E enjte, 25.04.2024, 02:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Deliri...

E merkure, 02.10.2013, 07:59 PM


DELIRI…

Satirë

Nga Vangjush SARO

Në vitin e katërt, dhoma jonë në Qytetin e Studentëve pothuaj u bë njëlloj klubi, ku deri vonë pas mesnate flitej për letërsinë dhe dukuri të tjera të kohës…Disa nga ne kishin botuar që atëherë dhe vazhdonin të botonin. Një mbrëmje, na sollën atje një student të ri, të vitit të parë, që shkruante edhe ai. Nuk po jap asnjëlloj të dhëne tjetër, thjesht për arsye njerëzore. Në fakt, ai ishte një djalë simpatik, shumë pasionant, por disi në një fazë të mbingopur të krijimtarisë së vet ende krejtësisht të panjohur. Ai fliste kodra pas bregut. Ai gjendej në qiellin e shtatë. Tha se po shkruante një roman. Këshillat tona që t’ia fillonte me ndonjë skicë a tregim, i hynë nga njëri vesh dhe i dolën nga tjetri. Me fjalë tregoi nderim për ne, meqë kishim botuar diçka, por nëpër “reshta” ndihej fryma e njeriut të vetëkënaqur, që pretendonte të bëhej njëlloj Dë Rypambre1). Ai e ndjente veten të dashuruar pas letërsisë në atë mënyrë që atë s’e zinte gjumi, sepse ai mezi sa priste të gdhihej, ditë pas dite, orë pas ore; dhe kështu, të mëngjesohej një ditë i madh…Më ka ardhur shumë keq për atë njeri. Mbeti në disa provime. Nuk di ç’u bë më pas…

Në Kinostudio, aty nga vera e vitit 1986, në një ditë të bukur, anipse mjaft nxehtë, ca çapkënë, shoferë e kostumierë, (Kinostudio kishte 700 punonjës) panë se si një punëtor i kaldajës, pak mendjelehtë, kishte shkarravitur ca gjëra si pikturë në copa kartoni...Pemë. Lule. Diell. Nja dy njerëz me lopata. Çapkënët i propozuan atij të hapte një ekspozitë, atje në vend. I thoshin se mund të kishte sukses, mund të bëhej i madh...Kështu ndodhi vërtet; ata ia vendosën “pikturat” në një nga atelietë e Kinostudios; dhe ne shkuam ta vizitonim këtë ekspozitë…Herë i skuqur, herë i zverdhur, herë i nxirosur, ai kaldaisti i shkretë rrinte e dëgjonte dobiçët që bënin sikur diskutonin për vlerat e asaj ekspozite, dritahija, ngjyrat...“Piktori”, si i dalë nga ndonjë novelë e Çehovit, dëgjonte më vëmendje dhe dikur zu të ngatërrohej edhe në bisedë...Çfarë ke dashur të thuash me këtë? Me kët’ un kom dash me thon’...Sa interesante kjo! Është akuarel? Osht i ftu...(Ishte fjala për “një ftua”.)

Çdo kohë ka delirantët e vet. Kemi një sërë shfaqje deliri në vijëmësi: në letrat shqipe dhe në sjelljen e intelektualëve e politikanëve shqiptarë…Vjen një pikë kur tullumbacja publicitare, e fryrë si bretkosa e fabulës së lashtë, mund të pëlcasë. Ani. Ndokujt edhe i plas në dorë e nuk do t’ia dijë. Punë për të. Deliri sulmon dhe më pas fshihet në disa përsiatje gjoja filozofike, që autorë anonimë as vetë nuk e dinë kujt ia drejtojnë dhe duke harruar derëzeztë se emrat më të mëdhenj të kulturës botërore, filozofë e shkrimtarë, i kanë ezauruar në mënyrë shembullore temat përkatëse. Por deliri strehohet edhe te fotot, mandej i pëlqejnë deklaratat fshatareske, intervistat shterpë, krijimtaria me oh edhe aman-aman...Delir mund të ketë edhe në marrëdhëniet midis dy njerëzve, miqve, kur ata nuk e njohin mirë njëri-tjetrin dhe grishin fjalor të “çliruar” apo duke i bërë lajka njëri-tjetrit. Deliri e bën me krahë mediokrin; ai nuk kupton se ç’po ndodh, ngase shikon që disa shijevrarë i hedhin lule te këmbët. Dhe deliranti buzëqesh si në mjegull, a thua është thirrur të zëvendësojë J. Borhesin2), më e pakta H. Blumin3)...

Në romanin humoristik në proces “Mahnitja”, autori i këtyre radhëve ofron një vizatim këso: “Po po. Atje edhe ajri ishte i mbarsur me madhështi...Guraliu përdori për Fehmiun termin gjigand. Madje ai dukej pak mëdyshas që s’kishte mundur dot të gjente një fjalë edhe më shprehëse. Njëri nga revista “Kafene” tha se nuk ishte ndjerë kaq i prekur që nga leximi i romanit “Hiret e saj”, i autorit...Atij nuk i kujtohej autori. Por sot ne jemi kaq të gëzuar, shtoi ai. Sepse proza e Fehmiut, tha një tjetër, që i kishte ndërruar pijet, është e lartësuar si malet krenare të këtij vendi. Dikush ishte kaq i emocionuar dhe i pirë, sa deklaroi që ky libër e kishte bërë për të qarë...Madje ai filloi të qante edhe atje. Mirëpo sekush tha që ai e kishte pijen me të qarë...”

E të tjera...

Falemnderit për vëmendjen!

.........................................................................................................

1 - Personazhi kryesor i romanit “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve” i Balzakut.

2 - Shkrimtar shumë i njohur argjentinas.

3 - Profesor dhe kritik amerikan, i cilësuar si “luftëtari vetmitar në botën e kritikës letrare”.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora