E premte, 26.04.2024, 05:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Drama vendore larg asaj botërore!

E shtune, 14.09.2013, 09:00 PM


Drama vendore larg asaj botërore!

Nga Dr. Ilir Muharremi

Sa herë që përmendet dramaturgjia shqipe, apo sa herë regjisorët përpiqen të inskenojnë ndonjë vepër shqiptare, kritika, debatet gjithnjë alarmojnë cilësinë, duke shprehur neglizhencën e mosvlerës kombëtare. Përse ndodh kjo? Mbi çka ndërtohen temat? A janë efektive, a trajtohen në formë konkrete të thellë? Temat të cilat trajtojnë dramaturgët shqiptar prekin të kaluarën, por disa edhe të tashmen mbi përshkrimet shpirtërore, poetike të personazheve të një vizatimi ironik, satirik, shpesh herë dramatik, por edhe tragjik. Ato më shumë i nënshtrohen fjalës sesa veprimit, problemi nuk është konkret, materia e cila shpërfaqet në faqet e para të tekstit trajtohet vetëm në formë gjysmake, anashkalohet me një dialog tjetër. Mungon vëmendja reale jetësore, të ekzistencës, të natyrës, njeriut, globalizmit si dhe digjitalizimit. Ndoshta edhe është mungesë e përvojës së lexuarit drama, por kjo përvojë mund të shndërrohet në rrezik ndikimi. Për mos t’u shndërruar në këtë rrezik, krijuesit tanë, nuk duhet ta valëvitin penën vetëm për të mbushur faqet, dhe për të rënduar publikun. Krijuesit tanë pak motivohen, për t’u bërë të mprehtë në krijimtari, duhet shkallmuar moralin, shkoqit të pamundurën, të përjetohet absolutja shpirtërore, të ketë rrugëdalje situata praktikisht, gjithnjë nën oazën subjektive. Thjeshtë një propagandë shpirtërore, dinamike, përmbajtje të thellë me të cilat çdo njeri në botë ballafaqohet. Drama nuk prodhohet për një copë bukë, qëllimin e ka tek shpirti e pastaj tek inskenimi. Veprimi i saj, qoftë femëror apo mashkullor, duhet ta përfaqësoj një jetë të tërë brenda skenës. Nuk duhet të jemi të ngopur, sepse atëherë jemi të paditur, përkundrazi, kjo gjini letrare kërkon urinë. Asnjëherë veprat e mëdha nuk janë krijuar me barkë të ngopur. Disa dramaturgë shqiptarë më me nam si: Kolë Jakova i cili  shkroi drama: “Lulet e shegës”  “Përmbytja e madhe”, “Halili dhe Hajrija” etj... Ai gjithnjë ishte i sfiduar nga konfliktet politike, ekonomike. Temat e dramave ishin historike, të familjeve me dashuri kundër zakoneve të fejesave. Edhe jeta e fshatarëve ishte një nga problemet. Josif Papagjoni njëri ndër kritikët më me nam shënon: “Thurja kompozicionale e dramave të K. Jakovës ndjek përgjithësisht parimin e dramës “Klasike”, tradicionale, realiste, me shtjellimin linear të ngjarjeve...” (Josif Papagjoni, “Historia e teatrit Shqiptar”, Tiranë, 2011, fq:185). Fadil Pacrami, dramaturg i njohur i periudhës së diktaturës. Dramat: “Në tufan”, “Mbi gërmadha”, “E bardha dhe e zeza”, “Rrugëve të pashkelura” etj. I nënshtrohen një rregulli, të mitologjisë politikës dhe atdhetarizmit. I dënuar me 25 vjet burg nga diktatori Enver Hoxha, dukshëm në vepra dallohet shpirti shqetësues, konservimi i padrejtë ndaj tij, dhe e veçanta e veprave të tija është loja në mes asaj: për dhe kundër, ftohtë dhe nxehtë. Fadil Kraja, poashtu dramaturg i njohur me dramat: “Çështja e Blertës”, “Djem të mbarë”, “Në udhën e jetës”, “Rozafa”, “Kur flasin zemrat”, “Luani i shtëpisë” etj.., Veprat e tija janë optimiste duke u cilësuar nga kritikët si patetike ku shprehet virtyti, morali dhe zakonet. Teki Dervishi, dramaturg i njohur kosovar , veprat e të cilit janë inskenuar në teatrin Kombëtar të Kosovës.  Dramat si “Zbutësi i njerëzve syzymrydë”, “Dritarja e zymtësisë”, “Pasqyrat e zhgënjimit”, “Eshtrat që vijnë vonë”, drama që marrin një kahe individuale, por edhe kolektive. Pasqyrimi historik, etnokultura, vuajtje e thellë, janë abstraktet tematike të dramave. Fati i njeriut shqiptar endet mbi barrën e rëndë dramatike. Beqir Musliu, dramaturg shkrimtar dhe njëri më me zë tek ne në Kosovë. Dramat: “Unë Halil Garria”, “Faustina”, “Ora e kukuvajkës” etj.. Ngritën mbi ngjarjet e ekzistencializmit, historisë. Të gjitha gufojnë si realitete tragjike, metaforike por jo konkrete. Rexhep Qosja, dramaturg, por edhe studiues i letërsisë, akademik. “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Vdekja e një mbretëreshe”, “Gala”. Shpalosin fatin e njeriut, historisë së kombit shqiptar. Qëllimi i dramaturgjisë së Qosjes është përpjekja për të fluturuar përtej mitit, dhe futur në realitetin historik. E shkuara bëhet lëndë e mistikes dhe na vije nëpër baza të kthjellëta. Ndërkaq, dramaturgjia botërore krahas me atë kombëtare merr pothuajse një kahe tjetër. Henrik Ibsen,i guximshëm i cili ishte përpjekur të nxirrte para gjyqit letrar shoqërinë borgjeze moderne. Borgjezia mbetet poshtërsi dhe ndyrësi. Kjo më së miri vërehet tek figura e Brandit në dramën “Brand”. Brandi bënë thirrje për të luftuar me të gjitha forcat për jetë a vdekje. Ai i dedikohet njeriut, asaj që u tha më parë pavdekshmërisë, prandaj dramat e tija si: “Armiku i popullit”, “Zonja Ingra e Ostrotit”, “Perr Gynt”, “Shtëpi kukulle”, “Hijet”, “Rosa e egër”, etj.., janë një përfytyrim i plotë mbi karakteristikat ideo estetike. Anton Pavllovic Cehov dramaturg i pavdekshëm i njohur me dramat: “ Ivanov”, në pah del figura e njeriut të ndershëm që do t’i shërbejë shoqërisë dhe që dështon e bie viktimë e saj. “Cajka” shënon pjekurit e Cehovit. “Xhaxha Vanja”, “Tri motrat”, “Kopshti i Cërshive”, gjithnjë janë konsideruar si drama personale e një individi, por ato kurdoherë përgjithësojnë dhe këtu qëndron vlera e tyre kryesore. Konflikti është i pranishëm dhe i bënë veprat globale të pavdekshme. Albert Kamy, i njohur si filozof dhe dramaturg absurd, veçohet me veprat teatrale: “Kaligula” ku kemi çmendurinë plot vrasje, trajtën e një aspirate të çuditshme sublime drejt absolutes dhe të pamundurës. Harbimi dhe përçarja gjendet në zemrën e Kaligulës. Vepër e pavdekshme, sepse çdo njëri në jetë ka brenda Kaligulën. Këtu qëndron madhështia e veprës, që e veçon nga veprat tona kombëtare me të pluhurosura nga harrimi kohor. Andaj, inskenimi në teatër është i lehtë me çdo udhëzim të autorit. “Mosmarrëveshja”, një dramë tjetër, që manifestohet në mes ekzistencës dhe njeriut, apo midis njeriut dhe njeriut. Figura e nënës dhe të bijës që vrasin për tu pasuruar. Në këtë rrugë të vrasjes ato nuk sigurojnë të vrasin edhe djalin dhe vëllanë e tyre që ka ardhur nga mërgimi. Pasi kuptojnë, të dyja nga dëshpërimi vrasin vetën. Qëllimi është i qartë, çdo veprim i njeriut është absurd. Tema është e thellë e një egoje absurde që ka çdo njëri. Ndërsa, dramat e Ezhen Joneskos i ngjajnë një ishulli të shkretë, sepse , sipas tij, kushdo në vetvete është një ishull i shkretë. Dramat si: “Rinoqeronti” shndërrimi i njeriut në Rinoqeront, të gjithë shndërrohen përveç kryepersonazhit i cili përpiqet të shndërrohet , por nuk mundet , ngaqë mbron idealin e tij njerëzor. “Karrigat”, “Vrasës pa garanci”, perceptimi është i drejtpërdrejt i realitetit i zëvendësuar me grumbull fjalësh pakuptim. Dukshëm e bartë këtë se çdo pretendim për  të zbuluar qëllimin e ekzistencës njerëzore, na dërgon në dështim. Vërtet një temë e përjetshme krahas me ato kombëtare të vakëta. Edhe në veprat e Samuel Bekketit si: “Duke pritur Godonë”, “Oh ditë të lumtura”... paraqiten rrënjët e vërteta njerëzore të cilat përcaktojnë marrëdhënien në mes tyre. Synon të na komunikojë ankthin dhe kotësinë e ekzistencës njerëzore. Atëherë, dramat kombëtare, me ato botërore do të jenë në një distancë mjaftë të largët, nëse flitet për cilësinë. Vdekshmëria e kotësisë vendore do të ekzistojë, derisa autorët nuk lirohen nga ky ankth i trashëguar. Dramat botërore do përpiqet gjithnjë e më thellë të hulumtojë njeriun, jetën, bimët, ekstazën, vdekjen, kotësinë, asgjënë, perëndinë, të gjitha që kalojnë pranë nesh dhe kemi pak vëmendje për to.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora