Kulturë
Odise Gremo: Poezia e poezive
E merkure, 08.04.2015, 05:28 PM
POEZIA E POEZIVE
POEZI NGA ODISE P. GREMO
NË ËNDËRR
Nga deti e nxorra Atdheun të mbytur,
E mbajta në krahët e mi gjer në breg,
I fshiva gojën që rridhte gjak të kripur
Dhe pulsin e dorës i mata si mjek.
Pash sytë e Atdheut që u hapën një çast,
Dëgjova që më tha: Lerëm të vdes!
Unë e putha leht në ballin e vrazhdë
Dhe rashë mbi të, duke qarë me dënesë...
BISEDË ME NJË MIK
…Që thua ti, ta ngas muhabetin,
Të tillë shtet kemi, miku im,
Por ta heshtim bisedën me shtetin,
Të flasim për gratë dhe shtëpinë…
O mik, me gruan si e ke punën,
Se për punët e tjera janë zyrat e punësimit!
E pe në TV? Një burrë i hoqi gruas hundën,
E transplantoi në fytyrën e krimit!
Është koha që ta kemi mirë me gratë,
Pa shteti të thyejë kokën, siç e ka thyer,
Duhet të punojmë më shumë në krevat,
Se gratë s’na e lënë pa e shpërblyer.
DITË E BUKUR PËR TË VDEKUR
Dita është kaq e pastër, kaq e ngrohtë,
Sa kam qejf që të vdes.
Zot, merrëm sot
Dhe mos e prish kohën
Sa të shkoj në varrezë...
Se s’dua të vdes në një ditë shiu,
Që njerëzit të thonë: Qanë edhe qielli!
Le të vijë pranë varrit bariu,
Të më qajë me tingujt e një fyelli...
I DURUARI
Më pret në heshtje fija e rigonit,
Qëndron në këmbë gjer në fund,
Zverdhet e bie kokrra e limonit,
Durimin e humb.
Rigoni
përherë
Se veten s’e lëshon në tokë
Dhe shkoj pllajave e mbledh me duar,
Flas me rigonin si me një shok.
POEZIA E POEZIVE
Kjo është poezia e poezive,
Që ju poetë shkruani përditë,
Vargu juaj ka bekim perëndie,
Por ruhuni nga perënditë.
Ç’i duan poetët perënditë,
Poezitë e kanë të rënd hijen e tyre,
Xhevahir Spahiu për pak ua nxori sytë,
Me librin”Vdekje perëndive”...
Dhe thanë: ”Është krijues si ne”
Se perënditë dhe poetët janë lisa të gjallë,
Ndaj presin e përcjellin rrufe!
NUK DUA TË DUKEM
Nuk jam njeri që dua të dukem,
Jetoj me milingonat dhe hardhucën,
Nga kamerat fshihem, se druhem,
Mos më shohin të grisur këpucën!
Intervista s’pranoj asnjëherë,
Në studio më ftojnë vetëm ullinjtë,
Nuk kërkoj lavdi e nder,
Se veten nuk e bëj egoist.
Degët e blerta të hardhive,
Zgjatin mikrofonat mes parcelave,
Shkurt, u përgjigjem pyetjeve të tyre:
Takohemi në Shtator pas të vjelave!
NJË NUSE PËR SHEKULLIN
Shekulli është 14 vjeç,
Si thoni, e martojmë?
Kaq ishte edhe Gjinua,
Kur morri Marigonë...
Gjeni për Shekullin një nuse,
Një nuse për Shekullin tonë!
KËSHILLË
Mos u ekspozo,
Në rrezet e shpresës së vonë,
Në diellin e saj dogja trupin aq vite,
Tani asnjë krem lëkurën time s’e shëron,
Ndaj them: Ç’do shpresë që të vjen mbyte...
Vraje dhe hidhe në detin më të thellë,
Mjaft prej tyre jemi lodhur,
Kur shpresat e mia kujtoj
Më bëjnë që të vjellë,
Sikur shoh një bretkocë të ngordhur!