| E merkure, 02.10.2013, 07:59 PM |
DELIRI…
Satirë
Nga Vangjush SARO
Në vitin e katërt, dhoma jonë në Qytetin e Studentëve
pothuaj u bë njëlloj klubi, ku deri vonë pas mesnate flitej për letërsinë dhe
dukuri të tjera të kohës…Disa nga ne kishin botuar që atëherë dhe vazhdonin të
botonin. Një mbrëmje, na sollën atje një student të ri, të vitit të parë, që
shkruante edhe ai. Nuk po jap asnjëlloj të dhëne tjetër, thjesht për arsye njerëzore.
Në fakt, ai ishte një djalë simpatik, shumë pasionant, por disi në një fazë të
mbingopur të krijimtarisë së vet ende krejtësisht të panjohur. Ai fliste kodra
pas bregut. Ai gjendej në qiellin e shtatë. Tha se po shkruante një roman. Këshillat
tona që t’ia fillonte me ndonjë skicë a tregim, i hynë nga njëri vesh dhe i dolën
nga tjetri. Me fjalë tregoi nderim për ne, meqë kishim botuar diçka, por nëpër “reshta”
ndihej fryma e njeriut të vetëkënaqur, që pretendonte të bëhej njëlloj Dë
Rypambre1). Ai e ndjente veten të dashuruar
pas letërsisë në atë mënyrë që atë s’e zinte gjumi, sepse ai mezi sa priste të
gdhihej, ditë pas dite, orë pas ore; dhe kështu, të mëngjesohej një ditë i
madh…Më ka ardhur shumë keq për atë njeri. Mbeti në disa provime. Nuk di ç’u bë
më pas…
Në Kinostudio, aty nga vera e vitit
1986, në një ditë të bukur, anipse mjaft nxehtë, ca çapkënë, shoferë e
kostumierë, (Kinostudio kishte 700 punonjës) panë se si një punëtor i kaldajës,
pak mendjelehtë, kishte shkarravitur ca gjëra si pikturë në copa kartoni...Pemë.
Lule. Diell. Nja dy njerëz me lopata. Çapkënët i propozuan atij të hapte një
ekspozitë, atje në vend. I thoshin se mund të kishte sukses, mund të bëhej i
madh...Kështu ndodhi vërtet; ata ia vendosën “pikturat” në një nga atelietë e
Kinostudios; dhe ne shkuam ta vizitonim këtë ekspozitë…Herë i skuqur, herë i
zverdhur, herë i nxirosur, ai kaldaisti i shkretë rrinte e dëgjonte dobiçët që
bënin sikur diskutonin për vlerat e asaj ekspozite, dritahija, ngjyrat...“Piktori”,
si i dalë nga ndonjë novelë e Çehovit, dëgjonte më vëmendje dhe dikur zu të
ngatërrohej edhe në bisedë...Çfarë ke dashur të thuash me këtë? Me kët’ un kom
dash me thon’...Sa interesante kjo! Është akuarel? Osht i ftu...(Ishte fjala për
“një ftua”.)
Çdo kohë ka delirantët e vet. Kemi një
sërë shfaqje deliri në vijëmësi: në letrat shqipe dhe në sjelljen e
intelektualëve e politikanëve shqiptarë…Vjen një pikë kur tullumbacja publicitare,
e fryrë si bretkosa e fabulës së lashtë, mund të pëlcasë. Ani. Ndokujt edhe i
plas në dorë e nuk do t’ia dijë. Punë për të. Deliri sulmon dhe më pas fshihet
në disa përsiatje gjoja filozofike, që autorë anonimë as vetë nuk e dinë kujt
ia drejtojnë dhe duke harruar derëzeztë se emrat më të mëdhenj të kulturës botërore,
filozofë e shkrimtarë, i kanë ezauruar në mënyrë shembullore temat përkatëse.
Por deliri strehohet edhe te fotot, mandej i pëlqejnë deklaratat fshatareske,
intervistat shterpë, krijimtaria me oh edhe aman-aman...Delir mund të ketë edhe
në marrëdhëniet midis dy njerëzve, miqve, kur ata nuk e njohin mirë njëri-tjetrin
dhe grishin fjalor të “çliruar” apo duke i bërë lajka njëri-tjetrit. Deliri e bën
me krahë mediokrin; ai nuk kupton se ç’po ndodh, ngase shikon që disa shijevrarë
i hedhin lule te këmbët. Dhe deliranti buzëqesh si në mjegull, a thua është
thirrur të zëvendësojë J. Borhesin2), më e
pakta H. Blumin3)...
Në romanin humoristik në proces
“Mahnitja”, autori i këtyre radhëve ofron një vizatim këso: “Po po. Atje edhe
ajri ishte i mbarsur me madhështi...Guraliu përdori për Fehmiun termin gjigand.
Madje ai dukej pak mëdyshas që s’kishte mundur dot të gjente një fjalë edhe më
shprehëse. Njëri nga revista “Kafene” tha se nuk ishte ndjerë kaq i prekur që
nga leximi i romanit “Hiret e saj”, i autorit...Atij nuk i kujtohej autori. Por
sot ne jemi kaq të gëzuar, shtoi ai. Sepse proza e Fehmiut, tha një tjetër, që
i kishte ndërruar pijet, është e lartësuar si malet krenare të këtij vendi.
Dikush ishte kaq i emocionuar dhe i pirë, sa deklaroi që ky libër e kishte bërë
për të qarë...Madje ai filloi të qante edhe atje. Mirëpo sekush tha që ai e
kishte pijen me të qarë...”
E të tjera...
Falemnderit për vëmendjen!
.........................................................................................................
1 - Personazhi kryesor i romanit “Shkëlqimi
dhe mjerimi i kurtizaneve” i Balzakut.
2 - Shkrimtar shumë i njohur
argjentinas.
3 - Profesor dhe kritik amerikan, i cilësuar
si “luftëtari vetmitar në botën e kritikës letrare”.