Shtesë » Lajme
Shkreli: Wilson - Zëri im në mbrojtje të Shqipërisë
E shtune, 22.06.2013, 07:59 PM
100-VJETORI
I INAUGURIMIT TË PRESIDENTIT WOODROW WILSON
Nga Frank Shkreli
"Një
zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të
Shqipërisë." Presidenti Woodrow
Wilson
Ky vit
shënon 100-vjetorin e inaugurimit të ish-presidentit amerikan Woodrow
Wilson. Ky përvjetor po shënohet anë e
mbanë vendit me festime të ndryshme por edhe me diskutime akdemike dhe historike
me qëllim për të vënë në dukje për brezat e rinjë, trashëgiminë e politikës të
mbrendshme dhe të jashtme të presidentit të 28 të Shteteve të Bashkuara. Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit të
tij, ai tha se, “Këjo nuk është një ditë triumfi. Por këjo është një ditë dedikimi. Këtu nuk ftoj forcat e partisë, por forcat e
humanizmit. Zemërat e njerëzve presin,
shpresat e njerëzve kumtojnë dhe na kërkojnë të themi se çdo të bëjmë….U bëj
thirrje të gjithë njerëzve të ndershëm, të gjithë patriotëve të më përkrahin.”
Në
detyrën e presidentit, Wilsoni e konsideronte veten si, një "përfaqsues
perosnal i popullit." Ai ka thënë
gjithashtu se askush tjetër përveç Presidentit, "nuk pritet që të kujdeset
për të mirën e përgjithshme të vendit."
Në këtë frymë, ai ndërmori një seri reformash të mbrendshme dhe çka
është më e rëndësishme, në fushën e
politikës së jashtme, ai theksoi rolin ndërkombëtar si një mjet për krijimin e një rregulli të ri
botëror dhe shpalli hyrjen e Amerikës në Luftën e Parë Botërore, si një fushatë
-- sipas tij -- për të bërë botën "të sigurt për demokracinë". Pasi kishte vendosur se ishte e pamundur
që Amerika të qendronte neutrale në Luftën e Parë Botërore, Wilsoni i kërkon
Kongresit miratimin e deklaratës së luftës kundër Gjermanisë. Ndërhyrja amerikane bëri që lufta të
përfundonte në favor të aleatëve dhe më Janar të viti 1918, ai i paraqiti Kongresit objektivat amerikane
të përfundimit të luftës duke njoftuar,
"Katërmbdhjetë Pikat'', njëra ndër të cilat do të krijonte një
Lidhje të përgjithshme të kombeve...në bazë të së cilës, të gjitha kombet -- të
mëdha e të vogëla-- do të gëzojnë garanci të përbashkëta për pavarësinë
politike dhe integritetin territorial të tyre.''
Gjëndja
politike në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore ishte tepër e paqartë. Fqinjtë
e saj serbët, grekët dhe italianët mezi prisnin të ndanin mes tyre Shqipërinë
copa copa. Në të vërtetë, përfaqsuesit
diplomatikë evropianë kishin rënë dakort që Shqipëria të ndahej duke i dhënë
nga një pjesë Jugosllavisë, Italisë dhe Greqisë. Këjo marrëveshje u arrijtë pa marrë
parasyshë dëshirat e Shqiptarëve, por dhe në mungesë të negociatorit diplomatik
amerikan. Natyrisht se Kongresi i
Lushnjës, në Janar të vitit 1920, vendosmërisht hodhi poshtë marrëveshjen e
armiqëve të shqiptarëve për të ndarë Shqipërinë copa copa midis tyre sikurë të
ishte plaçkë, dhe njëkohësisht paralajmëruan fqinjtë dhe Evropën se Shqiptalët
do të luftonin në mbrojtje të integritetit territorial të vendit. Në Mars të vitit 1920, Presidenti i
Shteteve të Bashkuara Woodrow Wilson ndërhyri për të bllokuar zbatimin e
marrveshjes anti-shqiptare të Parisit dhe menjëherë vendosi të pranonte përfaqsuesin diplomatik shqiptar në
Washington, duke theksuar në këtë mënyrë përkrahjen e Amerikës për pavarësinë e
Shqipërisë. Nga fundi i atij viti,
Lidhja e Kombeve njohu sovranitetin territorial të Shqipërisë duke e pranuar
atë si anëtare të plotë të organizatës botërore, megjithëse me kufij të
cunguar.
Siç dihet
Peshkop Fan Noli kishte lidhje me
Presdientin Wilson. Në një fjalim
të vitit 1918 me titull, "Borxhi që Shqipëria i ka Amerikës", Peshkop Noli shpreh bindjen e tij se Shtetet e
Bashkuara do të përkrahnin pavarësinë e Shqipërisë. Duke shprehur besimin e tij se Amerika do të
dilte fituese dhe se këjo do të ishte, sipas Nolit, edhe një triumf për
demokracinë anë e mbanë botës, ai ishte i patundur në besimin e tij se kushtet
e paqës do të të vendoseshin nga "një arbitër i botës, i cili është i drejtë,
dmth presidenti Woodrow Wilson", ka thënë Noli. "Kushtet e tija njihen mirë prej të
gjithëve... se secili popull duhet të ketë të drejtën të zgjedhi vet
sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë." Fan Noli pastaj vazhdon duke thënë se, ''Unë
kam patur nderin të takoj këtë njëri të madh, me një rast historik.'' Noli thotë se Presidenti Wilson kishte ftuar
përfaqsues të grupeve etnike, përfshirë edhe Nolin si përfqseus të komunitetit
shqiptaro-amerikan, për të shkuar me vapor tek varri i Xhorxh Washingtonit në
Mount Vernon, jo larg kryeqytetit amerikan.
Duke u këthyer nga Mount Vernon
për në Washington, Noli thotë se ai iu afrua presidentit Wilson për ti folur
për hallet e kombit të tij duke i bërë apel Wilsonit që të shpëtojë një racë
heroike por të pa-mbrojtur. Sipas Peshkop Nolit, Presidenti amerikan Wilson iu
përgjigj pa hesitim: "Unë do të kemë një zë në Konferencën e Paqës dhe atë
zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë."
Për fat
të Shqipërisë, dhe falë Wilsonit, ishte këjo një politikë e re e
jashtme e Shteteve të Bashkuara, pasi deri atëherë nuk kishte ndonjë interesim
të madh nga ana e Amerikës për fatin e kombeve të tjera, duke qëndruar larg
punëve dhe problemeve të vendeve të tjera.
Gjatë
debateve të kohëve të fundit ne kujtim
të 100-vjetorit të inaugurimit të presidentit Wilson, në Qëndrën Wilson në
Washington mbi trashëgiminë e tij në
politikën e jashtëme, folën ekspertë dhe historianë, pëfshirë edhe ish
këshilltarin e Presidentit Bush, gjenerali Bret Scowcroft, i cili tha se
Presidenti Wilson besonte se, ''është detyra jonë të ndihmojmë vendet e tjera
të cilat dëshirojnë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë".
Duke
shprehur admirimin dhe falendrirmin e tij ndaj Wilsonit, Fan Noli ka thënë se
Amerika kishte Presidentin Abraham Lincolnin, i cili nuk duronte një Amerikë
gjysëm të lirë e gjysëm të skllavëruar.
Edhe Shtetet e Bashkuara, tha ai,
në personin e Presidentit Wilson, "kanë tani një president i cili nuk mund
të durojë një botë gjysëm të lirë dhe gjysëm të skllavëruar." Noli ka thënë se Wilsonin, "do ta njohë historia si çlirimtar i të
gjitha kombeve, të mëdha e të vogëla."
Woodrow
Wilsoni njihet edhe sot për sukseset e tija në fushën e politikës së jashtme,
si një idealist i cili besonte në paqën botërore, në vetvendosjen dhe në
sovranitetin territorial të kombeve të mëdha e të vogëla. 14 pikat e tija të famshme për paqën në botë, ishin një vizion i
bashkpunimit ndërkombëtar për lirinë dhe demokracinë e vendeve, vision ky që më
në fund çoi në krijimin e Lidhjes së Kombeve, përpjekje këto për të cilat ai
fitoi Çmimin e merituar Nobel për Paqë në vitin 1920.
Në këtë
100-vjetor të inaugurimit president, le të kujtojmë këtë burrshtetas të madh
amerikan, Woodrow Wilsonin, zëri i të cilit ishte vendimtar për ruajtjen e pavarësisë
së Shqipërisë, duke kontribuar, sipas
Fan Nolit, “sadopak për kauzën njerëzore dhe qytetërimin botëror, me aqë sa
kemi mundësi.”