Mendime
Zef Ahmeti: Kofi Annan dhe Kosova
E enjte, 11.04.2013, 06:55 PM
Kofi Annan dhe Kosova
Nga: Zef Ahmeti, St. Gallen, 11 Prill 2013.
Kofi Annan njihet si njëri nga burrështetasit më të
njohur në arenën ndërkombëtare të kohës së sotshme. Karriera dhe përvoja e tij
janë shumë interesante. Ai këto i ka
publikuar në një libër të titulluar “Një jetë në luftë dhe paqe” (botimi i parë
në anglisht: A Life in War and Peace, New York 2012, ndërsa në gjermanisht: Ein Leben in Krieg
und Frieden, München 2013).
Annan me prejardhje nga Gana në vitin 2007 zgjidhet
Sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Në postin e kësaj organizate botërore
do të qëndroj deri në vitin 2006.
Kosova një nga temat kryesore
Një nga temat kryesore që ka preokupuar diplomatin
Annan ka qenë rasti i Kosovës në mandatin e tij si Sekretar i përgjithshëm i
OKB-së, bashkë me veprimet e kësaj organizate përballë asaj që po ndodhte në
diplomacinë ndërkombëtare. Kësaj teme në librin e lartcekur ia kushton 24 faqe,
ku paraqet disa nga sfidat me të cilat ai ishte ballafaquar, e sidomos në kohën
kur shtetet e NATO-s kishin vendosur të intervenonin në Kosovë për të
parandaluar “Bosnjën e dytë”. Annan në pjesën që i kushtohet Kosovës,
thotë: ”Ajo çka Kosova kishte ngritur te të gjithë ne – Kombet e Bashkuara,
Evropa, NATO dhe SHBA-të ishte fakti se, bëhej fjalë për një krizë të njohur
për të gjithë, me një kundërvajtës të njohur për të gjithë i cili po e fuste në
flakë edhe një regjion tjetër ballkanik.” Ndërsa ky kundërvajtës ishte
Sllobodan Milloseviqi.
Kosovën e “shpëtoi” krimi serb në Bosnjë
Nga ajo që na thotë Kofi Annan, nëse e marrim në
përgjithësi,
Politika serbe me rastin e krimeve në Bosnjë ishte
vet-zhveshur para bashkësisë
ndërkombëtare sa “Askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk i besonte
Millosheviqit – mbase as edhe vet aleatët e tyre, rusët... dhe askush nuk
besonte se, ai do mund të bindej për përparësitë e një kompromisi paqësor në
raport me Kosovën...” thotë Annan.
Kofi Annan tregon se qeverive të shteteve të
ndryshme ai ua kishte tërhequr vërejtjen se Milloseviqi është që anon në
kalkulime të gabueshme, ndërsa në anën tjetër unë e dija se ai “...mund të
bëhej një manipulues i shkëlqyeshëm.”
Tre vite pas përfundimit të luftës në Bosnjë, thotë
Annan, po acaroheshin tensionet mes “trupave serbe dhe milicëve shqiptarë që
luftonin për pavarësinë e vendit”. Reagimi i Millosheviqit ishte “brutal
ashtu siç e njihnim”. Annan thotë se kjo politikë (serbe) nuk ishte e
interesuar “për një zgjidhje paqësorë të konfliktit” porse ai
(Millosheviqi) kishte aktivizuar një përndjekje masive të shqiptarëve. Dhe
qëllimi dukej të ishte, thotë ai, “sa
më shumë shqiptar që është e mundur të përndjekin nga Kosova ose të vriten.”
Kësaj radhe, shkruan Annan në librin e tij, “Britania e madhe, Franca dhe
Gjermania mendonin se e ardhmja e Evropës do varej nga një përgjigje e fuqishme
përballë kampanjës së Millosheviqit.” Kështu që edhe pasojnë vërejtjet e
NATO-s se nuk do të lejojë një luftë kundër popullatës civile.
Sa i përket Kombeve të Bashkuara kriza paraqiste
një sfidë tjetër. Meqë ne nuk ishim prezent në vend të ngjarjes as nuk kishim
mundësi t`i dalim në ndihmë popullatës civile, vazhdon Annan, e “për këtë
arsye intervenimet tona mund të ishin vetëm të llojit politik e diplomatik -
nëpërmjet deklaratave të mija publike dhe punës tonë me Këshillin e Sigurimit-
që të bashkoj bashkësinë ndërkombëtare pas qëllimit që të përfundojnë shkeljet
e të drejtave të njeriut dhe për ta parandaluar një luftë më të madhe”. Nga
këto aktivitete ish sekretari i përgjithshëm tregon se në fillim të vitit 1998
ishte arritur që Kosova të bëhet pikë e rendit të ditës në Këshillin e
sigurimit “çka na mundësoi që atij [pastaj]
t`i raportonim rregullisht për zhvillimet e atjeshme”. Kjo shihet në sytë
ish-sekretarit të OKB-së si një sukses për kohën. Meqë në verën e vitit 1998
ishte rritur numri i refugjatëve dhe se 200.000 kosovarë ndodheshin në ikje,
Annan tregon: “...në atë kohë kam filluar më shpesh të flasë për rëndësinë
që të mënjanohet një Bosnjë e dytë.”
Gjatë gjithë trajtimit që bën për rastin e Kosovës
ish Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, thirre në kujtesë Bosnjën-
pra krimin dhe gjenocidin serb.
Kofi Annan mes qëndrimit personal dhe atij zyrtar
Nga ajo që e thotë në libër vërejmë se Annan sa
ishte në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara ishte
dashur të balancoj gjatë gjithë kohës qëndrimin e tij personal dhe asaj që e
kërkonte posti i tij përballë situatës së tensionuar në Kosovë. Në përshkrimet
e tija tregon se pas përkeqësimit të gjendjes në Kosovë në verën e vjeshtën e
vitit 1998 kishte vendosur “...kësaj radhe t`i drejtoj Kombet e Bashkuara në
anën e viktimave të agresionit” si dhe “të mos i japë kurrfarë
legjitimiteti propagandës serbe”. Natyrisht se kjo përpjekje e tij kishte
qenë “një akt i vështirë balancimi” duke pas parasysh se Evropa dhe
SHBA-të në atë Kohë kërkonin veprim ndërsa Rusia po kundërshtonte.
Arsyet që kishin shtyrë ish Sekretarin që të ngrehë
zërin e tij në mënyrë aktive janë: 1) se dhuna dhe terrori si dhe një luftë më
e madhe- duke përfshirë edhe intervenimin ushtarak me arsyetimin humanitar- do
mund të mënjanohej nëse Millosheviqit do t`i bëhej me dije qartë se, atij nuk
do t`i shkoj për dore që ta largoj vëmendjen e OKB-së apo të Sekretarit të
Përgjithshëm të saj me vallëzimet e tija diplomatike përderisa trupat e tij
tërboheshin në Kosovë; 2) Mundësia që ofronte kriza e Kosovës- që në rastet
ndërkombëtare të kihet mundësia e pozicionimit në anët tjera e të vihet një
kriter vlerësues se si shtetet duhet të japin përgjigje për sjelljet e tyre
përballë popullatës - pra nuk duhet të
jetë e pamundur që shkeljet sistematike të drejtave të njeriut të mbrohen
përballë principit të mos përzierjes në punët e brendshme.
Annan tregon për vështirësitë që lidheshin me këtë
ndryshim diskursi politik për shkak të shumë shteteve të OKB-së që e shihnin të
paprekshëm sovranitetin por edhe në vetë Sekretariatin e OKB-së, këshilltarët e
Annanit, kishte mendime dalluese ku një pjesë kishte menduar se kur është fjala
në rastin konkret të shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut në Kosovë,
duhej të nxirrej jashtë principi i sovranitetit shtetërorë, ndërsa një grup
tjetër kishte mbrojtur qëndrimin në përkrahje të paprekshmërisë së këtij
sovraniteti shtetërorë. Ndërsa Annani thotë: ”...sipas bindjes sime OKB
duhet të angazhohet sikur për të drejtat e individit po ashtu edhe për të
drejtat e shteteve.” Me këtë Annan kishte kujtuar rastin e Bosnjës dhe
Ruandës ku thotë se pas ndodhive në këto vende shumë do e vlerësojnë OKB-në se
sa do jetë e aftë të veproj në raste të shkeljes masive të drejtave të njeriut
dhe krimit kundër njerizimit. Këto
qëndrime Annan i kishte sinjalizuar që në qershorin e vitit 1998 në një
konferencë të NATO-s. Me ketë rast unë kërkova, tregon Annan, “... përpjekje
intensive diplomatike, por me sfondin e një kërcënimi të besueshëm me dhunë”
- pra intervenim ushtarak. Përveç kësaj ai ishte përpjekur t`i bindë “...përfaqësuesit
e NATO-s për urgjencën e një veprimi këmbëngulës”. Në të njëjtën konferencë
Annan kishte potencuar se “një detyrim i besueshëm pa legjitimitet mund të
tregoj rezultate. Detyrimi i legjitimuar pa besueshmëri mund të ketë përkrahje universale, mirëpo nuk
do jetë në gjendje që të implementoj segmentet fondamentale.” Kofi Annan
kishte përshëndetur, pos të tjerash “... vendosmërinë e qeverive të shteteve
anëtare të NATO-s për të parandaluar një eskalim të mëtutjeshëm të luftimeve”. Ajo çka na thotë ish Sekretari i përgjithshëm
i OKB-së është se ai kishte kërkuar nga NATO që të mos lejonin të ndodhte
Bosnja e dytë.
Rezoluta dhe raportet drejtuar Këshillit të
Sigurimit
Pasi tregon për ndërmjetësimin e ish diplomatit R.
Holbruck që kishte arritur të bindë politikën serbe për vendosjen e 2 mijë
vëzhguesve të paarmatosur në kuadër të OSBE-së që kanë pas për qëllim të ruajnë
armëpushimin, thotë se KS i OKB-së me 23 shtator nxjerr rezolutën e njohur 1199
që kërkonte tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe NATO nga ana a saj kishte
kërcënuar me konsekuencat, nëse rezoluta nuk do të respektohej. Annan thotë se
në raportet e tija drejtuar KS kishte njoftuar për eksalimin e dhunës dhe “fajtorë bëja pushtetmbajtësit
jugosllav”. Annan shton më tutje “..me 4 tetor (1998) ndodhitë i
përshkrova si ?kampanjë e tmerrit dhe të dhunës?”. Në të njëjtën ditë, mbas dite, kishte arritur
një letër ankese nga ministria e jashtme e Jugosllavisë, siç e përshkruan Kofi
Annan, që kishte filluar me fjalinë “Në Kosovë sundon paqja” dhe se “liria
e plotë e lëvizjes është e garantuar”. Të njëjtën gjë ia kishte thënë edhe
Millosheviqi kur Annan disa ditë më vonë e kishte thirr në telefon për të
kërkuar implementimin kërkesave të OKB-së. Millosheviqi i ishte
përgjigjur se në dy javët e fundit nuk
kishte pasë “kurrfarë konflikti”, ndërsa Annan i kishte thënë, si
reagim, se problemet ekzistojnë “vetëm me shqiptarët”.
Tërheqja e vëzhguesve të OSBE-së dhe intervenimi i
NATO-s
Në librin tij Annan jep edhe informacione të tjera.
Ne këtu po fokusohemi në disa episode ngjarjes që i tregon ai e, që ne, i kemi
vlerësuar si pika kryesore të asaj që e tregon ai. Ish Sekretari i OKB-së sjell
në librin e tij telefonatat e ndryshme që kishte bërë në fillim vitin e 1999.
Me 17 mars 1999 ai kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Javier Solana,
sekretarin e NATO-s, ku kishin shkëmbyer mendimet se, si duket asnjë njeri nuk
kishte mundur të depërtoj te Millosheviqi. Pas tërheqjes së vëzhguesve të
OSBE-së, me 23 mars 1999, Solana i kishte telefonuar Kofi Annan-it dhe e kishte
njoftuar për dështimin e R. Holbrooke në përpjekjen e tij për të ndërmjetësuar
te Millosheviqi dhe se ai do të
autorizoj NATO-n për operacion ushtarak. Pra Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së
kishte qenë në dijeni se do të ndodhte intervenimi para se të fillohej me
operacionet e NATO-s. Kofi Annan shkruan “... Diçka duhej të ndodhte. Unë
ndaja mendimin e njëjtë me Solanen se, Millosheviqi kishte humbur kontaktin me
realitetin dhe se kjo [humbje e kontaktit me realitetin] edhe njëherë
shkaktoi edhe një luftë në Ballkan.”
Në vazhdim ish Sekretari i Përgjithshëm përshkruan
sfidat që duhej t`i përballonte si organ i OKB-s pas intervenimit. Kërkohej një
reagim në media. Ai e jep edhe deklaratën e dhënë me sa vijon: “Gjatë vitit
të kaluar në shumë raste kam apeluar te qeveria e Jugosllavisë dhe te
shqiptarët e Kosovës që ta vënë paqen mbi luftën, kompromisin mbi konfliktin.
Më vjen shumë keq që qeveria e Jugosllavisë, me gjithë përpjekjet e ndërmarra
nga ana bashkësisë ndërkombëtare ka qëndruar në pozicionin e saj refuzues për
një marrëveshje politike që do ta përfundonte gjakderdhjen në Kosovë e do ta
kishte siguruar paqen për popullatën e atjeshme. Në fakt, është vërtetë
tragjike që diplomacia ka dështuar, mirëpo ka kohëra ku përdorimi i dhunës mund të jetë legjitim në
kërkim të paqes.” Kësaj deklarate të
Annan-i ia kishte bashkangjitur edhe kërkesën që merret parasysh edhe Këshilli
i Sigurimit në përdorimin e dhunës. Një ditë më vonë, pas intervenimit të
operacioneve të NATO-s gazeta amerikane New York Times kishte shkruar: “Sekretari
i Përgjithshëm miraton indirekt intervenimet ajrore”.
Përfundim
Libri që trajtuam këtu ka një përmbajte interesante
historike, politike, diplomatike që
lidhet me jetën dhe përvojën e diplomatit Kofi Annan. Duke pasur parasysh
faktin se ishte në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, para, gjatë
dhe mbas Intervenimit të NATO-s kundër ushtrisë jugosllave (serbe), ai jep disa
fakte, megjithëse jo edhe të thella, mjaft interesante për lexuesin shqiptar,
për aspekte trajtimi studimore në të drejtën ndërkombëtare diplomatike e
politike.
Pa dyshim se libri, e sidomos pjesa për Kosovën, jep edhe të dhëna tjera që ne këtu nuk i kemi trajtuar.