E diele, 04.05.2025, 02:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Mercedes Gega

E hene, 23.03.2015, 09:17 PM


Mercedes Gega - Albania

Mercedes Gega ka lindur më 27.09.1980 në Dërmënas, Fier. Ka përfunduar studimet e larta në universitetin “ALeksandër Xhuvani” Elbasan në degën  “Gjuhë dhe letërsi shqipe”. Ka botuar:

“Një copëz jetë”, Poezi, “GlobusR” – Tiranë 2007 dhe “Fjalët e pathëna”, Poezi, “Morava” – Tiranë  2011.

“Poezia e Mercedesit hynë mes poezisë së poeteshave shqiptare me

një freski vajzërore, pa lotë, britma, zhgënjim ekstrem.”

Petraq  RISTO

“Duke shfletuar librin e Mercedesit të bën përshtypje eleganca e vështrimit dhe delikatesa e lëvizjeve të saj poetike, delikatesë, që mund të zbusë edhe një zemër të egër apo të zhuritur. Është një libër prej tingujsh dhe vargjesh ndjesorë, frymë e mbajtur në momente kritike dhe të bukura, peng i një kënge të pakënduar…

Poezia e kësaj poeteshe të talentuar me tërësinë  e kumteve, kumbimeve gjuhësore, fjalorin e pasur ndjesor dhe aftësinë për t’u konfrontuar me të vërtetat e rëndomta të jetës, sjell në poezinë tonë një aromë të veçantë, por edhe shumë joshëse për ata që i lexojnë.”

Agim  BAJRAMI

Të flasësh për vëllimin poetik “Një copëz jetë” të Mercedes Gegas, do të thotë të bësh fjalë për një krijuese të dalluar në fushën e poezisë, që sot shkruhet dhe kultivohet gjithandej Atdheut tonë. Autorja e vëllimin na bind se poezinë nuk e kultivon sa për sy e faqe, por se në vargje ajo sikur e tëra shkrihet me shpirtin, me mendimin, me zemrën, me ndjenjën dhe me botën e pasur imagjinative dhe fantastike.

Vargjet përshkohen me një lirizëm të ndjeshëm dhe gjithkund autorja gjatë trajtimit të temave a motiveve vjen me mendime të ngjeshura në aspektin ideor dhe estetik. Gega në poezi kultivon një ligjërim të mëvetësishëm, një teknikë origjinale të kapjes së idesë dhe të përdorimit të mjeteve shprehëse ligjërimore.

Çështjet që shtron poezia e Mercedesit kapin një gamë të gjerë të problemeve, të gjendjeve, të veprimeve dhe sjelljeve të njerëzve. Për këtë shkak këto poezi, kujtojmë, janë plastike – janë të gjithanshme.

S’ka dyshim se autorja posedon aftësi, ka, si  të thuash, prirje për artin e poezisë. Ajo ka fantazi e ndjenja, ka intuit poetike për të depërtuar në problemet më të fshehta të jetës. Kudo në poezitë e saj gjejmë vlera të shumëllojshme, vlera që te lexuesi ngjallin kënaqësinë estetike.

Vëllimi na krijon kënaqësi me notat e veçanta lirike. Poezitë janë shkruar me sens e kulturë letrare dhe estetike. Autorja në vëllim përdor një stil original të të rrëfyerit, një gjuhë të lehtë, të zgjedhur dhe të kuptueshme.

Dr. sc. Faik Shkodra

 

FJONGUA MALL

 

Me petale premtimesh zbukurove

Flokët e lëshuara të shpresës ngadal

Por era e ftohtë e harrimit

Flokët i lidhi

me fjongon mall.

 

 

KOHA, S’KA KOHË TË NDAL

 

Mendimi, gjen kohë të shlodhet

Kur arrijnë ta kuptojnë sadopak…

Në burimin e dashurisë shuan etjen

Zemra kur vendos brengat të flak.

 

Dhe dielli gjen kohë të prehet

Kur yjet puthin qiellin ngadal

Vetë jeta lind, gjallon, ndahet…

Vetëm koha, s’ka kohë të ndal…!

 

 

AFROHESH…LARGOHESH

 

Afrohesh…

Largohesh…

Ëndrra ime!

Herë veshur me shpresë,

Herë dyshime…

Afrohem…

Largohem…

Dhe unë.

Herë hapi më bëhet erë,

Herë tjetër i rëndë plumb.

 

 

ZËRI I PSHERËTIMËS

 

Sa flet një psherëtimë

Nuk flasin mijëra fjalë

Aty shuhet një brengë

Prehet aty një mall.

 

Një lot që fle në sy

Një shpirt me vete mbart

Rreth tij një botë vërtitet

E fjala…s’ka më fjalë!

 

 

MË NDJE, NDJENJA IME!

 

Më duhet të  shkoj

Dhe pse dëshira, s’do

Ndjenja ime, më ndje

Me shpresë s’mund të dënoj!

 

Besomë e shtrenjta ime

Për ty, unë bëj gjithçka

I fshij mëritë  e  shkuara

Dhe dhimbjet e mëdha.

 

Por, të lutem, mos kërko

Të shkel mbi veten time

Dhuratë, mëshirën, s’dua

Ndaj ndjemë, ti, ndjenja ime!

 

 

FJALË ZEMRE

 

Kur zemra nis të flas

Shkrin akulli i mërive

Trëndafili i jetës çel

Petale dashurie.

Kur zemra me zemër flet

Rrënohen burgjet e zilive

Ëndrra e lirë fluturon

Drej qiejsh të rinj lumturie.

 

 

NGJYRË DASHURIE

 

Nga gjithë trëndafilat e fjalëve

Mblodha gonxhet ngjyrë dashurie

Por gishtin e unazës m’a shpoi

Një gjemb i fshehur xhelozie.

 

 

FJALËT E PATHËNA

 

Fjalët e pathëna kacavjerrë rrinë

Nëpër muzgje psherëtimash, ngrirë!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx