E premte, 26.04.2024, 07:53 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Dueti Rama-Meta

E diele, 21.04.2013, 04:22 PM


PRIORITETET: NEUTRALIZIM DUETIT RAMA-META, FORMULA 3 ME 3, I SHTATI ME KONSENSUS DHE PERSPEKTIVA E KQZ LARG KTHETRAVE TË PARTIVE

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Mbrëmë po bënim zapping nëpër TVtë e Tiranës dhe tek RAI Due, ku do të konkuronte Elhaida Dani. Kalonim sa tek Top Story, ku Balla kishte ftuar Metën, tek Opinion, tek 360 Gradë i Artur Zhejit. Të gjithë si krokodilët për të coptuar prenë e rradhës. Pa moral, pa mëshirë, pa nder dhe pa integritet, të gatshëm të pinë në gota shampanje gjakun e njëri-tjetrit dhe pastaj të bëhen vëllezër të një gjaku. Të gjitha palët, pa përjashtim. E djathta duhet të rinovohet, por ndërkohë duhet të neutralizohet turri i duetit të ri Rama-Meta. Që edhe po të ketë rotacion të jetë një ngjarje normale dhe jo dramatike. Prandaj mendova se krijimi i një partie të majtë më afër qendrës, me të përjashtuarit e Ramës, duke filluar prej Fatos Nanos, Kastriot Islamit e të tjerë, do të kishte ndikim pozitiv !

Mbrëmë, për të evituar blablablatë nëpërTVtë e Tiranës, zgjidhja fatlume të mbyllnim veshët për të mos dëgjuar hipokrizitë e krokodilëve të etur për pushtet, ndërsa tek RAI DUE përballeshim me një realitet 180 gradë ndryshe, një realitet sureal, të realizmit magjik, tek dëgjonim në duet vajzën shqiptare kur këndonte "No more tears" të Donna Summer. Sa ishim të gërdisur deri në fyt nga politika shqiptare, aq na mrekullonte Magjia shqiptare me emrin Elhaida Dani, e cila na la pa frymë, dhe ashtu si ne, i la pa frymë e i magjepsi edhe ikona të kulturës italiane si Raffaella Carrà e Riccardo Cocciante.

Dhe kjo më bëri të përsëris refrenin se është fatkeqësi e madhe për rininë e vendit tonë që ka këtë klasë politike mizerabël!

Ndërsa nga Tirana publiku shqiptar mbrëmë pështirosej nga strategjitë e bllokimit të KQZ midis palëve ndërluftuese, të cilat zgjedhjet i shohin si fundin e botës dhe jo si lindjen e një dite të re, në Itali, përmes RAI DUE Elhaida Dani magjepste publikun italian dhe shqiptar! E pra, kjo rini e mrekullueshme shqiptare të cilën e përfaqëson Elhaida Dani me shokë e shoqe meriton një klasë politike të nivelit të saj, të pastër, të talentuar, me kapacitete, të përgjegjëshme, me energji pozitive, me energji të pashtershme për të çuar vendin përpara, Shqipërinë tonë të mirë, larg të gjitha pislliqeve të kuluareve të ndyra.

Profesionalizmi, talenti, guximi i Elhaida Danit tek RAI DUE është në kontrast të plotë kundruall mbrapshtive të politikanëve shqiptarë që çakërqejfen nëpër TVtë e Tiranës, pa çarë kokën se stonojnë me avazin kërcënues duke bërë krahasimin e kobshëm të 23 qershorit 2013 me zgjedhjet e 1996 apo 1997!

Veshët na dëgjuan se Ilir Meta synonte ta njolloste procesin zgjedhor që në nisje, duke bojkotuar KQZ. Një mësim i merituar për Sali Berishën! Por çfarë faji ka Sovrani! Që shqiptarët të shkojnë në zgjedhje të paraprirë nga skenarë diabolike për të shkatërruar procesin zgjedhor që pastaj zgjatja e tij t'u përpijë muaj të gjate jete se kush i fitoi zgjedhjet!

E vetmja idé konstruktive e Metës ishte se do ndikonte tek Rama që të votonin tri ligjet përpara zgjedhjeve. Të shohim!

Duke u kthyer tek ngërçi e kriza e prodhuar aktualisht, e duke kërkuar nëpër arkiv, jemi dëshmitarë të gjithë se çdo parti kur ka qenë në pushtet, e ka patur besnikun e saj në kreun e KQZ-së. Merrini me rradhë. Por ndalemi tek kriza e KQZ e vitit 2001. Në janar të 2001, kryetari i KQZ, Fotaq Nano jep dorëheqjen. Ishte i zgjedhur nga PS dhe KQZ kishte rënë në krizë totale besimi. Kjo krizë është permanente prej 22 vitesh. PD ishte në opozitë. Kam përpara syve një deklaratë të Jozefina Topallit e cila, pasi e sheh si shumë pozitiv largimin e Fotaq Nanos nga kreu i KQZ, kërkon po ashtu dorëheqjen edhe të gjashtë pjestarëve të tjerë, kërkesë kjo që pastaj u ndoq edhe nga kreu i PS i asaj kohe Fatos Nano. Për të zgjidhur krizën e 2001, PD asaj kohe kërkoi ristrukturimin e KQZ dhe të bënte amendamente për Kodin Elektoral. PD me partitë e tjera opozitare më 2001 kërkoi një KQZ të balancuar, me tre anëtarë nga maxhoranca, tre nga opozita dhe i shtati të zgjidhet me konsensus nga të dy palët.

Kjo formulë nuk u respektua atëherë, por mund të aplikohet tani dhe të garantojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme për procesin elektoral të 23 qershorit!

Duke parë se KQZ ka 22 vjet që ka shërbyer si burim krizash permanente dhe tensionesh, atëherë pas 23 qershorit duhet që të gjendet një zgjidhje konsensuale mbi palët, qoftë edhe me ndryshime kushtetuese, por me çdo kusht, që integriteti i KQZ të jetë imun dhe paprekshëm prej tentakulave të ndyra të partive!



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora