E shtune, 27.04.2024, 01:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Syrja Kurti: Për një njeri në turmë

E merkure, 08.04.2015, 06:33 PM


Për një njeri në turmë

-esse-

Nga Syrja Kurti

Mëngjesi im është i nxituar sepse si gjithnjë dal me vonesë ose sic thonë francezët "dernier moment".Duke shpejtuar hapat për të qenë në rregull me orarin kalimthi kthej kokën në këndin e afisheve dhe lajmërimeve për të parë emrat e atyre qe janë larguar nga kjo botë.Dhe shikoj një emër i cili më bëri të ndaloj ,të harroj orarin dhe gjithë gjerat e tjera që po më prisnin në atë moment.Kujtesa filloi rrotullimin mbrapsht deri sa ndaloi tek një datë....9 shkurt 1991....

...Ajo ditë nuk kishte nisur e zakonshme per Durrësin.Turma të mëdha njerëzish të ardhur nga rrethet kishin mbushur rrugët dhe skutat e qytetit që një natë më parë.Në ato kohë, lajmi qoftë i vërtetë ose i gënjeshtërt, dalë nga nga ndonje zyrë ose thjesht një thashetheme pijetoresh, shpërndahej shumë shpejt dhe tashmë ai kishte marrë dhenë."Do hapet Porti!"..Kjo ishte thirrja e turmave.Pra një dorë e kujdesshme kishte zgjedhur të bënte përplasjen e parë mes shtetit që mezi mbahej në këmbë dhe popullit që kërkonte lirinë e munguar prej vitesh.Dhe vend më të mirë se Durrësin dhe parullë më të përshtatshme se hapja e portit nuk besoj se kishte.

Duke parë situatën e krijuar bashkë me të ardhurit u bashkuan dhe shumë qytetarë të Durrësit dhe të fshatrave përrreth dhe turma nisi të fryhej e të fryhej.Pavarësisht se Partia Demokratike e Durresit nuk ishte strukturuar mirë dhe më shumë vepronte në bazë të njohjeve dhe grupeve të ndërrmarjeve e fabrikave, eksponentët e saj të momentit ju bashkuan turmës, më shumë për të qetësuar njerëzit që donin të mësynin portin dhe për ta mbajtur situatën nën kontroll aq sa të mundeshim .Sepse tashmë të pozicionuar në rrethimin e portit nuk ishin vetëm ushtarët e zakonshëm por dhe forcat e policisë së Durrësit dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.Mbërriten nga Tirana dhe forcat speciale të repartit të njohur 326.

Në një moment turma e stërmadhe doli jashtë kontrollit dhe askush nuk mund ta përmbante më.Njerëzit u sulën drejt portit dhe atëherë aty filloi përplasja.Që të jem më i saktë ajo nuk ishte përplasje por një përleshje e armatosur me të gjitha llojet e mjeteve, që nga shkopi i Adamit dhe Evës dhe deri tek shkopinjte e gomës prodhuar enkas për të të dëmtuar.Dhe pak nga pak ajo u shtri në gjithë gjatësine e rrethimit të portit detar dhe në rrugën tregtare.Duke perfituar nga epërsia numerike për një moment turma arriti të hynte brenda portit por pastaj forcat e policisë u shtuan dhe pas përleshjeve të ashpra ku pati të plagosur nga të dyja palët, turma nisi të tërhiqej tashmë e copëzuar.....të ardhurit ishin pozicionuar tek stacioni i trenit, ndërsa qytetarët e Durrësit nisën të tërhiqen drejt sheshit kryesor të ndihmuar edhe nga banorët e pallateve që qëllonin mbi policinë me cfarë të mundnin, vazo lulesh, pllaka, tulla dhe tjegulla.Madje atë ditë kam parë të fluturojë nga lart dhe një sobë e vjetër i zoti i së cilës ndoshta mendoi se ajo sobë nuk do i duhej më me ardhjen e pranverës që ishte në prag...

Dhe në ate shesh dhe në ato rrugë u përzien të gjitha, mllefi,hakmarrja, urrejtja e mbarsur e të dyja palëve, xhama të thyer, skafandra , qen dhe mburoja policësh,njerëz të gjakosur, makina zjarrfikëse që hidhnin ujë, megafonë që nuk dëgjoheshin fare por thjesht shtonin katrahurën me zhurmën e tyre..një perplasje e egër mes dy mendësive , mes dy botëve ku secila palë mendonte se kishte ajo te drejtën absolute me vete.

Dhe një moment u degjuan krisma....në mes të krismave të fishekëve manovër nuk u mor vesh se kush qëlloi me fishekë të vërtetë por pas pak turma ngriti një djalë të ri në krahë dhe e dërguan drejt spitalit.Njerëzit filluan të shpërndaheshin nëpër lagjet e qytetit dhe si gjithnjë në fund të cdo proteste një dore e kujdesshme "kujdesej" që të kishte sa më shumë dëme.Edhe ajo ditë nuk bëri perjashtim, u dogjën dyqane dhe u grabitën,u thyen xhama makinash, u permbysën autobusë madje u dogj edhe një librari.( Nuk e di se cfarë pune i prishnin librat atyre njerëzve por nejse)....

..Në turmë por dhe nga njerëz të ndryshëm pas protestës, flitej per disa të vrarë dhe plagosur me armë zjarri por unë të them të drejtën kisha parë vetëm një dhe u interesova të di më shumë për njeriun e plagosur dhe gjëndjen e tij. Ishte nje djalë 16 vjec që kishte dalë dhe ai të kërkonte të gjitha ato që i mungonin dhe që i ëndërronte me fantazinë e shfrenuar të një adoleshenti.Ishte plagosur në kokë dhe mjekët dyshonin që ai mund të mbetej i paralizuar për të gjithë jetën……..Pikëllim i vërtetë....

Pas nja dy vitesh e shoh atë djalë në rrugë dhe u gëzova që mund të ecte.Plumbi kishte lënë pasoja dhe ai nuk ishte më një njeri normal.Njërën këmbë dhe njërën dorë mezi i lëvizte dhe mbështetej në një shkop kur ecte.Ndërsa në fytyrë një nga sytë nuk e fshihte plagën e thellë të operacionit.Tashmë gjërat kishin ndryshuar , ata qe dikur bërtisnin në shesh "Liri-Demokraci" ishin në pushtet dhe unë e pyeta nëse ishte ndihmuar nga institucionet përkatëse në lidhje me gjymtimin e tij dhe a e kishte ndihmuar ndokush per te perfituar te pakten nje pension invaliditeti.Me tha qe po e sorollatnin te gjithe.Më erdhi shumë turp dhe kur i dhashë dorën për tu ndarë, nuk i ngrita dot sytë...

..Gjate viteve përsëri u ndesha me figurën e tij.E shihja me këmbën që e hidhte me zor, me dorën pothuajse të paralizuar dhe me bastunin e tij që e mbante me dorën e shëndetshme.Asnjeherë nuk mora guximin ti afrohesha më sepse nuk ishte zor të kuptoja përgjigjen që do merrja.Asnjë karrocë nuk i kishin afruar....të paktën të ishte i lirë në lëvizjet e tij!Ai ishte privuar nga shumë gjëra por te paktën ti jepnin atë që ai kërkoi...lirinë!

..Dhe pasi ai largohej e shihja vjedhurazi siluetën e tij të gjymtuar dhe keqardhja ime bashkohej me disa ndjenja të tjera dhe ajo ndjesia e përgjithshme ishte neveri, një neveri e thellë për te gjithë ata që kishin qenë atë ditë atje në shesh me të dhe sot kur mundeshin nuk lëviznin as dhe një gisht për të.Nuk ka gjë kush ishin dhe pse ishin aty, në anën e gabuar apo në të duhurën, heronj apo jo, bashkëpunëtorë , informatorë, ushtarakë a kushdo tjetër që ajo ditë e 9 shkurtit na kishte mbledhur aty.Të gjithë duhet të bënim dicka për të!Në emër të dhimbjes së përgjithshme!....Nuk ka rëndësi kush ishte ai, as si e kishte emrin,

Ai ishte njëri nga ne dhe secili prej nesh mund të kishte fatin të kerrusej mbi atë bastun te zi.......

....Dhe sot para lajmërimit të vdekjes së tij, kuptova që edhe brenda meje kishte vdekur një pjesë e imja...një epokë, një kohë... kishte vdekur një lëvizje që nuk arriti të bëhej dot kurrë revolucion sepse nuk e lanë te bëhej. Dhe ashtu si silueta e tij e gjymtuar, ashtu dhe shpirti ynë ishte tërhequr zvarrë nëpër kohë , mbajtur në një bastun të zi, duke trokëllitur në rrugët e këtij tranzicioni të shtrembëruar dhe tejzgajtur deri në neveritje....

…Një makinë që frenoi dhe për pak më shtypi përmbi vijat e bardha, më ktheu në kohën qe jetojmë..

..Pse duhet të nxitoj?...Punë e madhe se po shkoj vonë në punë....



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora