Mendime
Avdi Gjata: Luftërat e shqiptarëve të Llapit
E marte, 09.04.2013, 06:22 PM
Luftërat e shqiptarëve të Llapit për Komb dhe Shtet-Formim shqiptar dhe Pavarësia e Shqipërisë
Nga Avdi Gjata
Duke e
lexuar librin e Mr. Salih Salihut për historinë më të re të Kosovës dhe
veçanërisht të Llapit, të bie në sy se pjesa më e madhe e saj, deri më tani
është shkruar në kuadër të historisë së Kosovës e jo veçanërisht për Llapin e
luftërat e popullit shqiptar të kësaj treve. Ajo, deri më tani sipas autorit,
më tepër është mbështetur në disa deklarata dhe punime të disa autorëve
shqiptar, në veçanti për disa tema të veçanta e disa periudha të caktuara të
cilat nuk kanë rënë shumë në kundërshtim me vijën politike të kohës. Pjesa më e
madhe e këtyre shkrimeve e punimeve, janë të deponuara në Arkivin e Kosovës,në
Institutin e Historisë të cilat mbështeten në kujtime e vlerësime të
përjetuesve apo dëgjuesve të kësaj popullsie, apo në shtypin shqiptar të
Kosovës e kohëve të fundit edhe në at të Shqipërisë.
Këtu, e
më shumë se 100 vjet të shkuara me objekt studimi, historinë e sotme të
shqiptarëve dhe veçanërisht atyre të Llapit, Salih Salihu me librin e tij;
Luftërat e Llapjanëve për Shtet dhe Çlirimin e Shqipërisë, veten e gjen në mes
kolegëve të pasionuar që ka krijuar një shans për të ecur më përpara në këtë
fushë të pa hulumtuar mirë nga historiografia e deri tashme shqiptare.
Megjithatë,
ka mbetur i pranishëm mendimi dhe ndjenja e përgjegjësisë e diktuar së paku nga
dy arsye. Në të parën autori e ka thyer një heshtje të gjatë absurde dhe hedhë të dhëna të reja historike në
zbrazëtinë e fjalës për shekullin e fundit që nuk është shkruar sa duhet e nuk
është thënë ajo çka duhet thënë.
E dyta:
Nëse historia e popullsisë së Llapit-Kosovës, mbetet imponuese me luftërat e
përpjekjet e veta në kuadër të lëvizjes kombëtare shqiptare, po kaq ishte edhe
tragjike me një dhunë të pashembullt e të gjatë të pushtuesit mbi të, për ta
mbajtur nën sundim. Në këtë kontekst sado të thuash për Llapin, prapë do të
jetë pak. Historia e kultura e saj si edhe rezistenca do të mbeten edhe për
mjaftë kohë tokë e virgjër.
Në këtë
kontekst dëshirash e obligimesh, Mr S. Salihu ish i burgosur politik dhe ushtar i UÇK-së, ka
zgjedhur dhe ka dashur ta shkruaj atë që mendon se ishte dhe është më e
rëndësishmja në jetën e punën e popullsisë së shqiptarëve të Llapit dhe
veçanërisht të Hys R. Popovës, Islam Bulliqit e Shaban Kapuqit të Mihaliqit si
edhe të ushtarëve e kryengritësve të tjerë që sot këtu është vështirë për ti
përmendur të gjithë. Fjala është për luftën e përpjekjet që ka bërë për të
fituar lirinë, bashkimin kombëtar dhe krijimin e shtetit shqiptar.
Ndonëse,
çështja kombëtare mbetet ende problematike për më shumë se një shekull,
megjithatë nuk kanë munguar çastet dhe idetë
kur është menduar se asaj iu ka afruar zgjidhja e vërtetë dhe
përfundimtare.
Punimi
përshkruhet kryesisht në dy drejtime: e para, politika pushtuese e
diskriminuese e shtetit osman dhe ati jugosllav dhe e dyta: lufta e kësaj
popullsie për të fituar të drejtat e saj kombëtare dhe për të realizuar të
drejtën e bashkimit.
Këto dy
linja, përbëjnë njëkohësisht edhe objektin e studimit. Kjo është bërë, brenda
kufijve që lejon një monografi. Ato janë shikuar në aspektet më kryesore; si në
aspektin historik, kombëtar, ashtu edhe
në aspektin ushtarak. Njëkohësisht, në libër, me mjaft fakte historike,
argumentohet se qëndresa e popullsisë shqiptare të krahinës së Llapit ndaj kësaj politike ka qenë e
përhershme, me sakrifica e privime të shumta me idealin kombëtar gjithnjë të
pashlyeshëm.
Libri,
Luftërat e Shqiptarëve të Llapit e Mr. Salih Salihut, ndahet në disa kapituj
veç e veç, të cilat na afrojnë mjaftë të dhëna për periudha të caktuara
historike; siç janë emrat e personaliteteve më të dalluar gjatë këtyre
periudhave të vështira historike, pastaj për organizimin e mbajtjen e Kuvendeve
Kombëtare dhe vendimeve të rëndësishme historike, për mobilizimin e armatimin e
popullsisë e fillimin e kryengritjeve, për dhunën dhe masat e ushtrisë osmane
dhe terrorin ushtarak. Në kuadër të librit autori i kushton rëndësi të madhe
edhe angazhimit të atdhetarëve e patriotëve rreth angazhimit për sigurimin e
librave, për organizimin dhe hapjen e shkollave shqipe etj.
Në
kapitullin e parë, përshkruhet dy figura të njohura jo vetëm te shqiptarët po
edhe te popujt e tjerë siç është Justiniani i Bederianës dhe Kodi i tij, si
edhe Gjon Kosanqi, Musa Arbanasi dhe Dem Ahmeti. Gjithashtu, këtu përmendet
edhe Kuvendi i Prokupjes e organizatori i saj Pjetër Bogdani. Në këtë pjesë
bëhet i njohur edhe një personalitet i rëndësishëm nga Llapi Jashar Erebara që
ishte në lidhje të drejtëpërdrejt me Komitetin e Stambolli dhe intelektualët e
tjerë shqiptar
Është e
rëndësishme që në mesin e kësaj krahine të Kosovës, na afrohen të dhëna për,
këto personalitete, tashmë të njohura për shqiptarët siç janë: Haxhi Sadri
Mustafë Blaku, Islam Ukë Bulliqi, Hys Rushit Popova, Bel Bajqinovci, Mehmet
Konjuhi e shumë figura ushtarake e politike të tjera.
Kapitulli
i dytë ‘ Hys Rushit Popova’, e përshkruan familjen atdhetare të Hys R. Popovës
nga fshati Popovë që i përket
prefekturës së Besianës. Këtu, autori e na e përshkruan në hollësi
gjeonaligjinë e familjes së Hys Popovës, Islam Ukë Bulliqit dhe Shaban Kapuqit
të Mihaliqit. Pastaj, mjaftë mirë na e përshkruan edhe traditën e familjeve Llapjane, bujarinë,
trimërinë, guximin dhe veprimtarinë e komandantit ushtarak Hys Popovës. Me
strategjinë dhe projektin e Hys Popovës, organizohet edhe vrasja e Konsulit rus
në Mitrovicë Shqerbinë, nga Ibrahim Halit Popoci nga Gjilani, për të cilën
vrasje, arrestohet dhe dënohet me burg edhe vet Hys Popova.
Në të
njëjtën kohë, autori librin e pasuron me fotografi të drejtëpërdrejata nga
tereni. Në libër është e vendosur edhe
fotografia e monumenteve të rezistencës dhe varrit të Hys R. Popovës i cili
edhe sot e kësaj dite, gjendet në fshatin Galicë, pranë varrit të Azem Bejtës.
Sipas autorit varrimi i Hysit pran Azem Bejtës në Drenicë është një argument i
rëndësishëm që dokumenton se
kryengritësit Llapjan, përveç luftrave në llap kanë luftuar edhe në trojet
tjera shqiptare. Për, luftën e përbashkët të këtyre dy udhëheqësve të
kryengritjeve shqiptare apo të Lëvizjes Koçake në kuadër të MSKS, autori na
ofron mjaft mendime argumentuese të ngjarjeve.. Autori, për herë të parë, deri
më tani na e ofron edhe portretin e Hys Popovës që i ka munguar historiografisë
shqiptare, e që është një material
dëshmues, mjaft i rëndësishëm dhe i veçantë për ne dhe historianët e ardhshëm
shqiptar. Me rastin e promovimit të këtij libri dëshiroj që të ia bëjë një
vërejtje institucioneve tona kulturore e historike të cilat nuk kanë ndërmarrë
asnjë hap për meremetimin e varrit e kullës së Hys R. Popovës e cila ishte bazë
e lëvizjeve shqiptare. NJë vëmendje dhe studim të veçant autori në punimin e
tij ia ka kushtuar veçanërisht Kuvendit
të organizuar më 26 dhjetorit 1909, nga i cili kuvend ishte miratuar, programi
i kërkesave për liri dhe krijimin e shtetit shqiptar i cili përmbante këto
pika:
a).
Autonomia e Shqipërisë me guvernator shqiptar.
b). Gjuha
shqipe të jetë gjuhë Administrative,
c).
Nëpunësit e këtyre viseve të jenë shqiptar.
Ç).
Fondet të jenë të ndara nga perandoria Osmane dhe të shfrytëzoheshin për
shqiptarët.
e).
Shërbimi ushtarak të bëhet në trojet shqiptare.
Përveç,
këtij Kuvendi autori na afron një mori të dhënash edhe për kuvendet tjera të
organizuar në trevën e Llapit siç ishin: Kuvendi i Livadhisë, i Repës, i
Letanit, i Dyzit, i Pollatës, i Mavriqit, i dobratinit, i Murgullës, dhe ai
Bradashit, prej nga ishte dhënë kushtrimi për fillimin e kryengritjeve të
viteve 1911, 1912, etj.
Jam shumë
i sigurt se autori duke e shkruar këtë monografi, është i vetëdijshëm se ka
ende mjaft hapësirë për tu thënë rreth kësaj teme. Ndonëse është shfrytëzuar
bukur shumë material i botuar i kësaj periudhe, duke e përdorë një bibliografi
jo të pakt, përsëri ekzistojnë, vështirësi në vjeljen e burimeve faktike,
sidomos atij arkivor, që ende lënë vend të hapur për plotësime të tjera në disa
linja.
Nëpërmjet
një punimi të tillë, lexuesi i gjerë do të njihet me fakte e të dhëna të reja,
ndërsa studiuesit e ardhshëm të historisë së Kosovës e trevës së Llapit, do të
vazhdojnë veprimtarinë e tyre kërkimore
shkencore në kufij të rinj njohurish, ku do t’i nxisë, për t’i zhvendosur ata
më tej.
Nga ana
tjetër ky libër i Salih Salihut me shumë argumente synon t’i kundërvihet edhe
një vargu tezash të historiografisë serbe e jugosllave, e cila problemin
shqiptar, opinionit botëror ia ka prezantuar të manipuluar dhe me mjaft
deformimesh.
Sot, gati
nga të gjithë historianët, gjuhëtarët, arkeologët, pranohet se Kosova ka qenë
shtrat i lëvizjes kombëtare antiosmane e cila solli pavarësinë e Shqipërisë e
që aktualisht shqiptarët e rajonit të llapit, dallohen për qëndresë e
kryengritje të armatosura kur merret parasysh edhe pozita gjeostrategjike e
kësaj treve të Kosovës. Si e tillë dhe në bazë të një sërë veçorive
gjeografike, që ka me Serbinë, (130 km ) rezistenca dhe luftëra sipas autorit
ishte e domosdoshme për ruajtjen e trojeve shqiptare edhe ashtu të cunguara e
coptuar mjaft.
Autori i
librit Mr, S. Salihu na ofron dokumente të shumta që dëshmojnë për lëvizjet e
fuqishme kombëtare të popullsisë shqiptare gjatë viteve 1910-1913 si edhe ato
në vitet 1918-1925 të udhëhequr nga Komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’.
Nga libri
i Salihut mund të kuptojmë se pushteti i MSKS,
Kosovën e solli në atë pozitë, si një tokë të pushtuar e cila vazhdoi
deri në vitin 1939, kur Kosova po edhe krahina e llapit u pushtua nga Gjermania
naziste dhe Italia fashiste.
Në vitet
e Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm që ndryshoj pushtimi i Kosovës, por
ndryshoi edhe statusi politik e juridik i Kosovës si edhe vet territori i krahinës së llapit. Gjithashtu
Mr. S. Salihu na ofron argumente e të dhëna edhe për periudhën e pas Luftës së
dytë Botërore apo të Jugosllavisë pas AVNOJ-it.
Edhe pas kësaj periudhe historike, pushteti jugosllav mbajti qëndrim
nacionalist ndaj shqiptarëve dhe kjo bëri që shqiptarët mos të pajtohen e
integrohen në kuadër të Jugosllavisë. Sipas autorit, demonstratat e marsit dhe
prillit të vitit 1981, ishin një nga monumentet më kulmore të kësaj lufte, që
një vend tepër të rëndësishëm të rezistencës dhe luftës e zinte, popullsia shqiptare
e kësaj krahine pasi që në supet e saj i bajti të gjitha sulmet dhe masat e
egra që i merrte policia dhe ushtria serbe kur dihet se për të arritur në
brendinë e Kosovës duhet kaluar për këtë trevë.
Për
Kosovën , po edhe për shqiptarët e Llapit, ka kohë që ka filluar të shkruhet
brenda po edhe jashtë saj, por, jo me një intensitet e potencial të
mjaftueshëm. Të gjitha këto probleme të çështjes së Kosovës, apo të çështjes
kombëtare , autori i librit Salih Salihi i sheh nga një këndvështrim pak më ndryshe
të cilat do të shërbejnë si një informacion me interes, ashtu edhe për tu
ballafaquar me mendimet e të tjerëve që janë trajtuar deri më tani.