Kulturë
Baki Ymeri: Daja, atdheu, nderi dhe dinjiteti
E hene, 30.09.2013, 07:03 PM
DAJA, ATDHEU, NDERI DHE DINJITETI
(Sadulla Zendeli Daja, Ditari i kujtimeve të paharruara, Albanezul, Bukuresht 2013)
Sadulla Zendeli Daja na e sugjeron atë marrëzi solemne të erës, të shiut, apo të furtunës së huaj që e ka vërshuar historinë tonë. Vargu i tij militon për harmoni universale. Në këtë pikëshikim, poezitë e tij me karakter satirik dhe patriotik, paraqesin një pasqyrë reale të shpirtit tonë.
Nga Baki Ymeri
Nuk mund të
krijosh moral ideal po qe se nuk jep kontribut ndaj atdheut tënd. Dashuria ndaj
Zotit dhe atdheut është si një oqean. Pas tyre, apo paralelisht me to, vijnë
nderi, dinjiteti dhe familja. Dhe jo vetëm kaq! Nuk jemi të ftuar për leksione
morale, filozofike apo patriotike, por për të nxjerrë në pah të vërtetën se
para nesh kemi një libër të mirë për freskimin e shpirtit. Një poet i sinqertë
përpiqet të krijojë vargje që në brendinë e tyre kanë gjallëri. Ku qëndron
forca e krijimit të autorit të kësaj vepre? Te sinqeriteti dhe parashtrimi i
lëndës me ide personale, duke mbrojtur traditat tona dhe bashkatdhetarët tanë
që nuk e shitën shpirtin duke iu nënshtruar pushtuesit osman apo sllav. Për një
mbrojtje të këtillë të guximshme, duhet
të njohish historinë shqiptare dhe vlerat universale. Libri më i ri i
Sadulla Zendeli Dajës, ”Ditari i kujtimeve të paharruara”, struktorohet në tre
cikle me lëndë poetike (Këngë dashurie, Sërmova e zemrës sime dhe Vargje
satirike). Në ciklin e katër, (Mendime kritike), Skënder Hasko vjen me
vështrimin ”Zemra dhe shpirti i trazuar i një mërgimtari shqiptar”, kurse Viron
Kona me portretin “Shqiponja e lirisë shqiptare në Suedi”.
Pasojnë mendime
tjera, vargje për Dajën dhe vlerësime të shënuara nga ambasadori i Shqipërisë
në Suedi, Shkëlqesia e Tij Shaban Murati, shkrimtarë, arsimtarë, linguistë e
atdhetarë, si: Premton Gërvalla, Fatmir Toçi, Violeta Hasani, Rizah Sheqiri,
Sokol Demaku, Shefkije Islamaj, Frashër Oseku etj. Libri hapet me poezinë
“Fjalëndrituri” të Zyrafete Manajt, pas të cilit pason parathënie e autorit të
këtij shkrimi, “Një libër i mirë për freskimin e shpirtit”. Në këtë kontekst,
në vend të biobibliografisë vlen të (ri)potencojmë se Sadulla Zendeli Daja nuk
është vetëm legjenda e gjallë e kulturës shqiptare në Suedi, por edhe autor i
disa veprave të mrekullueshme që mbeten si një sihariq në memorjen e historisë
sonë. Ndër to shquhet Fjalori Suedisht-Shqip me 950 faqe dhe 28.550 fjalë. U
lind në Sërmnovë të Gostivarit, me pregaditje shkollare dhe profesionale si
intelektual me ide përparimtare. Sipas Murat Gecajt, që heret nisi aktivitetin
e tij atdhetar duke iu kundërvënë në mënyra të ndryshme pushtetit të atëhershëm
komunist, i cili me çdo kusht tentonte t´i zhbëjë shqiptarët nga faqja e dheut.
Pikërisht aktiviteti i tij prej atdhetari u bë halë në sytë e regjimit të asaj
periudhe famëkeqe rankoviqiane, e cila
nisi ta ndjekë këtë atdhetar të devotshëm. Mu për këtë, Daja u shtërngua ta
braktisë vendlindjen dhe të kërkojë
strehim në Suedi (1966), në qytetin universitar Uppsala.
Fillimisht kreu kursin e paraprak të gjuhës suedeze, pastaj diplomoi për shkencat filozofike në Universitetin e Uppsalës, studioi dy vjet gjuhën shqipe në Universitetin e Sofjes (dega e Albanologjisë, duke patur për shef të katedrës albanologjike, profesorin e ndjerë Thoma Kacorri). Në ndërkohë kreu shkollën e lartë Bibliotekare (Drejtimi Universitar dhe i Sipërmarrjeve) në Borås. Një kohë punoi si shef i biblotekave të shkollave në Nybro. Aty pa se gjëja më e shtrenjtë për fëmijët është ruajtja dhe kultivimi i gjuhës dhe traditave kombëtare. Mu për këtë u angazhua për hapjen e shkollave shqipe për fëmijët e mërgimtarëve tanë. Dhe jo vetëm kaq. Daja ka botuar edhe një varg veprash letrare, doracakë e fjalorë që e kanë bërë të famshëm tejmatanë kufinjve të atdheut. Ku qëndron vlera e vëllimit të tij të dytë me poezi?
Vargje që
nxjerrin në pah një pasqyrë reale të shpirtit shqiptar
Daja vjen para
nesh me një album të ri poetik, ku reflekton dashurinë ndaj vendlindjes, mallin
e mërgimtarit, fshikullimin e fanatizmit dhe kultivimin e atdhedashurisë
shqiptare. Autori nis misionin e tij nëpërmjet shtretërve origjinalë të lirikës
patritoke të rilindësve tanë, Naimi, Çajupi, Noli, Konica e të tjerë. Në
vargjet e tij defilon një botë e përbujshme sentimentale, apo: „zogjtë që ta
shtrojnë folenë”, për ta zbukuruar mëmëdhenë. Shprehja e tij është e sinqertë
dhe pa aksente artificialiteti. Ja se si e justifikon Mërgim Vardari kapitull
me vargje satirike dhe mllefin e tij ndaj fanatizmit fetar: “Pse të heshtim
para hajnave që e morrën nëpërkëmbë gjuhën e shenjtë shqipe, duke i vrarë e
masakruar shkrimtarët tanë të parë! Pse të heshtim para klerikëve “tanë” që
përfolin femrën shqiptare sipas teorisë së tyre famëkeqe: mbulo femrën, mos fol
me meshkuj, dhe kurr vdes femra varri
t´i bëhet më i thellë se varri i
mashkullit! Një nënçmini i paparë kundër motrave e nënave tona, bashkëshorte që
kanë lindur fëmijë, i kanë rritur dhe i kanë bërë trima të luftojnë për Ilirinë
tonë. Femra shqiptare ka luftuar së bashku me mashkullin të mbrojë mëmëdhenë.
Në këtë
kontekst, penda e krijuesve tanë gjithmonë ka triumfuar në çdo fortunë që vjen
e shkon. Sadulla Zendeli Daja inkorporohet në kategorinë e shqiptarëve më të
vlefshëm të diasporës sonë. Patriotizmi shqiptar nuk është një dobësi
sentimentale, por një detyrë burrërore. Burrat e kombit shkruajnë, botojnë dhe
afirmojnë. Njëri nga ata është edhe gostivarliu ynë i i famshëm i trojeve
skandinave. Daja është njeriu që nuk u nda kurrë nga arsimi dhe çështja
kombëtare shqiptare. Sipas Zyrafete Manajt, Paqa fle në fjalët e tij. Daja
është zemra e atdheut dhe djep´ i Iliridës së lashtë, që për besë fjalën e ka:
“Një urtësi që ndal dhe erën? Breshëritë diellin ia tregon/ Me fjalë që gurit
ia zbut forcën/ Paqën e lidh në kurorë/ Dhe një mall që djeg si prush/ Zemrën
tënde e zhurit/ Në atë tokë ku don që t´prehet trupi yt/ Flamurin shok do ta
kesh/ Shqipja gjoksin të ta ledhatojë/ Në këtë shtet të veriut në glob/ Na
solle pak Shqipëri.”
Daja shkruan
vargje të një natyrshmërie që i ka hije, të prehta herë pas here, ashtu siç
derdhen ujërat e lumenjve të bjeshkës, apo siç e shpreh edhe malësori i
thjeshtë të vërtetën se ”të parët tanë dikurë kanë qenë latinë”, domethënë
katolikë. Nuk ka asgjë të keqe në këtë kontekst, por një e vërtetë që ta thot
të vërtetën se ne nuk jemi ithtarë të fanatizmit islamik apo kristian, por
shqiptarë të vërtetë që nuk bëjmë dallime dhe që e duam njëri-tjetrin pa marrë
parasysh se kujt i beson, Zotit shqiptar apo Allahut turko-arab. Sadulla
Zendeli Daja na e sugjeron atë marrëzi solemne të erës, të shiut, apo të
furtunës së huaj që e ka vërshuar historinë tonë. Vargu i tij militon për
harmoni universale. Në këtë pikëshikim, poezitë e tij me karakter satirik dhe
patriotik, paraqesin një pasqyrë reale të shpirtit tonë.