Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Dedë Gjo' Luli
E premte, 05.04.2013, 06:00 PM
DEDË GJO’
LULI
Nga Fritz RADOVANI
Një emen
që tue mos pasë pranë asnjë epitet nënkupton në Tè: Shqipninë, Flamurin,
Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, Nderën, Vetflijimin për Atdhe
dhe, së fundit “shpifjet dhe harresën”...
Kur
mësuem këtë emen na dukej se bahej fjalë për një person që e kishim ndigjue dikund...ndoshta,
ndër përralla, mbasi nuk kishim ide se një Malësor nga Hoti, mund të detyronte
një sulltan Stambolli me i kërkue “marrveshje”...e ndoshta, edhe me e peshue me
monedha ari.
Asnjëherë
nuk shihej as Flamuri i Tij, edhe pse Foto Kel Marubi e kishte fiksue në xhamat
e vjetër të studios së tij. Dikund ndër skuta të shtëpisë e kishim edhe një
fotografi “të mbetun”, ma shumë se të ruejtun, mbasi kontrollet e vazhdueshme
të sigurimit komunist kishin marrë me vete çdo foto që kishte një njeri me armë
ose të veshun ushtarak. Për fat Deda ishte i veshun me çakçir...nuk ua pat
tërheqë synin “vigjilent”!
Herën e
parë këtë Emen e pata ndigjue nga një grue e veshun me rroba të zeza, që pat
ardhë për vizitë në shtëpinë tonë, Ajo ishte jo aq plakë sa e bante shamija e
zezë mbi kokën e Saj dhe Fëtyra e lodhun nga qendresa për mos me kja për
vrasjet e djelmëve të saj, nga stuhija e ardhjes së komunistave me ernat
rrënuese të Serbisë, që Ajo i njihte me kohë, kur ishte kenë vajzë e re. Ishte
Katrinë Tomja...edhe sot kujtoj ata dy sy Shqiponje, apo të ndonjë sfinksi, nuk
mund ta përcaktoj...por, pa i shtue asgja nga fantazia ime fëminore, ata ishin
sa një filxhan kafje dhe të zez si futa, që i mbështillte Fëtyrën e skalitun si
dikund ndër ato vepra arti që shfletojshe ndër libra, por gati... pa kuptue
asgja...
Ajo i
foli Nanës seme për qëndresen e Saj...se, “grueja apo vajza malësore e ka për
turp me u pa një pikë loti tue i ra nëpër faqet e saj, kjoftë edhe për djalin e
vetëm...”. Kjo bisedë që po bante Ajo, më tërhoq vëmendjen, mbasi nuk ishte
larg nga koha e vdekjes së Babës dhe unë po mendojshe se cilit fis i përket
Nana eme, që porsa zente me gojë emnin e Babës, i shkonin lotët rrëkajë...Kur
iku, e pyeta Nanën pse nuk i shkonin lotët Asaj kur bisedonte për djelmët e vet
të vramë nga partizanët dhe Nana, më tha shkurt: “Ajo asht një nga Burrneshat
që ka luftue vetë me armë në dorë...ndër male kundër serbëve!”
Ma vonë
jam kujtue përse ndër male nuk kjajnë femnat tona, se Atyne u asht pjekë syni
nga duhma e barotit në beteja të rrebta përkrah Trimave të vet Malësorë!
Ishte
viti 1961 kur pata fatin me kalue ndër duert e mija një nga gazetat ma të
njohuna shqiptare, “Ora e Maleve”...aso kohe rrebtësisht e ndalueme me u lexue.
Dedë Gjo’
Luli asht le aty rreth vitëve 1840. Kur mungon data e saktë në artikujt e
klerikëve, ajo datë asht e pamujtun me u gjetë! Edhe ata e tregojnë jetën e Tij
nga goja e njerëzve të afërt të Dedës, në gazetën “Ora e Maleve”, dokument të
cilit i jam referue pa frikë. Vendi ku çeli Shqipja Këte vigan asht
Koha e
Miletit asht ajo që zen fillë emni i Tij, kur me Preng Bibdoden, Çun Mulen e Hotit, Hodo Begun, të
famshmin Marash Ucin e sa perla tjera të “Lahutës së Malësisë”, me të cilat At
Gjergj Fishta pat vue në gjoksin e Nanës së vet Shqipni gjerdanin e artë të
lavdishëm dhe të përjetshëm të Tyne, në betejat e përgjakshme kundër turkut...
Atëherë
kur Hafiz Pasha i Turqisë së plotfuqishme u pat kërkue armët Malësorëve, bash
ata “dreq” armësh me të cilat u ka dalë punë të gjithëve, derisa mbërritën me
shpikë e me punue në shekuj për me u vue edhe emnin “kusarë gjaksorë”, Deda
mori malet bashkë me disa Burra që “historia”e sotme e së shkretës Shqipni nuk
i njeh, si Sokol Bacin, Smajl Martinin, Dedë Preçin, Keqa Prelen, Dulo Staken,
që për dy vjet patën shkue ndër bjeshkë të Krasniqes, në shtëpinë e një tjetër
emnit të “harruem”, Qazim Binakut.
Mbas
formimit të Lidhjes së Prizrenit, qetësia e Perandorisë së Osmanllijve kishte
marrë fund njëherë e përgjithmonë. Malësorët nuk i mbante ma as frika, as huni,
as “premtimi”, prandej edhe lufta e tyne për Liri ishte ndezë në të katër anët.
Flaka kishte përfshi Hotin, Grudën dhe Kastratin. Të gjithë kishin rrokë armët.
Beteja ma e rrebta asht ajo që u ba në Traboin, në Qafën e Kishës dhe në Spi,
ku Dedë Gjo’ Luli u pat tregue anmiqve të Shqipnisë se kush asht Shqiptari i
“ringjallun”. Asht pragu i një Ringjalljes së Madhe, ku Malësori kishte marrë
në çdo pikë gjaku nektarin e Atdhetarizmit dhe të Fesë së dhunueme ndër sa
shekuj, nga “bletët puntore” me zhgunin e Shën Françeskut t’ Asizit, që nuk iu tutën
as marrjes zvarrë mbas kuajve të pashallarëve, as hunjve të vumë ndër “shenjat
e Kryqave”, ku nguleshin si kafshët për me mohue Fenë e Krishtit.
Ishte
viti 1910 kur Trimi i Traboinit me vullnetin e Tij prej çeliku ndodhet mes
kryengritësve të Malësisë së Madhe, ose si asht njohë ndër dokumenta, të
Malësisë së Mbishkodrës, dhe len trollin e vet për mos me u kthye kurrma, me 29
Korrik.
100 vjet
ma parë,.. Në vitin 1911 Kryengritësit Malësorë do të arrijnë me armët e tyne
dhe me gjakun e Martirëve të Lirisë me shkrue fletën ma të lavdishme të
Historisë mijëvjeçare të përpjekjeve për Liri, dhe mbi vorret e Atyne Martirëve
me ngritë, mu në qendren e Ballkanit të salvuem nga osmanllijtë, Flamurin e
Gjergj Kastriotit në Trojet tona Shqiptare, në Ata Troje ku Liria, Atdheu dhe
Feja janë visaret ma të çmueshme dhe ma të dashuna për Ata, që kur lindin
pagëzohen me Atë Emen që ndër shekuj mburojë ju bane Shqipnisë, e thirren
Shqiptarë!
Ishte
vetë prijsi i tyne Dedë Gjo’ Luli i pari që mori shpellat!
Janë 13
shtëpi, që mbas gjurmëve të Tij, u veshen Bjeshkëve të Triepshit e, mos harroni
se janë 13 kulla që flakrojnë nën rrezet e diellit dhe të hanës e që shkelqejnë
ndër tingujt e kangëve të Lahutës, tue mos dijtë me pasë kurrë mort!
U
bashkuen rreth Tij edhe 30 shtëpi, e jo vetëm nuk u pajtuen me mendimin e
turqëve, por i patën fjalët e pakta dhe të kjarta si drita që ndriçonte ato
maje: “Duem Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët!”.
Bash si
një thikë u pat ngulë fjala e Tyne në zemrën e kalbun të Sulltanit, që villte
vner si gjysëmhana e flamurit tij kur ajo rroposte kombe e popuj...U pat mundue
me lypë “gajret e derman” ndër haremet e veta, tue ua zhgulë prej fytit
gjerdanat e diamantët e çmueshme lavirave të Bosforit, për me mujtë me “thye”
Burrin e Traboinit, por nuk i banë “fajde”...Ishte kot, se as me i mbledhë të
gjitha plaçkitjet që u kishte ba të gjithë popujve bashkë, nuk i delnin me thye
Ate që tashma ishte çue në kambë e nuk ulej as ndër shiltet e tija me kuvendue.
Nuk i bante syni vek as për pare, as për pasuni, a thue se Ky Burrë kishte le
mu në pallatet e tyne i rrethuem në fildish...Nuk ia thente synin as refleksi i
rubinit e as i diamantit të unazave të tyne, mësa i shponte zemrën fjala e tyne
e dalun prej barkut, përzi në dishprim me helm, e shkrryeme ndër shilte...
Të gjitha
iknin e zhdukeshin me tymin e llullës së Malësorit tonë sikur të ishte tue
ndigjue përralla pallatesh të kohës së “Nuhit”...
Asgja nuk
e këthente Dedë Gjo’ Lulin nga rruga e Herojve!
Edhe
konsulli i Turkisë në Podgoricë, i shtymë nga Bedri Pasha i Turkisë, i pat
premtue një rrogë mujore prej 2500 lira turke Dedës, dhe me i sigurue një punë
të mirë të birit, po as prej tij nuk u thye... Asnjë Shqiptar nuk besoj se di
me marrë me mend sesi një Malësor pa plang e pa shtëpi, fukara që nuk kishte as
bukën e gojës, arrin me u përgjegjë pa pikë frike dhe me plot gojë, e madje tue
ngritë naltë edhe zanin e Tij:
“M’i
thoni Pashës e Mbretit se nuk jam mish që shitet në krraba të kasapit. Ta dijë
Mbreti se s’ ka aq pare sa me më thye!”
Kishte
mjaft nga ata që dukeshin trima edhe para e mbas Dedës, po “trimnia” e tyne
mbështetej nga siguria e karrigave e kolltukëve të tyne prej një forcës tjetër
që mëshefej mbas tij...Ndersa Dedë Gjo’ Luli, jo vetem nuk kishte kolltuk as
stol ku me u ulë, e as kurrnjëfarë sigurie mbas shkambit ku mbështetej me ba
një sy gjum, por kur u pat ndodhë në duert e malazezëve, Krajl Nikolla i pat
thanë: “Vend ma në Mal të Zi nuk ke”, e kuptohet se Krajli kishte mendue me ua
lëshue në dorë turqëve, ashtu si kanë veprue me shumë Shqiptarë kur ia lypte
interesi i vet, që i lidhte ma të fortit kur kishin në mes tyne një Shqiptar...
Po Deda
çka u tha? A thue u frigue se nuk po gjente vend?
Ai u
pergjigjë sikur të kishte përballë një turk:
– “
E ndoqën
malazezët hap mbas hapi derisa e zunë dhe e patën çue në Danilograd, ku e
mbajtën dy muej. Provuen me e lodhë dhe me shumë djallëzi u përpoqën me e ba
për vete. Arritën deri aty sa vet Krajli i pat kërkue, mbasi vrejti se Deda nuk
thehet, “Të lutem, nëmos djalin ma fal!”, sigurisht, ky ishte premtim por edhe
peng! Deda, me një squtsi të madhe, arrijti me i dhanë përgjegje ate çka
Krajlit as nuk i shkoi nëpër mend: “Djalin s’ia kam falë Mbretit as nuk kam me
t’ a falë ty! Jemi të Shqipnisë unë dhe ai.” E jo larg kësaj ditë, me 29 Gusht,
kur krahina festonte Festen e Bajrakut, në Fushen e Tuzit, Dedës i vritet djali
i vogël 22 vjeç, tue luftue si Burrat me armë në dorë.
Tue
shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së
Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina
të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1912, ku nuk duhen
lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë
me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati
Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i
Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo
Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At
Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut
t’Asizit. Këta fretën asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e
malazezëvet, por iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i
cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj
Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin,
njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me
Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje prirjen politike të Kryengritjes
së madhe të Malësorëve të Mbishkodrës.
Kleri
Katolik Shqiptar që ishte ndër ato Malësi kishte arrijtë deri aty sa me
deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare
malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times,
Wednesday, May 10, 1911.)
Tue u
ndodhë para një vendimi të pathyeshëm, Imz. Serreqi kje nisë në Cetinë bashkë
me At Gjergj Fishten, Luigj Gurakuqin dhe Don Ndre Planin, me marrë njoftimet e
duhuna nga Legata Perandorake.
Vendimet
e Qeverisë Turke nuk u përfillën fare nga Malësorët, kështu gjendja u acarue
edhe ma shumë, mbasi burrnisht nga ata u pat vazhdue pandërpremje lufta për
Liri të plotë të Tokave Shqiptare.
Trimat e Malësisë nuk kanë kurrë djelm tepër, për mos me thanë se dhjetë me pasë krye vitit, e prap kanë mangut. Atyne u duhen ashtu si Zoti shpesh ua ka falë pambarim...
FLAMURI I
GJERGJ KASTRIOTIT U NGRIT...
Kishin
kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga
Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë
për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë
Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin
përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta,
martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e
kulumrija...Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e
drunit të lisit e të çamit. Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue
shenjat e pushimit, vue nga dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë,
përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte
shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e
baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të
robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e
shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e
Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte
se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të
dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem
e ba rrafsh me tokë. Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri,
po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e
burrave ishin bashkue e ba hulli si t’u kishte shkrepë rrufeja në votër e
shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi.
Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e
pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur,..ku, tashma as dallëndyshat
nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik i
kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku
ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë
e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte
msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as
gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i
forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat
rrumbullake “felëshuesëve”, të cilët shoqnonin ferlikun e rakinë me vallet
turke e kangët mortore të tymosuna nga flaka e zbehtë e drunit të pishës,
derisa dikur fillonte me dalë drita, e atëherë kujtoheshin për ndonjë pusi që
kishin vue ditën ma parë, e në të zbardhun të dritës, edhe pse ishin të
përgjumun, delnin ndër prita e ashtu në kllapi, kishin ndigjue kushtrimin e
ndonjë Malësori që kishte lajmërue se kishte lé një Djalë në oxhakun e vjeter të Gjo’ Lulit...
E Baba i
pat vue emnin Dedë, si ta kishte ditë se Ai Emen do të vinte dita e ka me u
daltue me shkronja t’ arta!
Emen që u
pat kallë mneren turqve e shkjeve, e besa, ma
Mbërrijti
lajmi edhe ndër shtëpijat e vjetra të Shkodrës se Dedë Gjo’ Luli asht rritë e
ba Burrë e madje edhe i fortë...Kishte ba konak e votra e Tij mbushë prej Zotit
me djelm, me djelm të pashem e vigaj mali si Baba i Tyne, tashma në të
shtatdhetat vjetë...E brezi i tyne vetëm vezullonte nga dorcat e armëve që
rrethonin belin e drangojve. Sytë ua kishte dhurue Shqipja dykrenare! Mustaku i
shndriste si thupra e sermit që dredhej mbi kronin ku buronte fjala e Burrit...
Mbi sy binte vetem qeleshja e bardhë bilur si bora e majeve të Alpeve tona ku
sundonte ende vetëm Shqipja e kurrkush tjeter nën çatinë e vume nga dora e
Krijuesit!
Qielli
hapej e mbyllej nga vetëtimat e asaj pranvere, që ç’mos kurrë, dishka donin me
njellë e lajmërue n’ ato ana...Edhe dielli, që deri atëditë nuk kishte mujtë me
shkri as boren mbi majet e atyne maleve, filloi me vezullue e me ra edhe mbi
çatijat e shtëpijave, që kishin mbetë pa u shembë. Fyelli i barijve ndigjohej
deri larg ndër pyjet ku strofullat e arijve kishin fillue me u shprazë, se edhe
vetë bishat kishin marrë iken... Po, po, kishin fillue me marrë iken, se ndër
male ku ishin shue fiset e dalë faret Burrat e Atdheut, armët e tyne ishin
rreth brezit xhubletës e kishin zanë vendin e postavës e të sermit, që dikur
diftonin nusninë e tyne që edhe ajo vyshkej sa djali shkonte ushtar i dhunuesit
pashpirtë. Ata tashti ishin perkrah Burrave ndër male. Duert e tyne ishin ato
që kishin rrokë dikur ata filiza, që tashti ishin ba Burra e marrë malet, e
tash në krah të Atyne Burrave kishin rrokë armët e Lirisë së Atdheut! Ishte
dikund andej Nora e Tringa, ishte Kupe Danja e ishte Shota, ishte mbarë vajznia
e granija, ishin po lulet e zambakët e bardhë si bora, që kishin çelë edhe ata
ndër gur’ e shkambij bashkë me vjollcat e pranverës së 1911...
Ishin
Malësorët Shqiptarë, që i drejtonte një Dedë Gjo’ Lul!
Ishin,
po, Ata Burra që kishin shpalosë e nxjerrë nga dheu një Flamur të balsamosun me
gjakun e Heronjve e të ruejtun mbrendë thellë në vorrin e Gjergj Kastriotit, në
atë Vorr që asht edhe sot, i ruejtun nga Ata besnikë të përjetshëm, që me
duertë e tyne të Shugurueme tashti edhe Ata kishin rrokë Armën e Lirisë,
Kryqin, e Arma e Lirisë në duert e Shugurueme me Bagmin Shejtë nuk përdhoset
kurrma,.. kurrma!
Plasi Toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiq u vue një Flamur i harruem ndër shekuj. Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i ruejtun dhe i mbrujtun me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin, ku Ai do të kalbet e do të shuhet përgjithmonë.
100 vjet
ma parë, me 6 Prill 1911...Me Dedë Gjo’ Lulin...
Mbarë
Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt!
I madh e
vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë!
Atdheun
filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!
Fitorja e
shpërblyeme me gjak ndër shekuj erdhi!
Urata,
lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin!
Secili,
sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës...
Pikë
lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që
këndonin e shkrepshin armët...
Edhe
gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!
Aty pranë
në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë...
Sa andej
këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma
të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne
ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit
paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u
bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut...tue zgjue mbarë një
Europë:
“Oooo...
Burra bre... çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën
Arbnore!...”
Ai u
ngrit për mos me zdrypë kurrma,..kurrma!
Tingujt e Lahutës...vazhdonin Kangët e veta...
(Pjesë
nga libri “Dedë Gjo’ Luli” në 100 vjetorin e ngritjes së Flamurit, nga
F.Radovani)
Melbourne
2011.