Mendime
Ndue Ukaj: Një histori pa të vërteta
E merkure, 10.04.2013, 07:45 PM
Një
histori pa të vërteta
Nga Ndue Ukaj
Ajo çka i
propozojnë opinionit publik ata që e kritikojnë peticionin, është një histori
pa të vërteta, një histori që iu shkon për shtati teorive të Ahmet
Davutogllu-it, që shqiptarët i konsideron si mbetje osmane në Ballkan.
Shqiptarët
s’kanë sesi të trajtohen si mbetje osmane, sepse s’janë të tillë. Ata kanë
kulturën e identitetin e tyre dhe s’mund t’i mohojnë faktet e panumërta
historike për hir të marrëdhënieve të reja me shtetin turk. Shqiptarët u
privuan për pesë shekuj nga liria, nën dhunën osmane dhe kështu u detyruan që
identitetin e vet kombëtar e shtetëror ta formësonin në konfrontim të
përhershëm me pushtimin osman.
Ndërsa
kontingjenti i atyre që morën përsipër ta atakojnë peticionin kundër ndryshimit
të historisë nën mbikëqyrjen e autoritete turke dhe nën trysninë turke, nga ç’
pamë gjer me tani, ka vetëm një mision: ata duan t’i mësojnë shqiptarët me një
histori pa të vërteta.
Debati
rreth peticionit, është një dëshmi e mirë me pa qartë një të vërtetë të
dhimbshme: kujtesa jonë është një kuti e mbuluar nga një shtresë e trashë
pluhuri, të cilin pluhur po u përpoq
dikush ta heq, çohen peshë gjakrat e atyre që kanë gjetur prehje brenda asaj
kutie të myktë.
Kjo
histori pa të vërteta, është burim i mirë për kozmopolitët, që të tredhur nga
idetë kombëtare, siç do të thoshte shkrimtari Erich Maria Remarque, s’i
përkasin më asnjë kombi. Këta kozmopolitë,
natyrisht duhet ta sulmojnë historinë kombëtare, sepse kështu
legjitimojnë vetën e tyre.
Nga llomi
i këtij pluhuri, s’ka sesi të mos dalë ndonjë mendje që krekoset dhe merr
përsipër të mbajë ligjërata se çfarë është kombi e çfarë s’është ai, si mund të
tjetërsohet kujtesa dhe si lëvizin identitet sa herë ndërrohen perandoritë.
Këto teza
për identitete të lëvizshme, në thelbin e tyre s’kanë asnjë bazë shkencore dhe
s’gjejnë pandehmë krahasime me asnjë komb në rruzullin tokësor. E këto toeriçka
ndër ne i shpikin vetëm ata që duan mbi
koncepte tërësisht imagjinare e iluzore, të krijojnë një komb të ri, një komb
pa kulturë, pa rrënjë e pa trashëgimi të përbashkët.
Gjitha
koncepcionet tjera që përpiqen të nxjerrën nga peticioni, janë sajime
imagjinare, të atyre që duan të shkruajnë një histori pa të vërteta, të atyre
që flasin për identitete të lëvizshme, të atyre që duan t’i ndërrojnë identitet
sa herë ndërrojnë stinët e motit, të atyre që me kauzifakte, flasin për një
bashkëjetesë mes shqiptarëve dhe perandorisë osmane, të atyre që për shkak të
simpative të ndryshme, mohojnë të vërtetën dhe kështu pjesën dërmuese të
kulturës dhe identitetin shqiptar.
Ku zë
fill kjo histori pa të vërteta?
Natyrisht,
kjo histori pa të vërteta, pikësëpari duhet ta amnistojë pushtimin osman ndër
shqiptarë, fillimisht duke e zbutur atë, në formën siç kemi dëgjuar, ku vrasjet
zëvendësohen me burgosje, e shpërngulja e arbëreshëve thuhet të mos jetë bërë
për asnjë arsye tjetër, veç fetare. Së dyti, kjo histori vihet në funksion të
fragmentarizmit të kombit shqiptar, duke u hy në punë kjo teori disa ideve të
marra për një komb të ri, që është derivat i kombit shqiptar, nën substratin e
të cilit shtresat e ardhura mendohen të jenë bazë.
Kjo
histori pa të vërteta, hap shtigje që shpejt të rishkruhet edhe letërsia
shqipe, meqë ajo nga fillimet e saj e gjer me sot, me një gjuhë artistike e
atakon kudo pushtimin osman. E s’duhet të harrojmë se letërsia shqipe është
paradigma më e fuqishme që ndihmoj në mbijetesën kombëtare.
Një
histori pa të vërteta, natyrshëm pushtimin osman e krahason me atë të NATO-së
dhe kështu hap shtigje tjera që në një të ardhme të afërt, gjithë ata që kapën
pushkët kundër asaj perandorie, të shpallen tradhtarë.
Një
histori pa të vërteta, natyrshëm eliminon heronjtë e saj, duke e shpallur
pikësëpari Gjergj Kastriotin, kaçak e cub, për ta zëvendësua atë në një etapë
tjetër, me shpëtimtarin Sulltan Murati-n. Në sfondin e gjithë kësaj, i shohim
edhe debatet e shumta që bëhen rreth figurës së tij dhe tezave që importohen
nga jashtë për ta çmitizuar atë, thjesht për ta bërë kaçak.
Një
histori pa të vërteta, është ajo histori që bëhet pjesë e inxhinieringut
politik për ta zhvatë edhe më tej këtë
komb të rraskapitur dhe për t’ia prishë busullën e orientimit, në kohën kur
sendërtimi i aspiratës europiane është në rrugë e sipër.
Kush e
shkruan këtë histori pa të vërteta. Këtë e shkruajnë ata që flasin për
identitete të lëvizshëm dhe harrojnë se jemi të njëjtit të cilët tok të bashkuar, para pak kohe
çirreshim para dyerve të Europes, duam të hyjmë brenda.
E kjo
kujtesa e shkurtë kombëtare, është fatkeqësia jone ma e madhe, e cila na ka
çuar nga gabimet në gabim, nga pësimet në pësime, duke mbetur gjithmonë në
dyert e dikujt, me parulla që na ngrihen në duar.
Ç’mund të
jetë kjo tjetër, veç një marrëzi që komentin ma të adekuatë e ka te vet
parullat që i ndërrojmë, sa herë na duket se janë hapur dyer të reja para nesh.
Në fakt, para nesh ka qenë vetëm një derë.
Gjumi
letargjik i injorancës, ka marrosur disa grupe shqiptarësh, që ma parë pranojnë
te identifikohen me pushtuesit barbar osman, sesa me historinë e tyre, me
heronjtë e tyre, me gjuhën e tyre, me simbolet e tyre dhe kulturën e tyre.
Ky
peticion bëri mirë, sepse shprishi gjumin letargjik të atyre që të mbuluar nga
pluhuri i historisë, dolën para opinionit publik pa lëvozhgën që e kanë mbajt
gjatë rreth vetës.
Një
histori pa të vërteta apo një histori me disa të vërteta të përçudnueme që ju
përshtaten individëve e grupeve të vogla, s’është histori e kombit tonë. Këtë gjë e kërkojnë ata që
krekosen kundër peticionit dhe kanë marrë flamuj jo shqiptarë, e me ta shtiren
se mbrojnë shqiptarinë.
Një
histori pa të vërteta, i ngjan një lisi pa rrënjë. Atë mund ta mbajnë supe të
trasha, derisa nuk fryn një erë, që plandos për tokë lisin dhe supet e trasha
të atyre që e mbajnë.
Ra peticioni
e u pamë.
Ata që shikojnë historinë me sytë e dovletit, e bëjnë sevdanë turke nga Tabir Saraji (Pallati i ëndrrave, Ismail Kadare), po e shpalosin fytyrën e tyre para pasqyrës ku për një kohë të gjatë kanë refuzua të këqyreshin.