Kulturë
Adem Gashi: Dritëhija midis shpirtit dhe trupit
E marte, 31.03.2015, 06:22 PM
DRTËHIJA MIDIS SHPIRTIT DHE TRUPIT
(Remzi Limani, TAKIM PUTHJESH, Shtëpia botuese “Arsa”, Prishtinë 2015)
Remzi Limani me libri më të ri “Takim puthjesh” vjen krejt i mëvetësishëm, sidomos në planin e versifikacionit. Nëse poezinë e këtij vëllimi do ta gjenim si sintezë të erosit, pornos dhe dashurisë në planin tematik, struktura e vargut, pavarësisht dukjes dhe organizimit në strofa me katër vargje, ngulmon në Vargun e Bardhë.
Nga Adem Gashi
Remzi Limanin, duke e njohur që në krye të herës si piktor, nuk ishte krejt e papritur se mund ta takonim edhe në zhanre të tjera krijimtarie artistike. Varësisht nga mjetet shprehëse që ai përdorë (brushën, lapsin, penën...) marrin formë edhe përmbajtjet a substancat estetike. Unë nuk e di se ku ndahen e ku ngjizën motivet (kjo është pjesa e mistershme e laboratorit të krijuesit Limani), por e di se figuracioni i tij transponon ngarkesa shpirtërore me intensitet gjithandej. E gjej tek eseja, te romani, te piktura, te grafika, të vizatimi, te poezia...
Në “Takim
puthjesh” ai vjen krejt i mëvetësishëm, sidomos në planin e versifikacionit.
Nëse poezinë e këtij vëllimi do ta gjenim si sintezë të erosit, pornos dhe
dashurisë në planin tematik, struktura e vargut, pavarësisht dukjes dhe
organizimit në strofa me katër vargje, ngulmon në Vargun e Bardhë. Diçka që e
dinim tashmë të harruar që nga Kangjelet e De Radës, na vjen si rizbulim i një
vazoje antike. Fakti se Limani, kur e kur, përdor edhe asonancën dhe rimën e
brendshme, më bind në përzgjedhjen e qëllimshme të kësaj strukture.
Ky vëllim poetik sjell observimet e subjektit lirik përballë Kimerës – GRUA në variacione valeresh që i korrespondojnë dritëhijeve midis shpirtit e trupit.