Shtesë » Lajme
Studentë shqiptarë në Gjermani
E enjte, 13.06.2013, 06:45 PM
Të studiosh jashtë vendit është një sfidë, e kjo sfidë bëhet më e vështirë në Gjermani, për shkak të gjuhës dhe mënyrës së edukimit. Por kjo nuk i tremb të rinjtë shqiptarë për të studiuar këtu.
Janë të shumtë të rinjtë shqiptarë që duan të marrin një edukim universitar jashtë Shqipërisë, pavarësisht hapjes së shumë universiteteve private atje. Universitet italiane janë destinacioni kryesor dhe këtë e tregon fakti se përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha të studentëve të huaj në Itali. Afërsia gjeografike dhe lehtësia e gjuhës italiane janë dy nga faktorët kryesorë për këtë zgjidhje.
Ndonse jo sa në Itali, një numër i konsiderueshëm të rinjsh shqiptarë kanë zgjedhur auditorët e universiteteve gjermane. Migena Kodrës dhe Jonida Cangonjës iu desh të bënin një vit parapërgatitje para se të fillonin studimet. Studienkolleg është institucioni arsimor në Gjermani që përgatit të rinjtë e huaj, të cilët do të studiojnë më pas në universitetet gjermane. Pavarësisht se kishin mësuar gjermanisht në Tiranë, sërish ambjentimi me gjuhën ishte i vështirë.
Vështirësitë e para
"Nuk është e lehtë të studosh në një vend tjetër për shkak të gjuhës, ndaj dhe fillimi nuk ka qenë i lehtë. Gjermanët nuk janë shumë të shoqërueshëm dhe duhet të kesh durim për t'i njohur, por më pas gjithëçka bëhet më e lehtë", thotë për DW Jonida, e cila është studente e vitit të parë në degën Biznes dhe Drejtësi në Universitetin e Bonit.
Ndërsa Migena, studente e vitit të parë në degën e Biologjisë po në Universitetin e Bonit, thotë se vështirësitë nisin që në Tiranë. "Aplikimet nisin në mes të muajit maj dhe data e fundit është 15 korriku. Unë mora diplomën në datë 12 korrik, bëra të gjitha procedurat e legalizmit të dokumenteve dhe dërgova me postën më të shpejtë të mundshme në Gjermani. Unë mendoj që diplomat duhet të jepen më shpejt se ka patur raste që janë bërë gabime nga noterët e më pas nuk ka patur më kohë për të korrigjuar gabimin dhe është djegur e drejta për studim."
Për studentët master më e lehtë
Ola Çami, si studente Master në Ekonomik, nuk ka kaluar burokracitë e mësipërme për të studiuar në Gjermani. Por pse bëri këtë zgjedhje? "Gjermania më ofronte arsim prestigjoz dhe një mënyrë më të lirë shkollimi sesa vendet e tjera. Mund të them se jam shumë me fat që jam pranuar në Universitetin e Bonit, një ndër universitet më të mira në degën time."
"Infrastruktura për studentët është shumë e mirë, veçanërisht në degën time të Biologjisë ku shumë leksione zhvillohen në laboratorë. Gjithashtu ka edhe shumë mënyra të tjera argëtimi, në kundërshtim me Shqipërinë ku ka më shumë bare", thotë Migena.
Gjithsesi edukimi i marrë në arsimin Shqiptar sipas studenteve ka qenë shumë i mirë dhe u ka dhënë një ndihmë të madhe. "Përgatitja e marrë në gjimnazet shqiptare mund të them me bindje që është me e fortë në krahasim përgatitjen e të rinjve nga vendet e tjera, madje edhe më mirë se gjimnazet gjermane", shprehet Jonida, ish nxënëse e shkollës së mesme Harry T. Fultz në Tiranë.
Ndërsa Ola, ish studentja e degës Ekonomiks në Fakultetin e Ekonomisë të Univeristetit të Tiranës, është mjaft e kënaqur nga njohuritë që ka marrë në studimet tre vjeçare në Shqipëri. "Baza që kam marrë atje më ka ndihmuar të vazhdoj më tej në studimet e mia këtu. U them të rinjve se ideja e krijuar mbi shkollat shqiptare dhe të huaja është e gabuar. Në qoftë se je i aftë dhe i përkushtuar mund t'ia dalësh gjithandej."
Shqipëri apo Gjermani?
Jo vetëm studime por të qenit vetëm në një vend të huaj, është edhe një eksperiencë mjaft e rëndësishme jete, për të tre vajzat. Ola flet për avantazhet dhe disavantazhet.
"Te jetuarit vetëm ka avantazhe pasi të mëson të bëhesh i pavarur, të mëson të kuptosh më mirë jetën dhe sigurisht shkolla këtu të hap më shumë dyer nëse dëshiron të punosh në vendet e BE. Për disavantazhe mund të përmend mallin i cili i përmbledh të gjitha", thotë studentja, e cila ndodhet në Bonn që prej tetorit të vitit 2012. Nëse Ola dhe Migena nuk e kanë vendosur se çfarë do të bëjnë pas përfundimit të studimeve Jonida është e qartë në planet e saj: kthim në Shqipëri.
"Të gjithë këtë investim që po bëj tani dua ta kthej në Shqipëri. Shumë shokë dhe shoqe studiojnë jashtë dhe pjesa më e madhe duan të kthehen në Shqipëri, edhe pse mund të jetë e vështirë. Për mua është shumë e rëndësishme që këtyre të rinjve tu jepen më shumë hapësira. Në Shqipëri gjatë këytre kohëve kemi parë shumë modele të vjetra, ndaj duhet një frymë dhe eksperiencë e re."
http://www.dw.de/student%C3%AB-shqiptar%C3%AB-n%C3%AB-gjermani/a-16873706#