E enjte, 31.10.2024, 11:53 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Ilirjan Dhima: Problemet me “Agimi i Artë” po shtohen

E marte, 25.06.2013, 05:44 PM


Flet Kryetari i Shoqatës “Shqipëria” në Athinë, Ilirjan Dhima: Problemet me “Agimi i Artë” po shtohen

Edi Rama mbetet kryetari i partisë që ka pasur më shumë takime me emigrantët

Sali Berisha në 8 vjet nuk e përmendi kurrë emrin emigrant dhe jo më t’i takonte

“Agimi i Artë” ndërhyn që në supermarketet “Skllavenitis”  apo “Vasilopulos”  shqiptarët të pushohen nga puna

Objekt i partisë “Agimi i Artë” po bëhen shoferët shqiptarë

Puna stinore e emigrantëve është vjelja e luleshtrydheve

Nga Albert ZHOLI

Ardhja e emigrantëve për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, ishte një risi, pasi për herë të parë organizmi i ardhjes ishte perfekt dhe numri i tyre ishte shumë më i madh, thuajse dyfishi i numrit të emigrantëve të ardhur në zgjedhjet e tjera. Shumica e emigrantëve të ardhur ishin nga qytet jugore dhe juglindore të Shqipërisë. Në këto zgjedhje PS ishte më e organizua me emigrantët, më e lidhur dhe me struktura më të rregullta. Problemet e emigrantëve në këtë periudhë mbeten papunësia, gjuha shqipe dhe kujdesi në marrëdhëniet me partinë “Agimi i Artë”. Besoj se me këto zgjedhje qeveria e re do ti hedhë më shumë sytë nga emigracioni, do të jetë më e lidhur me ta, përfundon z. Dhima.

Këto ditë nga Greqia kanë ardhur shumë emigrantë për votime, kush i organizoi këto ardhje?

Për të qenë të sinqertë  dua të them se ardhja në votime u organizua nga partitë politike, por në një bashkëpunim jo të hapur me shoqatat. Duke marrë parasysh bindjet politike të drejtuesve të shoqatave. Kjo mbasi në shoqatat e pavarura e kemi të ndaluar me statut të bëjmë propagandë politike në interes të një apo të një tjetre forcë politike. Ndaj  ne nuk folëm në mënyrë direkte me asnjë parti politike, por afruam bashkëpunim vetëm për shkuarjen për votim pa marrë parasysh bindjet brenda shoqatës. Ardhja e emigrantëve nën siglën e PS u bë me kuponë, ku secili emigrant që simpatizonte PS merrte kuponin me këtë sigël dhe paraqitej në stacionet e autobusëve që ishin vendosur për këtë  problem. Ndërsa LSI dhe PD i bën organizmat me lista sipas qyteteve. Organizimi i PS ishte më korrekt dhe më frytdhënës. Këto zgjedhje kanë ardhur një numër rekord emigrantësh për zgjedhje.

Ju thatë që ardhja për votime, u krye nga partitë politike, kush nga partitë politike ka punuar me emigrantët?

Mendoj se nga partitë politike që kanë ardhur dhe kanë punuar sistematikisht me emigrantët në Greqi, ka qenë PS dhe pas saj LSI. Por do të ndaloj pikërisht tek Kryetari Edi Rama, i cili ka 5 vjet që vjen rregullisht në Athinë dhe merr takime me emigrantët. Takimet e tij intensive kanë bërë që emigrantët ta rrisin interesin për këtë forcë politike. Kam qenë vetë në disa takime me të. Përveç z Rama, kanë ardhur dhe drejtues të tjerë si Erion Veliaj, të cilët kanë ndarë hallet me ne. Edhe zoti Meta ka marrë disa takime.

Po PD dhe vete Kryeministri në ikje Berisha a ka bërë takim me ju?

Berisha as ja ka ditur për emigrantët. Mbaj mend se vetëm një takim ka bërë Topalli dhe një takim shumë të ftohtë. Në 8 vjet qeverisje, Berisha se ka përmendur kurrë emrin emigrant, se ka shkuar ndërmend se çfarë problemesh kemi. Ai edhe kur lëviz nuk vjen lirshëm si Rama, por ka bodigard me vete.

Sa emigrantë mund të kenë votuar për PS dhe forcat e tjera politike?

Sipas asaj llogaritje që bëmë ne një grup  miqsh dhe kryetar shoqatash mendoj se rreth 70 % e emigrantëve kanë votuar për PS. 70% për PD dhe 10 % për LSI.

Cilat ishin qytete kryesore nga kanë ardhur emigrantët?

Qyteti kryesor është Athina, që ka 60% të emigrantëve shqiptarë, pastaj Selaniku, Janina, Patra, Kallamata, Kreta (Peleponezi), etj… Pra qytetet kryesore jo vetëm që kanë pjesën më të madhe të emigrantëve por e kishin dhe më të lehtë mënyrën e organizimit si dhe linjat janë më të njohura.

A keni pasur probleme nga pala greke gjatë organizimeve për nisje për votime?

Jo nuk kemi pasur, pasi organizimet ishin korrekte, por po ashtu Rama në shumë takime ka biseduar dhe me palën greke. Dihet tashmë që Greqia zyrtare si ka pasur shumë të mira marrëdhëniet me Berishën, por dhe vetë  pronarët e linjave greke të autobusëve kishin marrë masa si dhe kishin krijuar lidhje të tilla dhe me policinë që çdo gjë të ecte sa më mirë. Pra nuk patëm asnjë incident dhe çdo gjë u realizua më së miri. Nga ana tjetër në shumë takime partitë politike kanë marrë me qira dhe pallate sporti dhe sjellja e emigrantëve ka qenë korrekte.

Gjatë kësaj kohe, si janë marrëdhëniet e emigrantëve me “Agimin e Artë”?

Mund të them se në votime, në nisjen tonë, ata nuk patën ndonjë reagim, por “Agimi i Artë”  me 10 deputetë në parlamentin grek mbetet një rrezik për emigrantët tanë. Duhet të theksoj  se tani emigrantët shqiptarë janë pjesa më vitale e punëtorëve të mirëfilltë grek në ndërtim, bujqësi, blegtori dhe peshkim. Duke qenë se ne kemi punëtorët më të mirë, duke qenë se ne punojmë në vende që s’punon askush, sado që të përpiqet kjo parti, emigrantët shqiptarë nuk mund ti zëvendësojnë dot në punët e tyre me gjithë thirrjet e “Agimi i Artë”. Po rata kanë ndërruar taktikë, shkojnë supermarket më supermarket dhe u bëjnë thirrje pronarëve të zbojnë shqiptarët nga puna. Psh në supermarketet “Skllavenitis”  apo “Vasilopulos”  me thirrjet e tyre, me kërcënimet e tyre ndaj pronarëve ata i kanë hequr thuajse të gjithë shqiptarët. Tashmë po futen në taksitë dhe agjencitë e transporteve që të heqin gjithë shoferët shqiptarë nga puna. Pra shiko se çfarë taktike po ndjekin. E kanë bërë si program që të marrin të gjithë listat dhe të heqin shoferët shqiptarë dhe të vendosin ata grekë pasi mendojnë se në zgjedhjet e ardhshme me këtë program të marrin më shumë se 15 deputetë.

Si mund të mbroheni nga “Agimi i Artë”?

Vetëm duke qenë në Këshillin Bashkiak. Pra të kemi përfaqësuesit tanë. Aty ne mund të parashtrojmë kërkesat tona në mënyrë zyrtare dhe të kemi mbrojtës ligjin. Kështu dhe “Agimi i Artë”  nuk do ketë shumë fuqi të na luftojë. Në këto këshilla bëjnë pjesë të gjitha partitë greke dhe në kësi rastesh, përfaqësuesit e partive të ndryshme mund t’i mbrojnë të drejtat tona, pasi ato kanë programe që i favorizojnë emigrantët.  P.sh ne na lufton “Agimi i Artë” sepse ne nuk kemi një program shkollor të miratuar nga Ministria jonë e Arsimit dhe të noterizuar. Vetëm kështu ne do të jemi ballëhapur të kërkojmë shkollat shqipe në Greqi.

Problemi mbetet po aq pikant sa dhe më parë për gjuhën shqipe?

Madje më shumë, pashë në TV Klan që një vajzë e vogël që kishte qenë në Greqi këndoi në “Gjeniu i vogël” këngë greke dhe në greqisht. Nuk dinte të këndonte shqip.

Pra këtu po ju lufton më shumë kjo parti në këto situatë?

Në mësimin e gjuhës shqipe. Aktualisht ne në disa bashki kemi marrë klasa në shkolla për mësimin e gjuhës, por ata i thonë keni bërë gabim, pasi nuk bazohet në ligj.

Tashmë a është rritur  punësimi i emigrantëve?

Po. Këta muaj është rritur punësimi sezonal. Nëpër ishuj kanë 3 muaj që ka filluar turizmi dhe shqiptarët janë më të preferuarit pasi paguhen më pak. Po ashtu ka filluar dhe puna sezonale në bujqësi, ku Greqia e ka shumë të zhvilluar.

Në bujqësi, ku punësohen më shumë emigrantët?

Në vjeljen e luleshtrydheve. Ky është fruti më i pëlqyer dhe më i përhapur në Peloponez. Vjet në këto plantacione ka pasur shumë probleme, madje vdiq dhe një punëtor nga dielli pasi kishte punuar me orë të tëra. Shumica e emigrantëve këtu punojnë.  Madje, punojnë nga 16 orë për 12 euro. Por në fund të fundit puna sot është bërë domosdoshmëri. Ka shumë lodhje, ka shumë peripeci, por jeta të detyron shumë gjëra.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora