Kulturë
Kujtim Mateli: Ç'duhet të bëhet për turizmin kulturor
E diele, 06.10.2013, 01:58 PM
Ç`ËSHTË BËRË DHE Ç`DUHET TË
BËHET PËR TURIZMIN KULTUROR
Nga Kujtim
Mateli
Në diversitetin
e pasurisë kulturore europiane, një vend të rëndësishëm zë edhe Shqipëria.
Qytetet e saj si: Butrinti, Durrësi, Bylysi etj. , datojnë që nga fundi i
mijëvjecarit të dytë para lindjes së Krishtit. Mitologjia i lidh këto qytete me
heronjtë e luftës së Trojës apo heronj
të mitologjisë, çka i bën tepër interesantë në sytë e vizitorit apo të
turistit. Po edhe qytet e tjera kanë edhe ato mitologjinë e tyre të krijimit të
cilat, herë përputhen me të dhënat arkeologjike dhe herë jo. Turisti në përgjithësi
dhe veçanërisht turisti europian është i interesuar për këtë pjesë të Ballkanit
perëndimor, i cili në antikitet quhej Iliri dhe që është trualli ku banojnë
pasardhësit e tyre, shqiptarët e sotëm. Ndaj interesi për ekspozimin e këtyre
vlerave të rralla që ruan hapësira shqiptare, nuk është vetëm e jona, por është
interes europian, sepse aty janë gjurmët e kontinentit të vjetër, është
historia e kontinentit tonë të përbashkët.
Dëshmi të kësaj
historie janë qytetet historike apo qendrat arkeologjike të cilat dëshmojnë se
Shqipëria ka qenë e banuar jo vetëm disa mijëvjeçarë para Krishtit siç e
tregojnë varrezat tumulare, po ka patur qendrat e saj të banimit në këta
mijëvjeçarë. Objekt të këtij shkrimi
dua të bëj hapësirat në jug të Shqipërisë, sidomos ato qendra arkeologjike që
ndodhen në luginën e lumit Vjosa dhe luginës së Drinos.
Turistët që
vijnë për pushime në bregdetin jugor të Shqipërisë, nuk do të largoheshin të
kënaqur pa bërë disa vizita në këto Parqe arkeologjike siç janë: Parku Kombëtar
i Butrintit, Parku Arkeologjik i Apolonisë, Parku Arkeologjik i Bylis, Parku
Arkeologjik i Amantias, Parku Arkeologjik Orikum, Parku Arkeologjik i
Antigonesë apo qyteti muze i Gjirokastrës, i përfshirë në Listën e Trashëgimisë
Botërore të UNESCO-s në vitin 2005. Ky qytet apo parqet arkeologjike kanë
tërhequr dhe vazhdojnë të tërheqin një numër të konsiderueshëm turistësh dhe
në veçanti Parku Kombëtar i Butrintit, Parku Arkeologjik i Apolonisë dhe
qyteti-muze i Gjirokastrës.
Po me qendrat e
tjera arkeologjike të këtyre trevave cfarë bëhet? Nuk po ndalem në bregdetin
Jonian se, duke qenë më afër bregdetit, pushuesit e kanë më të lehtë t`i
vizitojnë ato. Po le të flasim për ato qendra në brendësi të vendit, të cilat
kërkojnë kohë për t`u vizituar dhe që ekspozimi i tyre duhet të jetë më i madh.
Gjirokastra është një rreth që tërheq turistë nëpërmjet kalasë së saj dhe
shtëpive karakteristike gjirokastrite. I njohur është dhe qyteti i Antigonesë.
Po aty gjenden edhe mjaft qendra të tjera që dikur kanë qenë qytete të
rëndësishme për kohën dhe që lidhen me periudha të rëndësishme të historisë së
popullit tonë. Rrënojat e Shtëpëzës që lidhen me qytetin Fanote dhe që ishte
qyteti i parë që ushtria romake e pushtoi në vitin 168 para Krishtit. Aty është
Hadrianopoli, gjithashtu i famshëm dhe i ndërtuar në kohën e Perandorit romak
Hadrian. Aty është kështjella e Kardhiqit, fortifikimet në Labovë të Madhe, në
Selo, qyteti në Malçan etj. Të gjitha këto qendra dhe të tjera, duhet të
ekspozohen, madje ekzpozimi i tyre i përbashkët, është i domosdoshëm. Disa qendra të banuara, që në antikitet ishin
qytete, flasin për shkallë të lartë qytetërimi për trevën në të cilën ato
ndodhen. E tillë ka qenë lugina e Gjirokastrës që nga antikiteti deri në ditët
tona. Po duke ekspozuar nga antikiteti Antigonenë, turistit i krijohet
përshtypja sikur rastësisht në kohët e vjetra në këtë luginë paska patur një
qytet.
Ndërsa rrethi i
Përmeti apo Lugina e Sipërme e Vjosës ka qenë gati e përjashtuar për të
ekspozuar para turistëve e vizitorëve perlat e saj. Rrotull qytetit të sotëm të Këlcyrës gjenden
tri kala që i përkasin antikitetit të mesëm (shek. III-II) para Krishtit. Po
asnjëra prej tyre nuk e ka parë dorën e arkeologut. Kalaja antike e Këlcyrës, e
Kuqarit dhe e Limarit, formojnë një
mozaik të antikitetit duke u kujtuar njerëzve se kjo hapësirë ka qenë tepër e
rëndësishme. Kalaja antike e Këlcyrës, në shpat të malit të Trebeshinës, 400
metra lartësi mbi qytetin e Këlcyrës, ka qenë e banuar që nga antikiteti,
përmendet nga autorët bizantinë si një
fortesë e rëndësishme ku mbahej një garnizon ushtarak dhe me këtë destinacion
është përdorur edhe nga Ali Pashë Tepelena, kur sundonte Vilajetin e Janinës.
Guri i qytetit (Përmet) me gjurmë nga antikiteti dhe i përmendur nga Stefan
Bizantini, do të ishte një tjetër ndalesë e turistëve.
Përmeti i jep
turistit dhe vizitorit dëshmi akoma më të vjetra: Tumat e Piskovës, Rapckës dhe
Argovës, vendbanimi i Dedejanit (i datur shek XV para Krishtit) apo Shpella e
Bënjës që nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit etj., e bëjnë Luginën e Sipërme
të Vjosës një vend tërheqës për këdo.
Lugina e Mesme e
Vjosës dhe që i përket rrethit të Tepelenës është e pasur me vende
arkeologjike, por edhe ky rreth nuk vizitohet për këtë pasuri. Kalaja e
Tepelenës, e ndërtuar nga Ali Pasha, ka vetëm dy shekuj jetëgjatësi, por ajo
është në gjendje të mjerueshme. Të lëna pas dore dhe në harresë janë
kështjellat e Rabies dhe Matohasanajt, fortifikimi i Dukajt e kalaja e Leklit.
Rrethi i Tepelenës mund të ishte një vend i vizitueshëm në të gjithë territorin
e tij, sepse në territorin e këtij rrethi ka kaluar rruga romake:
Apoloni-Hadrianopoli-Aktia Nikopoli. Për të gjetur trasenë e kasaj rruge është
punuar pak. Mund të thuhet se për të, më shumë janë marrë të huajt si
Hammond,N.G.L. se sa janë marrë shqiptarët. Gjetja e një segmenti të kësaj
rruge, nisur nga Apolonia e duke përshkruar luginën e poshtme apo të mesme të
Vjosës (dikur Aos)si dhe luginën e Drinos, kudo që të ndodhej ky segment apo
disa segmente, do të ishte me interes
për t`u vizituar .
Disi më ndryshe
paraqitet treva Apoloni-Bylys-Orik. Po edhe në këtë trevë ka mjaft vend për të
punuar. Qendrat arkeologjike të Amantias, Olympe, Kaninë, Klos etj., nuk janë
ekspozuar siç duhet. Në këtë hapësirë të Shqipërisë jug-perëndimore dhe sidomos
gjatë rrjedhës së lumit Vjosë (Aos) dhe Drinos (Keldyns), ku në antikitet
kishte më shumë qytete se sa ka sot, është e pafalshme që të punohet kaq pak
për turizmin kulturor. Shumë prej tyre nuk dihet se cilit qyteti i përkasin dhe
as bëhen përpjekje për identifikimin e tyre.
Po në këtë
territor gjenden një numër vendbanimesh që u përkasin periudhave prehistorike,
të cilat kanë interes për t`u vizituar. Një interes të veçantë paraqet edhe
periudha e Bizantit, sidomos me kishat e saj që gjenden kudo të këtë hapësirë
jug-perëndimore të Shqipërisë. Nëse do të listojmë të gjitha këto vepra, do të
shohim se nuk vizitohet as një e dhjeta e tyre. Po pse?
Turisti i huaj
nuk vjen në Shqipëri, nëse nuk gjen cilësinë e bregdetit ku do të pushojë, të
harmonizuar edhe me vendet që ai do të vizitojë. Uji dhe rëra janë afërsisht të
njëllojta kudo. Vetëm historia ndryshon. Kurioziteti është më shumë për të
njohur historinë dhe në këtë pikë puna e deritanishme ka qenë mjaft e mangët.
Mendoj se ka çaluar në dy drejtime.
E para:
infrastruktura rrugore ka qenë një ndër arsyet që e ka katandisur në këtë
shkallë të ulët turizmin kulturor. Sado e rëndësishme të jetë një qendër
arkeologjike, ajo bëhet e pavizitueshme, nëse i mungon rruga për të shkuar
atje. Shumë prej tyre nuk janë të lidhura me rrugë.
E dyta: guidat
turistike janë mjaft të thata dhe si të tilla nuk depërtojnë në tregun turistik
europian e më gjerë. Në guidat tona
reklamohen vetëm pak vende të cilat mund të vizitohen dhe, kush e ka vizituar
një herë, e sheh të paarësyeshme të bëjë dhe një vizitë të dytë. Ato lënë mjaft
për të dëshiruar në paraqitjen e tyre. Le ta ilustrojmë me një shembull, se si
është reklamuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në
faqen zyrtare të saj në këto 8 vite të qeverisjes së Sali Berishës, qyteti i
Butrintit.
“Butrinti është
përshkruar si mikrobota e historisë mesdhetare. Për shkak të vendndodhjes së
vet strategjike, Butrinti figuron në historinë e Mesdheut që nga Lufta e Parë e
Peloponezit gjer tek luftrat e Napoleonit në shek. 19. Qendra arkeologjike është pushtuar në mënyrë të vazhdueshme që prej
shek 8 P.Kr. monumentet e tij greke,
romake, bizantine, anzhuine, veneciane, otomane – pasqyrojnë këtë histori të
gjatë dhe komplekse”.( marrë nga faqja zyrtare e Ministrisë së Turizmit,
Kulturës, Rinisë dhe Sporteve)
Po si qëndron e
vërteta: Koha e themelimit të Butrintit i përket periudhës para Luftës së
Trojës (Shek XII para lindjes së Krishtit), ose më saktë në këtë periudhë
Butrinti ekzistonte.
Dionis Halikarnasi,
Historia e vjetër e Romës, libri II (51, 1)
Ankisi me anijet, u nis nga Ambraqia dhe, duke lundruar pranë bregdetit, arriti në Buthrot, liman i Epirit. …. Ardhjen e trojanëve në Buthrot e tregon edhe një kodër e quajtur Troja, të cilët ata e përdorën atëhere për të ngritur lëmin…”
Stefan
Bizantini, Mbi qytetet dhe popujt, Buthrotos.
Buthrotos,
gadishull afër Kerkyrës. Është edhe qytet. Disa thonë se emrin e mori nga
themeluesi; të tjerë tregojnë legjendën se emrin ia dha Heleni kur, duke
lundruar nga Troja për në perëndim, bëri fli për zbritjen e tij në Epir. Kau që
po përgatitej për fli, kur po e thernin, i shpëtoi thikës dhe iku me të shpejtë
përmes detit, hyri në një gji dhe doli në breg në një tokë të pabanuar (kishte
dhe një plagë në lëkurë) dhe atje ra dhe ngordhi. Atëhere Heleni e mori si
orakull dhe i vuri emrin Buthrotos, siç thotë Teukri nga Kyziku”.
Siç shihet të dy
historianët e antikitetit e vendosin Butrintin të themeluar para Luftës së
Trojës (shek. XII para lindjes së Krishtit). Po edhe sikur të jetë e vërtetë
legjenda me demin, themelimi i qytetit shkon në shekullin e XII para Krishtit.
Pra koha e krijimit të këtij qyteti është shumë më e vjetër nga ajo që na
paraqitet dhe mbi të gjitha ka dhe një veshje mitologjike që e bën tërheqës për
turistët.
Përveç kësaj ka
një pasaktësi shkencore ku thotë : “Qendra arkeologjike është pushtuar në mënyrë të vazhdueshme që prej
shek 8 P.Kr. monumentet e tij greke,
romake, bizantine, anzhuine, veneciane, otomane – pasqyrojnë këtë histori të
gjatë dhe komplekse”.
Pra Butrinti në
shekullin e VIII para Krishtit na qenka pushtuar dhe këta pushtues na qënkan
grekët sipas renditjes. Po cili është
burimi që mund të jetë mbështetur kjo Ministri e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe
Sporteve? Fjalori Enciklopedik shqiptar, Botim i Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë, e përshkruan saktë këtë periudhë. Zëri Butrinti fq 345.
“ Nga burimet e
shkruara përmendet për herë të parë nga Hekateu (fundi i shek VI para erës
sonë). Bënte pjesë në bashkësinë e Kaonëve e më vonë në shtetin e Epirit. Pas
pushtimit romak (167 para erës sonë) del në burimet epigrafike si kryeqendra e
koinonit të Parasaibëve, që ruajti për një kohë formën tradicionale të
administrimit autonom”.
Pra shihet qartë
që në të gjithë periudhën para Krishtit,
Butrinti ishte nën zotërimin e Kaonëve dhe Parasaibëve. Nga del konkluzioni që
ka qenë e pushtuar që nga shekulli i VIII para Krishtit?
Nga mënyra se si
vendosen pushtuesit, radhë njëri pas tjetrit, krijohet përshtypja (veçanërisht
te të huajt) se Butrinti nuk qenka banuar asnjëherë nga shqiptarët, por
pushtuesit kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, madje pushtim quajnë dhe periudhën e
Bizantit.
Po kujt i ka
shërbyer ky shtrëmbërim? Sigurisht që në këtë mënyrë kreditojmë padrejtësisht
të tjerët dhe pasojat bien mbi kulturën shqiptare. Nuk i dimë motivet nga nisen
disa individë për ta minimizuar kulturën shqiptare, për ta paraqitur atë si një
çorbë ballkanike e më tej. Mbi bazën e saj janë hartuar guidat turistike dhe
gjithë materiali tjetër me të cilën Shqipëria reklamon turizmin shqiptar në
botë. Sa i ka shërbyer turizmit kulturor shqiptar dhe vetë Shqipërisë një
institucion i rëndësishëm shtetëror që ndryshon realitetin, siç është Ministria
përkatëse?
Ka edhe arsye të
tjera që turizmi kulturor gjendet i paralizuar. Po le të bëhet pjesë e debatit
nga institucionet dhe individët që i kanë të lidhura interesat e tyre në këtë
fushë. Të bëhet një listim i plotë i tyre dhe për secilin objekt të
grumbullohet i gjithë informacioni duke gjurmuar burimet historike që lidhen me
secilin prej tyre. Kjo kërkon që të koordinohet puna e disa institucioneve,
koordinim që i ka munguar qeverisë së mëparshme. E rëndësishme është që ne kemi një pasuri të
jashtëzakonshme që duhet të sjellë të ardhura për ekonominë shqiptare dhe, e
trajtuar drejt historikisht, na vendos me dinjitet në bashkësinë europiane.