Mendime
Sami Repishti: 7 Prilli 1939 - Mosnjohje dhe mosmirënjohje!
E hene, 08.04.2013, 05:00 PM
I dashur
Gëzim,
Duke të
falënderuar për botimin e artikullit tim mbi 7 prillin, po të dërgoj një
artikull të shkëlqyer të profesorit të nderuar Sami Repishti në
Profesor
Repishti, emër i nderuar i kulturës shqiptare, me forcë të madhe intelektuale përherë
godet në shenjë për çështje madhore të Historisë së Shqipërisë, dhe neve s'na
mbetet veç t'i urojme Baca Samiut jetë të gjatë e të lumtur, e penë përherë të
mprehtë,
Do
dëshiroja po ashtu të shtonit edhe këtë deklaratë të Mehdi Frashërit, mjaft
realiste për kohën, që flet hapur për shpirtin e paepur shqiptar kundër
ushtimit fashist të vendit:
“Ne
parapëlqejmë vdekjen se sa të humbasim nderin” -
i shkruan
Duçes Z. Mehdi Frashëri, ish kryetar i Këshillit shqiptar.
Gazeta
franceze Est-Ouest Eclair, e datës 8
prill 1939, boton këtë deklaratë të
Mehdi Frashërit: “Tiranë, 7 prill: Z. Mehdi Frashëri, ish Kryetar i Këshillit
shqiptar, i ka dërguar këtë telegram Z. Musolinit:
“Shpirti
i Gjergj Kastrioti Skënderbeut na
thërret për sakrificën supreme. Ne parapëlqejmë të vdesim sesa të humbasim
nderin tonë. E dimë që ju zotëroni një artileri të fuqishme, mitraloza, gaze
mbytës, aeroplanë dhe tërë mjetet e tjera shkatërrimtare të luftës. Kurse ne
kemi guximin dhe frymën e sakrificës, vendosmërinë e martirizimit. Para pesë
shekujsh, duart e gjakosura kundër nesh ishin ato të barbarëve aziatikë. A
duhet atëherë që pas pesë shekujsh, në emër të kombit italian, ju të jeni
barbarët e Perëndimit? Unë nuk do ta besoja, para se të ndodhin ngjarje
tragjike me pasoja të pariparueshme. Pranoni doemos pavarësinë e vërtetë dhe të
plotë të Shqipërisë! Të jeni i sigurt Musolini, se ky paralajmërim i yni është
shprehja më e plotë e vullnetit të popullit shqiptar. Përndryshe, ushtria juaj
fashiste do të kalojë vetëm përmbi kufoma dhe jo vetëm burrash, por edhe grash
e fëmijësh”.
Me
respekt, Fotaq Andrea
________
7 Prilli 1939: Mosnjohje dhe mosmirënjohje!
Nga Sami Repishti
Shtatëdhjetë
e katër vjet ma parë, më 7 prill 1939, forcat e armatosuna të Italisë fashiste
sulmuen Shqipërinë pa shpallje lufte formale. Ky agresion i çveshun nga çdo
justifikim, u paraqit si dëshira e popullit shqiptar të çlirohej nga regjimi i
monarkisë dhe veçanërisht nga personi i Mbretit Zog I. Nji gënjeshtër të
këtillë, që paraqitej para botës së qytetnueme nga kalemxhinjtë dhe kasnecët e
fashizmit italian, nuk e besojshin as italianët.
Mbrapa
gënjeshtrës qëndrojshin divizionet italiane në punën e tyne të ndytë të
okupacionit në Shqipëri me synime agresive të matejshme në Ballkan, Ajo që më
shtyri sot të shkruej ashtë nji ndjenjë pakënaqësie e madhe për mosnjohjen e
ngjarjeve të 7 prillit 1939, dhe akoma ma shumë, për mosmirënjohjen e
sakrificave të dëshmorëve që paguen me jetë kundërshtimin e agresionit fashist.
* * *
Sipas “Historia e popullit shqiptar” botim i Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë (v. III, 2007): “Gjatë luftimeve u vranë mjaft luftëtarë shqiptarë.
Më i njohuri u bë Mujo Ulqinaku” (f.367). Sipas kapitenit anglez Smith, i
pranishëm në ngjarjet, “…mbrojtësit u mundën vetëm nga numri i madh i
sulmuesve, dhe mbasi (shqiptarët) shtrinë përtokë shumë prej tyne “(po aty).
Burime të ndryshme konfirmojnë se zbarkimi fashist filloi në orën 4:30 të
mëngjesit, dhe vetëm mbas orës 9:00 të mëngjesit italianët hynë në Durrës.
“Qëndresa u bë edhe në Rrashbull e te Shkëmbi i Kavajës “(po aty). Kjo
“Histori…” tregon se “…italianët lanë në Durrës mjaft të vrarë dhe të plagosur.
Edhe nga shqiptarët pati të vrarë e më shumë të plagosur”. (f.368) Në kujtimet
e tij, dëshmitari okular, kolonel Sami Koka, shkruen: “…Në tentativat e para të
italianëve për të shkelur në bregun tonë, pati të vrarë e të plagosur nga të
dyja palët. Italianët me anën e Kryqit të Kuq tërhiqnin të plagosurit e tyre
dhe të vrarët për në kryqëzor; po atë gjë bëmë edhe ne më tanët, por me mjetet
primitive dhe me zemër të madhe…”(S. Koka. Kujtime) “Në Shëngjin, luftëtarët
shqiptarë thyen dy përpjekje për të zbarkuar… Edhe gjatë rrugës për në Lezhë,
në Bushat, Barbullush, Bërdicë dhe Beltojë e në hyrje të qytetit të Shkodrës,
pushtuesit ndeshën në një qëndresë të fortë… si dhe në Koplik dhe gjetkë…”
(ASHeSH. f.368- 9). Ndërsa në Vlorë, komandanti i kompanisë u vra…
Gjatë
luftimeve pati disa të vrarë e të plagosur edhe nga shqiptarët. Njëri pej tyre
ishte luftëtari Hamid Vashko (f.368). “Luftime u bënë edhe në Sarandë….
Italianët që shkelën tokën e Shqipërisë lanë mjaft të vrarë e të plagosur. Edhe
nga shqiptarët u vranë mjaft”. (f.370) Profesor Brndt Fischer (Indiana U.,
SHBA), në librin Albania at War-1939-1945 (1999) shkruen: “…Më 7 prill 1939,
rreth 22 000 ushtarë të mbështetun me afërsisht 400 aeroplana lufte, 300 tanke
të lehta dhe disa duzina luftanijesh, sulmuen Durrësin, Vlorën, Shëngjinin dhe
Sarandën… Me pak përjashtime, ushtria shqiptare (e stërvitun nga italianët, SR)
nuk luftoi… Vetëm Gjindarmëria (e stërvitun nga anglezët, SR) duket se
dëshironte me rezistue…. Mbrojtësit, gjindarmëria e Durrësit, nën drejtimin e komandantit
Abaz Kupi, megjithëse nën presion të madh numerik dhe e paisun vetëm me nga 50
fishekë, zmbrapsi me sukses sulmet e para… Kupi dhe luftëtarët e tij u mundën
vetëm nga numri i madh (italian) dhe mbasi i shkaktuen nji numër të
konsiderueshëm viktimësh, u tërhoqën në qytet… Luftimet në qytetin e Durrësit
zgjatën dy-tre orë.
Simbas tregimeve të vendësve, në Durrës u vranë rreth 400 italianë. Italianet raportuen vetëm 12 të vramë gjatë gjithë invazionit…. Në Vlorë nuk ka pasë nji rezistencë të randësishme… Në Shëngjin …nuk ka pasë ma shumë se 6 a 7 të vramë nga secila anë”.(F.22) Fischer përfundon: “…. Ka mundësi që afër 200 italianë mbetën të vramë në Durrës dhe se numri i përgjithshëm i viktimave italiane arrin shifrën 700. Viktimët shqiptarë mund të kenë qenë edhe ma të mëdha” (po aty). Ky konstatim i Fischer-it gjindet në Arkivat e Departamentit të Shtetit Amerikan (DASH). Simbas Fischer, kryekëshilltari i ministrit fashist G. Ciano, Filippo Anfuso, ka deklarue: “Sikur shqiptarët të kishin pasë nji brigadë të armatosun mirë, do të na kishin hjedhë në Adriatik”. (Fischer, 23. Nga dokumentet italiane të kapun nga gjermanët.) U deshën rreth 40 ditë që ushtria italiane të shtrihej në të gjithë Shqipërinë”, shkruen V. Duka “Historia e Shqipërisë 1912-2000” (Tiranë, 2000, f.210), por autorja nuk flet fare për viktimët. Anton Logoreci The Albanians-Europe’s Forgotten Survivors.(London, UK. 1977) kufizohet me këtë frazë: “Më 7 prill 1939, mbas nji përleshje të shkurtë, por të ashpër, forcat italiane okupuen shumicën e vendit mbrenda pak ditësh” (f.64).
Nji botim
autoritativ amerikan, Federal Research Division, Library of Congress, “Albania:
A Country Study” (1992), përshkruen ngjarjen: “Më 7 prill 1939, trupat e
Musolinit invaduen Shqipërinë. Me gjithë rezistencën kokëforte por të shkurtë,
veçanërisht në Durrës, italianët i mundën shpejt shqiptarët”. Autorët shtojnë:
“Mbreti i Italisë, V. Emanueli III, e kritikoi invazionin e Shqipërisë si “…nji
rrezik i panevojshëm”. (f.32-33) “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve” (Ed.
H. Myzyri et al. Tiranë, 2001) jep këtë përshkrim: “Në mëngjesin e 7 prillit
1939, trupat fashiste italiane prej 35-40 mijë vetësh sulmuen Shqipërinë dhe
zbarkuen në Durrës, në Vlorë, në Shëngjin dhe në Sarandë. Në Durrës, njësitë e
ushtrisë shqiptare të drejtueme nga Abaz Kupi, u bënë qëndresë pushtuesve. Në
këtë luftë ra heroikisht Mujo Ulqinaku, i cili u bë dëshmori i parë i atdheut
në luftë kundër pushtuesit fashist. Me armë në dorë u pritën pushtuesit edhe në
Vlorë, në Shëngjin, në Lezhë, në Shkodër, te Ura e Bahçallëkut etj. (f.292)…
“Fuqitë e Mëdha perëndimore u shprehën se nuk kishin interesa ndaj Shqipërisë…”
(p.293). Konfuzioni në paraqitjen e ngjarjeve të njenit nga momentet ma fatale
të historisë sonë kombëtare nga historianët shqiptarë tregon në esencë
mosnjohjen e këtyne ngjarjeve dhe mungesën serizoze të kërkimeve në arkivat e
shteteve të vendeve kryesore. Ky manifestim negativ nuk justifikohet! Ai mund
të spjegohet me faktin se: a) Me okupimin fashist të vendit, autoritetet italiane
dhe shërbëtorët e tyne shqiptarë kanë ba pothuejse të pamundun nji studim të
ngjarjeve, dhe sidomos glorifikimin e viktimave të kësaj tragjedie kombëtare;
dhe b) me ardhjen e pushtetit komunist u ba nji rregull i detyrueshëm mos me
paraqitë të kaluemen në dritën e së vërtetës.
Qëllimi i
regjimit të kuq ishte të mbulohej me nji rrjetë harrese e kaluemja e jonë,
kështu që “aventura komuniste” në Shqipëri të shkëlqente sa ma shumë. Historia
e Shqipërisë fillonte me 29 nandor 1944. Vetëm dëshmori Mujo Ulqinaku u ruejt.
Abaz Kupi u naltesue në fillim dhe u demaskue ma vonë si agjent i fuqive të
hueja. Dëshmorët e tjerë i mbuloi harresa, që vazhdon edhe sot. Njizetë e dy
vite të “tranzicionit” nuk kanë pasë sukses me shembë këtë mur harrese të
plotë. Me përsëritë gjykimin e profesor Fischer: “Shqipëria dhe populli i saj
kanë kalue shekullin (njizetë) relativisht në errësinë, agresioni i 7 prillit
1939 ka qëne nji rast i shkëlqyeshëm për shqiptarët me i tregue botës
karakterin liridashës dhe shpirtin e sakrificës në ditët e vështira. Ky rast i
rrallë, fatkeqsisht, u humb për fajin e klasës politike shqiptare të kohës”. Ai
e spjegon këtë fenomen si “…papjekunia e nji entiteti politik (Parathanje).
Gjykimi i profesorit Fischer ashtë kapidar! Më 7 prill 1939, të gjithë
shqiptarët kishin humbë rastin e shkëlqyeshëm me i tregue botës se cilët janë
në të vërtetë shqiptarët. Mungesa e nji koncepti të nacionalizmit në shkallë
“kombëtare” te shumica e paformueme politikisht dhe e paekspozueme e ideve
perëndimore të “shtetit” dhe “demokracisë” si vlera të nalta permanente, dhe
fanatizmi i ruejtes së identitetit të fshatit, qytetit ose krahinës dolën në
shesh me të gjithë ashpërsinë e tyne gjatë invazionit fashist të Shqipërisë më
1939-n.
Fatkeqsisht,
regjimi komunist e thelloi akoma ma shumë ndasinë krahinore dhe nji plagë e
këtill na mundon edhe sot! Edhe ma keq! Kjo “klasë politike shqiptare e kohës”
u komprometue plotësisht me nënshtrimin e saj pa rezerva padronit të ri. Më 14
prill iu dhurue kunora e Skënderbeut Mbretit të Italisë. Ma shumë se gjysma e
deputetëve ishin nga ish-garnitura monarkiste dhe personalitete të Monarkisë.
Shqipëria u tërhoq nga Lidhja e Kombeve. Ministria e Jashtëme dhe ajo e Luftës
u shkrinë me atë të Italisë. Mesazhi i Ministrisë së Jashtëme për legatat
ishte: “Porositeni të mos bani asnji veprim diplomatik… Mbani gjithëherë
kontakte të ngushta me përfaqësitë italiane… Kini besim të plotë në qeverinë
fashiste etj.”. (I.Konomi. Faik Konica.-2012, f.204) Ndërsa Kisha Ortodokse
Shqiptare në Amerikë dhe federata “Vatra” organizojshin demonstrata e protesta
kundër invazionit italian dhe i drejtoheshin Presidentit Roosevelt “…për të
shpëtuar Shqipërinë heroike, nji vend paqësor dhe i pambrojtur”, (K.211)
kolaboracionistët e Tiranës udhëzonin F. Konicën që të bante çdo përpjekje me
pengue këto manifestime patriotike.
Më 3
qershor u mbyll Ministria e Jashtëme dhe ajo e Mbrojtjes dhe kaluen në duert e
italianëve. Përfaqësimi diplomatik u muer nga italianët. Diplomatët mbetën pa
mbështetje, me përjashtim të Turqisë dhe Egjiptit, që nuk njohën pushtimin
fashist, dhe përfaqësuesët shqiptarë, Asaf Xhaxhuli në Ankara dhe Abdyl Sula në
Kajro, mbajtën legatat të hapuna gjatë gjithë viteve të luftës. Shqipëria po
varrosej pa ceremoni! Akuzat e historianëve shqiptarë së “Fuqitë e Mëdha
perëndimore u shprehën se nuk kishin interesa ndaj Shqipërisë” janë vetëm
pjesërisht të vërteta dhe pjesërisht mbeturina të historiografisë komuniste. Në
SHBA kemi protestat e ministrit F. Konica pranë DASH dhe mirëkuptimin e
autoriteteve amerikane. “Kam ardhur të protestoj pushtimin e vendit tim nga
Italia”, i tha ai sekretarit të Shtetit, C. Hull, i cili mori kontakt të
menjiherëshëm me Presidentin F. D. Roosevelt. Në orën 5:30 mb.dr. të datës 7
prill 1939, Presidenti dhe C. Hull diskutuen në telefon pushtimin e Shqipërisë
dhe “…vendosën të mos njohin pushtimin e Shqipërisë, ashtu siç nuk kishin
njohur aneksimin e Etiopisë më 1936-n, dhe se Konica do të njihej si
përfaqësues i vendit të tij” (K.192).
Më 8
prill 1939, Shtëpia e Bardhë deklaroi: “Pavarësia e vazhdueshme politike,
ekonomike dhe sociale e çdo vendi të vogël në botë ka nji efekt mbi sigurinë
dhe begatinë tonë kombëtare” (K.193). Po atë ditë, ish-ministri amerikan në
Tiranë, Charkes Hart, deklaronte: “…rezistenca shqiptare ndaj forcave të
mekanizueme të Italisë do të ishte e kotë, por kundërshtimi ndaj pushtuesit nuk
do të vonojë; do të jetë sporadik, por i vendosun “. (K.193) Ndërkaq, shtypi
serioz amerikan u jepte hapësinë deklaratave të ministrit Konica. Në mesditën e
datës 8 prill, sekretari i Shtetit C. Hull lexoi këtë deklaratë: “Pushtimi me
forcë dhe i dhunshëm i Shqipërisë ashtë pa dyshim nji kërcënim tjetër ndaj
paqes në botë. Do të ishte dritëshkurtësi të mos mbahej shënim ky zhvillim i
matevijon nga faqja 1 Ashtë plotësisht mosmirënjohës qëndrimi i shtetit dhe
shoqënisë shqiptare – sidomos i Akademisë së Shkencave të Shqipërsië dhe
Institutit të Historisë, si dhe i të gjithë atyne që kanë diçka me tregue – që
gjatë viteve të tranzicionit, që nga viti 1992 dhe deri sot, kanë lanë mbas
dore detyrën e shenjtë dhe thellësisht morale me nxjerrë në dritë emnat e
dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe me u akordue atyne mirënjohjen e thellë të
mbarë kombit shqiptar për aktin suprem të sakrifikimit, tue mos lanë mbas dore
edhe përkujdesjen zyrtare për familjarët e tyne. jshëm”. (K.194) Senatori
William King e quejti pushtimin “…nji sulm burracak dhe i egër ndaj nji vendi
të vogël….Qeveria italiane u suall më keq se një gjarpër me zile”.(K. 199) Më
14 prill 1939, Presidenti Roosevelt i bani thirrje qeverive të Gjermanisë dhe
Italisë që të japin sigurinë se nuk do të sulmojnë 14 vende të Europës; vendi i
parë ishte Shqipëria. Pse ndryshoi qëndrimi amerikan ndaj pushtimit italian?
Interesa madhore amerikane ishte të evitohej ballafaqimi me Musolinin dhe të
mos shkaktohej nji afrim i tij me Hitlerin në nji front të përbashkët kundër
Perëndimit.
Ka arsye me besue se largimi i Mbretit Zog I pa rezistencë, shuemja e shpejtë e rezistencës dhe nënshtrimi i menjiherëshëm i garniturës monarkiste që përfaqësonte “Shtetin shqiptar” ndaj okupatorit, duhet të kenë influence mendimin e diplomateve amerikanë. Britania e Madhe e Franca drejtoheshin nga kapitulluesit Chamberlain dhe Daladier respektivisht, të cilët kishin firmue Marrëveshjen e turpshme të Munich-ut (1938) tue sakrifikue Çekosllovakinë dhe nuk kishin asnji interes me shqetësue balancën e forcave të krijueme në Europë. Jugosllavia e pro-italianit Stojadinoviç ishte e kënaqun që trupat italiane nuk u vendosën pranë kufinit me Jugosllavinë. Greqia e diktatorit pro-fashist gjeneral Metaxas deklaroi se pushtimi i Shqipërisë nuk cenonte marrëdhanjet e mira në mes të Greqisë dhe Italisë fashiste. Para nji situate të këtillë vetëm rezistenca e fortë dhe e qëndrueshme shqiptare mund të kishte influencue opinionet qeveritare dhe do të kishte fitue simpatine e opinionit publik ndërkombëtar, tue e vendosë Shqipërinë pa rezerva në kampin aleat antifashist. Por invazioni ushtarak fashist i Shqipërisë shpalosi dobësitë e thella në strukturën e ushtrisë italiane. Italia nuk ishte e përgatitun për luftë. Pak dite ma vonë, Britania e Madhe nënshkroi Traktatin miqësor me Turqinë, nji shtet që nuk pranoi pushtimin italian të vendit tonë.
Ky akt me
randësi tregon se u krijue nji atmosferë e frikës, e cila imponoi formimin e
koalicioneve në mes të fuqive antifashiste, që do të përfundojshin në frontin e
përbashkët të koalicionit të madh antifashist, e që gradualisht do të
shkatërronte agresorët fashistë italianë, gjermanë dhe japonezë. Profesor
Fischer shkruen: “Tani mund të thuhet se sakrifikimi i Shqipërisë nuk shkoi
kot”(F.32). Nga ky mobilizim i forcave të Perëndimit (e njohun ma vonë si “Bota
e Lirë”) lindi shpresa e rilindjes në popujt e shtypun, që përfundoi në
organizimin e rezistencës kundër okupatorit edhe në Shqipëri. * * * Krahas
mosnjohjes së ngjarjeve të 7 prillit 1939, sot revoltohemi edhe për
mosmirënjohjen zyrtare që “shteti” dhe “shoqënia” shqiptare u detyrohen
viktimave të 7 prillit. Lind pyetja: Si ashtë e mundun që në të gjitha
përleshjet me agresionin në shumë pika të atdheut tonë të ketë humbë jetën
vetëm dëshmori Mujo Ulqinaku? Si ashte e mundun që mbas pesë orë luftimesh në
Durrës, zbarkimet në Vlorë, Shëngjin e Sarandë, janë krye vetëm me nji viktimë
shqiptare? Simbas nji dëshmie të besueshme, në muejin shtator 1943, menjiherë
mbas kapitullimit të Italisë, autoritetet shqiptare kanë konfirmue vdekjen e 12
dëshmorëve të 7 prillit dhe kanë garantue pensionin e plotë për familjarët e
tyne. Dokumentacioni për këtë akt dinjitoz duhet të gjindet në Arkivën e
Shtetit të muejit shtator 1943.
Ashtë
plotësisht mosmirënjohës qëndrimi i shtetit dhe shoqënisë shqiptare – sidomos i
Akademisë së Shkencave të Shqipërsië dhe Institutit të Historisë, si dhe i të
gjithë atyne që kanë diçka me tregue – që gjatë viteve të tranzicionit, që nga
viti 1992 dhe deri sot, kanë lanë mbas dore detyrën e shenjtë dhe thellësisht
morale me nxjerrë në dritë emnat e dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe me u akordue
atyne mirënjohjen e thellë të mbarë kombit shqiptar për aktin suprem të
sakrifikimit, tue mos lanë mbas dore edhe përkujdesjen zyrtare për familjarët e
tyne. Kjo mosmirënjohje që jetojmë na sot ashtë nji turp i madh për të gjithë
shqiptarët, nji trup që duhet shlye sa ma parë dhe sa ma plotësisht. (Theksimet
e mia. SR)
* City University of New York