i artistit?

Përgjigje: - Nuk e di as vetë. As që mendonim fare atëhere se ç’do të bëheshim… Kur nuk ngopeshim dot me bukë misri e me ullinj të kripur. Duke vrarë ndonjë zog me llastiqe, për ta rjepur e pjekur në prush, e nesërmja qe tepër larg. Po shkollën fillore aty e bëra, në Piqeras, ku kishte mësuar edhe Vasil Laçi. E kisha me qejf të madh...Veja zbathur në shkollë, me një çantë të grisur prej mushamaje, ku futja një dërrasë karboni e ca shkumësa po prej karboni.. S’ kishim as libra, as fletore. Dhe sa mbaronim mësimet ia mbathnim drejt detit, ku kridheshim nganjëherë me gjithë rroba.

Pyetje: - Më tej, cilat janë disa nga kujtimet më të rëndësishme të viteve tuaja të rinisë?

Përgjigje: - Pata një rini të vështirë, me plot hidhërime. Nëna bie nga ulliri e thyen këmbën gjatë viteve të luftës dhe, pasi aksidentohet  ajo, e thyen këmbën im atë tek shkarkonte vaporin sovjetik të ndihmave në Portin e Durrësit. Më duhej ta bëja e ta mbaroja shkollën 7 vjeçare në Durrës, me prindër që ecnin me paterica, që edhe firmën e vinin me gisht. Pikërisht atëhere e mblodha trurin për t’u bërë diçka në jetë e t’u vija në ndihmë këtyre njerëzve sakatë, që më kishin sjellur në jetë e më merrnin nga mbrapa tyre ngado që venin, me fukarallëkun e tyre. Dhe nisi të më vejë mbarë: më dhanë një bursë për në Teknikumin e Naftës në Kuçovë. Pas dy vjetësh na çojnë në Politeknikumin “7 Nëntori” dhe si më perfeksionojnë për elektricitetin në mjekësi, më emërojnë të punoj si teknik Rontgeni për qytetet Gjirokastër, Sarandë e Delvinë. Tre vjet më pas, si më ishte mprehur ambicja e artistit (prej një aparati kinematografik, duke dhënë filma për të sëmurët, si dhe nga pjesëmarrja ime si aktor amator në Pallatin e Kulturës të Gjirokastrës), m’u desh ta tradhëtoja këtë zanat. Fitova konkursin e pranimit për në Shkollën e Lartë të Aktorëve, që u hap për herë të parë në vitin 1959. Kisha prekur ëndrrën time…

Pyetje: - Edhe pse ende student, ju shkruanit shumë e në të gjitha gjinitë në atë periudhë, por shquheshit sidomos për kritikën e teatrit e të kinematografisë. Cilat janë disa nga veprat tuaja të asaj periudhe?

Përgjigje:  Librin tim të parë, të cilin e ideova që në bangat e shkollës artistike, e titullova jo pa shkak“Trokitje në Dyert e Teatrit”, kryesisht me kritika e studime për teatrin e kohës. Librin e dytë e quajta “Pas Shfaqies” dhe vendosa aty artikuj kritikë e studime për Artin e Estradës, që në atë kohë ishte popullarizuar shumë. Librin e tretë e titullova “Teatri dhe Koha”, si vazhdim i dy të parëve. I katërti, një monografi për Artistin e Popullit Mihal Popi, pati një fat të trishtuar, së bashku me fatin tim si artist e si njeri. Ky libër u bllokua në shtypshkronjë me urdhër nga lart dhe u fut në brumatriçe! Sepse u gjykua që unë “kisha dalë nga binarët” e Realizmit Socialist!

Pyetje: - Në stuhinë e pandërprerë të luftës makabre të klasave të ushtruar nga pushteti totalitar komunist, vjen cikloni në sferën e kulturës e të arteve. Çfarë ndodhi me Miho Gjinin, pas “vlerësimit” që i bëri udhëheqësi i partisë dramës “Njollat e murrme” të Minush Jeros?

Përgjigje: - Këtu nis kalvari im i vuajtjeve, një tmerr i vërtetë, të cilin dridhem kur e kujtoj e nuk do të desha të përgjigjem. Sepse më vodhën nga jeta afro 30 vjet!  Dhe pse?... Për një dramë që quhej “Njollat e Murme” dhe që unë, si inspektor i Drejtorisë së Arteve në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, e paskësha sjellë në Festivalin Kombëtar të Teatrove, për “të shqetësuar” Udhëheqësin e Partisë. Ajo u quajt revizioniste, ndërsa Jero si autor, Luarasi si regjisor dhe unë si kritik e Shef i Teatrove, morëm epitetin e “armiqve të rrezikshëm”. Na dëbuan, na internuan dhe na burgosën. Ndëshkimi qe i egër, i pamëshirshëm dhe alogjik!

Pyetje: - Për kalvarin e jetës suaj si i internuar e i burgosur politik, keni shkruar romanin autobiografik “Dëbimi, udha për në ferr”. Cilat janë disa nga kujtimet më të dhimbshme, bashkë me artistë të tjerë të burgosur? Ndonjë episod…

Përgjigje: - I kam pasqyruar sikundër kanë ndodhur këto episode të tmerrshme në romanin që përmendët.Ç’mund të thuash tani, kur i ka mbuluar mjegulla e kohës e ne duam që t’i harrojmë! Por ato nuk treten kollaj në kujtesën e lodhur. Merre me mend: më përplasën në një minierë qymyrguri, pa asnjë “Kartë Dënimi” në dorë, të punoja nëpër llavat e galerive, 600 m. nën tokë. Dilja andej i zi në fytyrë dhe kur ulesha të haja një pjatë fasule në mensën e minatorëve, ata ngriheshin nga tavolina, të trembur prej meje. Më quanin “armik” kudo e ngado. Befas më vjen nje Fletë-Thirrje nga Gjykata, për t’u ndarë nga gruaja e fëmijët e vegjël! Më thërrisnin shpesh në Polici, për të hetuar marrëdhëniet e mia me “Komplotistët e Partisë” dhe, pasi nuk shoshitën gjë, më hodhën hekurat e më rrasën në burg. Me mua merrej posaçërisht shefi i Hetuesisë së M.P.Brendshme, Nevzat Hasnadari, një njeri i egër, i pashpirt, kriminel nga më të ligjtë, duke ushtruar dhunë psikologjike, derisa më theu fizikisht e moralisht, me tortura çnjerëzore. Edhe dy ditë donte që të vinte viti i ri 1978. Tek po veja në minierë, në orën 5 të mëngjesit, në autobuzin e minatorëve të ngjeshur me punëtorët e nëntokës, hynë tre njerëz të heshtur e të veshur me kostume gri dhe u ndalën para meje, duke më kërkuar të shqiptoja emrin. Disa gra që ishin aty afër, lëshuan një ulërimë, kur dëgjuan se unë, minatori me numur llambe karbiti 101, isha një “armik i rrezikshëm” dhe se arrestohesha “në emër të popullit”. Isha përgatitur të shkoja te nëna ime, në Piqeras, lotët e së cilës kishin rrëshqitur në det dhe bafas e pashë veten në një qeli të errët, të zhytur katër metra nën tokë. Dhe përsëri më shfaqet këtu katili Hasnadari, gjithmonë pas mesnate, një vit rrjesht, që të më shkatërronte përfundimisht në atë qeli me lagështirë e pa dritë, ku më shoqëronin minj të llahtarshëm! M’u desh të hyja në një rol të padëshiruar, të përshtatesha si në filmin “Fajtor pa faj”, të pranoja në gjyq, qoftë edhe pjesërisht se “paskësha bërë propogandë armiqësore për minimin e shëmbjen e pushtetit popullor”! Një tmerr i parrëfyer. Tragji-komedi…

Pyetje: - Më së fundi vjen flladi i lirisë. Por intelektuali e artisti i sapoliruar nga burgu nuk merr dot frymë i gëzuar. Gjen familjen të shkatërruar e jeta nuk do i buzëqeshte ashtu si e meritonte. Si i keni përjetuar ato momente?

Pergjigje: - I thatë në mënyrë patetike këto fjalë e unë nuk mund të mos buzëqesh hidhur. Çfarë flladi?! Unë dola nga një burg, për të hyrë në një “burg tjetër”, më të tmerrshëm akoma. Kisha hyrë befas në një “burg nën qiellin e hapur”, që unë e kam pasqyruar në librin me tregime dhe novela, “Vdekja e Artistit”. Nuk isha gjë tjetër, veçse një i vdekur i gjallë! Sepse trembeshin nga unë, deri tek njerëzit e shtëpisë, përveç të dy prindërve të mi pleq, që do të vdisnin pas pak nga marazi. Ish- bashkëshortja kujtoi se i kishte ardhur një fantazmë tek pragu dhe më përplasi derën. Shokët, miqtë e afërt, studentët që pata në Akademinë e Arteve dhe nxënësit e Shkollës së Mesme të Kulturës, ku jepja mësime të mjeshtërisë së aktorit e të regjisë, trembeshin prej meje e ndërronin rrugën, me përjashtime të veçanta e kur binte nata. Tashmë unë isha kthyer në një fantazmë të vërtetë.

Pyetje: - E keni falur apo justifikuar ish-bashkëshorten tuaj për “zgjedhjen” e saj?

Pergjigje: - E kam falur, sikundër i kam falur edhe të gjithë dëshmitarët e mi, që më çuan në dyert e Gjykatës së Tepelenës me disa dëshmi qesharake, si përshembull: “jam dënuar kot!”, “Thoma Deljana ka qenë njeri i mirë!”, “Bekim Fehmiu ishte artist i madh!”, “Hrushovi paska tundur këpucën në O.K.B!” etj., të cilat u paraqitën si propogandë armiqësore (!!!) Kryetarja e trupit gjykues ishte motra e një nxënësit tim, e cila vinte e më lutej dikur që ta mirëtrajtoja të vëllanë. E kam falur edhe një ish studentin tim (i cili vuante nga xhelozia për paaftësinë e tij!), që i bëri një letër anonime Enver Hoxhes, sikur unë pata përdhunuar një minorene, se ia çoja nxënëset e mia , për të bërë “të njejtën punë”,  ministrit Thoma Deljana e të tjerëve, që ishin më poshtë (!!!) Një kujë e vërtetë! Intrigë e poshtër, e përdorur si pretekst, për të argumentuar slloganin e kohës se “degjenerimi moral të çon në degjenerimin politik”! E kam falur edhe një ish- nxënësin tim, që kishte “hedhur baltë” mbi mua. Ishte bërë deputet dhe më doli përpara rastësisht, pas lirimit nga burgu. Më kërkoi ndjesë, duke u justifikuar se e kishte bërë në rrethana shtrënguese dhe se “ashtu ishte koha atëhere”. Po. I fala të gjithë këta. Ishim që të gjithë në darën e hekurt të një kohe absurde, ku indoktrinimi kishte gllabëruar mendjet e njerëzve e kishte atrofizuar shpirtra njerëzish. Orteku i tmerrshëm i shpërfytyrimit vinte nga “kupola” lart, rrokullisej në M.P.të Brendshme, përcillej tek Komitetet e Partisë të Rretheve  e partiakët e mëposhtëm, grumbullohej në Prokuroritë e Degët e P. të Brendshme, derisa shkarkohej përfundimisht mbi kokat e “armiqve të brendshëm” të popullit dhe socializmit. Sigurimi i Shtetit nuk qe gjë tjetër, veçse një levë mizore..Qe pikërisht  struktura e sipërme e shtetit që përbënte armikun e vërtetë të njerëzimit. Aty ishte vetë “Zeusi”, që lëshonte rrufetë!

Pyetje: - Në vendet e tjera të dala nga ferri komunist, intelektualët e artistët e persekutuar për shkak të ideve të tyre, patën njëfarë rehabilitimi shpirtëror, profesional e ekonomik. Madje u zgjodhën deri edhe në poste të larta shtetërore. Sipas jush, pse në Shqipëri nuk ndodhi kjo gjë, por pati një indiferentizëm të pamëshirshëm dhe harresë asgjësuese nga politika?

Përgjigje: - Mua më ka mbetur në mendje batuta e një personazhi të komedisë së Besim Levonjës,“Prefekti”, kur ai i thotë qytetares, e cila ankohet se ia kanë futur djalin në burg “kot”, me fjalët: “Në burg, edhe mos me qenë komunist, bahesh komunist”. Për analogji, në burgjet e diktaturës, edhe pa qenë armik, bëheshe armik. Kështu na shikonin edhe neve, si njerëz të degraduar, ca më tepër që ata që dolën në krye dhe u veshën me pushtet, pas shembjes së regjimit  komunist, në pjesën më të madhe, rridhnin nga kjo shtresë monstruoze, që sapo ishte larguar nga pushteti. U tërhoqën fare pak njerëz prej nesh në krye, shumica u la në harresë. Dëmshpërblimi i tyre u zvarrit pambarimisht, deri sa humbi në “kalendrat greke” (!) Të përndjekurit politikë mbetën shtresa shoqërore më e papërfillshme, kur realisht qenë të parët që iu kundërvunë komunizmit.

Pyetje: - Artisti dhe intelektuali i lënë në harresë nuk grindet me shtetin e tij, me gjithë kërkesat e ligjshme të harruara sirtareve, por pëson një “dëbim” të ri, këtë radhë me dëshirën e vet, duke ikur si emigrant në Greqi. Një mallkim i fatit apo një fat i mallkuar, ky i Miho Gjinit?

Përgjigje: - Merre si ta marrësh. Gjithandej ngrihej një “mur i lartë” ose një “përrua i pakalueshëm”. Që të dyja nuk kapërceheshin kollaj. Kështu që zgjodha kufirin, që atëhere, për habinë tonë, u shkel e u hap katrash. Ika edhe unë me të shumtit, që kërkonin më shumë ajër dhe dritë. Pak prokopi. Kisha bërë vërtetë dhjetra e dhjetra kërkesa për t’u punësuar në profilin tim, por të gjitha mbetën sirtarëve. As që mund të mendohej se do të kisha përsëri një laps e një letër, për të shkruar e botuar.. ”Shoku im i jetës” mbeti kazma dhe lopata. Si dhe një biçikletë e prishur. Dhe një “Skodë” me karroceri të lartë, që e mbushja me gurë në Linzë, me tulla në Vorë dhe me rërë lumi në Erzen. Isha një nga ata “të mallkuar të fatit”, që nuk llogariteshin më midis të gjallëve.

Pyetje: - Për vite me radhë një barakë me llamarina ka qenë banesa dhe studioja e punës e artistit emigrant, i cili e pasuroi shpirtin dhe botën e tij duke njohur kulturën e lashtë e të jashtëzakonshme greke dhe duke shkruar artikuj e libra të gjinive të ndryshme, që nga monografitë e shumta për artistët tanë të shquar, romanet, vëllimet me tregime, studimet për teatrin, shënimet e udhëtimit etj. Cilat janë disa nga veprat tuaja kryesore të viteve të emigrimit dhe si janë pritur ato nga lexuesi?

Përgjigje: - Tashmë isha një njeri i lirë dhe askush nuk më shihte shtrembër. Jetoja në një “shtëpi me rrota” (trohospito-gr.), në periferi të Athinës, të veshur me llamarina që të mos depërtonte shiu, jashtë banesave të Koropisë, në afërsi të Aeroportit të sotëm ndërkombëtar të kryeqytetit grek, në zonën ku bujtën dy shekuj e ca më parë shumica dërmuese e arvanitasve. Përballoja edhe këtu një punë të rëndë krahu. Gjatë një përmbytjeje, barangën time e mori lumi dhe mezi shpëtova veten, gruan dhe fëmijët e vegjël, që kishin lindur në familjen time të re. Kjo ngjarje më shkundi dhe m’u kujtua se dikur shkruaja edhe unë… E hodha ngjarjen në letër dhe e dërgova në Selanik, ku ishte shpallur një konkurs letrar. Ata të jurisë me thirrën  pas disa javësh. Kisha fituar çmimin e parë. Kujtesa ime e përgjumur u shkund dhe kritiku i dikurshëm i teatrit (dyert e të cilit i qenë mbyllur), mprehu lapsin për të shkruar këtë herë letërsi. Hodha në letër dhe botova librin me tregime “Vdekja e mjellmës” (1995). Erdhën pastaj dy monografi për artistët e mëdhenj shqiptarë: Mihal Popi e Naim Frashëri(1998-99), që do të pasoheshin me librin “Jetë artistësh”, me portrete të artistëve më të shquar të skenës (2001). Do të vazhdonin më tej dy libra të tjerë me karakter letrar: “Adio Xhulja R.” (2000) dhe “Vila e vetmuar”(tregime dhe novela), të cilat trajtojnë përpjekjet e emigrantëve shqiptarë për të mbijetuar në kushtet e reja. Në 2003-2005 shkrova dhe botova një trilogji letrare mbi kalvarin e vuajtjeve të mia, ku përfshihet romani autobiografik “Dëbimi - Udha për në Ferr”, libri me tregime “Arratisja e kujtesës” dhe libri me tregime dhe novela “Vdekja e Artistit”. Pikërisht në këtë kohë, në Atdheun tim, u kujtuan se isha gjallë dhe se diçka po bëja me përkushtim për letërsinë dhe artet. Më akordohet Urdhëri “ Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës. “Njeriut  të barangës”, ambasadori shqiptar në Athinë,  Bashkim Zeneli, i dorëzoi Urdhërin e Lartë, në një veprimtari të posaçme në njërin nga hotelet më të mëdha të kryeqytetit grek. Më kishin pranuar. Isha kthyer mes njerëzve. Në botën time.

Pyetje: - E prisnit një vlerësim të tillë?

Përgjigje: - Fare. Deri atëherë isha i shkëputur nga komuniteti ynë në Greqi dhe jetoja si një Robinson Kruzo. Më binte bretku në punë, ushqeja qenin e pronarit, u hapja portën e hekurt mauneve dhe i ngarkoja me drosla elektrike e punëra të tjera, që më gllabëronin ditën. Më binte kurrizi. Gjatë kohës që më mbetej merresha me pemët përreth fabrikës ku punoja, me mbjelljen, sistemimin e krasitjen e luleve, me pastrimin e gjetheve. Nisi të më pëlqejë kjo punë. Më bëri të gërryej humus nga rrënjët e pemëve e shkurreve në kodër dhe ta hedh midis gurëve, përreth barangës sime, ku si një kinez i vërtetë mbolla një pemë limoni, një kajsi, një mollë, një dardhë dhe disa fidane  hardhi. E hijeshova vendin. Aty banova 20 vjet. Nisa të ziej edhe raki në tenxheren me presion, sikundër bënim fshehtas në kohën e mërhumit… E çfarë nuk bëja aty, derisa pronari i fabrikës më zboi, nga frika e një ligji që unë nuk e dija (ku thuhej se kush banon në një shtëpi periferike dhe ka mbi 10 vjet që jeton atje, përkujdeset, punon tokën e bën shërbime të tjera pa pagesë, mund ta fitojë këtë pronë!). Kështu që u largova me nostalgji nga “shtëpia me rrota”, ku e pata nisur jetën rishtazi, për së dyti nga e para dhe ku më lindën edhe dy fëmijët, Aleksandri me Kristianën.

Pyetje: - Kushdo e di tashmë se njëherësh ju kryeni edhe dy detyra shoqërore pasionante, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ne Greqi (“Liter-Art”) dhe kryeredaktor i revistës prestigjioze letraro-artistike “Pegasi”, përveç botimeve të shumta që pasuan krijimtarinë tuaj… Si ia dilni t’i përballoni, kur ato kërkojnë më shumë kohë dhe energji?

Përgjigje: - Nuk e kuptoj jetën pa lëvizje të përhershme, pa punë. Edhe me më pak gjumë. 10 vjet kam punuar natën në fabrikë dhe gjumi i ditës nuk bëhej më shumë se 4 orë. Më pas, nisa të përgjysmoj natën. Bija për të fjetur në mesnatë dhe çohesha për të shkruar pas orës 4 të mëngjesit, kur isha më i freskët se kurrë. Pas orës 7 shpija në shkollë fëmijët, 5 km. larg banesës sime, fillimisht në këmbë, më pas me biçikletë. Më mbrapa bleva një makinë, të cilën e nxora në rrugë me një mësim treditor dhe me një patentë fallso, që e nxora me pagesë tek disa trafikantë që i kishin të gjitha vulat e zyrave shqiptare, në Sheshin”Omonia”, siç bënin të gjithë ato kohë. Natyrisht që rashë edhe në duart e policisë, pasi bëra nja 5 karambole të rrezikshme. Aty nga fundi isha miqësuar edhe me Golen, mikun tonë të përbashkët, dhe shoqëria me të, përveç kënaqësisë shpirtërore, sillte edhe këto “aventura”. Harroheshim duke diskutuar punët dhe planet tona, pinim dhe merrnim timonin. Rreziqet na ndiqnin pas. Por, siç më shihni, jam ende gjallë. Ashtu sikundër edhe miku im… E, ngaqë isha ende gjallë, shkrova e botova edhe 10 libra të tjerë: monografitë “Një jetë e ndërprerë” e “Diva Shqiptare”, librat me arikuj kritikë e studime për artin e letërsinë “Bisedë me muzat” , “Një jetë me teatrin dhe për teatrin”, si edhe tani së fundi botimet “Shpirti artistik”, “Acari i dashurise” (tregime dhe novella), atë me publicistikë letrare “Dy ditë sa për dy shekuj” dhe romanin “Letra nga Spanja”, që u botua edhe në gjuhën greke. Paralelisht u mora edhe me organizimin e Lidhjes së Skrimtarëve dhe të Artistëve në Greqi, duke grumbulluar këtu shkrimtarë e poetë, aktorë dhe regjisorë, kompozitorë, muzikantë e këngëtarë, piktorë e skulptorë, të cilët punonin këtu, si edhe unë. Duke ushtruar paskëtaj kjo lidhje një veprimtari të dendur kulturore e artistiko-letrare, në dobi të komunitetit shqiptar në Greqi. M’u desh pra të dilja jashtë barangës sime në kuptimin figurativ, për ta braktisur përfundimisht “jetën në ishull”, si Robinson Kruzo. Pikërisht në këtë kohë lidha një nga miqësitë më të mëdha të jetës sime, u njoha me poetin dhe publicistin e mirënjohur, Grigor Jovani, i cili ato kohë drejtonte njërën pas tjetrës disa nga gazetat më të rëndësishme të komunitetit tonë në Athinë. Mendonte të mbushte një boshllëk, të krijonte një revistë letraro-artistike në gjuhën shqipe. E mbështeta menjëherë, ishte edhe ëndrra ime, dhe për 10 vjet e më shumë nuk iu ndamë kësaj dëshire pasionante, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite, duke e bërë këtë revistë periodike dinjitoze, të preferuar në të gjithë hapësirën shqiptare në botë. I gjithë ky volum pune krijuese, që kërkon me të vërtetë shumë energji, më ka mbajtur gjallë. Pse jo, edhe të freskët.

Pyetje: - Gjatë një udhëtimi në Itali, kur ju ndodheshit në Trieste dhe po udhëtonit drejt Venecies e Ankonës, u dëgjuam bashkë në telefon. Ju tregova se në Trieste banonte artisti i mirënjohur shkodran, Mjeshtri i Madh Gjosho Vasia. Nuk e di ende në u takuan së bashku të dy mjeshtrat, njëherësh edhe miq të vjetër të asaj kohe të zymtë…

Përgjigje: - Fatkeqësisht jo, miku im. Por ju më dhatë telefonin e tij dhe unë munda të komunikoj me Gjoshon. Ishte mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes më duhej të largohesha nga Triestia, ndërkohë që miku im i vjetër m’u lut ta prisja e ta pinim një kafe sëbashku, pas 45 vjetësh ndarjeje. Ai ndodhej në një qytet tjetër ndërkohë, tek e bija, kështu që kafen nuk e pimë dot… As që mund ta mendoja se po ia dëgjoja për të fundit herë zërin e tij paksa të ngjirur dhe atë të qeshur të përzemërt, me të cilat isha njohur së pari në atë kohë të rrezikshme, kur më në fund ishte ngjitur në skenën e Shkodrës, si një i ndëshkuar i ndrojtur politik dhe mua, anëtarin e një jurie zyrtare për estradat, më shtrembëroi kastile emrin në… Gjiho Mini! (Hahaha!). Më ka mbetur merak që nuk e takova Gjoshon në Triste. Siç më ka mbetur merak edhe “arratisja” e zotrotes tuaj, atyre ditëve, me atë “kopukun” tim, Golen, në Alpet italo-austriake. I kam marrë vesh aventurat tuaja dhe një ditë nuk do më shpëtoni. Do i hedh në letër…

Pyetje: - Vitin e kaluar (2014) ju botuat librin “Shpirti artistik”. Në të ju u bëni një homazh nderi shumë artistëve e shkrimtarëve që janë ndarë nga jeta, por ravijëzoni edhe profilet e disa shkrimtarëve e artistëve që jetojnë e krijojnë ende. Sa i gjerë është shpirti human i një artisti të vuajtur?

Përgjigje: - Ky libër, që për mua ështe përgjithësues dhe nga më të rëndësishmit që kam shkruar, për vetë SHPIRTIN  ARTISTIK që gjallon brenda tij dhe në arritjet e mia, u dedikohet miqve dhe bashkëpunëtorëve të mi të shtrenjtë, që kanë ikur nga jeta, ashtu edhe personaliteteteve të tjera të Artit dhe të Letërsisë, që pasurojnë vazhdimisht një Univers të përbashket dhe të artë letraro-artistik vlerash. Librin ia dedikova me gjithë zemër mikut tim, Grigor Jovanit, i cili kishte redaktuar shumicën e këtyre shkrimeve dhe i kishte përfshirë periodikisht në revistën tonë “PEGASI”, gjatë 10 vjetëve të fundit. Ai ishte ideatori i këtij libri. Miqësira të tilla midis krijuesve, që materializohen me vepra, janë të përjetshme.

Pyetje: - Edhe pse vitet ecin, Miho Gjini është gjithnjë në lëvizje e me energji të freskëta krijuese. Ç’ vepra të reja do presim nga pena juaj?

Përgjigje:  Kam në procesin krijues një monografi për Artistin e Popullit, Nikolin Xhoja, një nga artistët më organikë e më të talentuar të skenës shqiptare, në pamundësi për ta përfunduar e për ta botuar… Askush nuk të mbështet financiarisht. Ështe si një bumerang indiferenca e shtetit, e biznesmenëve, bile edhe e të afërmëve, që kanë më tepër mundësi se sa unë, emigranti pensionist, që ka në dorë vetëm penën dhe varfërinë! Ëndërroj edhe për një vëllim tjetër të zgjedhur me publicistikë, që përfshin një hark kohor 50 vjeçar. Pret nëpër letra edhe një libër me humor, që më ka shoqëruar tërë jetën time.

Pyetje: - Kur do vini sërish në Itali?

Përgjigje: - Pse, që të arratiseni sërish në Alpe, bashkë me Golen, dhe të më lini mua mes grindjeve të sime shoqeje?! (Ha-ha-ha!) Do të vij kur të më ftojë Ndue Lazri dhe unë ndërkohë të kem mbledhur ca para… (Hahahahaha!) Nuk e di a e njihni ju, Ndue Lazrin, këtë gazetar-shkrimtar të talentuar dhe fisnik. Ajo që bëri, p.sh, kur na mblodhi nga të katër anët, neve, anëtarët e “Lidhjes së Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës”, së bashku me kryetaren e këtij Forumi, Albana Mëlyshi-Lifschin, mikja dhe kolegia jonë e nderuar, për të bërë atë udhëtimin e paharruar në Salerno, ishte me të vërtetë diçka shumë e bukur. Do të doja ta përsërisja sërish.

- Faleminderit për bashkëbisedimin dhe mirupafshim!



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora