E enjte, 14.11.2024, 05:31 PM (GMT)

Mendime

Lazër Stani: Historia kundër

E hene, 15.04.2013, 06:58 PM


Historia kundër

Nga Lazër Stani

Në të gjitha komentet, opinionet, analizat e botuara, kundër veçanërisht, por edhe pro “Peticionit të intelektualëve kundër rishikimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore turke”, qëllimisht, ose nga padija, është shmangur një pyetje thelbësore: Përse Turqia kërkon të rishkruhen tekstet e Historisë, veçanërisht ata kapituj që lidhen me pushtimin pothuajse pesëshekullor osman të trojeve shqiptare? Përgjigjen e kësaj pyetjeje, që së pari ia kemi bërë vetës me shqetësim ne, hartuesit dhe nënshkruesit e peticionit, e kemi pasur krejtësisht të qartë: këmbëngulja e qeverisë së Turqisë për të ndryshuar tekstet e historisë me të cilët edukohen nxënësit dhe studentët shqiptarë nuk është as shkencore dhe as akademike, por një arsye e mirëfilltë politike, madje gjeopolitike, ekspansioniste. Dhe për më tepër kjo kërkesë nuk ka të bëjë aspak me marrëdhëniet e sotme të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës me Republikën e Turqisë. Këto marrëdhënie, po të përdorim gjuhën e përfaqësuesve tanë politikë, janë “të shkëlqyera”. Pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri dhe pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, që  i dhanë fund pushtimit serb, marrëdhëniet respektive midis shteteve tona kanë qenë të nivelit më të lartë politik, ekonomik , ushtarak e kulturor. Asnjë intelektual shqiptar, në asnjë rast, nuk është shprehur kundër këtyre marrëdhënieve miqësore e bashkëpunuese, madje kanë heshtur edhe kur shtetarët tanë më të lartë kanë zhvendosur nga sallonet e pritjes  e fshehur nëpër papafingo bustin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që t’ju vijnë sipas “midesë” politikanëve të lartë turq që kanë vizituar Tiranën apo Prishtinën. Nuk ka pasur reagime madje, as kur kryeministrit të tanishëm turk Rexhep Taip Erdogan i është dhënë titulli “Qytetar Nderi i Prizrenit”, nder ky që nuk i është bërë as Abdyl Frashërit, arkitektit të Lidhjes së Prizrenit  dhe as ndonjërit prej patriotëve të shquar që patën merita të veçanta në këtë ngjarje të rëndësishme historike për shqiptarët. Deklaratat e disa akademikëve me trurin në pension, historianëve, opinionistëve, apo quasi-intelektualëve në media, që e kanë cilësuar Peticionin si “manifest urrejtjeje kundër Turqisë”, apo si një peticion anti-islam, më janë dukur, po të përdorim një fjalë  të rëndomtë turke, thjesht “budallallëk”, ose  më keq, një shprehje e shterpësisë intelektuale, ose, edhe me keq ende, shërbime të paguara që u bëhen politikave strategjike të Turqisë, në dëm të interesit kombëtar të shqiptarëve.

Kam bindjen dhe besoj se asnjëri prej intelektualëve, hartues apo firmëtarë të peticionit, nuk do të nënshkruante kurrë një manifest urrejtjeje kundër një populli, qoftë ai turk, grek, serb, italian apo indian.

Misionit i intelektualit, siç ka shkruar Albert Kamy, është t’i  shërbejë të vërtetës dhe t’i  shërbejë lirisë dhe pikërisht me vetëdijen e këtij misioni ne hartuam dhe nënshkruam “Peticionin kundër rishikimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore turke”.

Fakti që autoritetet më të larta shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë heshtin, ndërsa në media botohen çdo ditë komente dhe opinione rreth këtij Peticioni, të bind se zyrtarët më të lartë ndihen ngushtë dhe fajtorë, përballë një akti të legalizuar tashmë në Prishtinë, që në kundërshtim me orientimin politik, qenësinë shpirtërore dhe gjenetike, vizionin dhe përcaktimin e shqiptarëve, kërkon t’i mbajë ata nën ombrellën gjeopolitike që qeveria e Turqisë po përpiqet të implementojë në Ballkan, në rajone të tjera të Lindjes së Mesme dhe më gjerë.

Historianët, politologët, diplomatët, po edhe opinionbërësit, mbase kanë pasur rastin të lexojnë librin e politologut dhe akademikut Ahmet Davutoglu “Strategic depth” – “Thellësia strategjike” (Stratejik Derinlik – në origjinal), sot ministër i Jashtëm i Turqisë. Pas emërimit në postin ministrit të Jashtëm të Turqisë më 1 maj të vitit 2009, z. Davutoglu u angazhua për ta shndërruar Turqinë në një fuqi rajonale brenda Europës dhe në Lindjen e Mesme dhe shprehu qartë ambicien e Turqisë për një rol me ndikim më të madh në politikën botërore. Me emrin e Dovutoglusë lidhet nocioni i neo-otomanizmit, që synon të krijojë një komonuelth shtetesh me fqinjët dhe vende të tjera, duke shfrytëzuar lidhjet e vjetra otomane. Në Perëndim dhe në median amerikane kjo politikë është cilësuar Neo-otomanizëm. Ahmet Davutoglu, duke shtjelluar politikën e tij të jashtme, është shprehur se “ne jemi duke u përpjekur në arritjen e një paqeje të qëndrueshme në rajonin tonë”, politikë që nga politologët perëndimorë është pagëzuar më termin Pax Ottomana e që e përkthyer literalisht do të thotë: Paqe otomane. E vërteta është se në zbatimin e kësaj politike Turqisë moderne i ka krijuar probleme dhe vështirësi trashëgimia e Perandorisë Osmane, jo vetëm te popujt që ishin të pushtuar nga kjo perandori e që tani kërkon t’i shndërrojë në vende satelite të saj, por edhe brenda për brenda Turqisë.

Intelektuali më i njohur i gjallë turk, shkrimtari nobelist Orhan Pamuk ka qenë për një kohë të gjatë në qendër të akuzave si “Vatan Haini” (“tradhtar i atdheut”), për shkak të qëndrimeve të tij në shërbim të së vërtetës dhe të lirisë. Natyrisht ky problem i Turqisë Moderne me Perandorinë Osmane, ndërsa ajo përpiqet të zbatojë politikën e re neo-otomaniste, me synimin për “të kontribuar” në “Pax Ottomana” për popujt dhe kombet që kanë vuajtur pushtimin osman, është konvertuar në kërkesë politike për ndryshimin e teksteve të historisë, me të cilat edukohen fëmijët tanë në shkolla. Objektivi i politikës së jashtme turke është i qartë: nëpërmjet manipulimit të fakteve historike të përmirësohet imazhi i Perandorisë Osmane, të paraqitet ajo si Perandori e Paqes dhe e prosperitetit, që ka siguruar progresin dhe bashkekzistencën paqësore midis popujve, në funksion të ambicieve të sotme strategjike dhe gjeopolitike të Turqisë.

Është e kuptueshme se, nëse shqiptarët do t’i  nënshtroheshin një politike të tillë, për çfarëdo interesi të momentit, atëherë atyre do t’u duhej të mohonin të vërtetat e historisë së tyre, të mohonin heroin e tyre kombëtar – Gjergj Kastriotin, të mohonin  kryengritjet dhe gjakun e derdhur gjatë shekujve, të mohonin Rilindësit e shquar, folklorin, letërsinë, kulturën dhe identitetin e tyre perëndimor dhe europian. Ndryshimet në tekstet e historisë, falsifikimi i të vërtetave të saj, sjellin një pasojë fatale për të ardhmen; ato çojnë në edukimin dhe krijimin e një gjenerate të re neo-otomanësh, mohues të Gjergj Kastriotit, mohues të Rilindjes Kombëtare, mohues të identitetit tonë europian, shndërrohen në faktor të një divorci tjetër të shqiptarëve me Europën dhe kthimin e tyre në Lindje.

Fakti që një qeveri shqiptare pranon për të ngritur një komision dypalësh për rishikimin e historisë në funksion të politikës neo-otomaniste turke, është me të vërtetë alarmant dhe i papranueshëm. E papranueshme dhe e turpshme ka qenë edhe heshtja e dy akademive tona të shkencave dhe e historianëve, që duhet të ishin avokatët e parë të së vërtetës historike të shqiptarëve. Këto institucione ka vite që heshtin ndaj tendencave neotomaniste, në interpretimin e historisë, madje heshtën edhe para një akti politik që vë në pikëpyetje identitetin tonë si shqiptarë dhe të ardhmen tonë në familjen e kombeve të qytetëruar europianë.

Nxitimi dhe gjaknxehtësia për të kundërshtuar Peticionin, duke e cilësuar atë herë si shprehje “diktati mbi historianët” e herë si “manifest urrejtjeje” ndaj një populli, përbën një paradoks, që në fund të fundit tregon se sindromi i neo-otomanizmit ka infektuar jo pak individë, që tentojnë ta përfshijnë veten në elitat politike, universitare, shkencore e kulturore të vendit.

Por inteligjenca krijuese, si kategoria me e ndjeshme ndaj kombit dhe gjuhës, identitetit dhe kulturës, nuk mund të heshtë dhe as të pajtohet me akte dhe veprime që vijnë në kundërshtim me projektin më të madh të shqiptarëve, ndarjen përfundimtare nga Lindja dhe kthimin e tyre në Perëndim, atje ku ata e patën vendin përpara se osmanët të dyndeshin nga Azia e t’i vërsuleshin Europës.

Shqiptarët dhe historia janë në anën e tyre.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora