Mendime
Elida Buçpapaj: KQZ një intrument politik
E premte, 12.04.2013, 07:34 PM
KQZ NJË
INSTRUMENT POLITIK DHE PA INTEGRITET I ABSOLUTIZMIT PARTIAK
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Prej dje
po dëgjojmë që faktori ndërkombëtar po e vë theksin se Komisioni Qendror i
Zgjedhjeve duhet të jetë apolitik dhe i paanshëm! Natyrisht ashtu duhet të
jetë!
Komisioni
Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri është thellësisht politik dhe i anshëm, sepse
ky Komision zgjidhet pikërisht nga partitë, të cilat përzgjedhin aty njerëzit
më luajalë, jo ndaj ligjit, por ndaj kreut të partisë, ku kreu i partisë
përkthehet me atë sentencën aq të njohur të Luigjit të XIV se "Ligji jam
Unë", ndërsa Kushtetuta është copë letër.
Dhe kjo
formulë, i zgjedhur prej partive, e ka kompromentuar Komisionin Qendror
Zgjedhor, i ka hequr besueshmërinë. Opozita nuk i beson a priori vendimet që
merr shumica në këtë Komision, sepse ka parasysh se si vepronte ky Komision kur
opozita kishte maxhorancën. Dhe vice versa. Prandaj rezultatet kontestohen
gjithnjë nga humbësit.
Asnjë
parti në Shqipëri këta 22 vjet, përjashto zgjedhjet e 22 marsit 1992, nuk e ka
respektuar formatin e KQZ si një institucioni demokratik, që KQZ të jetë
apolitik, i paanshëm dhe i pavarur nga partitë! Për hir të së vërtetës, vetëm
Fatos Nano më 2005 ka pranuar rotacionin, pa marrë parasysh dorëheqjen, pasi
Ruçi me kompani kërkonte me çdo kusht mandatin e tretë.
Partitë e
kanë kthyer drejtësinë në një derivat të pushtetit të tyre. Në Shqipëri nuk
njihet formula „të gjithë të barabartë përpara ligjit“ – sepse kush ka në dorë
pushtet politik është i privilegjuar, pasi e bën ai vetë ligjin. Prandaj në
Shqipëri shteti i së drejtës është një iluzion.
Për
shembull, Ilirjan Celibashi ish kryetar i këtij Komisioni, sot është kandidat
për deputet i PS, dhe kështu me rradhë edhe nga krahu tjetër!
Nëse do
të ishte apolitik ky Komision, dhe ashtu do të duhej të ishte, dhe po të ishte
ashtu, partitë politike, por edhe shqiptarët do ta bënin gjumin e qetë, se
integriteti i votës të tyre, dmth vota e Sovranit do të mbetej e pacënuar.
Po sot e
shihni si shqetësohen aq shumë të gjitha palët? Po çmenden, po kalojnë në
çmendi. Sepse pushteti politik në Shqipëri nuk e njeh pavarësinë e
institucioneve! Në një sistem demokratik pushtetet janë të pavarura, mediat po
ashtu. Në Shqipëri, jo, të katër pushtetet janë të varura dhe ndërvarura nga
partitë! Kështu edhe institucioni i KQZ.
Dhe sipas
logjikës të absolutizmit të pushtetit politik në Shqipëri, kryetarët e partive
ngjajnë si feudalë anadollakë dhe deputetët bujkrobër qyqarë.
Me daljen
nga koalicioni me PD, largimi i anëtarit të LSI-së nga Komisioni Qendror i
Zgjedhjeve është ugual me largimin e ministrave, nënministrave, drejtorët e
drejtorive dhe nënkryetarit të Bashkisë të Tiranës! Kjo është logjika. Logjika
e Ed Ramës, e Sali Berishës dhe e Ilir Metës, të cilit Berisha me katër
deputetë prej 2009 deri në prill 2013, pra pothuaj për katër vjet rresht, i dha
në tabaka 40% të posteve më të larta dhe administratës publike! Sot Ilir Meta
po e akuzon Berishën si diversant! Nuk e di se si do t'i përgjigjet nesër Sali
Berisha.
Ky është
realiteti i hidhur dhe i turpshëm, se pushteti politik i partive ka 22 vjet që
e ka cënuar integritetin e KQZ dhe e ka shndërruar në një institucion, të cilit
nuk i zë besë asnjëra palë kur kalon në opozitë. Prandaj sot shqetësohen aq
shumë kryetarët e partive, sepse KQZ është 100% i politizuar dhe një instrument
politik në duart e tyre.
Çfarë
mund të bëhet? Po të kishin patur minimumin e vullnetit politik, kryetarët e
partive kishin votuar në mënyrë unanime një KQZ të përbërë nga njerëz të
ndershëm dhe me integritet, të cilëve pak u interesojnë partitë, kur venë në
balancë interesat e vendit të tyre. Dhe Shqiptarë të tillë ka. Por kryetarët e
partive pëlqejnë zakonisht njerëzit e njollosur që ata t’i përdorin si
marioneta.
Sa i përket formatit që ka sot, ky Komision nuk ka më kredibilitet dhe si i tillë nuk mund t’i mbijetojë sistemit të vlerave të demokracisë. Zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të kontestuara. Sepse kontestimin e prodhon pikërisht politizimi i tej skajshëm që ka KQZ, çka do të thotë se ky Komision nuk është as apolitik dhe as i paanshëm. Kështu e kanë katandisur politikanët, të cilët kanë shkelur me këmbë Kushtetutën! Po, po, kryetarët e partive kanë shkelur me të dy këmbët Kushtetutën e Shqipërisë! Dhe shkelësit e Kushtetutës dihet se ku e kanë vendin!