E shtune, 27.04.2024, 08:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Izet Abdyli: Dhembja e shtrirë në art

E merkure, 11.03.2015, 08:33 PM


NJE LIBER PER MBAMENDJE

DHEMBJA E SHTRIRË NË ART APO UDHËTIM  ME DHEMBJEN  NGA DRENASI NË PRISHTINË

Mbresa nga leximi i librit të Miradije Gashit ,,Yjet deshën dritën tënde” botoi  ARTINI,  Prishtinë 11.03. 2015

NGA IZET ABDYLI

Treni ndaloi vrullin e tij në stacionin e Drenasit dhe unë sapo hyra isha në kërkim të një vendi të lirë për t’u ulur, kur një bashkudhëtar i përditshëm më bëri shenjë se kishte një vend të lirë në ulësen ku ai ishte ulur përballë një femre të mbuluar (ashtu tani u themi femrave që mbartin shami dhe veshje ku mbulohet tërë trupi), ndërkaq përballë kisha një të ri të cilit vështirë i dallohej fytyra nga një kapotë e vënë në kokë si duket ndiente të ftohtë. Treni mori sinjalin e nisjes dhe ritmi i trake – trukeve në binarë të krijonte një monotoni. Në ato çaste mu kujtua libri Miradije Gashit ,,Yjet deshën dritën tënde” që kisha në çantë  dhe pa u mëdyshur hapa çantën dhe fillova të shfletojë.

Miradija më kishte folur edhe herë tjera për dhimbjen që kishte ndjerë për motrën e vetë të ndjerë së cilës i kishte kushtuar dhjetëra poezi. Ndaj isha kureshtar të lexoja vargjet e saja të derdhura në këtë libër i cili ishte përkushtim për motrën e saj. Sakaq një fishkëllim e trenit në dalje të tunelit në Qikatovë sikur më mbërtheu për një çast së bashku me vargjet e para të dy poezive të Leonorës së ndjerë që hapin këtë libër. Janë vargje plot dhimbje por edhe vetëbesim në Zotin  e gjithëfuqishëm e të përmbushura me përplot ndjenja mirësie e dashurie për njerëzit, por edhe parandjenjën e vdekjes si pasojë e sëmundjes së pashërueshme të saj. Këto dy krijime  ,,Lutje Zotit” dhe ,,Vdesë në këmbë”  si një prelud  i hapin shtegun autores së librit për të derdhur tërë arsenalin e saj poetik me vargje përkushtimi për Leonoren. Në krijimtarinë letrare janë të njohura raste të poezive përkushtuese, madje edhe në trajtën e elegjive, apo edhe një cikël poezish , ndërsa deritani kemi të njohur një vëllim të tërë poezish që i përkushtohet djalit të tij nga poeti Ali Podrimja në librin ,,Lum Lumi”. Aty derdhet shpirti poetik me tërë dhembjen, dashurinë, ndjesinë njerëzore të poetit. Nisur nga kjo edhe ky vëllim poetik i Miradije Gashit, do thosha i jashtëzakonshëm edhe mua më mahniti. Një lexim  ku dhembja është shtrirë në art  e që zgjati përafërsisht 40 minuta gjatë udhëtimit me tren nga Drenasi në Prishtinë, më mjaftoi për të nxjerr konstatimin  se vetëm dhembja , ajo që ndihet me shpirt e zemër të bën të krijosh artin e mirëfilltë. Të shkruash 60 poezi me të njëjtën tematikë dhe akëcila prej tyre të ketë mesazhin e vetë,  figurat e veta , metaforat e simbolika të ndryshme duke mos u përsëritur, mund të ndodhë rrallë të shpirti krijues i një poeti. Por lidhja gjenetike por edhe emocionale e motrës që ndien për motrën si njeriun më të dashur, ka bërë që poezitë e këtij vëllimi poetik që identifikohen me vulën e dhembjes shpirtërore të dalin kaq të fuqishme dhe përmasat e shtrirjes së tyre të marrin edhe konotacione të diçkaje të jashtëzakonshme.

Që nga poezia e parë ,,Leo ikën nga jeta” e deri te poezia e fundit akrostike ,,Shtatë shkronjat e emrit tënd ” shpirti poetik i Miradijes, defilon përmes monologut, duke ruajtur dramacitetin  në kohë e hapësirë, duke derdhur nektarin e poezisë në të gjitha stinët e dhimbjes e pikëllimit, në të gjithë lumenjtë e trishtimit, në fushat e blerta të hidhërimit gjithmonë me një kujdes duke u dhënë trajtën dhe përmasën që u takon. Pothuaj akëcila poezi është një dramë në vete, mjafton të shikosh gjetjet poetike përmes titujve të poezive si: Sonte shqip dua të qajë, dhimbje, loti shpon gurin, loti dhe Zoti, mbytur në trishtim, psherëtima e dhimbjes, dhembja tu bë emër, jam re me lot ngarkuar, lumi lotëve, pranvera na la dimrin në derë, akull në shpirt, yjet deshën dritën tënde, me një copëz qiell, e  përplot  sintagma të tjera shpërfaqin larushinë e fjalëve me të cilat operon poetja në ndërtimin e kësaj përmendoreje poetike. Vargjet duket sikur vijnë spontanisht por që rrjedhin si një gurrë burimi më magjinë e tyre poetike, siç ndodhë në poezinë ,,Loti dhe Zoti” ku poetes i vijnë ,,njëmijë kujtime, njëmijë mendime, gjejmë brenda në lot, njëmijë shqetësime”. Dashuria dhe dhembja për motrën dyzohen në shpirtin e poetes e cila ka përdorur lloj lloj epitetesh për motrën si: bijë Kosove, shtatselvi,lule zemre, lulëkuqe, sugarësh, dritë shpirti, zogëza e bukur buzëqeshja ime, e bukura e dheut, portreti yt etj. I përhumbur krejtësisht në leximin e poezive, duke u bërë edhe unë njësh me dhembjen e poetes kisha ardhur të poezia e fundit akrostike ,,Shtatë shkronjat e emrit tënd “ me emrin LEONORA, dhe po e përpija me një lexim të shpejt biografinë e autores së librit dhe krajatat e saja jetësore si e përndjekur nga sistemi për shkak të veprimtarisë atdhetare, kur treni tashmë ishte ndalur në stacionin e fundit në Prishtinë dhe bashkëudhtari im që ma kish rezervuar ulësen tashmë po më jepte shenjë se erdhi koha për të zbritur. E vura sërish librin në çantë me kujdesin më të madhe i mbërthyer nga emocionet e leximit dhe  nga droja se po lëndoja protoganistën e këtij libri. Rrugëtimi nga stacioni i trenit e deri të Biblioteka Kombëtare ku punojë mu duk aq i shkurtër, ngase isha përplot meditime si ti qes në letër tërë këto mbresa leximi, gjithmonë me drojën a do mund ti jap ,,hakun” këtij libri mbase të veçante apo siç e kisha postuar në fb me një titullin ,,Libër për mbamendje” dhe tashmë vetëm sa m’u sforcua bindja që ky vlerësim ishte meritor.

Dhe sapo hapa kompjuterin e para punë që vendosa ishte titulli i shkrimit të cilin disa herë e përsërita nga droja se mos po më ikën nga kujtesa.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora