E premte, 08.11.2024, 12:49 AM (GMT)

Mendime

Elida Buçpapaj: Porosi për Edi Ramën

E enjte, 18.04.2013, 06:20 PM


POROSI PËR EDI RAMËN

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Shqipëria po përgatitet të hyjë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe prioritet i prioriteteve është garantimi i stabilitetit dhe qetësisë së vendit. Palët që do të garojnë të shpallin strategjitë e të fokusohen në programet partiake. Opozita vetvetiu është e privilegjuar, sepse ballafaqon premtimet që ka marrë maxhoranca me përmbushjet e tyre si dhe paraqet premtimet e veta. Por qetësia dhe stabiliteti është alfa dhe beta që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Kjo kërkon që palët të fokusohen tek mbarëvajtja e tyre si përmbushje e interesit kombëtar.

T’i kundërvihesh stabilitetit të vendit me provokime që çojnë në kolaps sistemin 60 ditë larg zgjedhjeve është njëlloj si të riciklosh një 21 janar! Kush doli i humbur nga 21 janari? Veç viktimave, doli Edi Rama, i cili e konsumoi edhe një herë veten si radikal. Dhe Edi Rama rrezikon një riciklim të tillë pa asnjë shkak, kur duhet të ndihet i sigurt për fitoren pas bashkimit që pati me Ilir Metën, i cili në vetvete, është një tjetër gafë e lidërshipit të PS!

Lind pyetja, një lider që beson se i ka të fituara zgjedhjet e përse kërkon ta destabilizojë vendin? Siç po vepron Edi Rama, kur kundërshtari i tij është i dërmuar nga gabimet e pafundme, siç dëshmoi edhe koalicioni që pati me Ilir Metën, i cili sot Sali Berishës iu kthye në boomerang!

Le të kthehemi tek kriza në gotë e KQZ, një institucion thellësisht i politizuar prej politikës, i cili ka një funksion të sanksionuar prej një marrëveshjeje mes PD dhe PS, kur PD ishte në opozitë, me një balancë 4 me 3 për maxhorancën. Në rastin konkret, largimi nga koalicioni i LSI e prishte këtë balancë, pasi Muho ishte i propozuar nga PD, kur PD dhe LSI ishin në muaj mjalti.

Edi Rama le të mjaftohet me muajin e mjaltit që ka startuar me Ilir Metën dhe me të mirat sipas mendjes së tij që rrjedhin prej kësaj, por jo të bllokojë vendin dhe ta fusë Shqipërinë rishtas në krizë! Sepse i humburi do të dalë ai! Mezi e ka ndrequr disi imazhin prej kujtimit të 21 janarit, s’ka arsye që të ndërmarrë veprime autodestruktiviste. Një pyetje e kam për Ramën, me këto mendje që ka sot, a do ta kishte ndërmarrë atë që ndërmori më 21 janarin e 2011?!

Sa për KQZ, ai është një bunker i partive kryesore. Më 1991 kryetar i KQZ-së ka qënë Rexhep Mejdani, i cili më 1997 do të zgjidhej president i Shqipërisë. Më 1997, kryetar i KQZ-së ka qënë Fatos Klosi, i cili më pas do të emërohej kreu i SHIK-ut! Pra shihni se çfarë rëndësie, sikur fitorja të varet prej KQZ! Ky është precedenti i krijuar. I cili duhet të çmontohet! Por kjo s’mund të bëhet as sot dhe as nesër kur në prag kemi zgjedhjet e 23 qershorit. Kjo bëhet me konsensus politik nga politikanë të përgjegjshëm!

Largimi i Muhos ishte reaksion pas daljes së LSI-së nga koalicioni me PD, i cili në vetvete ishte një akt aspak normal, prej të cilit rrodhi ngërçi në gotë, votimi kundër Muhos, aq më tepër kur ishte një figurë jo e pastër, ashtu si po flitet edhe për Arben Ristanin! Sa turp, kur partitë gjejnë vetëm njerëz të njollosur dhe pa personalitet për KQZ, lehtë për t'i përdorur dhe për t'i depersonalizuar.

Hakmarrje politike e dirigjuar nga lidërshipi ishte edhe dorëheqja e dy përfaqësuesve të PS nga KQZ, e cila e dëmton vetë Edi Ramën!

Pasi veç të tjerave. Nxjerr në pah pasigurinë e tij dhe vë në dyshim fitoren.

Dhe hakmarrja, produkt i mungesës të shtetit ligjor, degjeneron në spirale.

I tillë ishte edhe sulmi fizik dhe kërcënimet nën dritën e reflektorëve dhe përpara kamerave kundër Kastriot Islamit dhe dy deputetëve të PS, të përjashtuar nga Edi Rama, të cilët votuan largimin e Muhos! E përse do të tregoheshin luajalë deputetët e PS me Edi Ramën kur ishte vetë Edi Rama që përjashtoi nga PS, duke mos i kandiduar për zgjedhjet e 23 qershorit?

Shërbimi klientelist është antimorali që po gërryen shtetin në Shqipëri! Sepse zgjedhja e kandidatëve nga kryetari i partisë është një tjetër skandal që e bënë demokracinë atje të jetë hibride.

E përse nuk u kënaq Edi Rama nga konseguencat për efektet direkte të afrimit të tij me Metën dhe distancimit të Metës nga Berisha në këshillat bashkiakë, ku tani qarku i Fierit, i cili e la vendin në klasë, e bashkë me të edhe disa qarqe të tjera, e kthyen PS menjëherë në maxhorancë?!

Përse Edi Rama nuk u mjaftua të shijonte kthimin kokëpështë të aleancës midis Berishës me Metën, në ndryshimin e balancave në disa qarqe të pushtetit lokal, përfshi edhe Tiranën, ku raportet e reja dhe bashkimi i votave PS-LSI e kthyen PD në pakicë, dhe çiftëzimi PS-LSI shkarkoi menjëherë Kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, veteranin Njazi Kosovrasti, një besnik i PD-së, i cili u zëvendësua me Aldrin Dalipin, një tjetër besnik të PS !

Po ta analizosh, largimi i Muhos nga KQZ është i barabartë me ndryshimin e balancave në favor të PS sa i përket qarqeve të vendit. Dhe kaq!

Tani Edi Rama duhet ta rikthejë në normalitet situatën, sepse hollë-hollë, shkaktari i gjithë këtyre „tërmeteve“ është ai vetë, pasi ishte ai që ngulmoi me çdo kusht që Ilir Meta të kalonte me të, duke ia punuar Berishës!

Tani Edi Rama e ka Ilir Metën me vete dhe le ta mbajë! E fushata të vazhdojë normalisht, të garantohet e ruhet stabiliteti i vendit dhe t’i krijohen të gjitha kushtet Sovranit që ta hedhë votën në mënyrë të lirë dhe të ndershme.

Sa për veprimet e Edi Ramës, Ilir Metës e Sali Berishës për gjithë këtë që kanë gatuar përfshi politizimin lunatik të KQZ-së, këto veprime janë afatshkurta, i shërbejnë momentalisht politikës, por jo interesave të vendit dhe shqiptarëve. Vendi dhe shqiptarët kërkojnë shtet ligjor dhe politikë të pastër. Kush e plotëson këtë formulë, e vazhdon rrugën, kush nuk e plotëson, mbetet në klasë!

Por të jesh në opozitë e të ndërmarrësh veprime të gabuara e nonsense, të cilat shkojnë direkt në llogari të një kundërshtari të cfilitur nga një qeverisje traumatike tetëvjeçare, kjo është marrëzi.

Edi Rama ta varë vëth në vesh, se vendi kërkon stabilitet, qetësi dhe kushte sa më të mira për një proces zgjedhor fair and free! Në këto 60 ditë ai ka plot për t’i thënë kundërshtarit, tani që e ka në krahun e tij edhe Ilir Metën, të cilin e ka paragjykuar si shans për të marrë pushtetin duke kopjuar Berishën, i cili, siç e shohim të gjithë, prej Ilir Metës mbeti në baltë ! Po këto llogari janë personale të Edi Ramës!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora