Kulturë
Hyqmet Hasko: Prerje vertikale e historisë
E merkure, 02.10.2013, 06:49 PM
Shqyrtim analitik rreth librit “Devoll Albania-sprovë-panoramë” i shkrimtarit dhe studiuesit të talentuar Luan Kalana
Prerje vertikale e historisë dhe përditshmërisë së një treve atdhetare
Nga Hyqmet HASKO
Ai që në këto
njëzet e ca vjet është quajtur procesi i rishkrimit të historisë, ose më saktë
i plotësimit dhe saktësimit të ngjarjeve historike, (pasi historia në vetvete
vetëm një herë mund të shkruhet), ka rezultuar një proces i vështirë, që jo
gjithmonë ka çuar ujë në mullirin e të vërtetës historike. Por ka autorë dhe
tekste që kur e thonë fjalën, e vënë pikën mbi “i”. Këto të vijnë ndërmend si
pësiatje kur lexon një libër të mirë, të shkruar me sharm dhe realizëm, një
libër ku mplekset dokumenti, fakti arkivor, kujtesa e të gjallëve dhe e të
vdekurve, me një stil të zhdërvjelët dhe kolorit të pasur gjuhësor. Një libër i
tillë, që të nxit ta lexosh me një fymë dhe t’i kthehesh për ta rilexuar, si
një zbulim, është libri “Devoll Albania sprovë panoramë” i shkrimtarit dhe
studiesit të talentuar Luan Kalana.
Ky libër i
kushtohet njërës nga trevat më mbresëlënëse të trojeve etnike shqiptare,
Devollit të pushkës e penës, të trimërisë e sakrificave, të poetëve më në zë
dhe martirëve të lirisë, treva që qëndron si një kurorë lavdie e përjetësie për
nga intensiteti i bëmave në trupin dhe kokën dhe Shqipërisë sonë Natyrale.
Dhunti e
mrekullisë së nënës natyrë, me një peizazh mahnitës, një perlë shqiptare e pse
jo ballkanike dhe europiane, me thyerje dhe befasira të paimagjinueshme,
Devollin e bëjnë më interesant dhe më sugjestiv vetë devollinjtë, njerëz të
urtë e punëtorë, të penës e të dijes, të atdhedashurisë, me gjurmë të mbetura
në vite e shekuj qëndrese të pashembullt. Për shkak të këtij vektori historik
dhe kombëtar, çdo tentativë për të dëshmuar të vërtetat e Devollit, ku bën
pjesë dhe ky libër aq intersant, mund të ishte vetëm një pjesë e atij spektri
mrekullor, me të cilin na shfaqet kjo krahinë e bekuar nga nëna natyrë dhe vetë
dora e Krijuesit.
Pasi bën një
udhëtim gjeotoponimistik, gjeopsikik dhe etokulturor, duke evidentuar traditat
më të mira të kësaj krahine, autori përmend figurat më në zë të Devollit, që
nga poeti kombëtar Dritëro Agoli, që e ka mbartur Devollin e tij kudo ku ka
vajtur, si një peng malli e dashurie të pashterur, (autori me të drejtë e quan
Homer i trojeve shqiptare), vazhdon me burra të luftës e të punës, me trima e
patriotë të sprovuar, duke rreshtuar faqe pas faqeje fakte e dokumenta, që
hedhin dritë mbi bëmat e tyre.
Kushdo që kupton
nga bota e librave, e di që ndërmarrja e
një botimi të tillë, për një krahinë kaq të ngjeshur në vlera dhe resurse
kombëtare, është një ndërmarrje e vështirë. Por autori ia ka dalë mbanë, duke
na përcjellë historinë e vjetër dhe të re të Devollit, në rrafsh vertikal, me
një pasuri ngjarjesh, panoramash, figurash, që popullojnë faqet e këtij libri.
Ky libër është
dëshmi e jetëve dhe shpresave njerëzore, të jetuara jo thjeshtë për vete, për
familjen, për farefisin, por për gjithë Devollin, Korçën e e Shqipërinë, për të
cilat rrojtën me nder e dinjitet poetët, heronjtë, martirët, njerëzit e lirë të
kësaj treve historike.
Duke udhëtuar
nëpër Devoll, në fshatrat e tij, autori takon personazhe të gjallë e të vdekur,
takon fise e dyer me emër, burra të njohur e më pak të njohur por që kanë në
shpirt orën e kurdisur të dashurisë njerëzore. Kalana që jeton larg në SHBA, në
Florida, ka mall, ka një nevojë të ngutshme për t’u rrëfyer, për të kuvenduar
me Devollin e tij, ka një nevojë po aq
të ngutshme, bile të papërballueshme për t’iu rrëfyer çdo guri e druri, çdo
luleje e dege, çdo frymori që gjallon në këtë tokë të bekuar.
Shkrimtari kryen
një mozaik kërkimesh të vevetishme në shpirtin e fshehtë të gjërave, të
pamjeve, mjediseve, dukurive, gjendjeve dhe peizazheve jetësore, tokës,
bjeshkës, ëndrrës, komunikmit dhe ndjesive njerëzore, ku autori vendos kamerën
e tij vëzhguese dhe interpretative, si bartës i një psikolgjie moderne të
njeriut bashkëkohor shqiptar.
Luan Kalana
është një letrar dinjitoz, një zë i veçantë në korin shumëzërësh të letrave
tona kombëtare. Me këtë libër ai tregon jo vetëm njohje të thellë të objektit
për të cilin shkruan, por dhe një stil të përpunuar letrar, me fjali të pasura
në kolorit gjuhësor, me figura të zhdërvjellëta dhe dinamike, që e shikon
historinë herë në rrafshin horizontal, herë në atë vertikal.
Këndi e stili i
rrëfimit plot ngjyra, personazhet që përbëjnë dhe objektin e ndriçimit të tij,
sjellin tek këndonjësi i çdo moshe një kënaqësi të thellë estetike dhe japin
qartë panoramën e një kohe të jetuar, tamam ashtu siç ishte. Copëza jetë për
njerëz të dëgjuar e të thjeshtë, portrete të qëndisura për bujq, minatorë,
traktoristë, poetë, mjekë, ndërtues, gazetarë, barinj, mësues të nderuar,
drejtues të ndryshëm, artistë, sportistë etj.
Kohërat gjithnjë
paraqesin sfidat, mitet dhe komplekset që rrjedhin prej tyre, nëpër udhëkryqet
shënohen si piketa ngjarje historike, njerëzit janë të dënuar të qëndrojnë në
këto udhëkryqe për të ecur para, ose për të ndalur në vend. Sepse gjithë jeta është
një lëvizje e pashtershme në këtë histori. Në librin e këtij autori lëvizin si
të gjallë njerëz të thjeshtë duke u bërë personazhe të kohës me një projeksion
historik të caktuar, njerëz të pushtetit e të qeverisë, njerëz që ruajtën
karakterin e ata që u molepsën. Kujtesa e fiksuar në shumë përvoja shtjellohet
përmes një principi të palëkundur: vërtetësia jetësore. Nuk është vështirë të
hetohet qëllimi i autorit i mbështetur fort në një lëndë të pasur jetësore, për
t`i sjellë këto personazhe në dritëhijet e kohës, komplementarë siç janë, larg
skemave dhe gjykimeve të skajshme, ashtu siç u ravijëzuan në të vërtetë, duke i
qëndruar besnik koloritit kohor, po edhe theksimeve të sotme aktuale, me idetë
që përçojnë përmes besës, burrërisë, karakterit, vetëdijësimit krahinor po edhe
kombëtar.
Nuk ka dyshim se
hulumtimiet e autorit në fusha dhe spektre të ndryshme historike dhe aktuale
janë një dëshmi kokëfortë e një
realiteti që nuk bën të mos e ndjesh, as mos e perceptosh, aq më keq ta
anashkalosh.
Pasuria e
emrave, përmendja e tyre me korrektësi duke i vendosur në shtratin e viteve,
sfondi i kohës me ngjyresat e caktuara ideologjike, pa bërë retush, përmes
vëzhgimit të hollë të një realisti po edhe të një intelektuali që e ka për
kujdes fjalën në të vërtetën e vet është një tjetër veçori e prosedeut
shtjellues në këtë libër.Ngjarja e treguar nga të tjerët, përkuar me ndodhitë e
jetës përmes mikëpritjes apo rastësive, lënë shteg për të nxjerr në pah
karaktere të caktuara të të vetëdijshëm
për kuptimet patriotike, për fjalën e saktë jehona e së cilës do të mbahet mend
gjatë. Mund të themi se kemi një galeri njerëzish që portretizohen përmes njohjes së autorit që është e pasur, e
nga kjo pasuri , portretet shpëtojnë nga standartizimi i përshkrimit duke u
bërë interesantë sepse ata më së shumti i përkasin larmisë së jetës sesa
larmisë së imagjinatës dhe përfytyrimit për to. Mozaiku i pamjeve të jetës që
duket sikur rrinë më vete, po në të vërtetë plotësojnë njëra tjetrën, synon në
plotësimin e manifestimit më të mundshëm të dashurisë njerëzore, të dëshmisë së
shkruar për mbijeteësn historike dinjitoze të Devollit, kryemburrjes së autorit
atje larg në dhe të huaj, ku bashkëbisedon me gurët dhe njerëzit, me të gjallët
dhe të vdekurit që kanë hyrë në histori…