E enjte, 28.03.2024, 09:01 AM (GMT)

Kulturë

Vera Istrefaj: Mbetur jam në pritje

E diele, 29.09.2013, 04:26 PM


Mbetur jam në pritje

Vera Istrefaj

Kukës, qershor 2008

*1
Në palë të flokut
Ta kam fshehur prekjen
E xheloze bëhem
Kur e përkëdhel erë e malit.
Gërshetat i kam shprishur
Për t’u vënë
Kurorën e mallit.
Xhevahir të rrallë
Kam prekjen tënde
Në palë të flokut
Lodruese mbi ballë

*2
Të lë takim
Në pikën e vesës,
në orën e trokitjes së zemrës.
Në pikë të djersës
Ta kam mbytur
Humbjen e shpresës
Dhe,
Në pikë të lotit
Kam pritjen për ty
Kripëzuar

*3
Jam në pritje.
Tringëllimën e telefonit
e kam në veshë.
Çfarë pres?!
Ah,
thirrjen tënde pres.
Nuk di
ç’do të më thuash
pas receptorit në vesh.
Prej kohësh
më cingëron tringëllima
Mbetur jam në pritje.
Nëse do të më thuash
që bëra gabim
e kuptoj.
Nëse do të më mbështesësh
e di pse.
S’ka rëndësi ç’do të thuash
veç të mos zgjasë kjo pritje,
kjo tringëllimë e heshtur.
Zhytur jam në punë
e luks për mua janë
mendimet në qetësi.
Ngrije receptorin,
kjo ka rëndësi.
Nuk mund t’i lë gjërat pa emër.
Pas thirrjes tënde
një mendje të hapur do të gjesh
dhe një të tillë zemër
Unë po pres

*4
Sot më trokiti në derë
një ligësi
Lehtas arriti të më ulet
në vatër
Ma cingërrithi
butësinë e shpirtit.
Më është ulur
këmbëkryq
e më zgërdhihet
e paemra ligësi,
e, veç lotin kam stoli
Thuamë e paemër
ç’do të sjellësh në jetë
se je femër
Do zoti
mbetesh shterpë
me hazdisjen tënde.

*5
Filloi vjeshta
të më flasë
me fëshfërimën e gjetheve.
Zogjtë
nxitojnë të prehen
mbi ngjyrat e fundme
të saj
Me gjuhën e pëshpërimave
zogj e gjethe
më flasin.
Ma ka zgjatur dorën
mirësia
si nëna bijve të saj.
Poshtë qerpikëve
një lot kristal
rrrjedh pastaj.

*6
Do ta shurdhoj botën
me heshtjen time.
Dashakeqësit
zvarrë do ti tërheq
gurëve të jetës
thep më thep
të butësisë që kam,
që më step.
Në ëndërra do tu dal
herë engjëll, herë djall.
Mbretëroj sallon madhështor,
në 49 metra katror.
Rrethuar jam me thjeshtësi
Kurora e dashurisë
më ka hijeshi
Fuqi më japin
dy engjëjt,
djemtë e mi

*7
Shpeshherë
buzët më vrapojnë
drejt rrëfimit
dhe ndalen të kafshojnë
njëra-tjetrën
Heshtje.
Përlotja
më krip plagën e shpirtit

*8
Dhimbjen time
çdo ditë
e ujis me shpresë
dhe ëndërrat
vetëm me buzëqeshje.
Në çdo moment
jam vetja
e për zili
s’më zë etja.
Gjurmët e dhimbjes
as bora e sivjetshme
nuk i mbuloi.
Yllin e mëngjesit
strehuar kam në gji
për të më ndriçuar
natën me stuhi


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora